Kurrikula
Kursi: Letërsia Klasa 12 Shtëpia Botuese Filara
Identifikohu

Curriculum

Letërsia Klasa 12 Shtëpia Botuese Filara

0/32
Mësimi me video

Mësimi 2.3: Fragment Zgjimi

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 12 Mësimi 2.3

LETËRSIA BOTËRORE E SHEKULLIT XX

Franz Kafka: Metamorfoza

FRAGMENT: ZGJIMI
Kur një mëngjes Gregor Zamza u zgjua pas ëndrrash të trazuara, vuri re se qe shndërruar në një kandërr të përbindshme. Rrinte shtrirë me shpinën të fortë si zhguall; sapo ngrinte pak kokën, shikonte barkun e tij të zeshkët e të lakuar, të ndarë në unaza të harkuara, në majë të të cilave ishte batanija që gati sa s’binte përtokë. Këmbët e shumta e tepër hollake, në krahasim me pjesën tjetër të trupit të tij të madh, i dridheshin para syve. “Ç’më paska ngjarë kështu?!” – tha me vete. Nuk ishte duke ëndërruar. Dhoma e tij, një dhomë e vërtetë për qenie njerëzore, ndonëse pak si e vogël, mbahej e qetë në katër muret e saj, si zakonisht. Mbi tryezë, ku ndodhej një koleksion modelesh cohërash (Zamza ishte komisioner tregtie), varej një fotografi, që e kishte prerë para ca kohe nga një revistë e ilustruar dhe e kishte vendosur në një kornizë të bukur, të larë me ar. Ajo paraqiste një zonjë me një kapele dhe shall gëzofi, me trupin e drejtë kalli, që i zgjaste shikuesit një manshon të rëndë, në të cilin i humbiste i tërë parakrahu. Pastaj vështrimi i Gregorit kaloi nga dritarja; dhe qielli i vrenjtur – trokitja e piklave të shiut mbi zingon e parvazit të dritares, e zhyti në melankoli. “Sikur të flija dhe ca që t’i harroja të gjitha këto marrëzi!” – mendoi. Por kjo qe plotësisht e pamundur, sepse ishte mësuar të flinte në krahun e djathtë, ndërsa në atë gjendje s’kthehej dot në pozicionin që dëshironte. Sado përpjekje që bëri për t’u rrotulluar nga e djathta, përsëri shembej në kurriz. E provoi nja njëqind herë të mira, mbylli sytë për të mos parë këmbkat që i lëvrinin pa pushim dhe hoqi dorë vetëm kur nisi të ndiejë në atë krah një dhimbje të lehtë e të shurdhët, që s’e kishte provuar kurrë më parë.

“O Zot”- tha me vete, ç’profesion të mundimshëm paskam zgjedhur! Çdo ditë udhëtim. Shqetësimet e punës janë ku e ku më tepër se në administratën tregtare, dhe mbi të gjitha, bezditë e rrugës, vra mendjen për të kapur trenat, ushqehu si mos më keq e pa rregull, çdo herë marrëdhënie me njerëz të rinj që s’ke për t’i parë më e që s’bëhen kurrë të përzemërta. Ta marrë djalli, ta marrë këtë profesion!”…Rrëshqiti ngadalë shpinazi drejt hekurave të krevatit…“Kur zgjohesh çdo ditë kaq herët,- mendoi,- marrosesh fare. Njeriu ka nevojë të ngopet me gjumë…Të mos kisha hallin e prindërve, do të isha larguar me kohë nga puna. Do të shkoja te shefi dhe do t’ia kisha numëruar të gjitha. Do të kishte zbritur menjëherë nga podiumi! Ai është një tip i çuditshëm- ulet mbi podium dhe flet nga lart me nëpunësin…”. Hodhi sytë nga ora që bënte tik-tak mbi raft. “O Zot i madh!”- tha. Ishte gjashtë e gjysmë…Mos nuk kishte rënë zilja?…

Ndërsa i silleshin rrëmbimthi në kokë të tëra këto mendime, pa mundur të vendoste të ngrihej nga krevati, zilja lajmëroi shtatë pa një çerek. Te koka e shtratit të tij u dëgjua të binte lehtas dera. “Gregor! – dëgjoi ta thërresin. Ishte e ëma. – Vajti ora shtatë pa një çerek. Nuk do shkosh në punë? ” Ç’zë i ëmbël! Gregori u tmerrua kur dëgjoi përgjigjen që i doli nga goja e çapëlyer: Ishte zëri i tij, ai i mëparshmi, por në të përzihej një piskamë e dhimbshme, ajo dilte nga thellësitë e qenies së tij, nuk frenohej dot. Fjalët shqiptoheshin shkoqur vetëm në çastin e parë, pastaj shprisheshin aq keq, saqë zor të kuptohej se ç’thoshin. Gregorit ia kishte ënda t’i bënte shpjegime, por ndërroi mendje, i detyruar nga rrethanat dhe u mjaftua duke thënë: “Po, po. Të faleminderit, nënë. Po çohem…” Në fillim deshi të ngrihej i pashqetësuar nga askush, të vishej, të hante mëngjesin, pastaj ta vriste mendjen për të tjerat, sepse, – këtë e dinte mirë, – po të rrinte duke vrarë mendjen në shtrat, nuk do të arrinte në asnjë përfundim të logjikshëm… Batanijen e flaku pa ndonjë vështirësi; mjaftoi të fryhej pak dhe ajo ra përtokë. Më pas punët i shkuan më keq, kryesisht ngaqë ishte tepër i gjerë. Duheshin këmbë e duar për t’u ngritur; por në vend të tyre, kishte vetëm putërza të vogla që i lëvrinin pa pushim në drejtime nga më të ndryshmet e që nuk i urdhëronte dot… “Të paktën të mos rri kot në shtrat”, – tha me vete… Provoi të ngrinte nga shtrati në fillim pjesën e sipërme të trupit dhe e ktheu kokën me kujdes nga buza e shtratit. Këtë e bëri pa shumë vështirësi, dhe trupi, megjithë peshën e rëndë dhe volumin, në fund të fundit, ndoqi ngadalë kokën. Por, kur më në fund koka iu var jashtë shtratit, i hyri frika të vazhdonte kështu më tej, sepse në fund të fundit, po të binte, vetëm një mrekulli do ta shpëtonte pa e plagosur kokën. Dhe pikërisht tani nuk duhej ta humbiste në asnjë mënyrë toruan; më mirë të qëndronte në shtrat. Në çaste të tilla zakonisht ai i mbërthente sytë fort te dritarja, por, për fat të keq, pamja e mjegullës së mëngjesit, që mbulonte madje edhe anën tjetër të rrugës së ngushtë, jepte pak siguri dhe gjallëri. “Ora shtatë,- mendoi, kur u dëgjua përsëri tingëllima e orës. – Ora shtatë dhe gjithë kjo mjegull”. Qëndroi për një çast i qetë, me një frymëmarrje të dobët, si të priste nga kjo qetësi rikthimin e gjendjes normale. Por pastaj tha me vete: “Para se të vejë ora shtatë e një çerek, duhet të jem larguar patjetër nga shtrati. Përndryshe, ka për të ardhur ndonjë nga ata të firmës të pyesë, zyra hapet para shtatës”. Nuk i kishin mbetur as pesë minuta deri në shtatë e një çerek, kur dëgjoi zilen e derës së jashtme.

“Ndonjë nga ata të firmës do të jetë”,- tha me vete. Shtangu ndërkohë që putërzat zunë të vallëzonin më shpejt. Për një çast zotëroi heshtja. “Nuk po ia hapin”, – mendoi Gregori, duke e ngrohur veten me një shpresë të kotë. Por, pas pak, kuptohet, shërbyesja shkoi si zakonisht me hap të vendosur të hapte derën. E njohu nga zëri, ishte prokuratori. E pse, vallë, qe i dënuar të punonte në një firmë, ku mungesa më e vogël ngjallte menjëherë dyshimin më të madh? Nuk paska mes tyre të devotshëm e besnikë? A nuk qe e mjaftueshme të dërgohej një çirak për të pyetur, në qenka kjo aq e domosdoshme, – po duhej të vinte prokuratori vetë, si për t’i treguar familjes së shkretë se hetimi i kësaj çështjeje kaq të dyshimtë mund t’i besohej vetëm mendjes së tij?

Gregori u përpoq të vriste mendjen që një ditë një gjë e tillë mund t’i ngjante edhe vetë prokuratorit dhe në fakt nuk duhej përjashtuar… “Hë, pra, po tani, a mund të hyjë zoti prokurator?”- pyeti me padurim i ati, duke trokitur përsëri në derë. “Jo”, tha Gregori. Në dhomën nga e majta pllakosi një heshtje e rëndë, ndërsa në dhomën nga e djathta e motra ia plasi të qarit. Pse s’bashkohej motra me të tjerët? Si duket, ajo sapo ishte ngritur nga shtrati dhe s’ishte veshur ende. Po pse qante? Ngaqë ai nuk po ngrihej që të linte të hynte prokuratori, ngaqë rrezikonte të humbiste vendin e punës dhe ngaqë atëherë shefi do fillonte t’u qepej përsëri prindërve me kërkesat e vjetra? Tani për tani këto shqetësime ishin të kota. Gregori ishte ende këtu dhe as që i shkonte ndërmend të braktiste familjen…Gregori u zvarrit ngadalë drejt derës…  Mënyra se si iu desh të hapte derën, i pengonte njerëzit ta shihnin…, por befas dëgjoi prokuratorin të lëshonte një “oh!” të fortë, që ngjau më tepër si një fishkëllimë ere, e pa atë vetë që, duke qenë më pranë derës se të tjerët, nxitoi të vinte dorën para gojës së hapur dhe të zmbrapsej ngadalë, sikur ta përzinte një forcë e padukshme dhe e njëtrajtshme. E ëma, e cila me gjithë praninë e prokuratorit po qëndronte aty me flokët e shprishur dhe të ngritur përpjetë që gjatë natës, pa së pari nga i shoqi me duart të kryqëzuara, bëri dy hapa në drejtim të Gregorit dhe pastaj ra përtokë në mes të kindave të fundit, me kokën e varur…I ati shtrëngoi grushtet gjithë kërcënim, sikur donte ta shtynte Gregorin në dhomën e tij, pastaj hodhi një sy vërdallë nga dhoma e ndenjjes, mbuloi sytë me duar dhe u shkreh në vaj, saqë po i tundej gjithë kafazi i bëshëm i kraharorit.