Kurrikula
Kursi: Letërsia Klasa 12 Shtëpia Botuese Filara
Identifikohu

Curriculum

Letërsia Klasa 12 Shtëpia Botuese Filara

0/32
Mësimi me video

Mësimi 10.2: Analizë romani Pallati i ëndrrave

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 12 Mësimi 10.2

Analizë romani “Pallati i ëndrrave”

Historia e romanit
Një nga krijimet më të shquara të Ismail Kadaresë dhe të gjithë letërsisë moderne shqiptare është romani “Pallati i ëndrrave” (1981). Dy kapitujt e parë të romanit, me titullin “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”, u botuan, së pari, më 1977, në përmbledhjen me tregime “Emblema e dikurshme”. Duke mos dashur të tërhiqte vëmendjen me një botim të veçantë, tri vite më pas, më 1981, kur ribotohet “Emblema e dikurshme”, autori e boton të plotë veprën brenda vëllimit. Kjo nuk e shpëton dot veprën, pasi në shkurt të vitit 1982, vepra u kritikua rëndë dhe u ndalua të qarkullojë, për t’u ribotuar pas rënies së komunizmit. Nga botimi i parë në botimet e mëvonshme, vepra ka ndryshime artistike të pandjeshme, me përjashtim të titullit që u bë “Pallati i ëndrrave” dhe emrit të personazhit kryesor nga emri turk Ebu Qerim, në Mark-Alem. Mark Alemi vinte nga një familje e pasur dhe me emër të mirë. Nga një djalosh i ri, disi i ndrojtur, i tërhequr, i papërvojë, ngrihet në detyrë falë klanit që i përkiste. Për jetën dhe mendimet e tij, nuk mund të thuhet ndonjë gjë. Ai pranon lehtësisht kërkesat e eprorëve fillimisht dhe më pas bën atë që mësoi. Përgjithësisht i heshtur dhe i tërhequr, i shmanget vëmendjes dhe kthehet në “modelin më të mirë” që ai pallat kërkonte nga zyrtarët e tij. Emri i tij i përshtatet një shkruesi të thjeshtë që nuk ka mendim (mar kalemin). Nga një punonjës fillestar me skrupuj, në fund e gjejmë një funksionar tipik, pikërisht si ata që ai i përçmonte.

Subjekti
Vepra bën fjalë për një shtet totalitar, që në shikim të parë duket si Perandoria Osmane, ku një institucion, i quajtuar Tabir Saraj (Pallati i ëndrrave), monitoronte, mblidhte dhe analizonte ëndrrat e qytetarëve për të zbuluar në to shenja të rreziqeve që mund t’i kanoseshin shtetit. Në një realitet që mund të jetë Shqipëria, por dhe Perandoria Osmane, Mark Alemi, biri i një familjeje të fuqishme, i Qyprillinjve (Qyprillinjtë), herë në pushtet dhe herë e përndjekur, kërkon punë. Rrethanat e çojnë në Tabir Saraj. Ai është fare i papërshtatshëm për punët e Tabir Sarajit, por familja e futi për interesat e saj. Fillon punë në seksionin e seleksionimit të ëndrrave, seksion ky ku lexojnë dhe dokumentojnë ëndrrat që u kanë sjellë spastruesit nga baza, për të gjetur ëndrrat që “vënë në rrezik” perandorinë. Në fillimet e punës ishte i hutuar dhe bënte çdo gjë për inerci. Por më pas, edhe pse e kuptoi se ky institucion mund ta çonte veç drejt gabimeve, vazhdoi e ngjiti një nga një shkallët e karrierës deri në majë. Dhe kjo jo se kishte zotësi të veçanta, por se ishte pjesë e atij grupimi politik (kastës) që mori fuqinë. Makina e shtetit e shpërfytyron Mark-Alemin, aq sa jashtë pallatit jeta i duket banale dhe pa ngjyra. Mark Alemi, pinjolli i Qyprillinjve, nga lartësia ku është ngjitur, pret rënien e pashmangshme. Nuk ka rëndësi se kur do të ndodhë, por do të ndodhë. Kjo është ligjësia e shteteve diktatoriale e totalitare. Ndaj Mark Alemi dhe grupimi që ai përfaqësonte, nuk mund t’i shpëtonin kësaj ligjësie.

Struktura
Vepra ka arkitekturë të thjeshtë. Ajo ndahet në 7 kapituj:
• Mëngjesi
• Seleksionimi
• Interpretimi
• Dita e pushimit
• Darka
• Arkivi
• Afrimi i pranverës
Pikën kulmore e kemi në kapitullin e parafundit.

Pallati
Autori ideon strukturën e një pallati me korridore pafund, me kate mbi e më shumë nën dhe, me salla të stërmëdha, me seksione e nënseksione, si vetë rrathët e Ferrit, ku mijëra nëpunës punojnë kokulur për të zgjidhur enigmën e rrezikut që i kanoset Perandorisë. Duket se Perandoria qeveriset njëherazi nga dy forca: njëra e dukshme, tjetra e padukshme apo më saktë, ka një shtet të dukshëm dhe një tjetër shtet brenda shtetit, më i fortë se i pari, por i padukshëm, që është Tabir Saraj. Fati i vendit dhe i klaneve ,aty gatuhen; gjendja e vërtetë e Perandorisë apo shtetit totalitar, aty kuptohet.

Metastazat e Tabir Sarajit janë shtrirë e përhapur në çdo skutë, sado e humbur qoftë ajo. Nga këto skuta nis puna e pallatit, aty nis mbledhja e ëndrrave. Asnjë ëndërr, sado e parëndësishme të jetë, nuk mund të lihet jashtë, pa u mbledhur. Janë me mijëra mbledhësit, grumbulluesit e spastruesit. Prej materialit të grumbulluar prej tyre, më tej puna vazhdon brenda pallatit, në seksionet e nënseksionet e tij: kopisteria (kopjimi i ëndrrave), seleksionimi, deri interpretimi i ëndrrave.

Në majë të këtij organizimi kaq të merimangshëm, qëndrojnë ata që zgjedhin çdo të premte kryeëndrrën për sovranin. Imagjinata e Kadaresë ka punuar si rrallëherë; para nesh hapen salla të mëdha e të ftohta, qindra dosje mbi tavolina, qindra koka mehmurësh mbi to, korridore të zymta, kuaj, karroca, korrierë që venë e vinë. Kështu ne prekim një realitet që, ndonëse i çuditshëm, na bëhet i besueshëm dhe aq shumë tronditës. Është një pallat i mallkuar, i verbër, misterioz, ku dhe ministrat nuk mund të futen, veçse me leje të posaçme. Pallati i ëndrrave vendos për fatet njerëzore dhe shtetërore. Tabir Saraj apo Pallat i ëndrrave shihej si një nga institucionet themeltare të shtetit. Ky shtet kontrollonte çdo gjë, “deri ëndrrat e njerëzve”.

Raportet shtet – individ
Në pamje të parë duket sikur vepra përshkruan jetën e Mark-Alemit, por e vërteta është më e thellë. Vepra përqendrohet në marrëdhëniet midis shtetit dhe individit. Katet dhe nivelet e nëpunësisë në Pallatin e ëndrrave janë njëlloj si rrathët e ferrit. Nëse si individ tenton të ngjitesh në këto nivele, do të thotë të kërkosh ndëshkim. Romani formulon qartë dilemën: të jesh në Tabir Saraj, brenda tij apo jashtë tij; t’i ofrosh atij shërbimin apo refuzimin; pra, ka diçka edhe hamletiane në atë që më mirë të ngjitesh në hierarkinë e kësaj piramide apo të qëndrosh kokulur. Tabir Saraji është zona përtej ligjit. Kush hyn atje gjendet nën mbrojtjen e asaj që quhet “arsye shtetërore”. Për të mbërritur atje, është shumë e vështirë. Ai (Tabir Saraji) ka aureolën e madhështisë, por pas fasadës lulëzon e keqja. Të vërtetën mbi këtë shtet dhe mbi raportet e tij me individin e jep aq mirë mendimi dhe fati i dajës së Mark-Alemit, Kurtit: “… ai (T.S.), pavarësisht nga emri i bukur që ka, është institucioni më i tmerrshëm, më i verbri, më fatali.” Tabir Saraji është institucioni më i tmerrshëm se tërë të tjerët, madje dhe se vetë tmerri. Individi, po ashtu edhe një popull i tërë, mund të shkatërrohen vetëm prej fuqisë së një ëndrre. Ëndërrparësit mund të kenë në çdo çast një fund fatal. Dhe kush e ka në dorë Tabir Sarajin, ka çelësin e drejtimit të shtetit. Sipas interesave të grupeve rivale në pushtet ose sipas gjendjes shpirtërore të sulltanit, mund të fabrikohet çfarëdolloj ëndrre që mund të shërbejë si pretekst për luftë, për varjen e një njeriu, madje për zhdukjen e një populli. Kështu ëndrrat marrin përsipër të shpalosin atë që nuk e bën dot historia, enciklopedia apo librat e shenjtë.

Ëndrra
Kadareja është si eksploratori. Si i tillë ai ka arritur deri në hapësirat më të skajshme të ëndrrës, duke zbuluar një përmasë të panjohur të saj. Paraqitja e Tabir Sarajit, i menduar si një nga institucionet më të rëndësishme të një shteti të madh perandorak, e çon me të vërtetë në skaj rëndësinë e ëndrrave dhe rolin e tyre në fatin e shteteve dhe të sundimtarëve. Në Greqinë e lashtë, njerëzit i drejtoheshin Orakullit të Delfit për t’ua shpjeguar ëndrrat. Po kështu romakët, asirët, persët ose mongolët kishin ëndërrshpjeguesit e tyre. Por Tabir Saraji është i pakrahasueshëm me to. Funksionimi i tij është madhështor. Këtu nuk përjashtohet askush. Është fjala për diçka me të vërtetë tërësore. Sulltani, me interesimin e drejtpërdrejtë të të cilit është krijuar ky institucion që të trondit me fuqinë e tij, mund të bjerë vetë një ditë në kurthin e tij. Është fjala për një perandori që bazohet tërësisht mbi ëndrrën. Prandaj gjendja e vërtetë e perandorisë kuptohet në Tabir Saraj. Po si arrihet kjo? Shenjën e parë e jep ëndrra: “Gjithçka që është e turbullt dhe e rrezikshme, apo që do të jetë e tillë, pas disa vjetësh, e jep shenjën e parë në ëndrrën e njeriut. Asnjë pasion apo mendim i mbrapshtë, rrebesh apo katastrofë, rebelim apo krim nuk është e mundur të mos dërgojë hijen e vet shumë kohë më parë se të shfaqet ai vetë në botë.”

Pikërisht për këtë sulltani kishte urdhëruar që “Asnjë ëndërr e parë qoftë edhe në kufijtë më të largët të shtetit edhe në ditën më të kurrfartë, qoftë edhe nga robi më i humbur i allahut, të mos mbetet jashtë shoshitjes në Tabir Saraj.” Kjo është një ndërmarrje vigane dhe absurde, e cila kërkon përpunimin e materialit, ruajtjen e fshehtësisë, mbylljen hermetike, seleksionimin, interpretimin, spastrimin, seksionet dhe nënseksionet që nuk kanë fund. Qërimi i ëndrrave bëhet nga disa kontrollorë njëri pas tjetrit. Qindra, mijëra nëpunës merren me ëndrrat.

Ëndrra shihet, pra, nga Kadareja në një përmasë të re, e cila është lidhja e ëndrrave me çështje kapitale të ekzistencës, si një çelës për të zbuluar e shpjeguar rreziqet e së ardhmes. Por mund të shihet dhe si një kurth, po qe se bie në absurditetin e saj. Ëndrra mund të paralajmërojë komplote, tradhti, kryengritje, mund të japë sinjalin e një çarjeje të unitetit të perandorisë, sinjalin e fillimit të një lufte, të prishjes së aleancave, mund të paralajmërojë vjedhjet e mëdha, abuzimet, degradimin. Kështu, në romanin e Kadaresë, ËNDRRA bëhet më e fuqishme se REALITETI.

Gjithëkohësia (Universaliteti)
Mekanizmi me emrin Tabir Saraj nuk njeh pushim. Në të edhe koha rrjedh sipas ligjeve të tjera. Në roman nuk ka tregues kohorë, as përcaktim të saktë gjeografik. Historikisht nuk ka ekzistuar një institucion i tillë në asnjë perandori. Po ndërkohë ky institucion është vetë Ferri. Dhe jo vetëm ai i komunizmit, por i të gjitha kohëve e sistemeve. Imagjinata e Kadaresë përmban diçka magjepsëse, zgjuese, provokative dhe çliruese. Arti i tij nxit shpirtin e rezistencës së njeriut ndaj çdo lloj shtypjeje dhe totalitarizmi. Vepra e Kadaresë, më tepër se denoncim, është paraqitje e një situate totalitare jo thjesht shqiptare, por e një situate totalitare të përhershme, që shfaqet herë këtu, herë atje dhe që është përherë e pranishme, edhe atje ku nuk e mendon askush. Arti i Kadaresë ka ndërtuar një gjeografi vetjake të historisë, ku gjendet i shpalosur një vizion i madh artistik global. Korrierët shkojnë e vijnë nga të katër anët e Perandorisë pa pushim, ditën e natën. Ata sjellin ëndrrat, por tashmë ato s’janë thjeshtë të individit. Kadare me to sjell “pagjumësinë e popujve”.

Vepra e Kadaresë lejon një shumësi leximesh. Në një lexim tjetër, Tabir Saraji, për Kadarenë, është ferri i përjetshëm i njeriut (një ferr i fshehur pas vetë titullit eufemistik të veprës), ai që ndodhet brenda tij. Mark-Alemi e krijoi tmerrin për të tjerët. Ai është nëpunës dhe, së fundi, drejtues i këtij tmerri, por që është i pambrojtur, se mund të goditet çdo çast prej tij. Ai, ndoshta, mund ta kalojë nëpër duar edhe ëndrrën që do të sillte vdekjen e tij, pa mundur të kundërshtojë asgjë, “madje as të kuptojë asgjë”, thotë autori.

Veçori të romanit
Vepra parakupton lexim alegorik me simbole si ëndrra, dosje, procesverbale etj.
 Nëse shohim historinë e romanit dhe kohën kur ai është realizuar e botuar, dallojmë që koha e ngjarjeve të rrëfyera nuk është koha themelore e veprës ose ajo që ka dashur të japë autori. Koha themelore qëndron e fshehur, ndaj themi se koha në roman është alegorike. Alegoria arrihet me anë të pështjellimit kohor ose të analogjive, të ngjashmërive me kohën tjetër, atë të sundimit të diktaturës në Shqipëri. Përshkrimet e kryeqytetit ku luhen ngjarjet, janë të përafërta me Tiranën dhe se atmosfera që rrethon ngjarjet, ngjason me atmosferën e terrorit, spastrimeve dhe burgosjeve në Shqipërinë diktatoriale Një nga elementet e veçanta të artit të Kadaresë është përdorimi edhe në këtë vepër i groteskut (p.sh., marrja në pyetje e pemëshitësit dhe procesverbali prej 800 faqesh që u mbajt për të, ose ruajtja në dosje e gjumit të sulltan Mehmetit, ose shpjegimi i ëndrrave si një sipërmarrje madhështore, përpara së cilës gjithë orakujt e Delfit apo kastat e profetëve dhe magëve të dikurshëm dukeshin të vegjël e qesharakë” ose pohimi i Sulltanit është një grotesk i gjallë për vetë marrinë e kërkesës ku “asnjë ëndërr nuk duhet t’u shpëtojë, deri në kufijtë më të largët të shtetit” etj.). Gjithçka në vepër është e zbehtë, që nga ndriçimi i korridoreve, te veshja e nëpunësve, te fytyrat e tyre, madje gjer dhe fjalët, lëvizjet, por mbi të gjitha shpirti. Romani rrjedh ngadalë, me një farë përtacie në dukje, me pak lëvizje, por me shumë zhvillime të brendshme, me luftë ndërgjegjeje, meditime e filozofime të goditura. Ka pak personazhe, pak fjalë dhe shumë heshtje. Veç Mark-Alemit, personazhet janë episodike dhe bartëse dramash a tragjedish.

Romani është një nga arritjet më të mëdha të prozës shqiptare. Vetë autori e ka vlerësuar veprën si më të egrën dhe më të fuqishmen ndaj diktaturës ndër tërë veprat që ai ka shkruar.