Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 12 Mësimi 7.2
MIGJENI
Proza e Migjenit
Problematika e prozës së Migjenit është thuajse e njëjtë me atë të krijimtarisë së tij në vargje. Temë zotëruese bëhet tema shoqërore e kohës, dhimbjet personale të lidhura me të, si dhe çështje filozofike, të cilat lidhen më së shumti me alternativat që shtron Migjeni. Njeriu duhet të bëjë një zgjedhje midis dy gjërave të kundërta që i paraqiten. Në këtë gjykim, kur të ofrohen dy zgjedhje të kundërta dhe çdo zgjedhje e tretë përjashtohet, njeriu vihet në dilemë, në një gjendje të vështirë mendore e emocionale. Skica filozofike e Migjenit përshkruan absurdin e jetës, përplasjen brenda njeriut të dy të kundërtave, përmasat e të cilave njeriu i ka brenda thelbit të vet dhe s’mund t’i largojë që aty. Në skicën “Tragjedi apo komedi”, dilema e Migjenit vërtitet, sillet e përsillet rreth pyetjes: Si është njeriu para jetës dhe vdekjes: I MADH apo I VOGËL?!
Mbi të gjitha, kjo dilemë ka të bëjë me fatalitetin njerëzor. Njeriu lind, rritet dhe lufton për jetën, lidhet fort pas saj, bën për të çdo sakrificë, por në fund vjen vdekja, e cila i bën shkrumb e hi tërë përpjekjet, tërë luftën që ai bëri në jetë për jetën. Njeriu është tragjik, sepse bën një luftë të kotë apo është komik sepse tallet me jetën dhe thelbin e vet? Njeriu dhe jeta e tij janë çdo ditë përballë të kundërtave: jetës dhe vdekjes, dashurisë dhe urrejtjes. Njeriu ndeshet çdo ditë me kundërshtarë, si: pasigurinë, sëmundjen, pabesinë, padrejtësinë, etj. Për sa kohë nuk mbrohet dhe nuk i përballon dot kundërshtarët e vet, njeriu del humbës, i zhgënjyer. Njeriu zhgënjehet sa herë provon kahun e kundërt të së mirës, pra, kur provon të keqen, fatalitetin, kur nuk është përgatitur për ta njohur dhe për ta provuar atë kah.
Te “Sokrat i vuejtun – apo derr i kënaqun” duket se njeriu e ka gjetur zgjidhjen: dukja sokratike – qenia derr, sepse kështu “nuk mund ta njohin se asht derr dhe e nderojnë si një Sokrat”. Kështu, në vend të përparojë e të lartësohet, qenia njerëzore zhytet thellë e më thellë në amoralitetin e vet. Një tjetër krizë njerëzore, morale e jo landore, paraqitet te skica “Ose… – Ose…” Duke vënë përballë lojën e vjetër të njerëzisë, lojën e Hamletit të çmendur me atë të re, lojën e Don Kishotit plot aventura, por të domosdoshme siç i quan Migjeni, lind pyetja: “A ka me sjellë historiku fletën krejt të re, të shkruejë – apo do vazhdojë fletën e vjetër? Mos asht dhe kjo vetëm një ironi kohe?”
Me guxim, Migjeni prek dhe botën e instinkteve seksuale. Një ndër skicat që e shpërfaq bukur e me forcë guximin e tij, është “Puthja e cubit”. Dila, vajza që sapo ka mbushur 17 vjeç, ka një dëshirë të vokët në gji e ndien si i rreh gjaku. Dila ndien për Cubin, djalin që, në dimrin e acartë, plot stuhi e dëborë, për një muaj qe mik në shtëpinë e saj. Autori bën analizën e ndjenjës, kur përshkruan rrugën nga ajo kalon: shikimi, prekja, ndjesia dhe “ndjesia u ba dëshirë, dëshirë që të len pa gjumë”. 17 pranverat e saj ishin “17 thirrje të nxehta e të heshtuna drejtue Cubit.’’ Po, si për ta mrekulluar vashën, Migjeni sjell çudinë. Është ëndërr apo zhgjëndërr? Dila e provoi puthjen apo iu bë sikur?! Migjeni është i kursyer, jep vetëm thelbin, për të na nxitur ta kuptojmë e ta çojmë më tej ndodhinë. Ai hesht. Nuk dimë se ç’ndodhi me Dilën, dimë vetëm që në muzg dëgjoheshin “nëpër livadhe e nëpër shkambijt”, thirrjet plot hidhërim dhe dhimbje: “Dilooo! Dilooo! Dilooo!”.
Veç skicave që lartpërmendëm, Migjeni sjell dhe skicat që janë paraqitje e drejtpërdrejtë e realitetit, si: “Një refren i qytetit tem”, “Në kishë”, “Zoti të dhashtë”, “Luli i vocërr”, “Legjenda e misrit”, “Moll’ e ndalueme”, “Idhujt pa krena” etj. Me mjaft dhembshuri e vërtetësi paraqet autori lypësit, fëmijët e varfër, të mjerët e paracaktuar të shuhen në moshë të njomë për shkak të varfërisë e indiferencës së njerëzve dhe institucioneve fetare. Ironia e Migjenit fshikullon pa mëshirë: “Qetësia e kishës fillon të trazohet… kapela të kuqe e të zeza, petka të bardha e të kaltërta, çarapë të mëndafshtë e pambuku, fytyra me mustakë e pa mustakë, të qeshuna e të ngërdheshuna – besnikët vijnë të ndëgjojnë oratorin e mbasdrekes. Bankat janë mbushë. Dhe në bankën e mbrame asht lypsi.” Lypsi nuk do të mëkatojë, por si do ta sigurojë jetesën? Larguar kokëulur prej kishës pëshpërit: “Po si do të jetoj unë?… këtë kurr s’ma the. E unë, pra, due të jetoj!”. Migjeni rebelohet, ngre zërin dhe shpall hapur revoltën e tij.
Aktualiteti i malësorit e shqiptarit të shekullit XX, zhytur në mjerim e vuajtje pa fund, shemb kulte, kalon çdo përfytyrim. Malësori, vetëm me një këmishë e brekë legjendare mbi shtat, bëhet servil, frikacak: “Si urdhnon, zotni”, përsëritet sa e sa herë në mnyrë qesharake, me t’u marrun zani, me gjeste majmuni, vetëm e vetëm mos me zgjue mninë e engjujve që ndajnë misër.” Ndërsa i papuni i bie pash më pash rrugave të qytetit:
Puntori ynë sundon veten! Ligji! Polici! Për sigurim, duert i ve mbrapa. E duert e tij janë të forta, të fuqishme. Edhe dreqin e kishin kapë për fytit dhe e kishin mbytë. Por edhe dreqin e mbron ligji. Tan-tan-tan! Deri kur kështu ma?
Skicat e Migjenit përsosën një lloj të ndërmjetëm midis letërsisë dhe publicistikës, duke qenë krijime që jepnin një pamje të shpejtë, të drejtpërdrejtë të realitetit, por me figuracion të pasur dhe shprehësi të spikatur. Skicat e Migjenit shquhen për koncizitet. Ai i jep rëndësi veprimit e përshkrimit aq sa i duhen për të ndërtuar personazhin dhe përqëndrohet rreth idesë. Skicat, me pasuri motivesh, e shtjellojnë idenë me anë të një monologu të fuqishëm, i cili nis gjithnjë me ironi dhe përfundon me sarkazëm e revoltë. Forma origjinale e mendimit të Migjenit janë ironia, sarkazma therëse dhe monologu dramatik, që te skicat bëhen shprehëse të konflikteve të ashpra shoqërore e politike të kohës.
Skicat e Migjenit përshkohen dukshëm nga pesimizmi. Shkaqet e pesimizmit duhen kërkuar e gjetur te sëmundja e rëndë dhe e pashërueshme që e ka mbërthyer autorin, te mjerimi ekonomik, varfëria e njerëzve të thjeshtë dhe te hipokrizia e shoqërisë shqiptare të kohës.
Analizë “Novelat e qytetit të Veriut”
“Novelat e qytetit të Veriut” është përmbledhje e prozave të Migjenit, e bërë gati për shtypje në vitin 1936, por që arriti të botohet vetëm pas vdekjes së autorit. “Studenti në shtëpi” është tregimi që ka si temë jetën në familje, por problematika është më e gjerë se kaq. Nushi, i riu që ka studiuar për mjekësi në një nga vendet e Europës, pas 6 vitesh kthehet si mjek në atdhe. Që në hyrje të tregimit autori vë në dukje patriarkalitetin e shoqërisë shqiptare të kohës dhe marrëdhënien babë-bir:
“Mandej i ati iu paraftyronte Nushit, mbasi ai e ka shkruem letrën tue hymë n’at shtëpi, në muzg të mbramjes, dhe tue prue natën me vete. Se mbas tij dera u mbyllte, dhe atëherë të hymet e të dalmet ishin jashtëzakonisht të rralla, dhe vetëm kur lajmonte kush ndoj lindje, ndoj vdekje ose vinte ndoj mik i papritun, çka ngjante shum rrallë, u prishte kjo ligjë patriarkale. Ligjë, edhe çfarë ligje! Kush e shkelte at ligjë, gjith at natë do ta çonte në një ndjenjë si me pasë shkelë diçka të ftohtë, të rrëshqitshme si gjarpni. E syt e t’et që të përshkojnë me ftoftsi përftojshin tamam një aso ndjenje te Nushi. Si me pasë shkelë gjarpnin.”
Figura e babait, e patrajtuar kështu më parë në letërsinë shqipe, na shfaqet despotike, e zymtë si nata dhe kaq e ftohtë, sa çliron te Nushi ndjesinë sikur ka shkelur gjarprin. Ai kujton se gjithmonë ka ndjerë më shumë frikë se dashuri ndaj të atit. Po kështu dhe vëllezërit e motrat e tij. Të gjithë zhdukeshin kur vinte babai në shtëpi. Megjithatë, Nushi përpiqet ta justifikojë sjelljen e të atit, të cilin e sheh si produkt të shoqërisë dhe rrethanave të kohës. Nushi vëren se ekziston një kontrast i frikshëm mes vendit të tij dhe vendit ku pat studiuar. Zakonet patriarkale e qëndrimi ndaj femrës e zemërojnë Nushin. Ai merr guximin t’i flasë të atit për mospëlqimin e tij për martesën e së motrës, Ages, por qëndrimi i palëkundur i babait e thyen Nushin dhe kjo mund të shënohet si përpjekja e vetme e të riut për të kundërshtuar çdo gjë të vjetëruar e të gabuar që pengon përparimin e shoqërisë shqiptare të kohës. Idealet e pastra shuhen dhe Nushi do të bjerë pre e hipokrizisë dhe falsitetit të shoqërisë së kohës:
“Unë jam pa moral, koncepti i em menduer – mos me thanë ideologjik – nuk pajtohet me moralin, të cilin mue kjo shoqni ma imponon. Por unë e marr moralin e saj për sy e faqe, nsa mbrapa ia loz lojën kur të due. Kështu si unë ia lozin lojën shoqnis me qinda veta në vendin tonë. Prandaj, shoqni, po deshe të mos lozin në kurriz tand, ndrro format. Hiqi bragashat.”
Në tregimin “Historia e njenës nga ato” shohim fatin e individit dhe raportin e tij me shoqërinë. Që në titull, dhe në nisje të tregimit Migjeni na tregon se nuk bëhet fjalë për një individ të veçuar, por për një shtresë të tërë (njena nga ato), që i bashkon i njëjti fat tragjik, ku mjerimi material dikton një tjetër mjerim, atë moral, dhe fundi tragjik mbetet i pashmangshëm. Lukja, një grua malësore, e shtyrë nga uria, zbriti një ditë të ftohtë dimri në qytet. Mjerimi e jeta e vështirë, dëshira të mbledhë ca të ardhura për të pasur një strehë mbi kokë dhe dikë që të ndajë netët e ftohta e të gjata të dimrit në kohën e pleqërisë, e shtyjnë Luken të shesë nderin. Por te Lukja zgjohet herë-herë dëshira për të jetuar në mënyrë të ndershme.
“Kanjëherë dhe Luken e zente një trishtim i pakufishëm. I dhimbste ajo gja që e quejmë shpirt, por vetëm kanjëherë, pse po t’i dhimbste më shpesh, zotnia do ta qitte jashtë, pse Lukja atëherë ndër ato çaste të rralla thente gota, çinia, pasqyra, dhe çka t’i vinte për dore.” Lukja shfrytëzohet deri në fund të jetës, dhe tashmë, kur nuk i ka mbetur më asgjë, as të ardhura (ato pak që siguroi iu morën nga i shoqi përfitues e mashtrues), as bukuri e freski si dikur, me përbuzjet e njerëzve që e përdorën, shkon drejt fundit të saj tragjik, mbyllet në çmendinë. Ky është fati i individit në shoqërinë e kohës.
E njëjta problematikë, shoqëruar edhe me temën e papunësisë dhe marrëdhënien në çift, na vjen dhe në tregimin “…Bukën tonë të përditshme falna sot…” (ironizimi i Migjenit me fenë na shfaqet që në titull të krijimit). Kola, një ish-kamarier, më kot orvatet të gjejë punë: “Njeni më thotë s’më duhesh, tjetri s’kam nevojë, i treti nuk po jam tue nxjerrë as për vete bukën e gojës.” Ndërkohë borxhet shtohen në familjen e tij të vogël dhe fëmija, Lili, nga të pangrënët dhe i ftohti, sëmuret. “Por Kola nuk bërtet. Jo me fjalë, por as me të dukunt të jashtëm nuk don ta tregojë mjerimin e vet.” Ai pyet veten se kush e ka fajin dhe nuk gjen fajtor për gjendjen e tij të mjeruar. Monologut të tij të brendshëm autori i përgjigjet: “Ta dinte ai se kush e ka fajin, ose së paku t’ia kishte vue ai vetë kuej fajin, atëhere – eh- atëhere… Fuqitë e njerzve n’ankand kushedi si do veprojshin.” Kola nuk bën zë edhe kur sheh gruan që e tradhton për ca para, për të shpëtuar nga vdekja dhe për të ushqyer djalin e sëmurë rëndë: “E zemra donte t’i bërtasi, t’ulërijë si bisha së cilës ia kanë prishë strofullën. T’ulërijë, por s’kish fuqi. I shkyem, i lodhun, i mjeruem rrinte te karriga pa lëvizë.”
“Të çelen arkapiat” është tregimi ku shpalosen marrëdhëniet patriarkale dhe mungesa e vullnetit për emancipim. Heqja e ferexhesë, me ligj, trondit fanatikët e kapur fort pas së vjetrës: “Në tanë shtëpinë një heshtje, sikur ndodhet ndokush n’agoni të vdekjes. Po, ka agoni, por jo mjerim. Si në kët shtëpi dhe me qinda e qinda shtëpia tjera kanë diçka si agoni vdekje. Po vdes një e kalueme shekullore aq e ndjeme dhe aq e jetueme. Po i hiqet guri i qoshes kështjellit mijëvjeçar dhe zemrat e njerëzve po helmohen nga rroposja e tij. (Disa, përkundra, gëzohen si me u pas vramë një shtazë përbindshe që rronte dhe helmonte jetën nëpër shtëpia). Gazeta, reforma, zbulimi i grave ishin stihitë që mundofshin trutë e ngathët të njerëzve, të cilët nuk ishin mësue të mendojnë mbi ato gjana.” Ky është realiteti i shekullit XX. Migjeni, përveçse vizaton një tablo me tone realiste, ndal dhe në analiza psiko-sociale, si dhe shpreh mospajtimin e revoltën e tij.
Veçori të stilit
Me veprën e tij, në poezi e në prozë, Migjeni shkëputet nga trajtat formale e tematike të poezisë shqiptare të kohës, nga fryma romantike e letërsisë së Rilindjes Kombëtare, duke u drejtuar për nga tema realiste e ajo sociale. Migjeni zbuloi njeriun shqiptar, jo atë të bëmave të mëdha, por atë të përditshmërisë, me jetën e rëndomtë dhe hallet e zakonshme. Në krijimtarinë e tij mungon tematika atdhetare apo kombëtare. Migjeni shprehu pakënaqësitë e tij rreth realitetit shoqëror të asaj kohe, duke spikatur amoralitetin, absurditetin e zakoneve e despotizmin. Duke e ndjekur njeriun në luftën e tij për ekzistencë Migjeni, si asnjë poet tjetër, shembi të gjitha kultet: fetare, politike, atdhetare dhe morale. Tema kryesore në veprën e Migjenit është mjerimi, mjerimi fizik, moral e shpirtëror, i cili është përshkruar dhe paraqitur me vërtetësi e realizëm. Autori përshkruan figura, njerëz dhe ngjarje të mbërthyera nga një trishtim i thellë.
Me veprën e Migjenit, për herë të parë në letërsinë shqiptare, hyjnë disa raporte që kanë shqetësuar për shekuj me radhë mendimin njerëzor, si: jeta dhe vdekja; zoti dhe qenia tokësore; fati i njeriut dhe dhuna e shtetit; morali i bashkësisë dhe morali i individit, etj. Stili i Migjenit është i ashpër, polemizues, me nota rebeluese, por edhe elegjiake, ndërsa poezia e tij është poezi e mendimit, shpesh kundërshtuese, polemizuese, akuzuese deri në satirë, që ka lindur nga tronditjet e thella, sa individuale aq edhe shoqërore. Migjeni parapëlqeu poezinë e shkurtër, sidomos atë shoqërore, përsosi vargun e lirë si formë, trajtoi nga një këndvështrim i ri temën erotike, solli pë herë të parë, me forcë realizmi që të trondit, figurën e gruas, deri dhe të prostitutës, duke goditur normat etike të kohës.
Migjeni qe i pari në letërsinë shqiptare që guxoi t’i përshkruante instinktet haptazi. Në këtë rrugë ai pati pararendës të mëdhenj të letërsisë botërore, si: O. Uajlld-in, A. Zhid-in e M. Prust-in, udhën e të cilëve u përpoq të ndiqte. Gjejmë te Migjeni “dashurinë epshore”, “epshin kapërthyes”, ndeshim tablonë e prostitucionit, femra me “fytyrë të lyer me pudër e buzë bojëgjake”, që u buzëqeshin të rinjve, etj. Migjeni vë në peshore para shoqërisë paragjykimet dhe tabutë, flet për nderin e moralin nga një tjetër pikëvështrim, si dhe prek botën e instinkteve seksuale, duke shënuar kështu një akt emancipues në letërsinë moderne shqiptare.
Migjeni përdori një figuracion të pasur, origjinal, p.sh., metafora e Migjenit është atipike, ajo ka ngjyrime hiperbolike, përdori epitetet, ironinë, antitezat dhe hiperbolën. Poet dhe prozator i sinqertë, që nuk e censuroi kurrë ndjenjën dhe mendimin, Migjeni u bë simbol i shpërthimeve të vrullshme, i të vërtetave për shoqërinë dhe shpirtin e njeriut. Poet dhe prozator i lindur, ai do të mbetet përfytyrimi i atij talenti që, duke u shfaqur i plotë që në shpërthimet e para, tregoi se pjekuria e artit të vërtetë nuk varet nga mosha.