Kurrikula
Kursi: Letërsia Klasa 12 Shtëpia Botuese Filara
Identifikohu

Curriculum

Letërsia Klasa 12 Shtëpia Botuese Filara

0/32
Mësimi me video

Mësimi 9.2: Veçori të poezisë së Dritëro Agollit

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 12 Mësimi 9.2

Veçori të poezisë së Agollit para dhe pas viteve ’90

Prirja e Agollit drejt një poezie të veçantë dhe me shumë individualitet u shfaq që në vëllimin e tij të parë “Në rrugë dola” (1958), për t’u theksuar më qartë, në poemat “Devoll- Devoll” dhe “Poemë për babain dhe për veten”. Rruga e rritjes së shkallëshkallshme së poezisë së këtij autori shprehet më pas në vëllimet: “Mesditë”, “Baballarët”, “Nënë Shqipëri”, “Udhëtoj i menduar”, “Pelegrini vonuar”, “Lypësi i kohës” e ‘Fletorkat e mesnatës”. Veçori e poetikës së Agollit është qëndrueshmëria apo ndryshimi i ngadaltë, d.m.th., poezia e tij ka zhvillim, por ajo i ngjan atij lumit që ecën po në atë shtrat, por duke u thelluar gjithmonë e më shumë. Agolli me poezinë e tij ndryshoi përfytyrimin për “temën e madhe” (heroike), duke e kërkuar madhështinë poetike te përjetimet e subjektit të zakonshëm në përditshmërinë e jetës dhe duke duke zgjeruar hapësirën e realitetit në poezi.

Misioni i poetit
Në poezinë që shkruan në vitet 1990, Agolli i mbetet besnik idesë së shprehur edhe më parë për rolin, misionin dhe rëndësinë e poetit në shoqëri dhe ndaj atdheut dhe njerëzve të tij. Poeti e quan veten një këmbanore me këmbanë, që here bie, herë gjëmon, herë shpreh mall e hare, herë lot e dhembje. Ai takon “racës së poetëve”, ashtu si Firdusi i madh, të cilin e ka aq për zemër. Ashtu si Naim Frashëri e poetë të tjerë, ai e ndien thellë vështirësinë e punës së poetit, se vargjet nuk bëhen lehtë, e poeti duhet të rrijë mbi to si nëna mbi foshnjën:
“Unë e di, jam kalë e shij veç vargje
Rreth një lëmi pa sinor e gardh”

Motivi i atdheut dhe historisë në poezinë e Agollit
Agolli u ka kënduar vazhdimisht atdheut dhe luftës, historisë dhe jetës së njeriut të thjeshtë, si bartës dhe pjesë e ligjeve të natyrës. Në poezinë e para viteve ’90, Agolli krijoi imazhin e një Shqipërie ideale. Vepra më e rëndësishme idealizuese dhe njëherësh më e angazhuar e tij është poema “Nënë Shqipëri”, në të cilën, sikundër Naimi në poemën “Bagëti e bujqësi”, ai krijoi imazhin poetik të Shqipërisë që ëndërronte. Në këtë poemë zotëron kulti i atdheut dhe i krenarisë kombëtare, ndërsa imazhi i Shqipërisë së lumtur synon të arrihet poetikisht në formën e utopisë1-kultit të së ardhmes. Poezia e periudhës së parë të Agollit, e shkruar para viteve ’90, edhe pse e përfshirë në drejtimin e letërsisë së realizmit socialist, mbijeton në sajë të ideve humane, emocioneve njerëzore, formës poetike dhe vitalitetit që përcjell te lexuesi.

Nga tradita paraardhëse Agolli ruajti kultin e atdheut dhe të tokës, si vazhdues i traditës naimjane, por duke e rritur konkretësinë e tablove të realitetit dhe portreteve që pikturon. Pas viteve ’90, e sidomos në poezitë e fundit, atyre u shtohen dhe motivet e dhimbjes, të zhgënjimeve dhe të qëndresës shpirtërore. Në poezitë e fundit, atdheun e shohim me plagët që i janë hapur, me dhimbjen që i kanë shkaktuar bijtë e tij. Në këto poezi ka një dhimbje fisnike, aq të madhe, sa s’mund ta matësh, të shprehur në vargje të tilla: “Po ja që rroj dhe trupi im le gjurmë/ Në trupin zheleplot të atdheut të lashtë…”
Megjithatë motivi mbizotërues është ai i ringritjes, pa dhunë, që i ngjan barit që “pushton kalanë mbi rrënojat, fitimtarit të përjetshëm.” Tema e atdheut rikthehet në motivet për Kosovën, ku më shumë se patosi heroik, ndjehet nostalgjia për heroizmin. Edhe atëherë kur poeti i humbet iluzionet politike, ai nuk e humbet guximin qytetar, prandaj vazhdon të trajtojë temën politike e shoqërore duke i fshikulluar dukuritë negative të realitetit të sotëm. “T’i qeshte Kosovës vetëm nga vjershat liria dhe fati, / Unë do të bëja me vargjet kërdinë e hatanë:/Në Fushë-Kosovë s’do vritej vetëm sulltan Murati,/ Do vriteshin katërmbëdhjetë sulltanë…” (Mars 1996)

Motivi filozofik-meditativ
Agolli është poeti i dhimbjes njerëzore dhe i filozofisë jetësore, gjatë gjithë rrugës së vet krijuese mëse gjysëmshekullore. Poet i ndjeshëm ndaj dramave të mëdha të popullit, ai u bë njëherësh edhe poet i dhimbjes vetjake të njeriut, shprehës i vuajtjes shpirtërore “për një zog të vrarë apo për një qen të shtypur”. Nga njera anë njeriu, apo poeti, nga ana tjetër natyra me gjithçka të sajën në të dhe, më së fundmi, lidhja midis tyre, përbëjnë boshtin qendror, ose trinomin meditativo-filozofik të jetës, ku mesazhet herë janë të fshehura (sidomos në periudhën e para viteve ‘90),herë të dukshme;dhe herë janë një britmë ose thirrje e fortë ndaj idealit të menduar dhe realitetit zhgënjyes. Që herët, në vitin 1961, poeti guxoi të botonte poezinë “Me të qara nuk drejtohet shteti!”, e cila ndërthurte në vetvete një filozofi të madhe. Kjo poezi, siç pohon edhe vete Agolli, “i ka rezistuar kohës, pikërisht se mbart brenda saj një të vërtetë të thellë filozofike për mënyrën se si udhëheqësit e mëdhenj duhet të drejtojnë vendin dhe botën për një jetë më të mirë.” Poezia “Burrave të ardhshëm të shteteve”, botuar në librin “Hapa mbi asfalt”, i kalon caqet e hapësirës shqiptare, fokusi i vështrimit të poetit i kapërcen kufijtë, për t’u zhvendosur në të gjithë maternitetet ku lind një gjeneratë e re:
“Qajnë si ju sot ne botë/ Ndër maternitete/ Burrat që nesër do drejtojnë shtetet./ Sot ata nuk kanë emra e pergjegjësira,/ Nesër do të drejtojnë qeverira…/……të shtrojnë si probleme çarmatimin,/ Çështjen koloniale, mossulmimin…”

Në të dy fazat e krijimtarisë së tij (para dhe pas viteve 1990), poeti i shtron dhe i lidh idetë filozofike të vazhdimësisë së jetës, të mosvdekjes e mosharrimit me filozofinë e lirisë, të përballjes me realitetin dhe triumfin mbi të, pavarësisht nga çmimi që duhet paguar.

Ndryshimet tronditëse të viteve ‘90 e këndej i forcuan dhe i thelluan poezisë së Agollit prijen meditative-filozofike përmes zhbirimeve në thelbin e dukurive të jetës dhe të shpirtit njerëzor.

Poeti bëhet shprehës i dukurive thelbësore ekzistenciale, që burojnë nga raportet e tij me një realitet kontradiktor, në një sfond të ri social-politik. Në poezinë e re shpirti i poetit shpaloset në mënyrë më të drejtpërdrejtë, më të sinqertë. Zëri lirik i vetës së parë bëhet pasqyrë e një bote komplekse shpirtërore plot vuajtje, dilema e zhgënjime. Disa poezi të fazës së dytë ndërtohen mbi fabula reale jetësore dhe ofrojnë një lexim të thjeshtë kuptimor, si p.sh. “Varfëria”, “Vdiq një njeri i vetmuar”, “Lemza”etj..
Një vend të veçantë zënë një grup poezish, të cilat mund të quhen poezi-peizazh, ku emocionet e poetit shfaqen në mënyrë lirike, me ngjyrat dhe perceptimet e artit të pikturës. Poezi të tilla janë “Një kalë i bardhë”, “Peizazh me bore”, “Në fund të vjeshtës”, etj. Por në më të shumtën e poezive gjendja shpirtërore e heroit lirik pasqyrohet përmes motivesh (nga më të ndryshme), ku mbisundojnë ato të ikjes nga realiteti, dhembjes, të natës e të errësirës, të mërzisë e zhgënjimit, të dyshimit, frikës, lodhjes deri në sfilitje, pritjes etj..

Në vorbullën e këtyre gjendjeve shpirtërore, zëri lirik i poetit merr trajta të larmishme. Forca e këtij zëri arrin shkallën më të lartë nëpërmjet ironisë e satirës në poezi si “Malli për heronjtë”, “Në shtëpi”, “Qentë”, “Një shkrepëse” etj.. Por vargu i Agollit, pavarësisht nga tonet e zhgënjimit dhe dhembjes, di t’i ruajë ngjyrat e shpresës universale.Kështu, edhe tema e vdekjes, e trajtuar në fazën e parë në një rrafsh heroik e stoik, do të vazhdojë të lëvrohet nga poeti me guxim sfidues, madje me humor ose me një lirizëm të butë e figuracion shprehës:
“Veç me vdekjen s’jam takuar kurrë,/ Ndaj e pres nderuar në shtëpi,/ Për respekt- një qengj manar në furrë,/ Për humor një shishe me raki.

D. Agolli e sheh veten dhe të tjerët në dualitetin e përjetshëm njerëzor; e sheh njeriun si ëngjëll dhe si djall, si Judë dhe si Krisht, si dritë dhe errësirë, si human dhe gjakatar; dhe arrin në përfundimin se këto shtresime të kundërta, në luftën e tyre të përjetëshme, me triumfe e disfata të pjesshme, krijojnë njeriun e vërtetë:
”Hesht në prehje, rend në lodhje, / Njërin ndreq e tjetrin prish, / Kur mbledh lule dua rrodhe, / guvë e jetës Judë e Krisht”.

Nëpër këtë dualitet udhëton njeriu duke shkuar drejt vdekjes:
“Kalojmë një shteg, kapërcejmë një prag, / çdo ditë udhëtojmë e vdesim nga pak”. Dy metaforat më të zakonshme, përmes të cilave përftohet një simbiozë poetike, janë jeta dhe vdekja, që poeti parapëlqen t’i quajë udhëtimi dhe vdekja.

Fjala dhe udha
Në poezinë e Agollit, fjala dhe udha janë sinonime që shënojnë kuptimin e lëvizjes së jetës e mendimit të njeriut dhe kohës. Toka dhe si përbërës të saj: guri, bari rrënja, mali, zogu ose detaje të mjedisit fshatar si: brazda, pushka, mali, kasollja, kali janë kudo që e shpie udha poetike si variante të njera-tjetrës. Në themel të këtyre figurave është atdheu, populli dhe historia, që përmes imazheve e formave të shumta formojnë fytyrën e Shqipërisë. Vetëm gurin p.sh., mund ta gjejmë të përdorur në dhjetëra kuptime alegorike a simbolike: guri-njeriu, guri-familja, guri-kohë e një individi, një brezi, një populli, guri-historia etj. Këto variante ruajnë mes tyre lidhjet kuptimore e emocionale në përbërje të së tërës dhe nëpërmjet lëvizjes, pra udhës. Ato janë dhe portreti i njeriut që jeton në këtë tokë, e shkuara e tij dhe shpresa.

Duke e ndjekur poezinë e Agollit, shpesh has një poet të trishtuar, të vetmuar, ndonjëherë të lodhur, por asnjëherë të mposhtur, sepse në të gjitha rastet ai kërkon një dalje drejt një shtegu nëpërmjet të cilit kërkon të vendosë një ekuilibër midis shpirtit poetik dhe shpirtit njerëzor në përgjithësi, një harmoni të individit me botën ku jeton. Bukuria e kësaj poezie qëndron te forca e shpirtit dhe fuqia e urtësisë, e cila vjen si rezultat i dialogimit të gjatë me vetveten:
“Unë jam prej kohësh pelegrin, / Shtegtar i karvanit të humbur, / Dhe bart në kurriz një premtim, / Të dhënë në hirin e gjyshërve të mundur”.
Ky pelegrin ka kohë që udhëton, u bë gjysmë shekulli që udhëtimi i tij vazhdon drejt premtimit, drejt dritës, atje ku fjala poetike arrin të japë kumtin më të vërtetë të kohërave. Në këtë udhëtim, nëpër vite, nëpër kohëra të turbullta, me diell apo me mjegull, poeti ecën si një pelegrin, duke duruar mundimet, për të ndriçuar veten dhe të tjerët.

Motivi i dashurisë
Agolli i ka kënduar dashurisë përgjatë gjithë krijimtarisë së tij; dashuria përbën një nga motivet më të dashura të tij. Që herët lirika agolliane e dashurisë dallohet për tonet e ngrohta lirike, madje edhe për notat e lehta e të përmbajtura të sensualizmit. Agolli do të arrijë të shfaqë në këtë poezi ndjenjat vetjake, të mbushura plot me emocione, me spontanitetin e tij, duke ndjekur traditën popullore si dhe poetët e njohur të traditës në letërsinë shqipe që e kishin lëvruar më parë këtë temë. Agolli shfaq në poezi një koncept jetësor për dashurinë, ndonëse nuk u shmanget momenteve të trishtimit për dashurinë pa përgjigje ose që ka marrë fund:

Nga kujtimet e hershme
“Më kish lënë për gjithnjë e bukura.
E kuptova që s’duhet t’i bija pas këtë natë,
E kuptova që s’donte nga unë të puthura…”

Në poezinë e tij të dashurisë mbizotëron koncepti për gruan shoqe të jetës dhe bashkëpunëtore e mbështetje për burrin, si dhe për një qenie në thelb më delikate e fine se burri. Të tilla janë poezitë “E bukura”, “Çast”, “Larg qytetit” etj.

“Ne bashkë hajt të shkojmë larg në male.
Në vende aq të kaltra, aq të bukura;
Të rrjedhë gazi yt në buzë e faqe,
Të zërë dora jote e vogël flutura…”

Agolli e sheh ndjenjën e dashurisë që ndryshon duke ruajtur thelbin; dashurinë e pastër ndaj femrës, ndaj gruas, që herë vjen si dashuri rinore, herë si dashuri e imagjinuar e një bote apo mjedisi tjetër, herë përmes gëzim- trishtimit (kur e ka gëzohet dhe kur nuk e ka atë, trishtohet) dhe herë si dashuri ndaj gruas së vet, shoqes së tij të jetës.

Tiparet fizike të femrës, si duart, sytë, gjoksi, buzët, etj.janë elementet që, së bashku me imazhet e tjera të natyrës, si shiu, era, muzgu, nata, mëngjesi, dielli, pranvera, vjeshta, krijojnë figurën e plotë. Kjo ndërthurje, ky bashkim i tipareve fizike me imazhet e natyrës, përbën një tipar të veçantë në krijmtarinë e poetit, që krijon një shprehësi poetike që përcjell emocionalitet te lexuesi.

Mollët
Ajo doli nga kopshti me mollë,
mbi supe kish hënën dhe degët me kokrra,
në këmbë kish barin e hollë.
Unë rrija te porta.

Gjejmë në këto vargje një vizatim plot ngjyra, një pikturë të gjallë, me elemente të imagjinatës, një dashuri të trazuar nga pritja, në asosacion me krijimet më të bukura popullore mbi dashurinë. Tek Agolli dashuria është e thellë, e sinqertë, e fuqishme, intime. Një vijëz që ngjitet dhe merr kah qielli. Nëse dashuria e rinisë dhe ajo e viteve më pas e paraqet vajzën e bukur të qeshur, të ëmbël, të ndritshme, në vitet e fundit poezia e tij personale për muzën e tij më të madhe krijuese, të shoqen, bëhet paksa e trishtuar, e dhimbshme, autokritike.

Karakteristika të përgjithshme të poezisë së Agollit
1. Poezia e Agollit ka ndikime të drejtpërdrejta prej poezisë popullore, prej artit poetik të Naim Frashërit e Lasgush Poradecit, prej Robert Bërnsit, Uollt Uitmanit e autorëve rusë të fillimit të shekullit të 20-të.
2. Krijimtaria poetike e Agollit në thelbin e saj është liriko-epike dhe përshkohet nga kulti i vendlindjes, i tokës, i bukës, i parmendës, i familjes, i prindit. Ajo sundohet nga bota e gjallë, shpirtëzimi i mjedisit, shenjtërimi i natyrës, i arës dhe bagëtisë, ku shfaqen dhe gjurmë të panteizmit bektashian.
3. Heroi lirik i Agollit është intelektuali me origjinë fshatare, me pasione të forta, që dashuron dhe urren, që ngrihet kundër padrejtësisë, një poet luftëtar që mbron të renë kundër së vjetrës.
4. Agolli është një poet-piktor në vizatimin e pejzazhit dhe portretit.
5. Humori në poezinë e Agollit shfaqet në një larmi formash, p.sh. kemi poezi ku humori shfaqet në formë anekdotike, si në poezinë “Lulet”, “Për kujtim”, etj.
6. Plasticiteti dhe muzikaliteti janë veçori të poezisë së Agollit; edhe pse parapëlqen vargun e rregullt, poeti synon një varg të çlirët me tepër se një varg të lirë.
7. Poezitë e Agollit dallohen për muzikalitetin e tyre, por nga ana tjetër poeti synon për një ligjërim poetik që i afrohet të folurit të zakonshëm.
8. Poezia e Agollit mbështetet gjerësisht në folklor; në shfrytëzimin e mjeteve të formës, në figuracionin poetik, në përdorimin e këngëve apo vargjeve origjinale të folklorit,
9. Agolli është poeti i qartësisë, harmonisë, i thjeshtësisë dhe brendisë emocionale. Ai ruan në të dy periudhat parapëlqimin për detajin, i cili në poezinë më të vonë të poetit merr një theks të fuqishëm dhe vlerë simbolike.