Kurrikula
Kursi: Letërsia Klasa 12 Shtëpia Botuese Filara
Identifikohu

Curriculum

Letërsia Klasa 12 Shtëpia Botuese Filara

0/32
Mësimi me video

Mësimi 7.4: Koment Sokrat i vuejtun apo derr i kënaqun

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 12 Mësimi 7.4

MIGJENI

KOMENT, Sokrat i vuejtun – apo derr i kënaqun (Alternativë)

Një alternativë me dy ftyra, siç janë të gjitha alternativat. Tue u krue mbas veshi, rri njeriu përpara alternativës: dy ftyra – mbrapa nji ftyre asht Sokrati i vuejtun me rropatmet e veta, e mbrapa së dytës ftyrë asht derri i kënaqun me trup të rrumbullakët të vetin. Te Sokrati nuk ka çka shef: dy sytë të tretun në rrashtë, disa shkarravina të  palexueshme dhe një trup me do gjymtyrë të zhgatrrueme e pa asnjë vijë harmonike; e te derri ke çka shef: at frotë të kombinueme mbas rregullave strikt estetike, – e sidomos që ta kënaq synin – ai trup i majun e i shndoshë e me andje zhigatun, dhe ma në fund ai bisht i përculluem në flakën e bukurisë hyjnore. Rri njeriu përpara kësaj alternative tue u krue gjithnji mbas veshi, ku e ha dyshimi – se nuk di se ç’ftyrë të zgjedhi. Por, falemi Perëndisë! Praktik ashtu siç e ka dhanë natyra, në fund – fundit njeriu dijti me zgjedhë. Edhe dijti me zgjedhë fare mirë; aq mirë sa edhe krijesat e planeteve të tjerë, dhe ma të përparuem se njeriu, ja patën lakmi. Vetë Perëndia, tue i ra kokës me dorë, tha se nxanësi e kaloi mësuesin, dhe shumë-shumë u pendua se ç’shkathtësi i dha njeriut. Njeriut iu shtue vullneti për t’u praktikue në shkathtësi. – E dikush dikur tha: “Nuk mundet me kenë shërbëtori ma i madh se zotnia e tij, as nxanësi ma i madh se mësuesi i tij.” O vall! Ç’ironi groteske.

Por a e dini se ku qëndron eureka (e gjeta!) e njeriut?
Ç’bani njeriu me alternativën? (Ha, fort qerrata duel njeriu). Sokrati kurrsesi nuk i pëlqente, por as derr nuk mund t’u bante që ta merrte ftyrën e tij. Derr! Vërtet se asht i lakmueshëm derri, por, sadokudo do të ruhet dinjiteti njerzuer përpara botës – edhe pse mikroskopike në pikëpamje të tolerancës morale. Atëhere, në kët pezullim të njeriut, u zgjua në të ajo gja që nuk asht prej kësaj bote, ajo gjasend qi thonë pjesa qiellore, hyjnore, perëndore e ku dij ma … u zgjue edhe njeriu u ba batakçi. Ndrroi ftyrat: ftyrën e derrit ja vu Sokratit, e ftyrën e Sokratit ja vu derrit e në kët të mbramin u mishnue vetë. Muer ftyrën e Sokratit të vuejtun – por vetëm ftyrën – e pjesën e mbrame ja muer krejt derrit. De jure u ba Sokrat, e de facto ishte derr. Mbet Sokrati i vuejtun me ftyrën e derrit dhe mbet të vuejë edhe mbas vdekjes së vet. (Edhe këtu asht tragjedia e sokratistëvet – dhe nji arsye pse njeriu zgjodhi të bahet derr). E njeriut – posë në skenë – nuk ja kande tragjedinë. Thashë se de jure u ba njeriu Sokrat, por de facto ishte derr. Krijesat nuk mund ta njohin se asht derr dhe e nderojnë si një Sokrat. Por ka i herë njeriu nuk mund të mshehi cilsinat e derrit dhe na paraqitet ashtu siç asht. Kështu njeriu kalon nëpër shekuj. Në vend që të naltsohet ndër sfera të kullueta e të shklasi prej hyllit në hyll me hapa përparimi, njeriu poshtnohet e bahet derr dhe Sokratin e dëbon të fyem, tue ja vu maskën e derrit. Qashtu njeriu ja luejti lojën… kujt?… Vetes! Vetes! – bërtet morali prej mërgimit.