Kurrikula
Kursi: Letërsia Klasa 12 Shtëpia Botuese Filara
Identifikohu

Curriculum

Letërsia Klasa 12 Shtëpia Botuese Filara

0/32
Mësimi me video

Mësimi 11.2 Analizë vëllimi poetik Njeriu me vete e me të tjerë

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 12 Mësimi 11.2

MARTIN CAMAJ

Analizë vëllimi poetik “Njeriu më vete e me të tjerë”
Vendin kryesor në poezinë e tij e zë vëllimi poetik “Njeriu më vete e me të tjerë”. Që në titull poeti zbulon marrëdhënien që do të poetizojë në vepër: me veten dhe me të tjerët. Vetë Camaj thotë: “…ndërsa kundron botën, njeriu ndalet në një pikë kohe për të rrëmuar në ndjesitë e veta”… “me gjet përfytyrime e formula që përfshijnë ndjenja e ndjesi të shumta, të miat e të tjerëve. Këtë nënkupton edhe titulli “Njeriu me vete e me tjerë”. Kjo përmbledhje u botua në Gjermani më 1978. Ajo përbëhet nga tri pjesë: e para “Pa titull”, e dyta “Prej ciklit-Kangë të vjetra” dhe e treta “Pleqnime më vete”.

Motivet kryesore në vëllim kanë ardhur gjithmonë prej shtysës së brendshme, nga përjetimet vetjake, si vetmia, frika e vetmisë, në një konflikt mes botës së jashtme dhe ndrymjes në vetvete.

a. Me këtë ndrymje në vetvete janë të lidhura motivet në poezitë: “Nën hijen e sendeve”, “Nata e koncertit”, “Rojtari i muzeut nacional”, etj.
b. Motivi i gruas po ashtu, lidhet me motivin e vetmisë, si komunikim tjetër me jetën, për të dalë nga vetmia, si p.sh. “Gruaja e gjarpni”, “Dreni plak”, “Legjenda e Shotës”, etj. Për nevojën e saj flet poezia “Ç’ka i duhej Uliksit Itaka pa grue?”.
c. Frika e vdekjes apo të sosunit, siç e thotë poeti, del në poezi në përfytyrimin e akullit te poezia “Ai mal akulli ndan kohën”. Ardhja e fundit paraqitet në qetësi, me hapa të lehtë (“Vdekje-krizëm”), por edhe në mënyrë teatrale, me zhurmë të shkundullimës (tërmetit) apo rrungajës (ortekut).

Poezitë, ndonëse të shkurtra, së bashku ngjasojnë me një poemth, i cili sjell para nesh një botë të tërë. Poeti e plotëson mendimin e tij dhe me titullin që vendos në çdo poezi, pasi fjalët janë të kursyera. Vëllimi zgjon interes të madh edhe për gjuhën poetike të Camajt.

Arshi Pipa, një nga studiuesit e veprës së poetit, do të shprehej kështu: “Shembujt tregojnë se gjuha e “Njeriu më vete e me tjerë”, jashtëzakonisht eliptike dhe madje e fragmentuar, shpërfill të kuptuarit. Imazhet shmangen prej kuadrit të zakonshëm hapësinor-kohor, krahasimet janë të pangjashme, metaforat piskatin e rropasin. Të krijohet përshtypja e një gjuhe me zemërim shpërthyes…” Le të shohim një pjesë të poezive të vëllimit. Në poezinë “Fill i gjetun” poeti është në errësirë, në kërkim fillit të humbur të ndjesive të veta. Vetëm në mëngjes, në dritën e diellit, ai gjen “fillin e tretun” (e humbur) që e bën të kuptojë e të dallojë shumë më qartë e të ringjallë prej memories çastet e vdekura në kohë. Mbas vargjeve të tij fshihet një grimë ngashërimi që, po në atë çast kur autori na e përcjell, shndërrohet në gëzim.

Në nadje1 vrejta rrethin e andrave
në truell
e gjeta fillin e tretun
në pikën e daljes së dritës.

Camaj ndjen ndryshimin mes njerëzve në vendin e huaj dhe atyre që la pas, nën tinguj currilash, ku era flladit grurin deri në tokë. Në kontrast me këtë vend të qytetëruar e të zhvilluar, (por me natyrë të bukur si gjithkund) ku edhe “diktatorët marrin vesh masën e instrumenteve”, vihet bukuria e muzikës së vendit të origjinës, asaj muzike që poetit i këndon çdo ditë në veshë e i sjell ndërmend vendet që la pas. Vetëm dëgjuesit veshë-imët ndjejnë tingujt e jetës, thotë poeti. As dirigjenti më i mirë nuk e njeh ( apo nuk e kupton, nuk shijon) muzikën që ka vendi i tij i lashtë. (“Nata e koncertit”) Në poezinë “Nji stinë e humbun”, relativizohet koha në përshtatje me ndjenjat, ku stinët s’janë veç çaste e ditët rrinë të rënda e plot dhimbje në kalendar.
Verës sa një mëngjes me vesë
nuk ia pau kush ballin simjet..

Ndërsa:
Vjetit nuk i mungon asnji ditë
në kalendar….

Siç flet për stinë të humbura që zgjasin sa vesa e një mëngjesi, ashtu sillet kah dimri i ftohtë ku “syni kërkon flakën e fshehtë… në gjijtë e rrajëve” (“Dimën”). Ky dimër është i ashpër, saqë edhe “egërsina kërkon shpëtim në zgavra”, udhët nisen drejt veriut e humbin në mjegull dhe shpirti i poetit ruhet nga “frika prej dimnit të gjatë” që të mos shndërrohet si ky “mot i lig, i vramë në shpirt me plagë të mbulueme nën njiqind lëkura”. Natyra që përcillet në poezinë e tij i ngjan përshkrimeve epike (“Mospërfillje”): “hana që derdh rrezet prej majës së shkambit deri n lumë” e qokthi që këndon/vajton në terr. Dhimbja është shoqëruese në këngën e qokthit që askush s’e dëgjon, deri sa e gjejnë (të plasur në gur). Te poezia “Nji zog lëngon”, mungesa e një vendi që zogu të banojë i qetë, e bën poetin të shohë me dhimbje përplasjen e zogut në tokë. Të largohesh nga viset e tua, ku ti je zog i lirë, e të përfundosh lëngues në vendin që nuk të mban fort, se ti nuk ke rrënjë, nuk është e lehtë.

Bukuria lind si në epos dhe është e denjë për të. Te poezia “Hylleshë e natës verore”, Bukuria është si një hyjneshë që lind mes tre ullinjsh, në një natë verore të bukur sa ajo, duke “përgdhel hijen e ballit/ sjellë kah deti pa dritë”, mes njerëzve “buzë ujnave të pafund”. Me fjalë të kursyera, poeti sjell nënën dhe atin malësor. Bukurinë e madhështinë e kujdesit të Lokes-nënë poeti e jep me vetëm një varg: “Je barrë e vrame në parzmin tim!”, ndërsa për të atin një përshkrim të goditur (“Dy brezni”): “ dru ullini pa fletë/ me kokrra të zeza në çdo degë” që fjala i “jehonte shungullueshëm2” si “me qenë ulurimë ujku t’unshëm/ ndër karma3, vetëm.”. Nuk e masim dot përmasën e dashurisë e të krenarisë për vendin ku poeti u lind, për vendin ku çdo ditë i fluturonte malli. Ai është aty, në vargjet që pikojnë dhimbje, krenari, mall, dashuri; është i lashtë, madhështor dhe i ashpër “Aty si tash para se me ardh fiset”.

Largimin nga vendi i tij e sheh si një dramë të rëndë, ndaj e sjell shpesh në vargjet e tij si një “Fragment” (kështu titullohet një poezi), ku nisja në mërgim e bën njeriun të marrë “nji copë qielli në krah e krypë deti në kutia pishe”, asnjë pasuri në dorë, por sytë të përflakur si gaca (thëngjinj) zjarri. Qielli, lartësitë, majat, malet, dhimbja, guri, kanga, janë fjalë kyç që i gjen shpesh në poezitë e tij, si në poezitë “Qokthi ecën mbi sende”, “Akrobatja”, “Vdekje-krizëm” (krisëm), ku përmes kontrasteve dallëndyshja /korbi, dheu/ajër, gjeth i thatë/frymë, shpreh më mirë brengat e ndjesitë e tij. “Dështim” është një tjetër poezi e vëllimit ku autori si një njeri kanunor flet për turp e ndere si pjesë të jetës së tij e nuk mund ta durojë humbjen e tyre. Fjalët e thukëta që përdor janë të zbërthyeshme në gjuhën e njeriut të malit, e cila është plot metonimi e metafora.

Nuk i ikën vëmendjes së poetit as një “Katund i lanun mbas dore”, ku me një thjeshtësi e madhështi, përmes pak vargjesh, arrin të përcjellë botën e njerëzve të katundit “mbas shpine të dheut/ me shpi e rrugza që sosin/ në timba (shkëmb)”. Edhe pse duket sikur autori do të përcjellë problematikën e varfërisë e vetmisë së njerëzve të katundit, përsëri arrin të ndjesh përmes vargjeve kënaqësinë idilike që të ofron ky vend. Duket sikur më tepër ka mall për të tillë vende, sesa dhimbje për jetët e varfra. Të vjetrit ndezin zjarrin mbrëmjeve në “hinin e stërdjegun” dhe “hana mbasi të ketë perëndue gjithkund, ndalet pakëz në dritare e bisedon me njerëz të frikës prej syni të keq”.

Në lidhje me figurën e malësorit në krijimtarinë e Camajt, Koliqi thotë: “Lufta qi malsori ndërmerr për me dalë nga gurzimi i nji gjendjeje shoqnore kurrkund në pajtim me kohën e sotshëme, ia thek shpirtin. Ai s’don qi burri i malsis të shikohet si specimen i nji rrace së lashtë, objekt kureshti për t’u vendue në nji muze.”

Disa nga veçoritë e poezisë së Camaj
Poezia e Camajt ka shqetësim shprehjen e vetvetes (të thotë gjithçka e mundon brenda vetes), kapjen e një ndijimi, kujtimi, imazhi a ëndrre të papërsëritshme. Në poezinë e tij shkrihen tradita poetike, qofshin të kaluara apo të reja e moderne.

Nga tradita shqiptare e së kaluarës dallojmë mbështetjen në:
traditën e poezisë së De Radës për nga sintetizimi i vargut,
poezinë e Mjedës në drejtim të teknikës së vargëzimit,
folklor, sidomos atij të trevave të veriut dhe
në mitologjinë shqiptare.
Nga tradita moderne dallojmë ndikimin nga hermetizmi, një poezi që nuk dallon për mesazhe të drejtpërdrejta, por që përjetohet e interpretohet si një tekst i hapur që lejon një numër pa limit leximesh. Vitet e fundit poezia e tij u bë më shumë abstraguese ku kuptimësitë e saj mbishtresohen, si një lloj palimpsesti poetik.
1. Poezia e Camajt është mjaft e kursyer, maksimalisht sintetike, shpesh deri në kufijtë e aforizmave.
2. Poezia e Camajt ka fjalor poetik tepër të zgjedhur. Çdo fjalë ka vend të pandërrueshëm
3. Vargu përgjithësisht është i lirë.
4. Vargu ka ritëm e muzikalitet të brendshëm.
5. Është e shkruar në variantin e gegërishtes letrare.