Kurrikula
Kursi: Letërsia Klasa 12 Shtëpia Botuese Filara
Identifikohu

Curriculum

Letërsia Klasa 12 Shtëpia Botuese Filara

0/32
Mësimi me video

Mësimi 6.2: Analizë Ylli i zemrës

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 12 Mësimi 6.2

Lasgush Poradeci

ANALIZË “YLLI I ZEMRËS”
Përmbledhja poetike “Ylli i zemrës” u botua më 1937. Kjo përmbledhje poetike përmban poezi të Lasgushit të shkruara pas vitit 1933, disa poezi të shkruara në rininë e tij të hershme në Pogradec, Athinë e Bukuresht, si dhe rreth 19 poezi të rimarra nga vepra “Vallja e yjeve”, ndër të cilat dhe poezitë e mirënjohura filozofike të ciklit “Vallja e vdekjes”: Gjeniu i anijes, Lundra dhe Flamuri, Vdekja e Nositit. Në këtë përmbledhje mbizotëron lirika erotike. Më parë kjo vepër ishte titulluar prej Lasgushit “Vasha dhe trimi”, ashtu si dy protagonistët e erotikës shqiptare, por, para se të botohej, u ndryshua në variantin që njihet sot.

Struktura e veprës
Vepra “Ylli i zemrës” është stukturuar në 6 cikle, një cikël më pak se “Vallja e Yjeve”. Titujt e cikleve janë:
I. Zemra e qjellit (3 poezi)
II. Zemra e dherit (5 poezi)
III. Zemra e jetës (39 poezi + 5 variante)
IV. Zemra e përjetësisë (9 poezi + 1 variant)
V. Zemra e vdekjes (2 poezi)
VI. Kush ma njohu dhembshurinë (1 poezi)
Sistemi poetik lasgushian mund të analizohet vetëm nëse njohim fjalët çelës. Tri fjalët çelës që na jepen që në titujt e veprave dhe na shërbejnë për të kuptuar më mirë poetikën lasgushiane, janë fjalët: valle, yll, zemër.

Simboli poetik i valles
Vallja është elementi poetik që përfaqëson jetën njerëzore, vetë rrugën nëpër të cilën kalon ajo. Ky paralelizëm midis rrugës dhe valles niset nga fakti se të dyja nënkuptojnë në vetvete lëvizjen. Nga ana formale, vallja në poezinë e Lasgushit jepet nëpërmjet lidhjes së fjalëve me vizë, nëpërmjet trepikëshit, lidhëzave bashkërenditëse shtuese ‘e, edhe’ dhe fjalëve që nënkuptojnë lëvizje e zhurmë. Teksa kënga buron nga zemra, fjalët “kapin njëra-tjetrën dorë për dore” duke na dhënë vizionin e valles. Vallja nis ngadalë, shtruar, pastaj ritmi nxitohet për të arritur kulmin e tij dhe më pas shuhet ashtu siç nisi, me hir e fisnikëri.

Simboli poetik i zemrës
Ndryshe nga vallja që afron më tepër me nocionin e jashtësisë, pasi nëpërmjet lëvizjes dhe gjuhës së trupit bën të dukshme ndjenjat e njeriut, zemra ofron nocionin e brendësisë. Brendësia në vetvete nënkupton errësi dhe fshehtësi. Zemra, ose ndryshe “anima”(shpirti), është simbol i gjallërisë dhe i lëvizjes. Jo më kot Lasgushi, kur titullon veprat e tij, zemrën e rendit të dytën, me qëllim që mendimi i tij poetik të kalojë nga e dukshmja, tek e padukshmja/ e fshehta, nga sipërfaqja në thellësi.

Simboli poetik i yllit
Koncepti yll në poezinë e Lasgushit përdoret në disa kuptime:
– si yll i vërtetë,
– si vashë,
– si dashuri,
– si ide qiellore,
– si frymëzim për krijim artistik,
– si ide që i shërben njeriut dhe progresit,
– si ide që i shërben së mirës, së vërtetës, së drejtës etj.

Ylli qëndron në brendësi të zemrës, në fund të saj. Në mes të asaj errësire dhe fshehtësie ai është si një dritëz e vogël vezulluese, që gjithsesi e bën të dukshme atë errësi, e cila rrethon thelbin e gjithçkaje. I parë nga larg, ky yll duket i bukur e mjaft i qetë, por kjo është vetëm dukja e jashtme që shërben si element i parë qenësor në harmoninë poetike lasgushiane, sepse në thelb e nga brenda atë e karakterizon një trazirë përvëluese, madje vdekjeprurëse.

Sikur digjet përsëri
Mun në mes në kraharuar,
Sikur sbret nga qjell’ i ri,
Yll i jetës i pashuar.
(Poezia “Ylli” nga cikli “Zemra e qjellit”)

Në këtë poezi poeti paraqet procesin e frymëzimit artistik. Fryma krijuese buron prej lartësish. Ngjizja krijuese ndodh në zemër. Poeti fillon të shkruajë këngëzën e tij që del nga gjiri i përvëluar. Ai ndien dhimbje e lumturi njëherësh, si nëna kur lind foshnjëzën e saj. Pasi procesi krijues përfundon, ylli ngjitet rishtas lart në qiell, duke lënë në zemrën e poetit një mall të ri.

 

Disa fjalë të tjera çelës (kyçe), të cilat bartin një peshë të madhe në domethënien e poezisë së Poradecit dhe e organizojnë atë nga pikëpamja e përmbajtjes, e figuracionit, e ngjyrimit emocional, janë fjalët: mall, zjarr, përjetësi pafundësi, fshehtësi, dhembshuri, bukuri, dashuri, qiell, dhe, jetë, vdekje, sy, shpirt, vashlot, këngë, gji, qaj, gas.

Malli lasgushian dhe Sehnsucht-i romantik
Si ndër të fundit poetë romantikë shqiptarë, Lasgushi e pasuroi romantizmin shqiptar duke e ngritur në më të lartën shkallë përkryerje. Fjala ‘mall’ te ky poet përbën një fjalë tjetër çelës me shumë peshë. Lasgushi ia zgjeron kuptimin që ka kjo fjalë në fjalor. Ndjenja e motivi i mallit është quajtur ndryshe ‘largesë shpirtërore’. Nga densiteti i kësaj ndjenje lasgushiane shfaqen një shumëllojshmëri përfytyrimesh nëpërmjet të cilave ne zbulojmë një aftësi të këtij poeti, të pakrahasueshme me asnjë poet tjetër, për të shprehur në mënyrën më konkrete trillimet më të guximshme. Te Lasgushi malli është i madh, i ri, i përvëluar, i paqetuar, i lehtë, i gjallë, i dhimbshëm, i nxirë, i shkretë, i largët, i rëndë, i zi, i valë, i kot, i ëndërruar, i thellë, i mitur, i bërë fije-fije, i djegur, durimplotë, mjerush, gjuhë e vjetëruar, këngë pleqërishte, mall që djeg me të fshehtë, që len nga perëndon, mall që shtohet, që bëhet det, që nuk vdes përjetë, që buçet përpjetë, që të ndezë, që shuhet, që thyhet, që fryn e shkon, që s’e gjen, që të jep qëllim, të fal shkak, që s’ka të ngjarë, që vdes, valon, tërhidhet, rëshpon, vërshon, shuhet, thërret, etj. Në poezinë e Lasgushit krijohen binome të tilla, si: mall-dashuri, mall-dëshirë; mall-këngë; mall-brengë; mall-dhembje. Malli si temë e poezisë së Lasgushit konceptohet si nostalgji, si dhimbje e durim, ndërsa si figurë poetike është i lidhur me dëshirën për të kënduar një dashuri të largët. Si i tillë, Lasgushi ka të vetin kuptimin romantik europian të mallit, të shprehur me termin gjerman Sehnsucht (lexohet zenzuht), që është një gjendje e nderë që të tret e të përvëlon përbrenda dhe të shtyn të tejkalosh kufijtë e kufizimet e realitetit tokësor ndrydhës e shtypës. 

Sublimja dhe llahtaria
Te poezia e Lasgushit qielli, universi pa anë e pa fund dhe ideja e Zotit vihen përballë vogëlsisë së njeriut. Kur njeriu e rrok këtë, provon një ndjenjë tmerri, terrori e pamundësie. Kjo ndjenjë quhet sublime. Po ky poet gjen të bukurën tek e pakontrollueshmja, tek e llahtarshmja dhe e frikshmja. Sublimja te Lasgushi, ashtu si te romantikët, lidhet ose me dashurinë, ose me poezinë: Edhe vdekja bëhet e bukur kur dashuron. – thotë poeti gjerman Hëlderlin. Bukuri! tmerrisht e dashur, llaftari! tmerrisht e bukur.- këndon Lasgushi.

Dashuria
Dashuria në lirikën e Poradecit zë vend shumë të rëndësishëm. Për Lasgushin dashuria nuk është thjesht ndjenja apo emocioni i bukur që e këndojnë tërë poetët, por është fuqi themelore jetësore, kuptimi i jetës e i ekzistencës, është shprehje e lirisë së individit, veti e lindur e shpirtit njerëzor . Për të, dashuria është forcë madhore, universale dhe misterioze. Ai që e provon atë, përjeton ndjenja të kundërta: herë sikur ndodhet në qiellin e shtatë, herë i syrgjynosur në ferr; herë i lirë që rrok yjet, herë i prangosur e në skëterrë. Ndjenja e dashurisë rrok qiell e tokë; ajo ‘’lind nga perëndon’’ dhe i jep bukurinë e forcën jetës:
Parëvera! parëvera! .
Po më çel në mes të gjirit,
Këto kopshte ku fryn era
Muar gjyrën e floririt.

Poeti përkulet para kësaj ndjenje, e adhuron atë, edhe pse misterin që ajo bart nuk mund ta zbërthejë. Për Lasgushin ajo mbetet ‘’dritë fshehtësie’’. Lasgushi i këndon dashurisë në trajta të ndryshme:
• Si ndjenjë që e lumturon dhe e hidhëron;
• Si ndjenjë e afrimit dhe e largimit;
• Si ndjenjë që shpaloset në hapësirat e pafund të qiellit.
Më shumë sesa objekti i dashurisë, atij i intereson ndjenja e dashurisë që e ekzalton atë të tërin. Atij ia ngroh zemrën të qenit i dashuruar.

Poezia e dashurisë e Lasgushit sjell para nesh femrën në shfaqjet e saj aq mbresëlënëse. Kur i këndon femrës, Lasgushi është i natyrshëm deri në marramendje, tejet i sinqertë me ndjeshmërinë e tij, i drejtpërdrejtë dhe tokësor. Femra për të është një grua më shumë shpirt sesa trup , më shumë trup në qiell sesa në tokë. Asaj i shihen supet, edhe gusha, edhe llërët, edhe gjinjt’ bardhoshe, por disi mistershëm është e paarritshme. Ajo i ngjan gruas mit dhe mitit për gruan, mashtrimit shqisor. Ajo është fryt i realizimit artistik lasgushian, ku përherë mbetet diçka pa u thënë. Gruaja në vargjet lasgushiane nuk është një bukuri fizike e brishtë që pret ta dashurojnë. Shpirti i saj është i thellë, i pasur, me ëndrra të zjarrta, por edhe i ndërlikuar nga mpleksja e druajtjes, turpit e naivitetit.

“Ta shoh me sy prej vetëtime
Sy-vështrim-derdhurën-përdhe
T’i flas magjinë e fjalës sime.”- këndon poeti.

Femra në poezinë e Lasgushit s’thirret vetëm vashë, por edhe shoqe, shpesh e më shpesh edhe motër. Figuracioni i lirikës erotike është popullor, i mbindërtuar me kompozime si: bel-hollë-këputura, lesh-verdhëza-si ftua, shtat-lëkundura-pallua etj.

O! zjarr-e-mall-e-yll-e-emër-pa, emër,
Vashë-edhe-shoqe-e- motër-e-dashurisë,
Nuse-edhe-grua-femër-varrë-në-zemër,
Varr-edhe-zjarr-e-flak’-e-dashurisë.

Natyra dhe liqeri
Prirja romantike e çon herë pas here Lasgushin te natyra. E veçanta e Lasgushit në poezitë e natyrës qëndron në atë që frymës romantike ai i dha një përmasë të re lirike, karakteristike kjo për lirizmin modern. Kjo shprehet aty ku pamjet e jashtme të natyrës nuk mbeten thjesht pjesë të peizazhit natyror. Përmes tyre autori jep ‘’peizazhin e shpirtit’’ me trazirat e shqetësimet njerëzore. “Në fakt, – thotë studiuesi Rexhep Qosja, – poetit i pëlqente natyra, i pëlqente bukuria dhe virgjëria e peizazheve të saj dhe i kap me shqisat vizuale dhe auditive fenomenet e ndryshme të saj, ngaqë vetëm atje i gjen prehje botës së vet të shkoqur shoqnie.” Lasgushi e kap natyrën në shfaqjet e saj më të bukura: në mëngjesin plot vesë e ‘’agimi-n llamburitës’’, në drekë kur ‘’val’e urtë i shtrohet anës’’, në perëndim kur ‘’dremit liqeri pa kufi’’. Në poezinë e natyrës Liqeri përbën ‘’heroin’’ e adhuruar të Lasgushit.. Liqeri është pjesë e qenies së poetit, është vetë atdheu i tij sa shpirtëror aq gjeografik, ndaj vargjet për të bartin aq shumë ndjenjë të ngrohtë. Liqeri i poetit vetëtin, përflaket e shndrit në vargje plot dritë:
“Dirgjet shpesh liqeri- i kaltër
E pushon në mes të ditës,
Sipër ti buçet fundesh
Pasqyrim i ti shëndritës.”