Kurrikula
Kursi: Letërsia Klasa 12 Shtëpia Botuese Filara
Identifikohu

Curriculum

Letërsia Klasa 12 Shtëpia Botuese Filara

0/32
Mësimi me video

Mësimi 9.1: Jeta dhe vepra e Dritëro Agollit

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 12 Mësimi 9.1

DRITËRO AGOLLI

Dritëro Agolli është shkrimtar i vijimësisë së traditës më të mirë krijuese shqiptare dhe i pasurimit të saj me vlera të mirëfillta letrare dhe kulturore. Vepra letrare e tij shtrihet në kohë, duke përfshirë gjysmën e dytë të shekullit XX dhe dekadën e parë të këtij shekulli. Agolli ështe shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore, që gërshetoi natyrshëm vlerat tradicionale me mënyrat e reja të shprehjes artistike. Humanizmi, thjeshtësia e komunikimit, mesazhet universale dhe shkalla e lartë e ndjeshmërisë janë shtyllat e forta ku mbështetet krijimtaria agolliane.

Jeta dhe vepra
Dritëro Agolli lindi më 13 tetor 1931 në Menkulas të Devollit, afër Korçës dhe u nda nga jeta më 3 shkurt 2017 në Tiranë. Vinte nga një familje fshatare. Ishte 13 vjeç kur Shqipëria u çlirua nga pushtuesit nazifashistë dhe mbresat e kësaj lufte u shtresuan në kujtimet e tij, duke krijuar një pikë referimi të vazhdueshme dhe, një motiv, në krijimtarinë e tij letrare. Pasi mori mësimet e para në vendlindje, vazhdoi gjìmnazin e Gjirokastrës, ku mësuan shumë nga ata që u bënë prijës në kulturën tonë të re, si Kadareja. Pas mbarimit të kësaj shkolle, i jepet e drejta e studimit për filologji në Shën Petersburg (atëherë Leningrad). Pas studimeve disavjeçare, kthehet në atdhe në vitin 1957 dhe punon për shumë kohë (afro 15 vjet) si redaktor e gazetar në gazetën e përditshme “Zëri i popullit”. Gjatë kësaj kohe boton shumë shkrime publicistike.

Krijimtaria letrare e Agollit në poezi, prozë dhe dramë
Dritëro Agolli hyri në historinë e letërsisë shqipe si poet, që s’mban kurrfarë largësie me lexuesin e thjeshtë, që dhimbjen, gëzimin dhe dobësinë njerëzore i sheh si ndjenja universale dhe i shkrin me filozofinë e jetës së përditshme. Në fushën e letërsisë, emri i Agollit u shfaq që kur ai ishte nxënës, me botimet në gazetat dhe revistat “Zëri i rinisë”, “Pionieri” dhe organe të tjera. Krijimtaria e tij letrare është mjaft e pasur në gjini e lloje të ndryshme: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash etj. Lista e veprave të Dritëro Agollit është shumë e gjatë.

Veprimtaria shoqërore dhe politike e Agollit
• Dritëro Agolli është një personalitet i shquar i fushës së letrave. Me krijimtarinë e tij të gjerë në gjini e lloje të ndryshme letrare, ai ka krijuar një shkollë të tërë letrare dhe estetike në letërsinë dhe kulturën tonë. Veprat e tij kanë pasuruar gjuhën tonë, duke ia shpërfaqur asaj më fort vlerat dhe mundësitë e mëdha të shprehjes, duke ia gjallëruar dhe dhënë hapësirë fjalës dhe shprehjes së rrallëpërdorur në ligjërimin libror.
• Dritëro Agolli ishte një veprimtar i shquar për shoqërinë shqiptare, çka e dëshmoi me veprimtarinë e tij politike dhe shoqërore për vite e vite me radhë. Ai drejtoi Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë nga viti 1973 deri në vitin 1992 dhe për më shumë se 30 vjet me radhë ishte deputet në Kuvendin e Shqipërisë.
• Filozofia e veprës së tij është e lidhur ngushtë me misionin dhe rolin që vetë shkrimtari ka luajtur në zhvillimet e shoqërisë shqiptare. Personalitet me kurajo qytetare, mendim të lirë, besnik i ideve që e udhëhoqën në jetë, mendimtar që synoi të ndikojë me largpamësi në zhvillimet e vendit të tij, Agolli solli një model të ri, origjinal, të parimeve morale dhe të komunikimit: thjeshtësinë, shprehjen e drejtpërdrejtë, humorin e vetvetishëm, ndaj të cilit askush nuk mund të mbetet indiferent.
• Si njeri me dije të gjera dhe njohës i disa gjuhëve, Agolli ka sjellë në shqip vepra të autorëve të mëdhenj të letërsisë botërore, gjë që përbën një ndihmesë të vyer në fushën e përkthimit. Nga ana tjetër, për vlerat artistike që bartin, mjaft vepra të tij,si “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, “Njeriu me top”, “Nënë Shqipëri”, “Pelegrini i vonuar”, “Komisari Memo” etj. janë përkthyer në gjuhë të ndryshme.
• Në fushën e publicistikës, Agolli ka dhënë një ndihmesë të shquar si me artikujt e tij, por edhe si pedagog që ka përgatitur dhjetëra e dhjetëra gazetarë në Shqipëri, duke krijuar kështu një shkollë apo model të publicistikës shqiptare.

Ai është nderuar disa herë me çmime dhe tituj të ndryshëm, si “Çmimi i Republikës të shkallës së parë si krijues”, qytetar nderi i qyteteve Tiranë e Korçë, titulli “Doktor Honoris Causa” nga Universiteti Europian i Tiranës, titulli “Doktor Honoris Causa”, nga Universiteti i Korçës etj.

Risitë që solli Agolli në letërsinë shqipe
Dritëro Agolli i përket atij grupimi shkrimtarësh që në vështrimet e sotme historike letrare emërtohen si “brezi i viteve ‘60”. Së bashku me Kadarenë e Arapin, Agolli solli një frymë të re në letërsinë shqipe (të gjysmës së dytë të shekullit XX), frymë që prirej drejt një letërsie më cilësore, sidomos në elementet e formës artistike, por edhe në drejtim të zgjerimit dhe pasurimit të temave letrare. Megjithëse letërsia shqiptare në atë periudhë ishte mjaft e shtrënguar nën kufizimet e metodës së realizmit socialist, e cila detyronte një letërsi me karakter ideologjikdhe politik, mund të thuhet se në këtë periudhë shkrimtarët e talentuar si Agolli sollën vlera të mirëfillta artistike letrare.

Agolli dallohet si një shkrimtar që ka lëvruar me sukses si prozën, dhe poezinë e dramën. Edhe pas viteve ‘90-të, kur në letërsinë tonë, të çliruar prej metodës së realizmit socialist, nisin të lëvrohen modele letrare nga më të ndryshmet, Agolli vazhdon të krijojë me intensitet të lartë, duke sjellë disa prej kulmeve të tij letrare. Mund të veçojmë këtu romanin “Arka e djallit”. Agolli është poeti i tokës dhe i dashurisë për të, shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore. Vepra letrare e tij luajti një rol të rëndësishëm në krijimin e traditës së re të vjershërimit shqip. Dritëro Agolli u shfaq në letërsi si autor me kërkesa të larta për poezinë. Ai synoi një poezi të veçantë, me më shumë individualitet. Agolli krijoi poezinë e “un-it” të fortë lirik përkundër poezisë së “ne-ve”, që shkruhej “për të bashkuar masat”. Kjo prirje u shpreh që në vëllimin e tij të parë, “Në rrugë dola” (1958) dhe zuri vend si tipar themelor i poezisë së tij. Agolli krijoi një model të ri vjershërimi në problematikë dhe në mjeshtërinë letrare, gërshetoi natyrshëm vlerat tradicionale të poezisë me mënyra të reja të shprehjes poetike. Thjeshtësia e komunikimit, mesazhet universale dhe ndjeshmëria e lartë janë shtyllat e forta ku mbështetet poezia e tij. Poezia e tij njohu ngritje të përshkallëzuar, në librat: “Hapat e mija në asfalt” (1961), “Shtigje malesh dhe trotuare” (1965), “Devoll-Devoll” (1964), Mesditë (1968), “Baballarët”(1969), “Nënë Shqipëri”(1974), “Fjala gdhend gurin” (1977), “Udhëtoj i menduar” (1985), “Pelegrini i vonuar”(1993), “Lypësi i kohës” (1995), “Fletorkat e mesnatës” (1999).

Poezia e Agollit ndahet nga poezia tradicionale, sidomos për faktin se ajo nuk e kërkoi frymëzimin tek heroizmi. Subjekti poetik i saj bëhen bujku dhe bariu, fshatari dhe studenti, malësori dhe intelektuali.
Poezia e Agollit është e afërt me njeriun e thjeshtë, ndaj është e lexuar gjerësisht. Poeti e zgjeroi shumë hapësirën e realitetit në poezi dhe krijoi poezi antologjike me motive të përditshmërisë së jetës. Nga kjo pikëpamje, poezia e Agollit e emancipoi në tërësi mendimin dhe letërsinë shqipe.
Edhe në prozë, Dritëroi realizon të njëjtën arritje. I ushqyer nga të dyja përvojat letrare, ajo shqiptare dhe botërore, qoftë tradicionale apo moderne, tregimet e tij krijuan një model të ri në letërsinë tonë.
Risitë që solli Agolli në prozë lidhen si me strukturën narrative edhe me galerinë e personazheve që ai krijoi në tregimet e romanet e tij. Personazhet e tij janë sa të çuditshëm aq dhe të zakonshëm, sa tragjikë aq edhe komikë, sa të thjeshtë aq edhe madhështorë.
Karakteret që Agolli krijoi në prozë, i japin fuqi të brendshme veprës së tij.
Ata i largohen modelit skematik të “njeriut të ri”, duke ndërthurur brenda vetes vlera të veçanta morale, duke qenë në radhë të parë qenie njerëzore: njerëz të virtytshëm e të cenueshëm (me dobësi) njëherësh, siç ka qenë dhe do të jetë njeriu në rrjedhën historike të kohës.
Dobësia dhe dilema, kufizimi dhe mëdyshja, të cilat i prishin “vlerat” që duhej të kishte heroi skematik, e bëjnë galerinë e personazheve të D. Agollit një galeri njerëzish të gjallë, që vazhdojnë edhe sot të na falin emocione.

VEPRAT

Vepra poetike
• “Në rrugë dola”, 1958,
• “Hapat e mia në asfalt”, 1961,
• “Shtigje malesh e trotuare”, 1965,
• “Mesditë”, 1969,
• “Pleshti”, 1971,
• “Nënë Shqipëri”, 1974,
• “Fjala gdhend gurin”, 1977,
• “Udhëtoj i menduar”,1985,
• “Pelegrini i vonuar”, 1993,
• “Lypësi i kohës”, 1995,
• “Vjen njeriu i çuditshëm”, 1996,
• ‘Shpirti i gjyshërve”, 1996,
• “Fletorka e mesnatës”,1998

Tregime e novela:
• “Zhurma e erërave të dikurshme”, 1964,
• “Njeriu i mirë”, 1973,
• “Njerëz të krisur”, 1995

Drama:
• “Fytyra e dytë”,
• “Mosha e Bardhë”, 1974,
• “Baladë për një grua”

Romane:
• “Komisari Memo”, 1970,
• “Shkëlqimi dhë rënia e shokut Zylo”, 1973,
• “Njeriu me top”, 1980,
• “Trëndafili në gotë”, 1980,
• “Dështaku”, 1991,
• “Kalorësi lakuriq”, 1996,
• “Arka e Djallit”, 1997 etj