Keni Pyetje?
Mesazhi u dërgua. Mbylle
0
0 vlerësime

Letërsia Klasa 12 Shtëpia Botuese Filara

415 Studenta Regjistruar
  • Përshkrimi
  • Kurrikula
  • Vlerësimi

HARTIMI DHE STRUKTURIMI I TEKSTIT 

Gjatë hartimit të këtij teksti janë pasur parasysh dhe njohuritë e përftuara nga nxënësi në këtë lëndë, në klasat paraardhëse.

Teksti Letërsia 12 mbështetet në kompetencat kyçe të përcaktuara në kornizën kurrikulare (kompetenca qytetare, digjitale, personale, të të menduarit, të të nxënit, të komunikimit, të sipërmarrjes dhe të mjedisit) dhe mundëson realizimin dhe zhvillimin e dy kompetencave të lëndës:
• Analiza dhe interpretimi i teksteve të gjinive dhe të llojeve të ndryshme letrare;
• Vlerësimi i letërsisë shqipe dhe botërore në periudha të ndryshme letrare dhe historike.

Këto kompetenca, të cilat përcaktohen si njohuri, shkathtësi, vlera dhe qëndrime që nxënësi duhet t’i fitojë gjatë procesit mësimor, mundësojnë krijimin e një raporti pozitiv dhe të qëndrueshëm mes nxënësve dhe lëndës së letërsisë, ndikojnë në formimin estetik dhe letrar, në zhvillimin emocional, intelektual dhe shoqëror, në rritjen e aftësive krijuese dhe në pasurimin e aftësive shprehëse të tyre.

Teksti është strukturuar në tri pjesë:

Pjesa I: Letërsia botërore e shekullit XX;
Pjesa II: Letërsia shqipe e shekullit XX, e ndarë më tej në dy kapituj:
Kapitulli I: Letërsia shqipe e gjysmës së parë të shekullit XX;
Kapitulli II: Letërsia shqipe pas Luftës së Dytë Botërore;
Pjesa III: Testoni njohuritë.

Letërsia 12 pasqyron zhvillimet e Letërsisë botërore dhe të Letërsisë shqiptare, nga fillimi i shekullit XX deri në rrymat letrare postmoderne të fundshekullit XX.

Veprat e rekomanduara dhe autorët përkatës janë strukturuar në tre kapituj, bazuar në këto kritere:
• sipas rrymës letrare së cilës i përkasin;
• sipas kriterit kronologjik të zhvillimit të formave letrare;
• sipas kriterit të nacionalitetit: autor i huaj apo shqiptar.

Secili kapitull përmban një deri në tre autorë, veprat përfaqësuese të analizuara dhe studim fragmentesh e poezish, të përzgjedhura nga këto vepra. Në hyrje të secilit kapitull trajtohen veçoritë kryesore të rrymës letrare, autorët më përfaqësues dhe më me emër, si dhe konteksti historik, kulturor e letrar, njohja e të cilit e ndihmon nxënësin të kuptojë më mirë veprën dhe veçoritë e krijimtarisë së autorit.

Duke studiuar secilin autor:
• realizohen kompetencat e lëndës dhe kompetencat kyçe nëpërmjet kërkesave të larmishme didaktike si: Dëgjoni, Diskutoni, Analizoni, Interpretoni, Argumentoni, Hulumtoni, Shkruani, Ritregoni, Projekte, Punë individuale, Punë në grup etj.;
• integrohet letërsia me artet e tjera: pikturën, teatrin, filmin;
• realizohet lidhja e letërsisë me fushat e tjera të të nxënit;
• realizohet lidhja e letërsisë me temat ndërkurrikulare përmes situatave mësimore, diskutimeve, bashkëbisedimeve në grup, eseve etj.

Për ilustrimin e të gjitha njohurive teorike jepen fragmente letrare të shoqëruara me rubrikën Studim teksti. Rubrika Studim teksti realizon të kuptuarin e fragmentit, analizën, si dhe interpretimin dhe komentin gjuhësor e stilistik. Rubrika të tjera që shërbejnë si materiale plotësuese, janë: Informacion shtesë apo Skedari i filmit, të cilat herë pas here shoqërohen me detyra që synojnë zhvillimin e mendimit kritik e krijues, si dhe përmirësimin e aftësive digjitale të nxënësit.

Rubrika Testoni njohuritë, vjen sërish edhe në Letërsia 12, si në tekstin shkollor të lëndës së letërsisë së klasës së dhjetë dhe të njëmbëdhjetë. Kjo rubrikë është konceptuar si test vetëvlerësimi në fund të studimit të çdo autori. Synimi i kësaj rubrike është familjarizimi i nxënësit me modele testesh; zbatimi i njohurive të marra mbi një vepër në analizën dhe interpretimin e një fragmenti të papunuar më parë; praktikimi i njohurive në mënyrë individuale. Çdo test shoqërohet me çelësin e përgjigjeve në Librin e mësuesit.

Rubrika Lexime, së bashku me Skedarin e kritikës, ofrojnë fragmente, poezi, aforizma dhe vlerësime kritike të studiuesve më të njohur. Ato do të shërbejnë për të zgjeruar horizontin e nxënësve dhe do të ndihmojnë për një të mësuar më aktiv. Fragmentet e kësaj rubrike mund të përdoren edhe si tekste alternative për komente ose teste, sipas nevojave të mësuesit.

Teksti Letërsia 12 ofron për nxënësit një përmbajtje tërheqëse, bashkëvepruese, larmishmëri veprimtarish krijuese dhe zhvilluese, që synojnë ngritjen shkencore dhe intelektuale të nxënësve në pikëpamje të zhvillimit të të menduarit, të zhvillimit të mendimit kritik, zhvillimit gjuhësor e letrar, moral, estetik, filozofik, sociologjik e më gjerë.