Kurrikula
Kursi: Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA
Identifikohu

Curriculum

Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA

0/56
Mësimi me video

Tema 4 Mësimi 7: Shteti shqiptar gjatë viteve 1921-1924

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Historia 11 Tema 4 Mësimi 7

Shteti Shqiptar gjatë viteve 1921-1924

Jeta politike në Shqipëri në vitet 1920-1924
Me zgjidhjen e çështjes së pavarësisë dhe sovranitetit të atdheut, vëmendja kryesore u drejtua tek problemet e vendit. Si detyrë kryesore ishte ndërtimi i shtetit. Qeveria e Iljaz Vrionit (nëntor 1920-tetor 1921) shpalli ligjin për zgjedhjet e Këshillit Kombëtar (parlamentit). Ky ligj ishte hartuar në mënyrë që të lehtësonte zgjedhjen e deputetëve të rrymës konservatore. Si rrjedhim gjatë fushatës shkurt-prill 1921 u formuan dy grupime politike: Partia Përparimtare dhe Partia Popullore. Krahas tyre, u formua edhe një aleancë e përkohshme me emrin Bashkimi i Shenjtë, që solli në pushtet në tetor 1921 qeverinë e Pandeli Evangjelit. Meqenëse situata politike ndryshoi, u forcuan prirjet dhe dëshirat për pushtet të forcave politike që çuan në krizën qeveritare të dhjetorit të vitit 1921. Gjatë këtij muaji u ndërruan disa qeveri. Këshilli i Lartë dekretoi shpërndarjen e parlamentit deri në janar 1922. Ahmet Zogu, pasi ndërpreu operacionet ushtarake në veri, në krye të forcave të tij u kthye në Tiranë, shpalli gjendjen e shtetrrethimit, mblodhi Këshillin Kombëtar, detyroi Këshillin e Lartë dhe qeverinë të jepnin dorëheqjen. Këshilli i Lartë, që u zgjodh e ngarkoi më 24 dhjetor 1921 Xhaferr Ypin të formojë qeverinë. Zogu në këtë qeveri u caktua si Ministër i Brendshëm. Ky post i lejoi atij që nën domosdoshmërinë e modernizimit të shtetit shqiptar dhe të vendosjes së rregullit të ndërmerrte një sërë masash duke e përqendruar pushtetin në duart e tij. Ngjarjet e dhjetorit i forcuan pozitat Zogut ndaj dhe opozita kërkoi thirrjen e Asamblesë Kushtetuese. Në mars të vitit 1922 shpërtheu një kryengritje kundër qeverisë. Forca të drejtuara nga Elez Isufi arritën në Tiranë. Por lëvizja ishte e paorganizuar mirë dhe dështoi. Kryengritja u shtyp. Pas kësaj lëvizjeje, qeveria mori masa për çarmatimin e popullsisë. Në dhjetor të vitit 1922 u zgjodh qeveria e re me kryeministër Ahmet Zogun. Në programin e tij qeverisës, Zogu premtoi se do të ndiqte një politikë perëndimore (oksidentale) dhe se do të respektonte lirinë e fjalës dhe të shtypit. Masat e marra nga ai e shtynë opozitën të riorganizohej duke formuar në parlament një grup të fortë opozitar nën kryesinë e Fan Nolit.

Organizimi i shtetit shqiptar sipas Statutit të Zgjeruar të Lushnjës
Meqenëse Statuti i Lushnjës ishte akt kushtetues i përbërë vetëm nga 6 nene dhe nuk përcaktohej me hollësi organizimi shtetëror i vendit, u pa si domosdoshmëri plotësimi i tij. Në gusht të vitit 1921, u zgjodh një komision i posaçëm me elementë përparimtarë, për hartimin e një projekti, i cili kaloi në Këshillin Kombëtar për miratim. Më 14 dhjetor 1922 u miratua dokumenti kushtetues që u quajt Zgjerimi i Statutit të Lushnjës. Ky dokument ishte vazhdimësi e Statutit të Lushnjës, e cila për vetë kushtet historike të kohës ishte një kushtetutë me përmbajtje përparimtare. Statuti i Zgjeruar, si formë të regjimit, sanksiononte formën monarkiste të qeverisjes. Kompetencat e mbretit do t’i liheshin përsëri Këshillit të Lartë, që përbëhesh prej 4 anëtarësh, po në një masë të kufizuar. Në këtë statut sovraniteti i përkiste popullit. Pushteti legjislativ e ushtronte Këshilli Kombëtar, i cili do të zgjidhej në çdo katër vjet nga shtetasit shqiptar që kishin mbushur moshën 25 vjeç. Qeveria ose kabineti qeveritar përcaktohej si organi që ushtronte pushtetin ekzekutiv. Akt i rëndësishëm ishte edhe ndarja e shtetit nga feja. Pushteti gjyqësor vepronte mbi parimin e njohur të pavarësisë së gjykatave. Në këtë statut për herë të parë u trajtuan edhe çështjet e të drejtave dhe lirive të shtetasve apo siç njihen grupi i të drejtave civile. Këto akte ndikuan në lëvizjet shoqërore e politike të asaj periudhe.

Acarimi i situatës Politike dhe Lëvizja e Qershorit
Më 23 shkurt 1924 kryeministrit Ahmet Zogut, duke hyrë në asamble, iu bë një atentat. Ky veprim rriti tensionin në asamble, por edhe jashtë saj. Ahmet Zogu i plagosur dha dorëheqjen. Në pushtet vjen qeveria e Shefqet Vërlacit, e cila nuk i pëlqeu as opozitës dhe as opinionit përparimtar popullor. Më 20 prill kundër anëtarit të asamblesë Avni Rustemi u bë një atentat, ngjarje që çoi në acarimin e situatës politike dhe në zemërimin popullor. Varrimi i Avni Rustemit në qytetin e Vlorës u shndërrua në një manifestim kundër qeverisë dhe Ahmet Zogut. Më 2 maj deputetët e opozitës organizuan një kuvend në Vlorë me pjesëmarrjen e 300 përfaqësuesve, nga të gjitha krahinat e vendit. Kuvendi i nisi dy memorandume ultimative qeverisë në Tiranë. Në të parin u kërkua të gjendeshin vrasësit e Avni Rustemit nga ana e qeverisë, ndërsa në të dytin dënoheshin veprimet e Ceno bej Kryeziut, (kunati i Zogut), i cili konsiderohej bashkëpunëtor i jugosllavëve. Qeveria nga ana e saj nuk i mori parasysh këto ultimatume dhe i dha më tepër mundësi opozitës të vinte në jetë planet e saja. Më 5 maj shoqëria “Bashkimi” i drejtoi thirrje rinisë shqiptare të çohej në kryengritje të armatosur. Menjëherë trupat ushtarake të garnizonit të Shkodrës dhe atij të Përmetit u ngritën kundër qeverisë. Në Vlorë u ngrit një komision për drejtimin e kryengritjes me në krye Fan Nolin. Kryengritja filloi më 24 maj me sulmin e Bajram Currit mbi Krumën dhe vazhdoi me marshimin e tij nëpërmjet Dibrës e Matit për në Tiranë. Menjëherë në duart e kryengritësve ranë qytetet e Shkodrës, Përmetit, Beratit, Fierit dhe Peshkopisë. Më 10 qershor 1924, forcat kryengritëse hynë në Tiranë, Zogu u largua nga Shqipëria me disa anëtarë të qeverisë dhe bashkëpunëtorë të tij. Lëvizja kryengritëse e qershorit fitoi. Në këtë lëvizje morën pjesë intelektualë, patriotë, por edhe oficerë karrieristë dhe aventurierë. Më 16 qershor u formua qeveria e dalë nga kjo lëvizje kryengritëse e kryesuar nga Fan Nolit.

FJALË KYÇE
Shpjegoni fjalët kyç: Iljaz Vrioni, Partia Përparimtare, Partia Popullore, Bashkimi i Shenjtë, Pandeli Evangjeli, Ahmet Zogu, Fan Noli, Statutit i Zgjeruar i Lushnjës.

PËRGJIGJUNI
1. Si u zhvillua jeta politike në Shqipëri në vitet 1920-1924?
2. Cilat ishin propozimet e delegacioneve shqiptare në Konferencë për çështjen politike në vend?
3. Çfarë përfaqëson Statuti i Zgjeruar i Lushnjës?
4. Cilët janë elementët që zhvillohen në Statutin e Zgjeruar të Lushnjës?
5. Ç’rol luan Ahmet Zogu në periudhën e këtyre viteve?
6. Pse u acarua politika në këto vite? Cilat janë shkaqet dhe pasojat?
7. Ç ‘përfaqëson Lëvizja e Qershorit 1924?

MENDONI NË MËNYRË KRITIKE
1. Vëreni fotot. Çfarë mësimi përcjellin për ju? Formuloni përfundimet tuaja.
2. Formuloni opinionin tuaj, mbi Lëvizjen e Qershorit.

KËRKONI INFORMACION
Formuloni qëndrimin tuaj për qëndrimin politik të Fan Nolit dhe Avni Rustemit. Diskutoni në klasë për këtë problem.