Kurrikula
Kursi: Letërsia Klasa 12 Shtëpia Botuese Filara
Identifikohu

Curriculum

Letërsia Klasa 12 Shtëpia Botuese Filara

0/32
Mësimi me video

Mësimi 7.1: Jeta dhe vepra e Migjenit Analizë Vargjet e lira

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 12 Mësimi 7.1

Millosh Gjergj Nikolla (1911-1938)
MIGJENI

Jeta dhe vepra
Millosh Gjergj Nikolla, me emrin e tij të pendës, Migjeni, lindi më 13 tetor 1911 në Shkodër, në familjen e një tregtari të vogël. Mbetet jetim nga nëna që fare i vogël, në moshën 5-vjeçare, ndërsa babai dhe i vëllai i vdesin kur Milloshi ishte vetëm 12-13 vjeç. Atë kohë Milloshi ishte në Tivar, te motra e tij e madhe, për të ndjekur mësimet në një shkollë qytetëse. Dramat në familje do të lënë gjurmë të thella në shpirtin e djaloshit që e donte fort jetën, edhe pse ajo e goditi mizorisht disa herë radhazi. Më pas vazhdoi gjimnazin e Manastirit dhe më tej, kundër dëshirës së vet, e regjistruan në Seminarin teologjik ortodoks “Shën Gjon Theologu” të Manastirit, të cilin e mbaroi në vitin 1932. Manastiri ishte një nga qendrat me veprimtari të vrullshme në shumë fusha, veçanërisht në atë kulturore. Qëndrimi atje, kontakti me shokë me pikëpamje e qëndrime të ndryshme, pjesëmarrja në debate e biseda ndikuan fort në formimin e Migjenit. Jeta në Seminar ishte komplekse. Përplasja e mësimit kishtar me kulturën moderne, detyrimi për ta mbaruar atë shkollë dhe dëshira e Migjenit për të qenë jashtë mureve të saj, mbase janë pikënisja e dilemave të mëdha që shpërfaqen në krijimtarinë e tij. Në bisedat me shokët, Migjeni thoshte: “Kur të mbaroj seminarin, po të mundem, do të vazhdoj për filozofi. Prift nuk bëhem.” Dhe nuk u bë. Kthehet në Shqipëri dhe më 1933 emërohet mësues në shkollën fillore të fshatit Vrakë, 7 km larg qytetit të Shkodrës. Në Vrakë, kushtet e jetesës ishin tepër të vështira. Migjeni pa nga afër mjerimin, varfërinë, fanatizmin e injorancën, të cilat lanë gjurmë të thella në shpirtin e tij. Në këtë kohë ai boton në revistën “Illyria” skicat “Alternativë – Sokrat i vuejtun apo derr i kënaqun”, “Ose … ose”, “Tragjedi apo komedi”, poezinë “Shpirtnat shtegtarë” etj. Këto shkrime të para të Migjenit, të cilat u pritën menjëherë me entuziazëm e me gëzim, sidomos nga rinia, ishin dëshmi e talentit të tij letrar.

Kushtet e vështira në Vrakë, lodhja e mundimi për të bërë çdo ditë rrugën Vrakë-Shkodër me biçikletë, stina e dimrit dhe era që e rrihte pa pushim, ushqimi dhe veshja e pamjaftueshme ishin faktorë që ndikuan negativisht në shëndetin e Migjenit. Gjithsesi, për Milloshin, Vraka mbeti një realitet i fuqishëm, ngacmues, meditativ. Në vitin 1935, mjekët konstatojnë sëmundjen e tuberkulozit dhe Migjeni domosdoshmërisht duhet të kurohet në sanatorium. U kurua për rreth një muaj në Greqi dhe kthehet sërish në Shqipëri. Në vitin 1935 transferohet si mësues në Shkodër, por, me kërkesën e tij, me shpresën se klima malore do t’i bënte mirë për shëndetin, transferohet në Pukë, si kryemësues i shkollës verore aty. Për krijimtarinë e Migjenit, ky mjedis pati një rëndësi të veçantë. Në Pukë, Migjeni krijoi në prozë dhe bëri gati për botim përmbledhjen poetike “Vargjet e lira”; por libri i shtypur nuk lejohet të qarkullojë për shkak të censurës. Migjeni dërgon shkrimet e tij në organin e përdyjavshëm “Bota e re” dhe, gjatë pushimeve dimërore, në Shkodër, nis të shkruajë disa tregime. Kësaj kohe i takojnë novelat “Studenti në shtëpi”, “Të çelen arkapiat”, “Historia e njanës nga ato”, “Pak poezi”, “Bukën tonë të përditshme falna sot”, “M’at’anë gardhit asgja të re” etj., të cilat i përmblodhi në titullin “Novelat e qytetit të Veriut”.

Klima e ashpër e Pukës ia përkeqësoi gjendjen shëndetësore Migjenit dhe në dhjetor 1937 detyrohet të shkojë për kurim në Itali dhe të shtrohet në një sanatorium pranë Torinos. Mbas një operiacioni, që ia përkeqësoi gjendjen, Migjeni mbyll sytë më 26 gusht 1938, kur ishte vetëm 27 vjeç. Me të drejtë Kadare do të shprehet: “Migjeni nuk arriti të kishte tjetër jetë veç rinisë së tij, dhe ne duke thënë ‘rinia e Migjenit’ kemi thënë në të vërtetë jeta e tij”.

Analizë “Vargjet e lira”
Përmbledhja me poezi e Migjenit na vjen nën titullin “Vargjet e lira”. Përmes këtij titulli do të kuptohet liria jo vetëm në formë, në çlirimin nga metri, nga vargu i matur, por dhe liria në brendi, liria tematike. Vepra u shtyp në vitin 1936, por për shkak të ndalimit, botimi i plotë u bë vetëm në vitin 1944, duke përfshirë në të edhe ciklin “Kangët e fundit”, poezi të cilat Migjeni i kishte shkruar në vitin 1937. Që në hyrje të librit, në poezinë “Parathania e parathanieve”, dëshmohet për një frymë të re në letërsinë shqipe dhe duken qartë tonet rebeluese e sfiduese të poetit. Njeriu ka hipur në majën e fronit, bëhet zot i jetës së vet dhe nuk do t’u përulet më “idhujve”:

Ka ardhë një kohë,
në të cilën njerzit po kuptohen fare mirë
për me ndërtue Kullën e Babilonit,-
dhe në majë Kullës, në majë të majës së fronit
ka hypë njeriu
dhe ka me thirrë:
Perëndi! Ku je?
(Parathania e parathanieve)

Vëllimi “Vargjet e lira” është ndërtuar nga 6 cikle: “Kangët e ringjalljes”, “Kangët e mjerimit”, “Kangët e përndimit”, “Kangë në vete”, “Kangët e rinisë”, “Kangët e fundit”. “Kangët e ringjalljes”, ku përfshihen poezitë “Të birtë e shekullit të ri”, “Të lindet njeriu”, “Zgjimi”, “Shkëndija”, “Kanga e rinisë” e “Kangët e pakëndueme”, karakterizohen nga tone të larta e vrull rinor. Zbulohet aty dëshira për ringjallje kombëtare, ngadhnjim ndërgjegjeje dhe mendim të lirë. Si një refren, poeti sjell vullnetin e dëshirën e tij për ndryshim, për një jetë të re, për një agim të lum e të drejtë kombtar:

Të dali një njeri!
Të mkambi një Kohë të Re!
Të krijojë një Epope!
Ndër lahuta tona të këndohet Jeta e Re…
(Të lindet njeriu)

Shpresa e këtij ndryshimi është rinia. Kënga, gëzimi, entuziazmi, fuqia, jeta dhe vetë bota i takojnë asaj. Por, pavarësisht kësaj, shqetësimi duket që bashkëjeton me poetin. Në “Kangët e pakëndueme” poeti sjell frymëzimin e tij të pamaterializuar në vargje: Por a do të vijë dita kangët me u zgjue? / Apo ndoshta shekujt me ne prap po tallen?

Pse këngët mund të mbeten “të pakëndueme”? Dhimbja shpaloset në vargje drithëruese: “unë djepi juej, ndoshta vorri juej?” Migjenit, poetit të dilemës deri asaj ekzistenciale, mos ndoshta jeta që po i fikej dalngadalë, me parashenjat që dërgonte, i parathonte një varg si ky?! Ndoshta koha që nxinte pus, me errësirën e saj s’i bënte dritë syve të poetit? Mbase të dyja bashkë. Futja e një poezie të tillë brenda ciklit të Ringjalljes është trokitje e fortë në portën e dëshpërimit. Është kjo poezia që bën kalimin nga ai cikël në atë të Mjerimit. Poeti “vullkan i fashitun” do të shpërthejë në vargje dhimbjen që rëndonte me peshën e maleve: “Kafshatë që s’kapërdihet asht, or vlla mjerimi”.

Me këtë varg hapet cikli “Kangët e mjerimit”. Në ballë të këtij cikli qëndron “Poema e mjerimit”, një tablo realiste ku poeti skalit skamjen, varfërinë e mjerimin e përgjithshëm. Heronjtë e palavdishëm të Migjenit, që i gjejmë dhe në prozën e tij, popullojnë vargjet e poemës: fëmijë, lypësa me ftyra të zbeta, hije të paracaktuara që të vdesin në mjerim; foshnja të sëmura që ndukin gjitë e shterruna të së zezës amë; gra, me ndërgjegje të vrarë, të detyruara të shesin trupin e tyre për të marrë do franga; punëtorë, që pavarësisht lodhjes e mundimit, nuk munden të shuajnë urinë, sepse për to ka veçse: Shpërblim qesharak! Për qindenjë afsh / në ditë – vetëm: lekë tre-katër dhe “marsh!”; pijanecë që ngushëllohen te gota me harrue nandhetenand’ halle. Dhimbja e tyre e parrëfyer ka prekur fort poetin, ndaj ai bëhet zëdhënës i tyre.

Te “Baladë qytetse” dhe “Melodi e këputun” poeti jep figurën tragjike të gruas që shet nderin për të pasur një jetesë më të mirë, por ajo çka gruaja merr në këmbim s’është gjë tjetër veçse një jetë e fikun, një jetë e shterun, / shpirt i molisun, zemër e therun (“Baladë qytetse”). Dramën e njerëzve të thjeshtë e gjejmë edhe te poezia “Lagja e varfun”, kur teksa nata bie, lagjja varroset në errësirë, askund s’duket dritë e jetë. Pushojnë punëtorët e rraskapitur, të uriturit, fëmijët e paushqyer, lypësit e të burgosurit; shpirti i poetit vuan, e ndien veten shqiponjë me krah të thyem, të paaftë të ndryshojë gjendjen. Nën peshën e fatit, jeta nxin e çdo përpjekje dështon: Na shtypi fati e na bani krymba, ndaj rebelimi poetik nuk vonon, si në poezitë: “Recital’ malsorit” (O, si nuk kam nji grusht të fuqishëm!/ Malit që hesht, mu në zemër me ia njesh), “Blasfemi”, “Kanga skandaloze”, “Trajtat e mbinjeriut”. Te to theksohet dëshira, malli për veprim, por edhe vetëdija për pamundësinë e veprimit. Shqetësimi i madh i poetit qytetar shprehet në vargun: …Vall! A ka shpëtim ndokund?

“Kangët e përndimit” është një cikël që përfshin poezitë “Kanga e përndimit” dhe “Shpirtnët shtegtarë”. Në këto vargje gjen vend njeriu i dehur nga besimi, ekzaltimi e vrulli i jetës. Shpirtrat tanë duket sikur enden nëpër vise të Përndimit të mrekullueshëm, si një ëndërr e kapërcimit të pengesave, për një liri që gjendet tjetërkund.

“Kangë në vete” është një refuzim i poetit për andrrën e vjetër, refuzim për dokrrat që lidhen me të, si dhe një kritikë e hapur për sivëllezërit e vet që besojnë verbërisht në ato që u ofrohet e gënjehen lehtë: Veri fryn pa mëshirë, si veri që fryn; / Unë ia mbylla derën teme me reze mos të hyn / me ma fikë kët dritë, / me ma ngri kët shpirt, / me ma dridhë për ndjesinë tjetër, / me ma joshë me andërr të vjetër.

“Kangët e rinisë” janë trajta të ekstazës pranverore, të nostalgjisë rinore e shpërthimeve shpirtërore. Në to u këndohet gëzimit, vrullit rinor e dashurisë. Migjeni sheh te dashuria strehën e ngrohtë dhe dritën e shpirtit. Si poezi të karakterit personal, në këtë cikël përmendim: “Dy buzë”, “Një natë”, “Z. B.”, “Ndeshja”. Këto këngë kanë brenda realitete vetjake, të ngritura me art në poezi. Kështu kujton Bojka: “…unë i përkëdhela flokët dhe e pyeta se çfarë shkruante. Ai m’u përgjegj: “Për ty, e dashur, lexoje!” … në dorë mbaja vjershën: Buzëmbramja u dridhte…
-A të pëlqen?, – më tha Milloshi…
-Po kjo asht vjersha jonë…, – tha… nsa ai shkroi shpejt mbi te inicialet Z. B.”

Në këto këngë, poeti kalon nga notat e gëzimit në ato të mallëngjimit e deri në vuajtjen e ëmbël:
Dy buzë të kuqe,
bukuri fatale,
të një grueje stërzane
një pranverë të tanë më morne
një pjesë zemre më nxorne,
dhe gëzimin ma vodhne…
Ato dy buzë të kuqe
dhe dy lotë të mia
qenë shenjat e dhimbjes,
kur më vrau bukuria,
kur më zu dashunia
e më dogji rinia.
(Dy buzë)

“Kangët e fundit” përbën ciklin që përmbyll vëllimin poetik “Vargjet e lira”. Poezitë e këtij cikli janë shkruar kur poeti lëngonte rëndë nga sëmundja. Ato nuk janë më shprehje të jetës, por përshkrim i ngadalshëm i vdekjes. Në to nuk flet poezia e dhimbjes, por vetë dhimbja. Poeti është më tepër se i vetmuar, është i zbrazët e në këtë zbrazëti të shurdhër e të frikshme ai nuk i flet më vetes, po sendeve pa shpirt që e rrethojnë. Por ato heshtin, duke e e bërë më tronditëse vuajtjen e shpirtit: Sendet heshtin. -Sa të pamëshirë!

Vetë titujt e vjershave: “Një natë pa gjumë”, “Vuejtja”, “Frymzim i pafat”, “Kanga që s’kuptohet”, “Vetmia”, “Nën flamujt e melankolisë” japin poetikisht rënien e poetit. Migjeni e shikon që është afër fundit të tij dhe e kupton se është i pafuqishëm për të ndryshuar diçka. Ai revoltohet me fatin e tij, ndjehet i mënjanuar, i braktisur, pa dashuri. Këto poezi karakterizohen nga notat e trishtimit pa ngushëllim dhe të fatalitetit:
Përditë shoh qartë e më qartë
dhe vuej thellë e ma thellë.

Poezia e Migjenit është poezia e një poeti të madh, që pavarësisht dramave nëpër të cilat kaloi, mbetet poet i jetës dhe i njeriut:
Prap dielli lind…
dhe rrezet e tia shkrepën ndër ballna tanë
(S. Luarasi-Vepra-Tiranë 1957)