Kurrikula
Kursi: Letërsia Klasa 12 Shtëpia Botuese Filara
Identifikohu

Curriculum

Letërsia Klasa 12 Shtëpia Botuese Filara

0/32
Mësimi me video

Mësimi 5.1: Jeta dhe vepra e Gjergj Fishtës

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 12 Mësimi 5.1

Gjergj Fishta

Jeta

Shkrimtar, përkthyes, publicist, mësues, estet, klerik, diplomat, deputet, anëtar i Akademisë Italiane të Shkencave dhe mbrojtës i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, Gjergj Fishta, ky personalitet poliedrik, vë në shërbim të Shqipërisë e shqiptarëve tërë potencialin e vet intelektual e shpirtëror. Gjergj Fishta lindi në Fishtë të Zadrimës, në vitin 1871. Pasi mbaroi kolegjin në Troshan, vazhdoi studime të mëtejshme për filozofi e teologji në Bosnje. Fishta dallohej në sprovat në punimet filozofike, teologjike e letrare vjetore; lexonte klasikët grekë e latinë, Dante Aligerin e Manzonin, poetët kroatë Martiç e Kaçiç etj.

Mbasi kreu studimet e larta për filozofi e teologji, Gjergj Fishta, tashmë i formuar, me kulturë e njohje të gjerë, kthehet në Shqipëri në vitin 1893 dhe nis punën si mësues në kolegjin e Troshanit, atje ku kishte studiuar edhe vetë. Një vit më pas, më 1894, i emëruar famullitar në kishën e Troshanit, do të japë meshën e parë, duke përmbushur në këtë mënyrë dëshirën e tij për të kremtuar meshën e tij të parë pikërisht përpara bashkëfshatarëve të tij, shokëve e miqve me të cilët ishte rritur. Në vitin 1899 Fishta, së bashku me abatin e Mirditës, patriotin Preng Doçi, themeloi shoqërinë letrare “Bashkimi”, e cila luajti një rol tepër të rëndësishëm në gjallërimin e jetës kulturore e artistike në Veri, ndërsa më 1902 emërohet drejtor i shkollës franceskane në Shkodër. Si i pari drejtor shqiptar i kësaj shkolle, Fishta vendos në programin mësimor mësimin në gjuhën shqipe.

Në 1908, Fishta, së bashku me Luigj Gurakuqin, merr pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë “Bashkimi”; në atë kongres Fishtës iu besua drejtimi i komisionit që përcaktoi alfabetin e gjuhës sonë. Në prag të përvjetorit të parë të Pavarësisë, më 1913, Fishta themelon të përkohshmen “Hylli i Dritës”, një nga revistat më të mira në historinë e gazetarisë shqiptare, duke treguar një tjetër cilësi të formimit të tij kulturor. Ai boton një numër të madh shkrimesh politike, filozofike, përshtypje udhëtimi, etj., jo vetëm në këtë revistë periodike të përmuajshme, të cilën e drejtoi deri në vitin 1940, por edhe në organe të tjera të kohës. Në revistën “Hylli i Dritës”, Fishta do të publikojë dhe traktatin estetik: “Shënime estetike, mbi natyrë t’artit”.

Në vitin 1916 Fishta hap shtypshkronjën françeskane në Shkodër dhe, bashkë me patriotin e shquar Luigj Gurakuqi, themelon “Komisinë letrare “, e cila hodhi bazat e drejtshkrimit, bazuar në të dy dialektet e shqipes. Më 1919 Fishta përfaqësoi Shqipërinë në Konferencën e Paqes në Paris, si ekspert dhe sekretar i delegacionit tonë, në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve. Shkrimin e tij “Të drejtat e Shqipnisë etnike”, të shkruar në frëngjisht, e lexoi në konferencë Imzot Bumçi. Kultura e gjerë historike, etnografike, pasuria e shprehjes gjuhësore e stilistike, por veçanërisht logjika e argumentimit e bën këtë shkrim një model të arrirë të shkrimeve oratorike. Në zgjedhjet e para demokratike, më 1921, Gjergj Fishta përfaqëson Shkodrën në Parlamentin e parë shqiptar, krahas deputetëve Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi e Hilë Mosi. Fishta në fillim zgjidhet anëtar e më vonë kryetar i komisionit të buxhetit, anëtar i komisionit të arsimit dhe nënkryetar i parlamentit, ndërkohë, me ardhjen në pushtet të Ahmet Zogut, Fishta detyrohet të largohet nga vendi dhe gjatë viteve 1925-1926 qëndron në Itali, pranë Urdhrit Françeskan. Në vitin 1931 përfaqësoi Shqipërinë në Konferencën Interballkanike në Athinë e Stamboll. Po këtë vit ka qenë i ftuar dhe i pranuar si anëtar i Bashkimit Ndërkombëtar të Poetëve në Nju-Jork, në të cilin merrnin pjesë 60 kombe.

Gjergj Fishta vdes më 30 dhjetor 1940, në qytetin e Shkodrës. Ajo ditë e ftohtë dhjetori me borë e suferinë nuk i ndali dot turmat e njërëzve që, me lot në sy, përcillnin në banesën e fundit Njeriun, Fratin, Poetin, Atdhetarin që tërë jetën e vuri në shërbim të njerëzve e të vendit. Për veprimtarinë e tij të gjerë e të çmuar, Fishta ka marrë një sërë vlerësimesh: më 1930 emërohet nga Urdhri Françeskan lektor jubilar dhe merr titullin “Honoris Causa”, Greqia e vlerëson me dekoratën Phoenix (1931), më 1939 emërohet Akademik i Italisë etj. Në ditët tona, disa vite më parë, më 28 nëntor 2002, për merita të shquara në shërbim të kombit shqiptar, i është dhënë titulli “Nderi i Kombit”

Veprimtaria letrare
Gjergj Fishta i lëvroi të gjitha gjinitë letrare, atë epike, lirike dhe dramatike, si dhe publicistikën. Ai botoi mbi 20 vepra, ndërmjet të cilave: vëllimet poetike “Anzat e Parnasit” (1907) dhe “Mrizi i zanave” (1913), dramat “Juda Makabe” (1920) dhe “Jerina ose mbretnesha e luleve”, satirën “Gomari i Babatasit” (1923), poemën e madhe epike“Lahuta e Malcis” (1937) etj.; u mor me studime estetike, kritikë letrare dhe përkthime, shkëlqeu në fushën e pedagogjisë e gjuhësisë, me një veprimtari të dendur praktike, në shërbim të mbrojtjes dhe të zhvillimit të gjuhës dhe të shkollës shqipe. Por, mbi të gjitha, Gjergj Fishta është poet, poet i madh e i shquar epik, lirik e satirik, për të cilin Camaj thotë: “Vepra fishtjane shënon një kthesë pa të cilën nuk do të kishte pasë zhvillim të matejshëm poezia jonë.”

“Mrizi i Zanave”, një përmbledhje lirikash ku shkrihet me elegancë ideali patriotik dhe ai fetar, është një nga veprat më madhore të Gjergj Fishtës. Botimi i parë i saj është në vitin 1913, ndërsa dy botimet e tjera, të pasuruara, i takojnë vitit 1924 dhe 1930. Tema e atdheut, himnizimi i tij, bukuria e natyrës shqiptare dhe e gjuhës shqipe, krenaria legjitime që buron prej tyre e atdhedashuria, janë motivet kryesore të lirikave patriotike në këtë vëllim:

Edhe hana do ta dijë,
Edhe dielli do t’ket pa,
Se përqark ksaj rrokullie,
Si Shqipnija ‘i vend nuk ka!
(Shqypnija)

Për Fishtën, gjuha shqipe, qoftë si kanga e zogut t’verës, apo si ushtima e nji termetit, është prova e gjallë e identitetit tonë:

Npër gjuhë shqype bota mbarë
Ka me u njohtë se ç’fis ju kini,
Ka me u njohtë për shqyptarë;
Trima n’za, sikurse jini.
(Gjuha shqype)

Poeti shfaq atdhedashurinë si ndjenjën më të bukur dhe, nga ana tjetër, tërë shqetësimin, zemëratën e indinjatën e thellë për të gjithë ata që nuk mendojnë e veprojnë në dobi të kombit.

Oj Zanë, t’këndojm… t’vajtojm, deshta me thanun.

Me këtë varg nis poezia 28 Nanduer 1913. Fishta çon në kupë të qiellit vajin e dhimbshëm, vajin e zemrës së lënduar, se shqiptarët, në një vit pavarësi, nuk i kishin dalë për zot vendit të tyre:

Oh, vaj! Oh kob! Oh marre e turp për ne!

 

Poeti është gati të flijohet për hir të Atdheut, për të shuar mërinë e përçarjen që gjallonte mes shqiptarëve:

E n’kjoftë se lypet prej s’hyjnueshmes Mni,
Qi flije t’bahet ndo’i shqyptar m’therore,
Qe, mue tek m’kini, merrni e m’bani fli
Për shqyptari, me shue çdo mni mizore.
(Surgite, mortui!)

Ai i ka dhënë besën atdheut të tij se do t’i shërbejë, por, i shqetësuar se ndoshta jeta s’do t’i mjaftojë për ta mbajtur fjalën, këndon:

Dersa t’mundem me ligjrue
E sa gjall me frymë un jam,
Kurr, Shqypni, s’kam me t’harrue.
Edhe n’vorr me t’përmend kam.
(Atdheut)

Poeti fton tërë shqiptarët t’i bashkohen qëllimit të përbashkët të përparimit të Shqipërisë, ndryshe, mallkimi i tij nuk kursen askënd:

U shoftë me arë, me farë me mal e vri
Kushdo shqyptar, qi s’brohoritë me uzdajë:
Oh! Rrnoftë Shqypnija! Rrnoftë Flamuri i sajë!
(Surgite, mortui!)

Në vepër, një vend të rëndësishëm zë dhe motivi fetar. Fishta, besimtar dhe klerik, i konsideron fenë dhe atdheun (Fe e Atme) si një binom të panadashëm, pa bërë dallime të përkatësisë fetare, sepse shqiptari nuk e quan më të rëndësishme përkatësinë fetare përkundrejt përkatësisë në të njëjtën njësi shpirtërore dhe gjuhësore. Në krijime, si “Mbi vorr t’A. Alois Paliq, O.F.M.”, “Një misionari françeskan”, “Meshtari i Malcis”, “Gurrave t’Jordanit”, etj., Fishta e sheh fenë si një hapësirë hyjnore ku njeriu largon padijen e terrin e drejtohet drejt diturisë e bukurisë.

Një vend të veçantë në këtë vëllim zë lirika vetjake e Fishtës “Nji lule vjeshtet””. Sipas studiuesit e kritikut Sabri Hamiti, kjo poezi është lirika më e fuqishme personale, madje poezia më e mirë lirike e Fishtës: “Më së pari kjo poezi nuk ka rimë, si pak poezi të Fishtës, pikërisht ato që kanë karakterin e konfesionit, vetërrëfimet. Së dyti, kjo është poezi që sintetizon ide të cilat dalin, madje përsëriten, në vjersha të tjera e lidhen me aktin, me jetën e me vdekjen. Së treti, figuracioni elementar i mëhershëm ambiental i këngës së vendit apo këngës atdhetare e krijon komunikimin e drejtpërdrejtë tokë-qiell, duke e shpënë figurën kah abstragimi dhe duke e shpënë mendimin poetik nga fizika kah metafizika”:

Po, a thue, krejt deka n’asgjasend t’përpini
E, posë se do kocijsh edhe ’i grusht pluhen,
Nuk t’la tjetër? Jo! N’prehen t’Amëshuemit
Pjesa ma e mira e jotja ka flutrue
Me gzue n’dritë t’qiellvet, ku pushon dishiri
I nierit t’drejtë, si drita m’sŷ kthiellun.
(Nji lule vjeshtet)

Si poet satirik, Fishta kapërcen romantizmin dhe shfaqet realist. Ai synon të jetë i vërtetë, besnik i të vërtetave historike deri dhe besnik i thelbit komik të rrethanave, mjediseve e tipave të satirizuar, se, siç pohon vetë ai: me rrejtë s’e kam zanat, / as për hatër, as për inat. Fishta vë në pah të meta e dobësi, kritikon shpesh me ashpërsi, duke demaskuar të gjithë ata pseudopatriotë që nuk interesohen për çështje të kombit, por veç për interesat e tyre vetjake. Ndër veprat satirike veçojmë përmbledhjen me satira politike e shoqërore “Anzat e Parnasit” dhe poemën satirike “Gomari i Babatasit”. Te “Metamorphosis”, një ndër krijimet e vëllimit “Anzat e Parnasit”, poeti i rebeluar fshikullon pa mëshirë të gjithë ata shqiptarë që e shesin përditë Shqipërinë për interesa meskine, të vogla e materiale. Poeti është thellësisht i zhgënjyer dhe klith të ruhen vlerat njerëzore, mbi të gjitha, të mos bëhet pazar me kombin. Poema satirike “Gomari i Babatasit”, e ndarë në dy pjesë, shënon dhe pjekurinë e plotë artistike të poetit. Edhe në të stigmatizohet injoranca, arroganca, imoraliteti, marrëzia dhe mënyra abuzive e zgjedhjes dhe vendosjes së drejtuesve të punëve publike dhe politike në Shqipëri:

Ju rrugaça sallahana
vagabonda shakllabana,
rricna t’ndyet, mikrobe të kqij,
qi të mjerës, moj, Shqypni
thelltë hi i keni në mushkni,
pa dhimbë gjakun tuj ia pi,
por der kur, bre batakçi!
Bre coftina, kalbe mbi dhe,
der kur ju, tu tallë npër ne,
do t’na qelbi fis e atdhe
(Gomari i Babatasit)

Veprat dramatike
Një vend të rëndësishëm në krijimtarinë e Fishtës zë dramaturgjia. Ai shkroi drama, melodrama dhe tragjedi. E gjithë dramaturgjia e Fishtës është e shkruar në vargje. Tema e atdhedashurisë është në qendër të pjesës më të madhe të veprave, si: në dramën “Odisea”, në melodramat “Shqyptari i qytetnuem”, “Shqyptarja e qytetnueme”, “Jerina ose Mbretëresha e Lulevet”, e sidomos në tragjedinë “Juda Makabe”.

Në një letër dërguar mikut të tij, Pal Dodajt, më 5.12.1909, Fishta shpjegon qëllimin e veprës “Odisea”: “Tek ‘Odisea’ kam paraqitur një fakt historik dhe asgjë tjetër. Që ka edhe sot mëtonjësa në botë, ky është një fakt i pamohueshëm dhe është e natyrshme që ata, megjithë urdhrin e poetit, nuk turbullohen aspak për t’i lëshuar shtëpinë e uzurpuar për arsyen e thjeshtë, sepse unë nuk jam Ulisi… Gjithsesi, përsëri nuk do ta mohoj mundësinë se ndoshta vargjet e mia do të bëjnë që ata të zhduken, të paktën prej zemrës së Telemakëve shqiptarë. – Dhe kjo më mjafton, sepse jam i sigurt se Topuzi i Ulisit do të bëjë që të ndihet mbi kokat e tyre, qofshin edhe të mbrojtur me parzmoret dhe pancirët e të ashtuquajturit ‘dinjitet’. Megjithatë ‘Odisea’ nuk kufizohet me fatet e Shqipërisë, ajo shtrihet në gjithë njerëzimin. Tek ‘Odisea’ kam dashur të paraqes triumfin e lirisë…”.

Ndërsa në parathënien e melodramës “Jerina ose Mbretëresha e Lulevet”, nën pseudonimin Gegë Toska, Fishta tregon qëllimin e dyfishtë për shkrimin e veprës: së pari, dëshiron t’i tregojë kundërshtarëve të Shqipërisë se shqiptari di t’i këndojë gruas e dashurisë së pastër, pa cënuar aspak moralin dhe, së dyti, ai di ta sjellë këngën bukur estetikisht. Melodrama është botuar në revistën “Hylli i Dritës” në vitin 1940, pak kohë përpara se Fishta të vdiste, por punën për të ai e ka nisur në vitin 1914. Vepra është strukturuar në 2 pjesë, që paraprihen nga prologu dhe ndiqen nga mbyllja, quajtur finale dhe ka këtë subjekt: Lulet mblidhen të zgjedhin mbretëreshën e tyre. Ata mendojnë që mbretëresha të mos jetë një prej tyre, por të jetë një vajzë porsi hyjneshë: Grua-Lule-Bukuri. Të gjitha tiparet i gjejnë te Jerina:

N’at Shqypni lé, si prendvera,
Si ajo voësa mbi kodrina,
Si ajo Lulja qi i vjen era.
Duka e sajë si drita e agimit,
Fjala e sajë shkon tue fërfllue,
Porsi flladi n’mes t’blerimit,
Ku rrinë zanat tue mrizue.

Jerina, Mbretëresha e luleve është njëherazi dhe Mbretëresha e Shqipërisë. Me të ndizen shpresat, me të nis një kohë e re:

E shuhet mnija e resa,
E njallet n’shekull shpresa:
Burrnia e besa e Zotit
Mkamben si dikur motit.

Sikurse Jerina, janë simbole të gjitha personazhet e tjera të veprës: Vjollca, Zambaku, Zymbyli, Trëndafili, Lulet e maleve, Lulet e fushave etj., Orët e Zanat, Homeri, Petrarka e Dante Aligeri, Afërdita, Hera e Athinaja. Përmes poetëve klasikë e Perëndeshave të Olimpit, Fishta himnizon Bukurinë shqiptare, bukurinë fizike e atë morale.

Tragjedia “Juda Makabe” mbahet si vepra më e arrirë në fushë të dramaturgjisë. Tragjedia njeh disa botime, por botimi i parë i takon vitit 1920. Punën për të Fishta e ka nisur në vitin 1911, në një kohë të trazuar për shqiptarët. Në tri aktet e saj Fishta shtjellon një subjekt biblik, historinë e makabejve, një fis hebre që jetonte në pjesën jugore të Tokës së Shenjtë, që quhej Judea. Ky fis, nën drejtimin e Juda Makabesë, del fitues në luftën kundër asirasve të cilët kërkonin të pushtonin Tokën e Shenjtë, por asirasit nuk dorëzohen. Përmes tradhtisë, hebrejtë munden, ndërsa Juda Makabe vdes heroikisht:

Porsi uq malit prej breshtet shpërthye
Gardh për anesh e msyne ata burrin:
Rrebtë fatosi ua ndali, por, turrin;
Kurma-kurma me qindra coptoi.
Por t’gjith vetun s’pat kohë me i farue:
Frota e kqivet nuk ban kurr t’mbarue
Edh’ e pava – mos pafsha me sy!
Nën armë t’tyne kah trimi mbaroi.

Zemërimi e pezmatimi i Fishtës për gjithçka që po ndodhte në Shqipëri dhe me shqiptarët e çon poetin në mallkime e shfrime poetike, jo të lejueshme për një misionar feje:

E dielli
Kaq kob tue pa prej qielli,
Prap dritë ai lëshon ktij dheu…
O Perëndi a ndjeve?
Tradhtarët na lanë pa Atdhe.
E Ti rri e gjuan me rrfe
Lisat n’për male kot.

Veçori të stilit
Fishta është ndërlidhës i shquar i letërsisë së Rilindjes sonë Kombëtare dhe asaj të shekullit XX. Në veprën e tij gërshetohen romantizmi e realizmi me tiparet dalluese të tyre. Krijimet e Fishtës karakterizohen nga frymëzimi i vetvetishëm, vrulli e gjallëria e humorit, fryma atdhetare e njeridashëse, qartësia e mendimit e thjeshtësia e formës, por, nga ana tjetër, edhe nga forca e fshikullimit satirik e ironia e hidhur. Fishta përshkruan jetën e malësorit, Shqipërinë e vuajtur ndër shekuj, por fisnike e me virtyte. Fishta, si realist, paraqet jo vetëm cilësitë më të mira të kombit, por edhe të metat e tij. Vepra e Fishtës mund të konsiderohet si enciklopedi e botës shqiptare, si përpjekja për t’i zbuluar vetes vetveten.

Që në fillimet e krijimtarisë së tij letrare, Fishta iu drejtua gurrës popullore. Prej saj mori ngjyrimin stilistik të fjalës, frazeologjinë, stilin bisedor të kuvendimit poetik, ndërthurjen me mjeshtëri të rrëfimit me përshkrimin. Te Fishta gjejmë thuajse të gjitha figurat letrare, por, nisur nga ndikimi popullor, do të veçonim personifikimn, hiperbolën e krahasimin. Fishta përdor dendur eksklamacionin, urimet e mallkimet, duke kaluar fare natyrshëm nga njëri te tjetri. Fishta është mjeshtër i zotërimit të vargut popullor, të cilin e pasuron në rimë e ritme të reja; ai përdor larmi vargjesh, por 8-rrokëshi popullor është më i pëlqyeri në krijimtarinë e tij. Fishta dallohet për gjuhën e pasur, të kthjellët e tingëlluese. Vargu i tij fiton muzikalitet në harmoninë mendim poetik-formë poetike. Mesazhet që përcjell janë jetëgjata, universale e aktuale.