Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Historia 11 Tema 1 Mësimi 9
Ndikimi romak në Iliri
Sundimi romak pati ndikime në shoqërinë ilire
Duke qenë një sundim prej gati 5 shekujsh sundimi romak pati ndikime në shoqërinë ilire. Ky ndikim nuk ishte i njëjtë. Ai shfaqet kryesisht në arkitekturë, art dhe gjuhë ku latinishtja zëvendëson greqishten në mbishkrime. Ndër monumentet kryesore të arkitekturës romake përmendim amfiteatri (Dyrrah), aquadukt (Butrotos), termet (Bylis, Apolloni, Dyrrah, Bradashesh, Butrot etj.), biblioteka, hark triumfi (Apoloni). Edhe në skulpturë shfaqen portreti romak dhe togati. Në besimin fetar shtohet ndikimi i panteonit romak.
Një nga ndikimet më të rëndësishme romake në trojet ilire ishte rrjeti rrugor i zhvilluar me qëllim që të lehtësonte si lëvizjet e trupave ashtu dhe zhvillimin e tregtisë. Një nga rrugët më të rëndësishme të ndërtuara nga romakët në vitin 146 p.e.s. ishte Egnatia (nga emri i governatorit të Maqedonisë Cnaus Egnatus). Kjo rrugë që përshkonte rrugën e vjetër ilire të quajtur Candavia nisej nga Dyrrhau dhe Apolonia shkonte drejt Thesalonikut dhe përfundonte në Bizant (Konstantinopol, Stambolli i sotëm) me një gjatësi të përgjithshme prej 553 miljesh sipas Strabonit (830 km). Rrugët romake ishin pajisur me gurë miljarë, stacione-mutatio çdo 10-15 km dhe mansio për çdo tre mutatio. Këto stacione shërbenin për ndërrimin e kuajve dhe hane për kalimin e natës.
Megjithë ndikimet e pranisë romake në Iliri nuk mund të themi se pati një proces romanizimi pasi ndikimi më i madh i kulturës romake ishte në qytetet koloni ndërkohë që pjesa më e madhe e ilirëve banonin në fshatra dhe qendra qytetare më të vogla. Pas kontakteve me kulturën helene kontaktet me kulturën romake tashmë më të dendura patën ndikimin e vet në kulturën ilire duke i dhënë asaj, por edhe duke marrë prej saj. Krahas arkitekturës, artit, ritit të varrimit me urna (djegia e kufomës dhe vendosja e hirit në një enë-urnë) ndërtimit (me futjen e përdorimit të llaçit) etj. ndikimi romak ishte i ndjeshëm edhe në gjuhën e folur ilire. Fakti është se ilirët ruajtën kulturën e tyre të krijuar në shekuj edhe kur romakët erdhën në Iliri. Dëshmi e kësaj ishte kalimi nga ilirët tek arbrit që s’mund të bëhej nga një popull i romanizuar. Pavarësisht se ishin nën sundimin romak ilirët merrnin pjesë në fusha të ndryshme të jetës duke arritur deri në poste të larta si ai i perandorit.
Përhapja e kristianizmit në trojet ilire
Ilirët janë ndër popujt që kanë përqafuar më herët fenë e re kristiane. Që në vitin 53 shenjtori Pal predikoi Vangjelin, tek ilirët dhe katër vjet më vonë edhe nxënësi i tij Titius ndoqi shembullin e tij. Pas sanksionimit të kristianizmit si fe zyrtare në vitin 312, perandori Konstantin u krijoi mundësitë për ndërtimin e bazilikave e kishave të para kristiane. Bazilikat më të hershme në territorin ilir janë ndërtuar në gjysmën e dytë të shek. IV, ndërsa, gjatë shek. V-VI ato u përhapën kudo jo vetëm në qytetet ilire, por edhe në fshatra. Disa qytete ilire si Bylisi, Durrësi, Nikopoli, Skodra dhe Tivari u bënë qendra të rëndësishme të kristianizmit në gadishullin ballkanik. Në qytetin antik të Bylisit janë zbuluar 5 bazilika, njëra prej të cilave katedrale, dëshmi e përhapjes së gjerë të kristianizmit tek ilirët. Bazilika të tjera me vlera arkitekturore dhe dekorative janë ato në Arapaj (Durrës), Mesaplikut (Vlorë), Linit (Pogradec), Butrintit etj. Ndërtimi i bazilikave, përveç përhapjes së fesë kristiane, janë dëshmi e nivelit të lartë të ndërtimit dhe zbukurimit pasi përfaqësojnë monumente me vlera arkitekturore dhe dysheme të shtruara me mozaikë shumëngjyrësh me motive jo vetëm nga dogma kristiane, por edhe nga jeta e përditshme. Ndërtime të tilla dëshmojnë një popull me tradita që kishte krijuar shkollën e vetë të ndërtimit dhe zbukurimit të monumenteve dhe banesave.
FJALË KYÇ
Shpjegoni fjalët kyç: panteoni romak, Candavia, Egnatia, stacione-mutatio, togati, shenjtori Pal, Titius.
PËRGJIGJUNI
1. Në ç’ mënyrë e ndikoi zhvillimin ekonomik, shoqëror e politik të ilirëve sundimi romak?
2. Si u shpreh ky ndikim?
3. Në ç’mënyrë u përhap kristianizmi në truallin historik shqiptar? Argumentoni me shembuj.
MENDONI NË MËNYRË KRITIKE
1. Vëreni hartën. Ndiqni në hartë rrugën Egnatia. Formuloni përfundimet tuaja ku të tregoni si ndikoi ajo në zhvillimin e qytetërimit ilir.
2. Vëreni fotot. Çfarë mësimi përcjellin për ju? Formuloni opinionin tuaj.
KËRKONI INFORMACION
1. Lexoni pohimin. Ilirët janë ndër popujt që kanë përqafuar më herët fenë e re kristiane. Si është më tej historia e fesë kristiane në truallin shqiptar? Formuloni përfundimet tuaja.
2. Gjeni objektet fetare kristiane në vendbanimin tuaj. Formuloni përfundimet tuaja.