Kurrikula
Kursi: Letërsia Klasa 12 Shtëpia Botuese Filara
Identifikohu

Curriculum

Letërsia Klasa 12 Shtëpia Botuese Filara

0/32
Mësimi me video

Mësimi 6.1: Jeta dhe vepra e Lasgush Poradecit

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 12 Mësimi 6.1

LASGUSH PORADECI
Pseudonimi letrar vjen nga
rrudhja e emrit të tij, përfshi atësinë, Llazar Sotir Gusho (La-S-Gush) dhe si mbiemër ka përdorur endonimin e vendlindjes, Poradeci.

Jeta dhe krijimtaria e Lasgush Poradecit
Lasgush Poradeci është emri i artit i Llazar Sotir Gushos. Ai lindi më 27 dhjetor 1899 në Pogradec, në një familje patriotësh dhe arsimdashësish. Shkollën fillore e ndoqi në vendlindje dhe në moshën 9-vjeçare u dërgua nga familja në Manastir për të vazhduar studimet në Liceun Rumun, por nuk arrin t’i përfundojë për arsye të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore. Për të mbyllur ciklin e studimeve, i ati e dërgoi në një shkollë në gjuhën frënge në Athinë. Në vitin 1921 Lasgushi shkoi tek i vëllai në Bukuresht për të vazhduar studimet. Me shumë përpjekje arriti të regjistrohet në Akademinë e Arteve të Bukura. Duke qenë pa bursë dhe pa asnjë ndihmë, ai u detyrua të punonte dhe njëkohësisht të studionte. Në Bukuresht u lidh me lëvizjen atdhetare të kolonisë shqiptare, u miqësua me Asdrenin, Mitrush Kutelin e shumë atdhetarë të tjerë shqiptarë. Më 1922 Lasgushi u zgjodh sekretar i përgjithshëm i Kolonisë.

Qeveria e Fan Nolit, në verën e vitit 1924, i dha një bursë studimi dhe ai u regjistrua në Universitetin e Gracit në Austri në Fakultetin e Filologjisë Romano-Gjermane. Në Grac qëndroi 10 vjet dhe siç pohon vetë poeti më vonë, ato vite ishin më të mirat e jetës së tij. Më 1933, me ndihmën e Mitrush Kutelit e të atdhetarëve në Rumani, botoi vëllimin me poezi “Vallja e yjeve”. Po atë vit Lasgushi përfundoi studimet e larta dhe fitoi gradën Doktor, me një studim filologjik mbi poetin rumun Mihal Eminesku.

Pas përfundimit të studimeve ai kthehet në atdhe. Në vitin 1937, po nën kujdesin e Mitrush Kutelit, Lasgushi botoi vëllimin e dytë me poezi, titulluar “Ylli i zemrës”. Me botimin e kësaj përmbledhjeje me poezi përfundon periudha e parë , më e gjatë dhe më e begatë, e krijimtarisë së Lasgushit. Pas kësaj, për ca vjet ai krijoi shumë pak. Pas Luftës së Dytë Botërore Poradeci punoi në Institutin e Shkencave e më pas si përkthyes në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Përveç dy përmbledhjeve poetike, Poradeci botoi edhe poezi të tjera në revista të ndryshme letrare të kohës. Por idetë demokratike-përparimtare të Lasgushit nuk mund t’i përshtateshin dogmës marksiste të pasluftës dhe kërkesave partiake. Ndaj ai zgjodhi heshtjen, harresën, dhe, siç thotë edhe vetë, “e kishte më të thjeshtë të thyente lapsin sesa të shkruante atë lloj poezie që donin ‘ata’ (regjimi)”. Gjatë kësaj periudhe të dytë të krijimtarisë së tij, ai përpunoi me kujdes dokumentacionin e ruajtur nga drejtuesit e Kolonisë Shqiptare të Bukureshtit me mjaft interes për të njohur lëvizjen e Rilindjes. Në këtë periudhë, Lasgushi dha kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e përkthimit. Prej penës së tij folën në shqip disa nga kryeveprat e letërsisë botërore, si: “Eugjen Onjegin” e Pushkinit, lirikat e Gëtes, Hajnes, Lermontovit, Blokut, Lenaut, Brehtit, Hygoit, Bajronit, Shellit, Bërnsit, Mysesë, Emineskut, Majakovskit, Mickieviçit, Hajnes etj.

Në periudhën e fundit të jetës dhe krijimtarisë së tij, përveç përkthimeve, Lasgushi shkroi baladat e bukura për Muharrem dhe Reshit Çollakun, poemën liriko-epike “Mbi ta”, poemat filozofike “Kamadeva” dhe “Ekskursioni teologjik i Sokratit”. Për jetën intime të poetit mësojmë edhe më shumë nga ditari dhe letërkëmbimet e tij të shumta, të cilat janë botuar nga e bija, Maria Gusho. Lasgushi u martua në moshën 40-vjeçare me Nafije Gushon, një grua intelektuale që e adhuroi Lasgushin gjatë tërë jetës së saj. Ata ishin prindërit e dy vajzave, Kostandinës dhe Marias. Vajzat ishin dobësia e Lasgushit. Po kështu ai i donte shumë kafshët, kishte një lidhje të habitshme si me macen e tij, Klara dhe me qenin e tij, konen e bukur me emrin Cuc, që e merrte me vete kudo që shkonte. Lasgushi pëlqente pikturën dhe e vlerësonte shumë këngën popullore shqiptare. Ai e kaloi jetën e tij në lëvizje të vazhdueshme mes Tiranës dhe Pogradecit. E dashuronte vendlindjen e tij dhe kishte një lidhje të jashtëzakonshme me liqenin. Ai punonte shumë. Ishte i mbyllur dhe pak i shoqërueshëm, ndaj dhe shpesh herë është quajtur “eremiti” që jetonte në “kullën e tij të fildishtë”. Poeti u shua në varfëri, në shtëpinë e vet në Tiranë, më 12 nëntor 1987. Vargu ‘’Fluturoi dhe shtërg i fundit’’ i përshtatet aq shumë ikjes së poetit nga kjo jetë, për të mbetur gjallë me poezinë e tij të madhe.

Lasgush Poradeci la pas një krijimtari poetike të pasur, origjinale, që ka rrëmbyer e vazhdon të rrëmbejë zemrat e lexueseve. Ajo përbën një dukuri të veçantë në poezinë shqiptare, gjë që ka tërhequr dhe tërheq ende vëmendjen e studiuesve. Emrin e tij e mbajnë sot rrugë, shkolla, Pallati i Kulturës në Pogradec etj. Lasgush Poradeci është nderuar me titullin “Nderi i kombit” (1999) dhe është shpallur “Qytetar nderi” në qytetin e tij të lindjes. Në shëtitoren buzë liqenit, në Pogradec, larton shtatorja e këtij poeti, që duket sikur thotë:
‘’Dhe ika, ika posi hije / Dyke kënduar e bredhuar,
Qëndrova larg prej njerëzije / Përmbi shkëmbinj të llaftaruar.”

POEZIA

VËLLIMI “VALLJA E YJEVE”
Lasgushi ka nisur të shkruajë që në moshën 16 –vjeçare, por mundi t’i botojë poezitë e tij pas vitit 1921. Veprat kryesore të tij mbeten “Vallja e yjeve” dhe “Ylli i zemrës”. Përmbledhja poetike “Vallja e yjeve” është e strukturuar në 7 cikle poetike:
I. Në vend parafjale
II. Vallja e qjellit
III. Vallja e dherit
IV. Vallja e yjeve
V. Vallja e përjetësisë
VI. Vallja e vdekjes
VII. Kur nuk ndjehesh fare mirë

Çdo cikël ka një numër poezish. Organizimi i poezive nëpër cikle nuk bazohet në kriterin tematik dhe as nuk ndahet sipas motiveve, por sipas një kriteri të rrallëgjendur në letërsi, atë të përfytyrimit artistik të ndjenjës, të cilës Lasgushi i jep jetë dhe na e paraqet kryesisht në mënyrë grafike: rrethore (ciklore) për së jashtmi, nëpërmjet elementit poetik të valles dhe vertikale për së brendshmi, nëpërmjet dinamikës së lëvizjes së ndjenjës në formë piramidale. Çdo poezi është një pjesë tërësore e pavarur nga të tjerat dhe njëherazi një pjesëz e së tërës, ekzistenca e së cilës ka rëndësinë e saj në ngrehinën strukturore të veprës e sistemin poetik të saj.

Në këtë përmbledhje poetike zotërojnë lirikat e dashurisë, të cilat mbështeten në një koncept shoqëror dhe moral që del nga jeta e vendit dhe nga tradita popullore. Këto lirika sipas lëndës që trajtojnë mund t’i klasifikojmë në:
· Lirika të dashurisë
· Lirika të peizazhit
· Lirika filozofike

Dremit liqeri
Tashi po shuhet nënë mal
Qytet’ i ngrysur në të zi,
Po ndizen yjtë dal-nga-dal
Plot bukuri! Plot fshehtësi!

Dritë fshehtësije
Po të mos të kisha njohur në mjerim të jetës Tinë,
Bukuri! tmerisht e dashur, llaftari! tmerisht e bukur;
Po të mos të kisha parë-ah stoli ndaj më je dukur!
Dritë- e fshehtë-e zemrës s’ime që më fal përjetësinë:

Kënga pleqërishte
O këngë pleqërishte! Ti vjersh’ e Vëndit t’em!
Ti fjalë që më dhimsesh e që më bën ujem!

Përjetësia
Në kulm,
Në thelb,
Në fund të vetes s’ate
Më mban, njeri;
Me tëmbëla nër duar
Kupto tashi çfardo dyshimi që pate!
Të flas me zë të fjalës së kulluar:

POEMAT
Poemën “Mbi ta” poeti ia kushton poetit dhe patriotit të shquar Risto Siliqi. Në të pasqyrohet heroizmi dhe sakrificat e malësorëve në kryengritjen e Malësisë së Madhe. Poemën e përshkon ndjenja e dashurisë dhe e krenarisë për popullin dhe atdheun. Poeti vizaton beteja heroike dhe portrete heronjsh historikë që derdhin gjakun e falin jetën për lirinë: 
“Dhe thotë ajo bën sulm shqiptar,
Rrjedh vrakë e lumë gjaku,
Rrok pushkën plaku qindvjeçar
Dhe shtatëvjeçar çunaku.’’

Poema e gjatë lirike “Kamadeva” i kushtohet Kupidonit/ Erosit/ Zotit të dashurisë. Mbase kufijtë e ngushtë të një lirike nuk e nxinin vrullin e ndjenjës së poetit, ndaj ai shkruan një poemë për dashurinë, poemë himn, shumë vite pas botimit të dy vëllimeve të tij. Ai këndoi tërë jetën “Për dashurinë, o Zot /Që shemb një burrë,’’. Te ‘’Kamadeva’’, Lasgushi e pa dashurinë në shfaqjet e format e ndryshme të saj. Kjo poemë nuk është një meditim mbi dashurinë, por një pasqyrim i saj me të gjitha emocionet, vetitë magjike, misterin dhe forcën që ajo bart. Si në krijimet e rinisë, edhe te ‘’Kamadeva’’ Lasgushi i këndon bukurisë së ndjenjës, fshehtësisë dhe misterit të saj. Kjo poemë provon se ç’shije të holla kishte Lasgushi, se cili ishte kuptimi i tij për dashurinë, për forcën dhe ndikimin që ajo mund të ketë te njeriu. Është fakt që për ta shkruar këtë poemë poeti u mbështet në Vedat indiane, madje interesi i madh për t’i njohur dhe shijuar ato në origjinal, e bën atë të mësojë gjuhën e Vedave, sanskritishten (një gjuhë e vdekur tashmë). Vargje të tëra në këtë poemë janë të një bukurie të rrallëgjendur në poezinë shqiptare:

“…Ah, ç’bëmë ashtu, ashtu,
Kaq nëmë e gjëmë?
Çfar bëmë ashtu, bubu!
Sikur gjë s’bëmë?
……………………….
O zemër! O durim
I padëgjuar!
O shpirt! O përvëlim
I patreguar!”

Portreti i vajzës te Kamadeva është aq i ëmbël e i freskët, si në këngët popullore erotike:
“Je vesë a menjë a je
Brymë a dëborë,
Hirploteja mi dhe,
Vetull-kurorë.”

Poema “Ekskursioni teologjik i Sokratit”, shkruar më 1975, botohet për herë të parë në vitin 1990. Ajo shpalos një tjetër dimension të poetit Lasgush Poradeci. Poema ndërtohet mbi figurën e Sokratit, një nga filozofët më të mëdhenj të Antikitetit, i cili përfaqëson në vepër heroin moral të Lasgushit. Sokrati niset në kërkim të së vërtetës në shoqërinë njerëzore, kërkim që e çon atë tek ideja e mundësisë së mashtrimit të popullit nga ata që janë në krye të tij. Shkruar në stil oratorik, poema synon të bindë njerëzit për të vërtetat e zbuluara nga filozofi dhe të shembë idhulltarinë e rrejshme për të krijuar hapësirën e lirisë. Me gojën e mashtruesve që drejtojnë, poeti thotë: “Perandor, Kryegjyqtar,/ Kryeprifti shumë i squar/ Kështu bëjmë ne të gjithë/ Popullin duk’e mashtruar”. Por Sokrati-Lasgush mendon se: “Popujt ende s’janë zgjuar / Po n’u zgjofshin-janë shumë”. Sokrati është i pamposhtur në idetë që shpall dhe e pranon fundin tragjik, i vetëdijshëm për çfarë flijohej.

Risitë dhe moderniteti te Lasgush Poradeci

Lasgush Poradeci është poet lirik tejet i veçantë në letërsinë shqiptare. Ndryshe nga poezia e periudhës së Rilindjes Kombëtare, poezia e Poradecit nuk ishte një poezi e angazhuar. Poradeci pati të veçantë lirizmin, përkundër toneve epike të letërsisë kombëtare të kohës. Brenda “monologut’’ shfaqet i tretur dialogu me kohën. Lasgushi solli një kuptim të ri të raportit artist-komb. Lasgushi është vlerësuar si themelues i poezisë moderne shqiptare. Moderniteti shfaqet tek ai në shumë drejtime:

• Universi poetik i Lasgush Poradecit shfaqet si realitet sa shqiptar aq edhe europian. Zanafilla e poezisë së Lasgush Poradecit do kërkuar në mahnitjen që në fëmijëri prej një qyteti të përralltë si Pogradeci (kopshtijet e mollëve, gjoli, vreshtat, malet, pemët e gështenjave, burimet, përrenjtë…) që e mori me vete ngado.

• Poezia e Lasgushit dallohet për mendime, ndjenja të thella dhe ide universale. Ajo solli një ndjeshmëri të re në letërsinë shqiptare të viteve ’30, një kërkim të thellë gjuhësor të formës e një figuracion të rrallë stilistik. Në të gjitha poezitë e Lasgushit shprehet hapur koncepti se artisti i madh krijon për vete dhe misioni i artit të tij është t’i transmetojë lexuesit kënaqësi e mesazhe estetike.

• Poradeci e sheh poezinë vetëm si art që të shkakton kënaqësi estetike. Asnjë angazhim tjetër nuk i njeh ai poezisë. Poezia është e çliruar nga detyrimet politike, morale e sociale. Poezia është për të arti i vërtetë. Ndaj ai qe dhe mbeti gjithnjë poet, gjithnjë lirik.

• Për Lasgushin, poeti është krijues ashtu si Zoti dhe ashtu si te poetët modernë, edhe te Poradeci gjejmë prirjen për të depërtuar në botën e brendshme për të parë trazimet shpirtërore.

Veçori të tjera të poezisë së Lasgushit janë:
Poezia kozmogonike: Poezia e Lasgushit është vlerësuar si kozmogonike me 4 elementet e krijimit: qielli, dheu, uji, zjarri. Në të Lasgushi filozofon rreth qenies njerëzore dhe rreth problemit më të mprehtë e më të fundmë të ekzistencës së njeriut, përjetësisë. Qiellorja është çelësi për të depërtuar te mistika lasgushiane.
Figuracioni dhe stili gjuhësor: Poezia në penën e Lasgushit bëhet dhe këngë, dhe ngjyrë, dhe aromë, dhe shije. Ndjeshmëria poetike e Poradecit është tepër fine, figuracioni tepër origjinal. Figurat themelore të poezisë së tij janë simboli, metafora e epiteti.
Sistemi metrik shfaq larmi vargjesh e ritmesh, që përbëjnë një pasuri që rrallë mund t’i vijë poezisë shqipe. Lasgushi ka lëvruar të gjitha llojet e vargjeve e të rimave dhe një shumëllojshmëri strofash: sonet, triolet, baladë, rondelë etj., ashtu si dhe simbolistët.

Poezia që bukur tingullon: Lasgushi tregoi një përkujdesje të pazakontë për vargun, strofën, fjalën, tingullin, rimën dhe ritmin. Gjithçka në poezinë e tij bukurtingëllon. Gjuha shqipe gjeti te Poradeci mjeshtrin e rrallë që dinte të bënte magji me fjalën, që iu dha jetë aq e aq fjalëve “të vjetëruara’’, mjeshtrin që i lidhi fjalët me njëratjetrën për të krijuar sa imazhe pamore aq dhe për të na bërë të dëgjojmë shushurimën e gjetheve në “pyllin vjeshtarak” e murmërimën e “kroit me tetë sylynjarë”. Edhe pse në krijimtarinë e Lasgushit nuk gjen veçmas motiv atdhetar, poezia e tij krijon hapësirën kombëtare me liqerin, malin, kasollen, këngën e lashtë, me Drinin e Shëndaumin dhe, si e tillë, ajo është aq shqiptare; me dashurinë e mallin, me lindjen e vdekjen, me triumfin dhe humbjen, me qiellin e dherin, me zemrën dhe shpirtin ajo është aq universale e moderne. Për këto e të tjera, ajo mbetet një kulm në poezinë tonë dhe zë një vend nderi në historinë e letërsisë shqiptare.