Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Historia 11 Tema 1 Mësimi 6
Shteti i Epirit
Epirit, territori dhe banorët
Emërtimi epirotë i dedikohet autorëve antikë që quanin me këtë emër banorët që banonin në tokën-apeiros përballë ishullit të Korkyrës. Territori i banuar nga epirotët kufizohej në veri me ilirët, në jug me grekët, në perëndim nga deti Jon, në veri- lindje nga maqedonasit dhe në lindje nga thesalët. Kjo shtrirje territoriale bënte që epirotët të ishin në kontakt direkt me qyetërimin grek, por edhe me shtete të fuqishme për kohën si mbretëria ilire në veri dhe ajo maqedone në veri-lindje. Pozicioni gjeografik i Epirit ndikoi nga njëra anë në influencën e ndjeshme të kulturës greke dhe nga ana tjetër në ndërhyrjet dhe sulmet e vazhdueshme të fqinjëve ilirë dhe maqedon. Pozicioni gjeografik dhe terreni favorizonin zhvillimin e ekonomisë dhe tregëtisë. Kushtet e favorshme natyrore ndikuan në zhvillimin e bujqësisë dhe sidomos blegtorisë ndërkohë që pozicioni gjeografik krijonte mundësi për lidhje tregëtare si me botën greke ashtu dhe atë ilire, maqedone, thesale dhe Italinë e Jugut. Epiri banohej nga fise të shumta, por fiset më të rëndësishme që luajtën rol kryesor ishin kaonët, thesprotët dhe mollosët. Ndërsa kaonët dhe thesprotët banonin gjatë bregdetit të detit Jon molosët banonin në pjesën e brendshme të territorit. Këto fise njhihen që nga koha e luftës së Trojës ku morrën pjesë në krah të trojanëve (Iliada). Kushtet e favorshme të territorit dhe të pozicionit gjeografik, ndikuan në zhvillimin e shpejt të ekonomisë dhe shoqërisë së këtyre fiseve gjatë shek.VII-V p.e.s. Kjo gjë krijoi kushte për krijimin e një organizimi politik më të lartë se ai fisnor. Një rol të rëndësishëm në këtë proces luajtën qytetet më të hershme si Kasope, Elea, Pasaroni, Dodona etj. Fillimisht organizimi politik bëhet nëpërmjet koinonit-lidhjes së disa fiseve si në rastin e koinonit të molosëve që pret edhe monedhën e vet që në fund të shek.V p.e.s. dëshmi e nivelit të lartë ekonomik dhe shoqëror. Duke qenë në kontakt direkt me kulturën greke edhe molosët si popuj të tjerë në antikitet pretendonin një preajdhje mitologjike si pasardhës të Molosit, birit të Neoptolemit (biri i Akilit dhe Andromakës). Si mbreti i parë molosëve njihet Admeti në fillim të shek.V p.e.s. ndërsa më mirë njihet sundimi i mbretit Tharypa (423-385 p. e.s.). Ai ndërmori një seri reformash që forcuan dhe zgjeruan mbretërinë molose, e cila, megjithatë, mbetet një mbretëri me pushtet të kufizuar të mbretit dhe ndikim të aristokracisë, nëpërmjet një nëpunësi të lartë të quajtur prostat. Ky i fundit garantonte zbatimin e ligjeve. Si pasues i Tharypës në fronin mollos vjen Alketa (385-370 p.e.s.) i biri i tij i cili mori fronin me ndihmën e Dionisit sundimtari i Sirakuzës dhe ilirëve. Alketa i zgjeroi kufijtë e mbretërisë së tij. Pas Alketës në fronin molos vjen i biri i tij Neoptolemi (370-360 p.e.s.) për të cilin kemi pak të dhëna. Pasuesi i tij në fron, Arryba (360-343 p. e. s) vendosi marrëdhënie të mira me mbretin maqedonas Filipin e II duke i dhënë për grua mbesën e tij Olympian.
Shteti i Epirit shek.IV-II p.e.s.
Symahia (aleanca) epirote, mbretërimi i Pirros. Në gjysmën e dytë të shek. IV p.e.s., Lidhja Molose zgjeron ndikimin e saj duke përfshirë në lidhje edhe kasopët dhe thesprotët dhe duke u shndërruar në aleancën epirote, e cila ishte një shtet federativ me në krye një mbret. Mbreti zgjidhej nga dinastia mbretërore molose e Eakidëve, por ku aleatët kishin të drejta të barabarta. Një shtet i tillë luan një rol të rëndësishëm në ngjarjet politike të kohës jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë. Kështu në vitin 334 p.e.s mbreti i Lidhjes, Aleksandër Molosi shkon me ushtrinë e tij në ndihmë të qytetit Tarent, në Italinë e Jugut ku mbeti i vrarë gjatë një beteje pranë Pandosisë në vitin 330 p.e.s. Shteti eiprot njohu kulmin e fuqisë së tij gjatë mbretërimit të Pirros (297-272 p.e.s.) Pas vdekjes së Aleksandrit Molos mbretëria kalon një periudhë të vështirë. Në krye të mbretërisë epirote erdhi e shoqja e Aleksandrit Molos, Kleopatra (330-328 p.e.s.), e cila u dëbua nga froni dhe në krye të mbretërisë u vendos Neoptelemi II ende i mitur dhe pas tij pushtetin e morri Ajakidi. Ndërkohë në vitin 307 p.e.s. mbreti ilir Glaukia vendos në fronin epirot Pirron 12 vjeçar, të cilin e kishte strehuar në oborrin ilir që në moshën 2 vjeçare. Shumë shpejtë Pirrua e shndërroi Epirin në një prej fuqive ushtarake më të mëdha të kohës. Dëshmi e kësaj fuqie ishte edhe fushata e tij në Itali në vitin 280 p.e.s. ku përdori me sukses edhe elefantët si kafshë lufte. Pavarësisht sukseve të para në Itali Pirrua u detyrua të kthehet në atdhe, ku vazhdoi politikën e zgjerimit të kufijve. Në një nga këto beteja në Argos të Greqisë humbi jetën në vitin 272 p.e.s. Pas vdekjes së Pirros në krye të Epirit vjen i biri Aleksandri II (271-234 p. e.s.), i cili u përpoq të ruante territoret e pushtuara nga i jati. Pas vdekjes së tij në krye vjen mbretëresha Deiadema sundimi i së cilës qe i shkurtër. Ajo u vra gjatë një kryengritje që i dha fund sundimit të mbretëve eakidë dhe Epiri u shndërrua në republikë me kryeqytet Foiniken. Për shkak të qëndrimit promaqedonas dhe antiromak në vitin 167 p.e.s. Epiri u shkatërrua nga ushtria romake, e cila rrafshoi 70 qytete dhe ktheu në robër rreth 150 mijë epirotë. Këtij shkatërrimi i shpëtoi vetëm Kaonia, e cila mbajti qëndrim proromak.
Epiri dhe ilirët
Pozicioni gjeografik i Epirit midis Greqisë dhe Ilirisë bëri që marrëdhëniet e tij me ilirët të ishin të veçanta. Ky pozicion gjeografik ka bërë që studies të ndryshëm të përpiqen t’i konsiderojnë banorët e Epirit si grekë apo ilirë. Konfuzioni vjen që nga antikiteti pasi edhe autorët antikë nuk janë shumë të qartë lidhur me përkatësinë etnike të epirotëve. Megjithatë vetë autorët antik grekë na bëjnë me dije se Hellada, fillon përtej gjirit të Ambrakisë (Straboni VIII,1: Efori thotë se fillimi i Helladës është Akarnania nga ana e perëndimit, sepse kjo takon e para me fiset epirote ) ç’ka presupozon se Epiri nuk ishte pjesë e Helladës. Po sipas Strabonit (Libri VII, 4), ata që kalojnë këtë rrugë (Egnatia) duke u nisur nga viset pranë Epidamnit dhe Apollonisë, në të djathtë kanë fiset e Epirit që lagen nga deti i Siqelisë gjer në gjirin e Ambrakisë. Po i njëjti autor (Straboni, Libri VII,7) na bënë me dije se thrakët, Ilirët dhe Epirotët edhe sot banojnë në krahinat anësore ( të Helladës) shumë më tepër më parë se sa tani që barbarët kanë pjesën më të madhe të Helladës së sotme. Cilësimi i prejardhjes pellazgjike të epirotëve dhe emërtimi i tyre si barbarë (popullsi jo greke) nga autorët antik grekë mjaftojnë për t’i konsideruar epirotët si popullsi jo greke. Ndërkohë ka edhe autorë antikë që i konsiderojnë epirotët ilirë. Po të marrin në konsideratë të dhëna të tilla si: prejardhja pellazge, fqinjësia territoriale me fise ilire të idnetifikuara qartë si të tilla, konsiderimi nga autorët antikë grekë të tyre si barbarë pra jogrekë, atëhere kemi argumenta t’i konsiderojmë epirotët, ilirë, që u zhvilluan në kushte të ndryshme nga fise të tjera ilire. Fakti që kultura greke gjeti përphapje të gjerë në Epir për shkak të afërsisë gjeografike, nuk presupozon se epirotët ishin grekë pasi kultura helene u përhap edhe në Iliri, Maqedoni, Italinë e Jugut dhe gjithë Mesdheun në saj të kolonizimit grek duke filluar nga shek.IX p.e.s. dhe me pushtimet e Aleksandrit të Madh deri në Indi, por askush s’mund t’i konsideroj ilirët, maqedonët, banorët e Italisë së Jugut e deri një pjesë e indianëve si banorë me origjinë greke. Duke qenë një popullsi ndërjmet grekëve dhe ilirëve dhe e ndikuar më shumë nga kultura greke epirotët ndikuan në përhapjen e kulturës greke krahas kolonive sidomos tek banorët ilirë më pranë tyre (Iliria e Jugut). Kjo dëshmohet edhe nga të dhënat arkeologjike, sipas të cilave qytetet e Ilirisë së Jugut u ndikuan më shumë nga kultura helene si në urbanistikë, arkitekturë, numizmatikë (prerja e monedhave), mënyrën e qeverisjes, ashtu dhe në përdorimin e gjuhës greke në mbishkrime. Ashtu si në rastin e ilirëve, edhe tek epirotët ndikimet kulturore helene nuk presupozonin përkatësinë etnike të tyre. Fqinjësia midis ilirëve dhe epirotëve ndikoi në marrëdhëniet midis tyre jo vetëm në shkëmbimin e kulturave respektive, por edhe në aleanca dhe luftra në varësi të interesave reciproke. Është me interes fakti se në marrëdhëniet midis ilirëve dhe epirotëve ka patur më pak konflikte se sa midis ilirëve dhe maqedonasve gjë që na bënë të mendojmë se ndofta nuk e konsideronin palën tjetër si armike apo kundërshtare.
FJALË KYÇ
Shpjegoni fjalët kyç: Koinon, Admeti, Tharypa, prostat, Olympia, Lidhja Molose, Pirro, Kleopatra, Neoptelemi II, Foinike, Hellada.
PËRGJIGJUNI
1. Cilët ishin fiset më të rëndësishme të Epirit?
2. Cili është jeta politike dhe shoqërore e Epirit IV-II p.e.s.?
3. Cilët janë epiriotët? Argumentoni me shembuj.
4. Cila është lidhja e tyre me ilirët?
MENDONI NË MËNYRË KRITIKE
1. Vëreni hartën. Gjeni në hartë territorin e banuar nga epirotët. Formuloni përfundimet tuaja.
2. Vëreni fotot. Çfarë mësimi përcjellin për ju? Formuloni opinionin tuaj.
3. Lexoni pohimin. Fqinjësia midis ilirëve dhe epirotëve ndikoi në marrëdhëniet midis tyre jo vetëm në
shkëmbimin e kulturave respektive, por edhe në aleanca dhe luftëra në varësi të interesave reciproke. Formuloni përfundimet tuaja.