Kurrikula
Kursi: Letërsia Klasa 12 Shtëpia Botuese Filara
Identifikohu

Curriculum

Letërsia Klasa 12 Shtëpia Botuese Filara

0/32
Mësimi me video

Mësimi 2.1 Jeta dhe vepra e Franc Kafkës

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 12 Mësimi 2.1

LETËRSIA BOTËRORE E SHEKULLIT XX

FRANC KAFKA (3 korrik 1883 – 3 qershor 1924)
Franc Kafka është një nga shkrimtarët më të mëdhenj të gjuhës gjermane të shekullit XX. Ai mbahet si mjeshtër i romanit të shkurtër. Kafka i përkiste Rrethit të shkrimtarëve të Pragës dhe vlerësohet nga kritika si personaliteti letrar që ndikoi fort në zhvillimin e ekspresionizmit, modernizmit eksperimental dhe realizmit magjik. Rëndësia e Kafkës qëndron te narrativa dhe stili i tij unik dhe i papërsëritshëm, që u bënë shkollë për breza të tërë shkrimtarësh, veçanërisht për Albert Kamynë, Gabriel Garsia Markezin dhe Zhan Pol Sartrin. Mbiemri “kafkian” përdoret tashmë gjerësisht në letërsi për t’iu referuar situatave të rëndomta të llojit absurd, të tilla si ato ku paraqiten personazhet e veprave të Kafkës.

Jeta
Franc Kafka lindi më 3 korrik 1883 në Pragë të Austro-Hungarisë, sot Republika Çeke, në një familje borgjeze. Prindërit e tij, Herman Kafka dhe Julia Lëvi kishin 6 fëmijë. Mbas vdekjes së dy vëllezërve më të mëdhenj në moshë të mitur, Franci mbetet djali i madh dhe vëlla i tri motrave, prej të cilave Otla, motra më e vogël, do të jetë e vetmja në familje që e kupton. Edhe pse anëtar i një familjeje të madhe, Franci kaloi një fëmijëri të vetmuar, me dy prindër të dhënë mbas biznesit familjar, që, edhe pse u siguronin gjithçka, ishin shumë rrallë pranë fëmijëve. Franci ishte fëmijë mjaft i ndrojtur, i mbyllur në vetvete dhe shëndetlig, por që i pëlqente të lexonte me orë të tëra. Në formimin e karakterit të tij pati një ndikim të madh i ati, i cili ishte tepër autoritar, i ashpër dhe arrogant. Në sytë e Francit, i ati shfaqet si përfaqësues tipik i asaj bote ku fitimi i parasë është qëllimi i vetëm. Kjo botë e të atit ishte shumë larg aspiratave të Francit, ndaj gjithë jetën ai u ndie i përjashtuar, i pakuptuar dhe i mosvlerësuar prej tij, pavarësisht sukseseve që arriti. Këtë marrëdhënie të vështirë Franci do ta përshkruajë më vonë në veprën “Letër babait”. Në vitet 1893-1901 Franci ndoqi në Altshtad liceun klasik në gjuhën gjermane. Në vitet 1901-1906 ndoqi studimet universitare në Pragë ku diplomohet për drejtësi. Më 1908 u punësua pranë një instituti sigurimesh kundër aksidenteve të punës. Në këtë institut punoi deri më 1922, kur u detyrua të dalë në pension të parakohshëm për shkak të sëmundjes së tuberkulozit, e cila i ishte shfaqur që më 1917.

Ndikimet dhe veprimtaritë
Familja e Kafkës ishte me origjinë hebreje, nga fisi Ashkenazi. E ndodhur në mjedis johebre, ajo përpiqej ta shmangte sa më shumë këtë origjinë. Në familjen e Kafkës flitej gjermanisht, por ai s’kishte si të ndihej gjerman; jetonte në Çeki, por s’ishte çek; ishte hebre, por as i tillë s’ndihej. Nga këtu buron ajo krizë identiteti që e shoqëroi Kafkën tërë jetën.

Miku i tij më i mirë ishte Maks Brod. Që në fillim të njohjes së tyre, Brodi vuri re se Kafka ishte i turpshëm dhe fliste pak, por ajo çka thoshte ishte zakonisht e thellë. Së bashku u bënë pjesë e grupit rinor social-revolucionar, që diskutonin për probleme shkencore, politike, filozofike dhe sociale, ku ndër të tjerë bënte pjesë dhe Albert Ainshtajni. Kafka e konsideronte Dostojevskin, Floberin, dhe Hajnrih fon Klajstin si “vëllezër të vërtetë të një gjaku”. Përveç këtyre, ai ishte i interesuar për literaturën çeke dhe për të ishin të dashura të gjitha veprat e Gëtes.

Kafka kishte një personalitet kompleks: ai urrente zhurmat, pëlqente të komunikonte me anë të letrave, mënjanonte shikimin në pasqyrë, pasi kishte pak stimë për veten, urrente trupmadhësinë dhe grykësinë. Ishte vegjetarian dhe problemet e tij me ushqimin pasqyrohen dhe në shumë prej heronjve të veprave të tij. Sëmundja e tuberkulozit iu shfaq herët dhe, përveç kësaj, ishte diagnostikuar me anoreksi nervore. Kafka nuk u martua kurrë, edhe pse për të martesa dhe familja ishin të shenjta. Në jetën e tij ai pati marrëdhënie intime me disa gra: me Felise Bauer-in u fejua dy herë; pati një marrëdhënie të koklavitur me përkthyesen çeke Milena Jesenskaja, por vajza që dashuroi me gjithë zemër ishte mësuesja 25-vjeçare me origjinë polake Dora Diamant-i, e cila nga Balltiku shkoi me të në Berlin dhe për pak kohë jetuan të lumtur së bashku. Dora i ndenji pranë edhe në sanatoriumin e Vjenës, ku Kafka, i sëmurë rëndë nga tuberkulozi, vdes më 1924.

Veprat
Kafka ka nisur të shkruajë që herët. Shumica e veprave të tij u botuan pas vdekjes nga miku i tij i ngushtë Maks Brodi, pasi vetë Kafka, në gjallje të tij, kishte shprehur dëshirën që ato të digjeshin. Tregimet e para u botuan në revistat e kohës, duke nisur nga viti 1909. Sa ishte gjallë, ai botoi vëllimet me tregime dhe novela: “Vëzhgimi” (1913), “Dënimi”, “Fokisti” (1913) dhe “Metamorfoza” (1916). Në vitin 1919 botoi vëllimet me tregime dhe novela “Në koloninë ndëshkimore” dhe “Një mjek fshati” dhe më 1924 “Artisti i urisë”.

Gjithashtu, botoi vëllimet me prozë autobiografike:
“Letër babait”, “Ditaret” dhe “Letra Milenës”. Romanet e Kafkës “Procesi” dhe “Kështjella” u botuan më 1925, kurse “Amerika” më 1927, pas vdekjes së autorit dhe jo plotësisht i përfunduar. Sa ishte gjallë, Kafka njihej vetëm nga miqtë e tij dhe nga një rreth i ngushtë letrarësh të rinj me prirje avangardiste. Në vitin 1915 Franc Kafka u vlerësua me çmimin prestigjioz letrar “Fontan”. Por ashtu siç ndodh zakonisht me shkrimtarët e mëdhenj, ai u bë i famshëm pas vdekjes. Për nder të shkrimtarit të madh gjermano-çek çdo vit në qytetin e Pragës ndahet çmimi letrar “Franc Kafka”.

Veçoritë e krijimtarisë së Kafkës
• Veçori kryesore e Kafkës është konceptimi universal i dukurive të jetës njerëzore. Prirja për të përgjithësuar dukuritë i diktoi Kafkës simbolin, hiperbolën dhe gërshetimin e reales me fantastiken deri në habi.
• Vepra e Kafkës është origjinale. Ajo përshkohet nga dëshpërimi pa ngushëllim për njeriun.
• Kafka është humanist, por humanizmi i Kafkës është pak i pakuptueshëm, për arsye të përfytyrimit që ai ka për jetën njerëzore, si misterioze, enigmatike dhe absurde.
Heronjtë e Kafkës janë tragjikë; nuk përpiqen të gjejnë rrugëdalje, por edhe kur e bëjnë këtë, përpjekjet mbeten absurde; të pafuqishëm për ta ndryshuar gjendjen; kanë jetë pasive dhe përgjithësisht i nënshtrohen fatit; janë të pikëlluar të pangushëllueshëm. Ata ndihen të shtypur nga ligje misterioze, nga një forcë autoriteti e panjohur ose nga sistemi burokratik absurd. Mbi ta rëndon pesha e fajit, pa pasur faj.
Temat qendrore të veprave të Kafkës janë vetmia, faji dhe pafajësia, tjetërsimi, tëhuajëzimi, dënimi, autoriteti, ankthi i njeriut përpara misterit të jetës, përjashtimi, liria dhe skllavëria burokratike, kërkimi i Zotit pa iu nënshtruar fesë, paaftësia e njeriut për të gjetur zgjidhje, paaftësia për të komunikuar, vdekja dhe absurdi etj.
• Veprat i karakterizon paradoksi i situatave dhe gjendjeve absurde (jeta është kurth, të cilit s’i ikën dot.).
Gjuha e Kafkës dallohet për pasuri të jashtëzakonshme shprehjeje: ai përdor hiperbolën, groteskun, alegorinë dhe të tëra i ngre më pas në simbole vigane; është mjeshtër në gjetjen e detajeve, përdor dendur përshkrimet e gjata, të stërholluara.
Të rrëfyerit është një nga pikat më të forta të artit të Kafkës. Ai realizon me të situata të rëndomta. Kafka parapëlqen rrëfimin në kohën e tashme. Ai vetëm konstaton. Kjo i mjafton. Nuk motivon, nuk argumenton atë që ndodh. Rrëfimi i Kafkës është i qetë dhe i ftohtë. Gracka e rrëfimit të tij është: t’i thuash të gjitha, njëkohësisht të mos i thuash të gjitha, domethënë dy pamundësi përballë njëra-tjetrës, të cilat përftojnë një pamundësi të tretë. Rrëfimi karakterizohet nga përdorimi i detajit tepër të goditur e plotësisht të qartë; shprehja e mendimit me një saktësi të habitshme e me një gjuhë, përgjithësisht, të thatë e lakonike; vetësiguria dhe ftohtësia që të tmerron, të shoqëruara me nota humori të hidhur. Me rrëfimin e tij, Kafka krijoi alfabetin e heshtjes, qetësinë që zhurmon dhe nxit. Në një aforizëm të tij Kafka shkruan:”Shtigjet janë krijuar nga të ecurit e njerëzve.”. Ai na sugjeron kështu mënyrën e tij të leximit, por secili nga ne, duke lexuar Kafkën, mund të gjejë shtegun drejt njohjes së vetvetes.
• Fuqia e artit të Kafkës qëndron në paraqitjen e së pazakonshmes dhe të pabesueshmes si diçka e zakonshme, normale dhe fare e besueshme.
• Kafka solli shumë risi në fushën e estetikës. Ai shembi çdo kufi midis realitetit dhe ëndrrës; ktheu temat universale në tema të përditshmërisë; u dha ekzistencë normale kafshëve, insekteve, sendeve; depërtoi në fshehtësitë më të largëta të kozmosit njerëzor; riaktualizoi situatën fillestare të njerëzimit, mëkatin fillestar, fajin, vetëgjyqësinë, metamorfozën, etj.
• Veprën e Kafkës e bën moderne fakti që ajo mishëroi parimin e estetikës moderniste: deformimi i reales, me qëllim që të dalë në pah ajo më kryesorja, thelbësorja.

Romani “Procesi”
“Procesi” është romani më i njohur i Kafkës, i botuar në Berlin më 1926. Romani tregon historinë absurde të Jozef K. , nëpunës banke, të cilin një mëngjes e arrestojnë dy policë, pa ndonjë arsye. Ai nuk e pranon procesin, se nuk e ndien veten fajtor, megjithatë merr një avokat që të mund të vërtetojë me argumente pafajësinë e tij. Por një natë e vrasin në një djerrinë “si një qen” dy policët që e arrestuan, para se procesi të përfundonte, pa e dëgjuar kurrë akuzën, pa e marrë vesh fajin, pa proces. Kjo kryevepër “abstrakte” e letërsisë botërore është komplekse, e thellë, absurde, e hapur për interpretime të shumëllojshme. Kafka përqendrohet në çështjen e diskutueshme të drejtësisë dhe ligjit, fajësinë dhe pafajësinë e njeriut. Përmes situatës kafkiane së Jozef K. paraqitet konflikti mes individit dhe sistemit dhe përcillet mesazhi se nga ky i fundit njeriut i vjen çdo e keqe.

Proza autobiografike “Letër babait”
Pafajësia apo fajësia e dyanshme?
Letra e Kafkës për të atin është një letër e çuditshme, që, duke shpjeguar enigmat kafkiane, bëhet më enigmatike. Faji dhe pafajësia kuptohen krejt ndryshe nga biri dhe nga babai, por nuk është fjala vetëm për këtë ndryshim. Që nga fëmijëria, Kafka e shihte botën të ndarë në tri botë. Në botën e parë jetonte AI, skllavi, nën ligjet që ishin shpikur vetëm për të. Në botën e dytë, që ishte pafundësisht larg nga bota e tij, jetonte BABAI, i lidhur me qeverinë, me dhënien e urdhrave dhe me zemërimin. Ndërsa në botën e tretë jetonin NJERËZIT E TJERË, të lirë nga urdhërat dhe nga bindjet.

“Unë isha gjithnjë i turpëruar”, thotë Kafka. I ati e sheh të birin si dikush që bën gjithnjë të kundërtën e asaj që dëshiron ai. Po Kafka s’e pranon këtë. Si mënyrë për ta edukuar të birin, babai kishte zgjedhur sharjet, kërcënimet, ironinë, qeshjen e ligë: “…më akuzon për sjellje të këqia ose veprime të padenja… më akuzon për ftohtësi, indiferencë, mosmirënjohje…dhe m’i përplas në fytyrë.” Kërcënimi i tmerrshëm i babait ndaj të birit ishte: “Unë do të të bëj copë e çikë, siç qërohet peshku!” Sa më shumë rritej, aq më shumë bëhej i pavlefshëm për të atin. Babai i tregon të birit tërë vështirësitë e jetës që ka kaluar vetë, që në moshën 7-vjeçare. Por Kafka është një person krejt tjetër dhe s’ka asgjë të përbashkët me të atin. Kafka nuk pranon asnjë varësi.

Në letër Kafka flet për tiraninë e të atit. Ai sheh një “proces të tmerrshëm që rri pezull” midis tyre. Nevojat e tij dhe ato të babait ishin krejt ndryshe. Babai është “një tiran që ka gjithnjë të drejtë, ndërsa të tjerët janë të çmendur”. Kafka pohon hendekun që e ndan me të atin: “ajo që mua më mbërthen, ty duhet të të mos prekë thuajse aspak dhe anasjelltas; ajo që për ty përbën pafajësi, për mua mund të jetë faj dhe anasjelltas; ajo që mbetet te ti pa pasoja, tek unë mund të jetë kapaku i arkivolit”. Kafka do ta pranonte atë, nëse ai “do të kishte qenë një mik, shef, xhaxha, gjysh, vjehërr”. Po ja që s’íshte asnjëri prej tyre. Kështu, në letër, kuptimi mbi fajin dhe pafajësinë merr një përmasë shumë të gjerë. Ndryshimi i këtij kuptimi mund të çojë në gjëra krejt të kundërta, madje dhe tragjike. Kafka flet për fajësinë dhe pafajësinë e dyanshme: “…sikur vetëm unë qenkam fajtori…, ndërsa ti nuk paske kurrfarë faji…”. Kafka ndien peshën e presionit e të frikës, ndien dobësinë, përbuzjen. Gjithçka shkruan ai në letër është si një ikje pa kthim nga babai. Por kjo lloj lamtumire ngjan tepër e pabesueshme. Kafka e shikon të atin si Kronosin dhe pret nga çasti në çast, kur babai do ta “hajë” të birin “për ta mëshiruar”.

Më shumë se për babanë, kjo letër është shkruar për brezat e ardhshëm, madje dhe më gjerë, për botën dhe njerëzimin. Letra është shkruar pesë vjet para vdekjes, kur Kafka ishte në kulmin e krijimtarisë. Letra vë përballë birin me atin mes të cilëve gjallon moskuptimi, mes të cilëve shtrihet një distancë e madhe dhe e çuditshme që shpie në një duel sa tragjik aq komik. Si krijohet kjo, Kafka e thotë në një letër drejtuar të motrës: “Ne nuk i kemi braktisur prindërit, ne nuk jemi mosmirënjohës, as të çmendur, por vetëm kemi bërë me qëllime plotësisht korrekte atë që ne e quanim ”të nevojshme”. Kafka pohon qartë “pafajësinë e dyanshme” dhe , ndërkohë, adhurimin e tij për të atin. “A të kam thënë se unë e adhuroj babanë tim?”- i thotë ai së dashurës. Kjo letër e Kafkës është aq domethënëse. Në të ai na thotë: “A nuk është ky kurthi i jetës?”. Jemi, pra, në një gjendje paradoksale. Situata në të cilën është ai, babai dhe tërë njerëzit është absurde. Konceptimi është universal. Vërtetësia është rrënqethëse.