Kurrikula
Kursi: Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA
Identifikohu

Curriculum

Historia Klasa 11; Shtepia Botuese FILARA

0/56
Mësimi me video

Tema 2 Mësimi 3: Krijimi i principatës së Arbrit

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Historia 11 Tema 2 Mësimi 3

Krijimi i principatës së Arbërit

Kushtet ekonomike, politike dhe shoqërore në të cilat u krijua Principata e Arbërit
Marrja nën administrim e trojeve ilire nga Perandoria Romake e Lindjes u shoqërua me një strukturë të re qeverisje e cila synonte sundimin, nëpërmjet angazhimit të fisnikërisë vendase. Ky angazhim realizohej nëpërmjet joshjes së fisnikëve vendas duke j’u dhënë prona të mëdha në përdorim që më pas u bënë të trashëgueshme si dhe duke ju dhënë poste të larta në ushtri, administratë, sistemin gjyqësor, atë fiskal dhe fetar. Për të bërë sa më të forta lidhjet me fisnikët vendas perandorët bizantinë përdorën gjerësisht lidhjet nëpërmjet krushqive. Në këtë mënyrë administrimi nuk bëhet fjalë për pushtim të trojeve iliroarbërore nga bizantinët, por për sundim të tyre me ndihmën e parisë vendase.
Një mënyrë e tillë qeverisje krijonte mundësi për familje të caktuara fisnikësh arbëror që të pasuroheshin dhe fuqizoheshin deri në atë shkallë sa të mund të krijonin edhe principata të tyre në rajone të caktuara të territoreve arbërore. Duke përgatitur terrenin për krijimin e principatave feudalë të ndryshëm arbëror shfrytëzonin konjukturat e krijuara në kushtet e konflikteve të vazhdueshme midis bizantinëve nga njëra anë dhe normanëve dhe anzhuinëve nga ana tjetër pa përjashtuar konfliktet me mbretëritë sllave sidomos ato serbe dhe bullgare. Ndërkohë një faktor i ri del në skenë me fillimin e kryqëzatave duke filluar nga viti 1096 të cilat prekën edhe trojet arbërore. Në një situatë të tillë komplekse pushteti bizantin në trojet arbërore u dobësua ndjeshëm ç’ka i dha mundësi familjeve të fuqishme feudale vendase të krijojnë principatat e para arbërore.

Krijimi principatës së Arbërit dhe rëndësia e saj
Një ndër principatat arbërore më të rëndësishme në shek. XII ishte ajo e Arbërit me qendër në Krujë që shtrihej në territoret nga Durrësi deri në Dibër e Ohër. Si themelues i kësaj principate njihet Progoni (1190-1198) i pasuar nga të bijtë Gjini (1198-1206) dhe Dhimitri (1206-1216) të cilët ka mundësi të kenë qenë përfaqësues të familjes  fisnikefeudale të Skurrajve. Principata arriti kulmin e fuqisë së saj gjatë sundimit të Dhimitrit. Principata e Arbërit kishte tiparet e një shteti me institucione të vetat ku në krye ishte pricipes kishte gjykatësit dhe nënshtetasit e vet. Meqenëse në këtë kohë ishin krijuar dhe formacione të tjera si Republika e Raguzës dhe Venedikut, Despotati i Epirit, mbretëria serbe etj., Principata e Arbërit vendosi lidhje me to. Për rolin e principatës së Arbërit dëshmojnë marrëdhëniet Inocenti III. Pavarësisht rënies së principatës së Arbërit nën pushtetin e Despotatit të Epirit pas vdekjes së Dhimitrit ajo është krahas Despotatit të Epirit ndër dëshmitë më të hershme e proceseve te reja shtetformuese tek shqiptarët. Krijimi dhe fuqizimi i principatave arbërore përbën një kthesë të rëndësishme në organizimin politikoshoqëror dhe ushtarak të arbërve. Principatat sollën kompaktësinë e banorëve që bënin pjesë në to. Ato u dhanë mundësi arbërve të njohin forma më të avancuara të administrimit dhe njëkohësisht të avancojnë në proceset shtetformuese.
Krijimi i principatave ndikonte në një zhvillim të mirë ekonomik, politik, kulturor, shoqëror dhe ushtarak. Ato krijonin mundësi për zhvillimin e ekonomisë në kushte stabiliteti dhe qetësie gjë që shoqërohej me zhvillim më të mirë të tregtisë e cila ka aq shumë nevojë për paqe dhe siguri. Nëpërmjet ngritjes së administratave të tyre qeverisëse principatat ndikuan në avancimin e shoqërisë arbërore dhe njëkohësisht në zhvillimin e artit dhe kulturës. Krijimi dhe ekzistenca e principatave arbërore dëshmojnë se shqiptarët e kësaj kohe ishin në të njëjtin nivel zhvillimi me fqinjët e tyre.

 

 

FJALË KYÇ
Shpjegoni fjalët kyç: Princeps, Progoni, Gjini, Dhimitri, papa Inocenti III.

PËRGJIGJUNI
1. Si u krijua Principata e Arbrit?
2. Cilët ishin themeluesit e saj?
3. Cila ishte rëndësia e saj në jetën politike të kohës?

MENDONI NË MËNYRË KRITIKE
1. Vëreni hartën. Gjeni pozicionin gjeografik të Principatës së Arbrit. Formuloni qëndrimin tuaj për të.
2. Vëreni fotot. Çfarë mësimi përcjellin për ju? Formuloni opinionin tuaj.
3. Lexoni pohimin. Duke përgatitur terrenin për krijimin e principatave feudalë të ndryshëm shqiptarë shfrytëzonin konjukturat e krijuara në kushtet e konflikteve të vazhdueshme midis bizantinëve nga njëra anë dhe normanëve dhe anzhuinëve nga ana tjetër pa përjashtuar konfliktet me mbretëritë sllave sidomos ato serbe dhe bullgare. Formuloni përfundimet tuaja.

KËRKONI INFORMACION
Gjeni të dhëna për themeluesit e Principatës së Arbrit. Gjetjet tuaja i diskutoni në klasë.