Kurrikula
Kursi: Letërsia Klasa 12 Shtëpia Botuese Filara
Identifikohu

Curriculum

Letërsia Klasa 12 Shtëpia Botuese Filara

0/32
Mësimi me video

Mësimi 11.1: Jeta dhe vepra e Martin Camajt

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 12 Mësimi 11.1

MARTIN CAMAJ

Jeta dhe vepra
Martin Camaj lindi në Temal të Dukagjinit më 13 korrik 1925 në vendin e quajtur Telumë, për të cilin Camaj thotë: “… në një vis të egër, ku s’ka shkelë kurrë kamba e kalit, kaq i thyeshëm ashtë ky vend”. Ishte i biri i Kolë Camës, njëherësh bari e bujk dhe Terezës nga Prekali. Lindi i treti ndër shtatë fëmijë. Në vitin 1935 vendoset në Shkodër dhe fillon të marrë arsim të rregullt pranë Kolegjit Jezuit. Studimet detyrohet t’i ndërpresë në vitin e tretë, më 1946, mbas mbylljes së instituteve fetare të Shkodrës. Por dëshirën e madhe për dije ai e shprehu hapur kur themeloi shkollën e parë në Prek ku punoi si mësuesi i vetëm deri më 1948. Ngjarjet politike në Shqipërinë e kohës i pa me syrin e njeriut të përparuar dhe të atdhetarit të vërtetë, ndaj merr pjesë në rezistencën antikomuniste, jeton për pak kohë në ilegalitet dhe, i detyruar nga rrethanat, e pa të pamundur qëndrimin në Shqipëri. Camaj arratiset nga vendi në gusht të vitit 1948. Viti 1950 e gjen Martinin student në universitetin e Beogradit ku, pas pesë vjet studimesh, diplomohet në degën e filologjisë romane, me fusha kryesore gjuhë dhe letërsi italiane. Në qershor 1951 martohet me mësuesen Nina Bogdanoviç.

Pas mbylljes së studimeve në Beograd, Camaj përgatitet për formimin pasuniversitar në albanologji pranë fakultetit filozofik të Universitetit të Sarajevës, duke përzgjedhur si temë doktorate “Gjuha e Gjon Buzukut”. Më 1956 shkon në Itali dhe, i ndihmuar nga Ernest Koliqi, regjistrohet në vitin e tretë studimor në Fakultetin e Letërsisë dhe të Filozofisë, në Universitetin e Romës. Këtu studion letërsi latine, italiane, filologji romane e sllave si dhe gjuhë e letërsi shqipe. Këtu pati rastin të ndjekë leksione nga Xhuzepe Ungareti (Giuseppe Ungaretti, poet, themelues i rrymës së hermetizmit) dhe të njohë prej së afërmi poezinë e tij. Nën kujdesin e Koliqit, më 15 mars 1960 mbron me vlerësime maksimale pranë Universitetit të Romës, tezën e doktoraturës mbi “Mesharin” e Gjon Buzukut, e cila u botua po atë vit si botim i revistës “Shêjzat”. Gjatë periudhës së studimeve, Camaj iu përkushtua veçanërisht kërkimeve shkencore në terren, në fshatrat e ngulimeve arbëreshe. Qysh më 1959, Koliqi i mundësoi të punojë si lektor pranë Universitetit në Romë, gjë që zgjati deri nga fundi i 1960-ës. Kërkimet akademike të Camajt u përqendruan në gjuhën shqipe dhe dialektet, në veçanti në gjuhën e arbëreshëve të Italisë Jugore.

Në dhjetorin e 1960-ës vendoset në Gjermani ku punon si profesor i letërsisë dhe gjuhës shqipe në universitetin e Mynihut. Vitet 1965-1971 qenë vendimtare për konsolidimin e vatrës albanologjike në këtë universitet. Pas ndarjes nga gruaja e parë, Nina, në vitin 1968, më 1969 martohet me Erikën, me të cilën nuk do kishte fëmijë. Më 1978 emërohet profesor me marrëdhënie punësimi të përhershëm në universitetin e Mynihut , ku do të japë një ndihmesë të madhe në albanologji deri më 30 shtator 1990, ditën kur largohet nga kjo detyrë. Jetoi në Lengris (Lenggries) të Bavarisë, pranë maleve e pyjeve, në një shtëpi e një vend që i kujtonin Temalin, Dukagjinin, trojet ku kishte lindur. Vdes më 12 mars të vitit 1992 në Mynih.

Krijimtaria e Camajt
Krijimtaria e Camajt është e gjerë. Ajo përbëhet nga studime shkencore, vepra letrare në tri gjinitë (poezi, prozë, dramatikë). Vepra letrare e Martin Camajt është përfshirë thuajse në të gjitha antologjitë dhe veprat ku flitet për shkrimtarët shqiptarë. Në harkun e dyzet vjetëve, veprimtaria e tij letrare, ka disa shkallë zhvillimi. Ai e nisi me poezinë, së cilës i mbeti besnik gjithë jetën, kurse gjatë viteve të fundit u përqëndrua shumë tek proza.

Poezia e Camajt
M . Camaj, ka shkruar dhe botuar deri në fund të jetës. Që nga përmbledhja e parë “Një fyell ndër male” (1953) e deri te “Palimpsesti” (1991), do të jenë 40 vite krijimtari të pandërprerë. Poezia e Camajt është një dukuri e veçantë në letërsinë shqiptare. Faktorët që ndikuan në poetikën e tij janë të shumtë. Vendlindja me mrekullinë e saj, kultura vendëse, shpirti malësor do të jenë aty nga fillimi deri në sosje. Mësuesit e tij ishin të mëdhenj e të talentuar, si Mjedja ynë e po aq Ungareti italian dhe po ashtu edhe të tjerë. Por poezia e Camajt është e Camajt. Ndryshe nga Mjedja, ai është më i lirë në metrikë; ndryshe nga Ungareti, ai i solli hermetizmit fllade dhe aroma shqiptare. Estetikat ku u mbështet, veçmas ajo hermetike, diktojnë ta shohësh poezinë e tij në kuptimësinë e rrafsheve vertikale e jo horizontale. Si e tillë, poezia përjetohet e interpretohet si një tekst i hapur, ku ndihet grishja e ftesa që i bëhet lexuesit për të patur të drejtë të realizojë një numër të pafund leximesh, ku secili ekziston në sajë të një përvoje, të një shijeje, të një gjendjeje shpirtërore. Poezia për të “nuk lyp shpjegime”, pasi “ashtë rrezik t’i largohet tekstit fillestar e të krijojë diçka të re”, apo me ndrojen se zbulon diçka intime.1 Poezia si formë, shprehet autori, “lidhet për gjuhë” dhe ai (si poet mërgimtar) është në kërkim të fjalës së vet të humbur, si De Rada, Serembja, Skiroi etj.

Poezia e Camajt është mjaft e kursyer, sintetike, me një fjalor poetik tepër të përzgjedhur. Vargu është i lirë, por ka ritëm e muzikalitet të brendshëm. E shkruar në variantin e gegërishtes letrare, ajo ka shfrytëzuar gjithë potencialin e saj shprehës. Por Camaj, poet me kulturë dhe vizion të gjerë gjuhësor, nuk mbeti brenda dialektit, por u dha jetë mjaft elementeve të standardit të shqipe. Vargu i pjekur i Camajt reflekton ndikimin e lëvizjes hermetike të poetit italian Xhuzepe Ungareti (Giuseppe Ungaretti). Gjuha e tij metaforike dhe simbolike rriten me kohën, siç ndodh edhe me rangun e temave poetike të tij.

Krijimtaria e tij poetike, sipas studiuesve, dallon tri faza:
1. faza e parë përfshin vëllimin “Një fyell ndër male”, “Kënga e vërrinit” dhe “Lirikë mes dy moteve”. Në këtë periudhë autori lë gjurmë të ndjeshme në poezinë shqipe të Kosovës, duke shfaqur njëherazi prirje tradicionale e moderne. Shfaqja e këtyre dy prirjeve parathotë drejtimin e poezisë për nga ligjërimi metaforik e simbolik.
2. faza e dytë fillon me botimin “Njeriu më vete e të tjerë”, ku Camaj i largohet përfundimisht komunikimit të drejtpërdrejtë dhe priret nga trajtimet përsiatëse dhe mjaft abstraguese.
3. faza e tretë, me “Palimpsest”, e shfaq në shkallën më të lartë prirjen hermetike të poezisë. Krijimet e tij bëhen më eliptike dhe me kapërcime të befta imazhesh e idesh, në trajtë kolazhesh poetike.

Në rendin kronologjik, botimet poetike të Camajt janë:
• Një fyell ndër male, Prishtinë 1953
• Kanga e vërrinnit, Prishtinë 1954
• Legjenda 1964
• Lirikë mes dy moteve 1967
• Njeriu më vete e me të tjerë, Mynih 1978
• Dranja 1981
• Nema dhe Buelli 1990
• Palimpsest 1991

Proza
Në krijimtarinë e Camajt zë një vend të rëndësishëm dhe proza ku përfshihen disa romane e novela. Edhe proza është në vijimësi të stilit që shfaq poezia e tij. Ashtu si në poezi, edhe në prozë marrin rëndësi simbolika dhe kuptimësitë e shumëfishta nëntekstore. Kjo vihet re që në romanin e parë “Djella” (1958) të cilin e përpunoi sërisht pas 35 vitesh. “Djella” është shpërthim i parë i autorit. Tregimtari, me origjinë malësori, është një mësues në një shkollë fillore (siç ishte Camaj para ikjes nga atdheu i tij) në një fshat në fushën bregdetare të Shqipërisë Veriore. Libërthi flet për dashurinë fatkeqe të mësuesit për Djellën, bijën e një malësori të shpërngulur, e cila përfundon duke u martuar me një shofer kamioni. Mësuesi i ri përjeton mëdyshjen midis besnikërisë ndaj zakoneve fisnore dhe detyrës së tij për të arsimuar fëmijët sipas një besimi të qytetëruar, në konflikt me këto zakone. Poezitë që sintetizojnë tregimin janë shkreptima lirike të asaj situate dramatike.

Një vepër e rëndësishme është “Dranja” (1981), e kompozuar me një varg madrigalesh3, që janë proza poetike jo të tipit tradicional dhe që synojnë ta pasqyrojnë fatin e një frymori të papërsosur, siç është simbolikisht breshka-Dranja. Përmes kësaj figure mitologjike-realiste, autori koncentron një varg simbolesh të skajshme që të çojnë te mesazhi i përsosjes morale dhe shpirtërore, shumë i domosdoshëm si në planin vetjak ashtu edhe kombëtar. Për autorin, breshka është simbol, i ngjashëm me një relike të çmuar e të trashëguar ndër brezni që, sa herë e sheh, të sjell imazhin e vendlindjes. Breshka dhe gjarpri i ngurosur mbi kurriz të saj përcjellin mesazhin e vetëfajësisë: shumë të këqija këtij vendi i kanë ardhur nga njerëzit e vet të papërgjegjshëm. Vepra i bën jehonë qëndresës dhe grish lexuesin shqiptar të mos e lejojë më ngecjen, por të ecë me kohën dhe në drejtimin e duhur.

Romani “Rrathë” (1978) ka në qendër fatin e individit në një shoqëri totalitare, me gjithçka tragjike qe ai përjeton. Vepra përbëhet nga tri pjesë: Rrathë uji, Rrathë zjarri, Rrathë gjaku. Në vetvete këto rrathë janë simbole të hierarkisë totalitariste që kontrollon dhe depersonalizon individin dhe shoqërinë. Si rrathë ferri, ato krijojnë mprije dhe ngrirje të energjive intelektuale dhe shpirtërore, duke i bërë njerëzit si hije të trishtuara. Te kjo vepër ndihet një stil naiv-modern ku shumë gjëra thuhen dhe nuk thuhen, mbeten si të pambaruara ose pa logjikë. Ngjarjet dhe episodet përzihen dhe kapërcehen, duke mos ndjekur rrjedhën kronologjike, por sillen si në ëndërr. Ky stil e bën veprën jo lehtësisht të lexueshme.

Te novela “Rrungaja në mars” gjithçka përjetohet në efektin simbolik të një rrungaje (ortek bore) të tmerrshme që mbulon malësorin Dak. Jera mbetet në pritje të gjatë të djalit të saj deri në pleqëri, një pritje kjo e çuditshme, e pakuptimtë, në kufijtë e absurdit. Si në baladat popullore, Jera qëndron e fiksuar për të ruajtur kujtimin e të dashurit të saj, Dakut. Një kornizë bardhë e zi rrethon veprën: në krye ngazëllimi rinor, më pas dhimbja, vuajtja për t’ia lënë vendin zisë në fund. Janë këto ngjyrat (bardhë e zi) karakteristike të shqiptarit që transmetohen në veshje, në temperament, në folklor. Në novelë përjetohet një dozë e theksuar fataliteti që kuptohet si dukuri e brendshme, por që shfaqet si forcë e jashtme me rrungajën, element me funksion stilistik për të dëshmuar mosrealizimin e synimeve të personazheve.