Kurrikula
Kursi: Letërsia Klasa 12 Shtëpia Botuese Filara
Identifikohu

Curriculum

Letërsia Klasa 12 Shtëpia Botuese Filara

0/32
Mësimi me video

Mësimi 9.3: Veçori të prozës së Agollit Analizë Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 12 Mësimi 9.3

DRITËRO AGOLLI

Veçori të prozës së Agollit
Si një prej prozatorëve tanë më të shquar, Agolli ka kontribuar me sukses duke e çuar përpara prirjen realiste të prozës shqiptare të viteve ’60-’70 (të shekullit të kaluar) e më tej. Krijmtaria e tij në prozë përbëhet nga tregime, novela dhe romane. Proza e Agollit është ajo e një shkrimtari me individualitet të spikatur. Ajo rrjedh natyrshëm, me një gjuhë komunikuese, pa sforcime e artificializma, e flladitur shpesh nga humori, duke sjellë probleme të mprehta shoqërore, morale, etike, probleme sa kombëtare aq gjithëbotërore. Si e tillë ajo është një nga prurjet më me peshë në prozën moderne shqipe. E shkruar në dy kohë, në dy sisteme, ajo gjithnjë ka bartur vlera estetike, të cilat i kanë siguruar asaj lexues të shumtë, brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Temën e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, Agolli e ka trajtuar në romanin e tij të parë “Komisari Memo”(1970) dhe te “Njeriu me top” (1980). Secili roman ka problematikën dhe këndvështrimin e vet. Në romanin e parë, dhe pse heroi i romanit është komunisti Memo Kovaçi, figurë që përgjithësisht i shmanget skematizmit të heroit pozitiv të realizmit socialist dhe bëhet i dashur për lexuesin për sakrificën në emër të atdheut, figura më interesante është ajo e komitit të vjetër e të pagdhendur Rrapo Tabani. Mënyra si e kupton Rrapoja luftën, si e do atdheun dhe popullin, si e kupton sakrificën dhe si flet, e bën atë një nga personazhet më të arrira të mbarë prozës shqiptare. Shpirti i lartë prej atdhetari e ndihmon atë të kuptojë se nga duhet të ecë, ndryshe nga Mato Gruda i romanit tjetër, të cilit i duhet të zgjidhë më parë disa probleme brenda vetes, pa të afrohet me luftën. Rrapo Tabani, trim, i thjeshtë, me zemër të madhe, por i vrazhdë e me huqe, mishëron kuptimin e njeriut të thjeshtë për të drejtën dhe lirinë. Ndërsa Matoja do të dijë të dallojë luftën kundër pushtuesit nga ajo fatkeqësi që sjell mjerim, siç është gjakmarrja, të cilën e ka provuar në shpirtin e tij. Në figurën e Matos gdhendet me vërtetësi psikologjia e fshatarit të lidhur me tokën gjer në vdekje, me një barrë hallesh, që nga varfëria, padituria, zakonet patriarkale, gjakmarrja e vetmia. Shpirti i tij i madh poetik, delikat sa dhe i fortë, brutal sa dhe i mirë, zbërthehet në monologë nga më të bukurit në letërsinë shqipe. Ai nuk e ka të lehtë të qëllojë, të bëhet vrasës, edhe pse është kohë lufte. Vendos të qëllojë mbi hasmin vetëm pasi mëson se plaku Mere është hedhur në krahun e kundërt të luftës.I zhgënjyer nga pasojat e veprimit të tij dhe trazirat e shkaktuara në fshat, si dhe i helmuar nga vrasja e shokut të tij, Muratit, Matoja vdes i lehtësuar duke qëlluar kundër gjermanëve.

Romanet Dështaku(1991) dhe Kalorësi lakuriq(1996) kanë në qendër tipin shoqëror ëndërrimtar të së ardhmes së bukur, por edhe kokëfortë, që nuk pranon të pajtohet me gënjeshtrën, edhe pse kështu bëjnë të gjithë. Xhelo Mara dhe Dane Gajtani, në romanet përkatëse, janë të gatshëm të thonë të vërtetën, edhe nëse e pësojnë, duke refuzuar të pranojnë çdo gjë që vjen si orientim nga lart. Kjo lidhet edhe me faktin se ata kanë një biografi të “pastër” dhe nuk besojnë se ajo për të cilën kanë luftuar, tani qenkësh tjetërsuar, aq sa të presin goditje nga shokët e vjetër të luftës. Nuk mund të pajtohen me ata që shkelin gjakun e të rënëve dhe mburren me heroizmat e pabëra.

Duke përdorur mjete stilistike si humori dhe ekzagjerimi, Agolli përcjell mënyrën se si ata i kundërvihen së keqes, mendjemadhësisë, banalitetit dhe falsitetit. Xhelo Mara i paraqitet lexuesit si një personazh kompleks, sa i fortë po aq edhe dilematik. Edhe pse i vetëm, ai lufton, por mundet. Nuk ka frikë ta pohojë të vërtetën edhe para njerëzve të fuqishëm të shtetit. E qëllojnë për vdekje dhe autori nuk e sqaron qartë nëse vdes apo jo. Edhe Dane Gajtanin e fusin në burg, tanimë si kundërshtar të pushtetit socialist. Me Cute Babulen e Bamkë Dynjanë ndodh edhe më keq: ky i fundit shpallet armik, i burgoset libri në gjallje dhe i digjet pas vdekjes.

Te lexuesi nxitet pyetja: si ndodhi që po ai njeri i dashuruar pas lirisë, tokës, së bukurës, së resë, ai patrioti me taban, (Rrapo Tabani) të cilin komisari Memo disa dekada më parë e ktheu në rrugën e luftës, u kthye në armik?

Arka e djallit (1997) – “romani i romanit”
Romani “Arka e djallit” (shkruar në harkun kohor të 15 viteve) vjen pas një përvoje të gjatë krijuese të Dritëro Agollit si romani i shtatë në radhë dhe i shkruar në kushtet e lirisë krijuese nga censura e parimet e ngurta të realizmit socialist. Është një roman në strukturën e të cilit gërshetohen disa plane rrëfimi dhe zëra të ndryshëm rrëfimtarë. Në themel të fabulës qëndron truku (sajesa) i dorëshkrimit të gjetur, mjaft i përdorur nga letërsia moderne e postmoderne. Dorëshkrimi i Bamkë Dynjasë, me titull “Shakaja e ndaluar ose Njeriu që e frenojnë kur qesh”, mbahet i fshehur në një arkëz druri, në baxhën e shtëpisë së kulturës të fshatit Qershizë, që është skena kryesore ku zhvillohen ngjarjet e romanit. Autori zgjon kureshtjen e lexuesit me ardhjen e papritur të Sherif Abecesë në fshat dhe sidomos me sjelljen e tij të çuditshme e misterioze. Në sajimin e dy personazheve kryesore të romanit, Bamkës dhe Cute Babules, Agolli mbështetet në dy figura mjaft të njohura të kulturës europiane: Ezopi dhe Nastradini. Bamkë Dynjaja, fshatar i zgjuar dhe inteligjent, që zotëron mirë gjuhën e alegorisë dhe mjeshtërinë e shkrimit, personifikon Ezopin, duke shkruar për ngjarjet e fshatit të tij e duke aluduar mbarë Shqipërinë. Ndërsa Cutja, me shakatë, anekdodat dhe batutat e tij, të kujton personazhin komik të folklorit turk e ballkanik, Nastradinin.

“Romani” brenda romanit i Bamkë Dynjasë për aventurat skandalozetë Cute Babules, vjen si një jetë e nëndheshme, duke mbushur me këngë dashurie e zëra të gjallë jete shtëpinë e mësuesit të thjeshtë të fshatit. Vetë Sherif Abeceja, që ka ardhur në fshat të zbulojë pjesën e dytë të librit, humbet vetë me gjithësej. Ai bëhet grotesk në maninë e tij për t’u dukur i rëndësishëm, madje dhe në sferën intime. Pjesa e dytë e librit të Cutes jo vetëm nuk gjendet, por, meqë shumëkujt do t’i dilnin të palarat në shesh, i venë zjarrin shtëpisë së mësuesit për të djegur një libër. Të gjithë i dinë ato që kërkon Sherif Abeceja, por askush nuk flet, nuk duan të zbulohet libri i të vërtetave, sepse të gjithë janë të përlyer. Shqiptarët, që nuk e kanë harruar ’97-ën, romani i Agollit i bën të mendojnë.

Vetë autori e quan “Arkën e djallit” një “roman të dyfishtë” apo “roman i romanit”:
“Arka e djallit është një dopioroman; një i zbuluar dhe një i pazbuluar, njëri për fatin e personazhit, tjetri për fatin e krijuesit, në këtë rast të shkrimtarit”. Agolli në prozën e tij ka krijuar karaktere dhe mjedise që bartin gjurmën e historisë, por që i largohen skemës së “njeriut të ri”, duke qenë njerëz të virtytshëm e të cënueshëm njëkohësisht. Ai krijon personazhin e dilemës, përkundër heroit të palëkundur. Nëse do të përdornim një emër të parapëlqyer nga vetë autori, Agolli ka krijuar në prozën e tij kryesisht “njerëz të krisur”, njerëz me prirje përparimtare për kohën kur jetuan, por njëkohësisht edhe me mosbindje ndaj skemës. Mato Gruda gjendet midis dy hasmërive: të familjes dhe të atdheut. Cute Babulja gjendet midis dy ngasjeve: zbatimit fanatik të vijës e detyrës dhe dëshirës për jetën dhe kënaqësive të kësaj bote. Demka gjithashtu ka dilemën e vet: ai nuk di se çfarë të zgjedhë, përkushtimin ndaj shefit apo joshjen e dikurshme të krijimit.

Personazhet e Agollit i dalin lexuesit në “hapësirën gri”, ku s’mund të presësh veç ndriçim virtyti por edhe dobësi njerëzore. Kështu komandanti Rrapo përze dy komisarë, sepse nuk i pëlqejnë njerëzit e fjalës, po atdhetarët e veprimit; vetë komisari Memo dashuron vajzën e një intelektuali asnjanës, kur morali i luftës ia ndalon. Tek “Arka e djallit” personazhet simpatikë si Cute Babulja e shkrimtari Sherif Abeceja janë gjithashtu “njerëz të krisur”. Tek romani “Dështaku”, një vepër pa personazhe pozitive dhe përfundim fitimtar, Xhelo Mara i paraqitet lexuesit më shumë si viktimë sesa si dështak.

Një prej veçorive të prozës së Agollit është mënyra e formimit të emrave të personazheve. Në këtë plan, autori ndjek parimin e karakterizimit të tyre përmes emrave: Sherif Abeceja (sherif në ShBA është funksionar i policisë, kurse ABC-ja është simbol i diturisë; Bamkë Dynjaja (Bamkë-shkurtim i emrit Bajram, kurse mbiemri Dynjaja shpreh interesimin për botën dhe qëndrimin realist ndaj saj); Mitro Karapataqi, personazh në të dy romanet, me mbiemrin e tij të gjatë me shumë rrokje shenjon zhurmën që prodhon kritiku i doktrinës së realizmit socialist, në vend të kuptimit dhe përmbajtjes etj.

Humori, ironia, satira dhe grotesku –si veçori e artit të Agollit.
Dritëro Agolli është mjeshtër i rrallë i humorit në letërsinë shqipe. Humori i konceptuar si “sintezë e mendjemprehtësisë dhe e dashurisë për njerëzit” përbën një nga vlerat e prozës dhe të gjithë veprës të tij. I ndodhur nën trysninë e rregullave të ngushta të realizmit socialist, shkrimtari i pasionuar kërkoi një shteg daljeje përmes humorit, që shndërrohet hera –herës në ironi, madje edhe në sarkazëm. Humori agollian është i butë kur tallet me dobësitë njerëzore, është i ashpër kur godet dukuritë negative.Ironia e tij synon të shkatërrojë të keqen reale për të krijuar një botë të re, ideale. Shumë prej personazheve të prozës së tij Agolli i realizon përmes humorit që jepet si sjellje e natyrshme, me shprehje të marra nga e foluara e përditshme. Ata dallohen nga personazhet e tjerë nga zmadhimi i një ceni, vesi a gjesti a një tipari të fytyrës të cilin nuk mundohen ta fshehin. Kështu hunda me lesh e Danes, tuhafllëku i“shkrimtarit të madh” Sherif Abeceja, shprehja “Atë e di unë!” e Mato Grudës kthehen në simbole apo emblema të tipit letrar. Me këto mjete përcillet mënyra e tyre për t’iu kundërvënë të keqes, falsitetit dhe banalitetit. Humori i Agollit ngrihet shumë herë në cilësinë e satirës dhe ngërthen në vetvete një thelb tragjik. Ky tragjizëm ka të bëjë me natyrën komplekse njerëzore, me lirinë e njeriut si individ, me fatin e krijuesit. Dukuritë, ndaj të cilave Agolli përqendron satirën zbulojnë falsitetin e deformimet e jetës nën peshën e direktivave nga lart e metodave burokratike, mospërputhjen midis frymës euforike dhe realitetit të mbingarkuar me probleme e vështirësi. Në këto kontradikta Agolli gjen burimin e dukurive komike groteske, që mbushin faqet e romanit “Arka e Djallit”. Tonin e përgjithshëm romanit i’a jep qeshja e hidhur (thartë), shprehje e përmbajtjes tragji-komike të romanit, që e bën lexuesin njëkohësisht të qeshë, të gajaset me dukuritë komike të jetës e të qajë për mundimet e vuajtjet e pamerituara të njerëzve.

Analizë “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”
Romani satirik “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” përfaqëson një ndër veprat më të mira të Dritëro Agollit dhe një nga më të suksesshmet e letërsisë shqiptare të kohës sonë. Romani është shkruar në formën e rrëfimit të një vartësi, që kërkon të çlirohet nga eprori i burokratizuar.(1) Agolli ka ndjekur një traditë të njohur strukturimi të veprave satirike botërore, që mbështeten në paraqitjen e një çifti heronjsh komikë, si p.sh.,Gargantua dhe Pantagryel të Fransua Rablesë, Don Kishoti dhe Sanço Panço të Servantesit apo Laki dhe Poco të Beketit. Edhe Zylo Kamberi me Demkën të tillë janë, e njëjta natyrë në dy vetje apo dy vetje në të njëjtin person. Ata ushqejnë njërit-jetrin dhe nuk mund të ndahen. Jeta e tyre prej zyrtarësh, rritja në detyrë, përditshmëria janë të lidhura e të ndërvarura në mënyrë të pazgjidhshme, aq sa nuk mund të kuptohen pa njëri-tjetrin. Madje vetë ekzistenca e tyre, si mishërues të dukurisë që bartin, është e kushtëzuar nga tjetri. Ndryshe nuk do të kishim as Zylo e as Demkë. Në dukje, ato e kundërshtojnë njëri-tjetrin, por në thelb secili plotëson tjetrin.

Zyloja është një nëpunës i lartë i burokratizuar, një tip zyrtari i mbytur në shkresurina, që i ka humbur lidhjet me jetën. Ai mishëron dramën e njeriut që degradon ngadalë derisa bëhet e kundërta e asaj që pandeh dhe pretendon se është. Tjetri, Demka, nuk është thjesht viktimë e burokratizmit të shefit të vet, por dhe mbështetje e domosdoshme për të dhe fenomenin në përgjithësi. Në roman ai luan rolin e kronikanit të “epopesë” komike të Zylos (gjë e re kjo në satirën e letërsisë shqipe). Përmes Demkës, Zyloja portretizohet më mirë, bëhet më i kuptueshëm si tip komik, zbulohet në mënyrë të shumanshme.

Zyra është mjedisi që i bashkon këto personazhe; ajo shfaqet si qendra e burokacisë botërore. Zyra dhe burokrati përbëjnë një dyshe të pandarë; burokrati nuk mund të kuptohet pa zyrën dhe malin e shkresave e të dokumenteve. Zyra është vendi që e përpunon dhe e tjetërson zyrtarin, që e kufizon dhe e mbyll, për ta shkëputur dalngadalë nga jeta e gjallë dhe nga njerëzit.

Personazhe në dyshe
Të analizosh romanin “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”do të thotë të sqarosh cili është Zylo Kamberi. Në një moment dëshpërimi e çiltërsie, ai vetë jep çelësin e zgjidhjes së kësaj çështjeje, kur i thotë Demkës:

“Unë vij nga legjenda. U përpoqa ta fshij e ta bëj pluhur këtë legjendë…bile e kam qëlluar dhe me çiften e mbushur plot me saçmat–terma: dialektikë, aksion, transformacion, aktivizim filozofikoshkencor. Por hiç! Prapë legjenda nga kam ardhur më ka ndjekur. Dhe unë mbetembir i legjendës. Ti m’i bën referatet mua. Unë mund t’i bëj dhe vetë. Po legjenda nga vij unë nuk më le. “Le t’i bëjë Demka”, më thotë legjenda. Dhe unë them: “Bëj raporte, o Demkë!”

Të vish nga legjenda do të thotë të vish nga një botë, nga një jetë, nga një rend social që nuk ekziston më, që është kthyer në legjendë, por dhe që vazhdon të veprojë me forcën e legjendës mbi vetëdijen e njerëzve. Ta mbash veten të lidhur me këtë legjendë e të joshesh prej saj do të thotë që, pa dashur dhe pa e kuptuar, ta përtërish atë, të përpiqesh të legjendarizosh vetveten, të sajosh një legjendë të re dhe të kërkosh që atë ta përhapin të gjithë. Kështu vetvetiu nis të të pëlqejë të rrethohesh nga një brerore e neveritshme lajkatarësh e servilësh, të ekzaltohesh prej shkëlqimit të rremë dhe të shkëputesh nga e vërteta. Madje t’u kundërvihesh atyre që e mbrojnë këtë të vërtetë me mendjemadhësi e pompozitet. Kjo është njëra anë e çështjes. Ana tjetër është se lajkatarët e servilët, nisur nga synime meskine, presin shpërblime për shërbimet e tyre. Ata zënë vend pranë teje dhe, kur ti pandeh se të lartësojnë, të zhytin në meskinitetin e tyre dhe të shtyjnë në qëndrime të dëmshme dhe në kotësi. Kështu i ndodh “shokut Zylo”, kjo është drama e tij. Ai ndodhet në një gjendje që nuk e kupton dot rrëshqitjen dramatike të tij. I verbuar prej “meritave”, prej fjalëve të bukura të lajkatarëve dhe nga vetëmburrja që i ka hyrë në gjak, Zyloja e ka humbur sensin e realitetit.

Zylo Kamberi është në të vërtetë një figurë tragjikomike. Veprimet e tij të bëjnë të qeshësh, po aq sa edhe të ndiesh keqardhje.

Tërthorazi marrim vesh se ai ka qenë dikush, ka punuar, luftuar, studiuar, ka pasur një jetë aktive, u është imponuar të tjerëve me zotësi, me punë të ndershme. Por me kohë e dalngadalë, sistemi brenda të cilit ndodhet dhe i shërben e ndryshon aq sa ai humb cilësitë e mira e shndërrohet në dikë tjetër. Por Zyloja nuk e kupton këtë, ai mendon dhe pretendon se është ai që ka qenë, mbasi, prej asaj ç’ka qenë, ruan dukjen e jashtme. Këtu qëndron thelbi komik i tij, në kontradiktën në mes dukjes dhe natyrës së supozuar dhe të tjetërsuar, në mes vlerës reale dhe asaj të pretenduar. Zyloja i dikurshëm nuk ekziston më. Ekziston vetëm hija e stërmadhuar e tij. Në vend që të punojë, aipërpiqet vetëm t’u krijojë të tjerëve përshtypjen se ështëi mbytur në punë; në vend që të studiojë, u shfaqet vartësve me vëllime të trasha në duar; në vend që të vrasë mendjen, kënaqet me leximet e referateve që i përgatit Demka. Pra është bërë tipi i zyrtarit që i jep rëndësi vetes dhe çdo gjë e bën për t’u dukur. Mbi këtë bazë nis të legjendarizojë heroizmat e rreme të t’et, të mburrë gjenialitetin e paqenë të të birit dhe të matë veten me hijen e mëngjesit. Formohen kështu konceptet e mbrapshta të njeriut që kujton se ka lindur për të komanduar dhe për të qëndruar mbi të tjerët, se është ndryshe nga ata dhe se prej tij varen shumë gjëra.

Përhapës të legjendës për madhështinë e Zylos janë e shoqja, Adila, i biri, Diogjeni, tipa servilë si Taqi, njerëz pa karakter si Zaim Avazi dhe Mitro Karapataqi apo mendjelehta si Kleopatra. Mbi Zylon është shoku Q, i cili, për t’i dhënë dorën heroit, e cakton të mbajë referatin që ka përgatitur Demka vetëm se ka zë më të mirë se Shemshedini. Ky mjedis i ngushtë ku vërtitet Zyloja, është njëfarë “panairi i vogël kotësish”, ndaj të cilit autori tregohet i pamëshirshëm. I krahasuar me personazhet e mësipërm, Zyloja ruan disa cilësi e virtyte të cilat shfaqen aty-këtu, herë si vlerat e një babaxhani, herë në sjellje paradoksale, shkaktuar nga shkëputja prej realitetit. Ne qeshim me Zylon, por në këtë të qeshur ka edhe tallje, edhe zemërim, edhe keqardhje.

Zyloja është nga ata tipa të cilët jashtë privilegjeve ose posteve humbasin çdo vlerë dhe kthehen në hije. Ai zbulohet në roman si karakter i plotë. Nga mania për t’u dukur, gënjen vazhdimisht, por gënjen si fëmijë i mitur. Të gënjyerit i është bërë ves, natyrë e dytë e tij. Si në pretendime edhe në mendjemadhësi, Zyloja është naiv. Megjithatë në thelb ai ruan diçka nga njeriu i ndershëm (p.sh., ai s’bie në kurthin dashuror të Kleopatrës). Ai është kryelartë midis të përulurve dhe i përulur midis kryelartëve. Kjo shfaqet hapur në marrëdhëniet me vartësit dhe ato me eprorët, si shokun Q.

Ai e quan të tepërt çdo kërkesë të re për të ecur përpara, ndaj shfaqet dogmatik në metodën dhe stilin e tij të punës. Të dhënat për një gjendje ose situatë të caktuar do t’i përgjithësojë, t’i paraqesë si ligje, por në fakt i dogmatizon njohuritë si për punën dhe për shoqërinë. Më parë ka qenë drejtues revolucionar (3), ndaj mburret me të kaluarën, por tani ka mbetur në vend, e ka zënë sëmundja e burokracisë. Zyloja mendon se është mendimtar dhe Agolli e parodizon kur ai shkruan ca bejte e ua lexon të tjerëve si ese filozofike. Ja ‘’zbulimet” e tij: “Mendimi fluturon si zogu’’, ”Tingulli është babai i këngës”. Zyloja porosit Demkën që ta shkruajë fjalën filozofi me dy l, ashtu siç e thonin ata të shpurës udhëheqëse të kohës: “fillozofia marksiste-leniniste”, “kllasa punëtore”…

I mungon shpirti krijues i njeriut të vërtetë. Nuk njeh realisht as të shkuarën dhe as të tashmen. Megjithatë, në disa momente, bëhet realist dhe objektiv, p.sh.habitet nga ata që kthejnë fletën, sepse për vete nuk shkel mbi ato që i quan parime. Nuk dredhon, nuk gënjen me vetëdije. Por përsëri bëhet absurd. Zyloja është një zyrtar plot dritë-hije, me shkëlqim dhe rënie, gjë që thuhet që në titullin e romanit. Ai nuk është i vetëdijshëm për sëmundjen e zyrtarit. Kur mbyllim romanin, ne mendojmë se, nëse Zyloja bëhej i ndërgjegjshëm për dobësitë e sistemit, ndoshta do t’i vinin mendtë dhe do të gjente forca për t’u vetëkorrigjuar. Zyloja është një figurë fatkeqe, ku bëhen bashkë mirësia e qëllimit me naivitetin, me humbjen e ndjenjës së realitetit. Në këtë kuptim, Zyloja i shfaqet lexuesit me pamje sa të rrezikshme, aq edhe për t’i qarë hallin. Autori i librit e përtall, e satirizon, e vë në pozitë të vështirë personazhin e vet, por edhe i dhimbset, e justifikon, madje, në një farë mënyre, ka raste kur duket qartë se e merr në mbrojtje, duke mos e zhveshur nga çdo vlerë e mirë njerëzore, përballë së keqes që vetë termi zyrtar mbart në vetvete.

Figura e Zylos na nxit të bëjmë pyetjen e”vështirë”: A ka edhe sot Zylo?. Një gjë është e vërtetë: sa kohë të shkojë, Zyloja do të vazhdojë t’u thotë lexuesve se megaloman të bën pushteti autokratik, ku zyrtarët pushtetarë mendojnë se janë mendimtarë pa të cilët s’bën dot vendi. Personazhi i Demkës është po aq i rëndësishëm në roman sa dhe Zyloja. Dukuria që ai përfaqëson është e lidhur ngushtë me dukurinë që përfaqëson Zyloja, aq sa nuk mund të shpjegohet e kuptohet ky i fundit pa Demkën, si Demka pa Zylon. Nëse me Zylon autori duket sikur do t’u thotë lexuesve “mos u katandisni si ai!”, me Demkën i këshillon t’u shpëtojnë kurtheve të burokratizmit, të ruajnë dinjitetin njerëzor e të mos bëhen vegla në duart e të tjerëve.

Në thelb Demka ndryshon nga Zyloja. Ai është personazh dramatik. Jeton dramën e njeriut që ka energji, ka zotësi e dëshirë për të punuar, por nuk mundet, ca për shkak të rrethanave në të cilat ndodhet, ca për shkak të karakterit të dobët. Ai vuan dhe rrezikon të shndërrohet në mekanizëm raporteshkrues. Gjatë gjithë romanit ai nuk arrin të çlirohet as nga kthetrat e Zylos e të shokut Q,, as nga droja e mungesa e guximit për të kundërshtuar. Demka nuk dëshiron ta mbajë veten të lidhur pas Zylos, pajtohet me vlerësimet që bëjnë për Zylon Arianiti ose Bakiri. Më tepër se të tjerët, ai ka arsye ta urrejë Zylon që ia shtrydh energjitë, por nuk arrin dot deri këtu. Se Demka është bërë i gjithi laps e letër, është bërë individi i zhveshur nga vetvetja, që thjesht ushqen makinën e burokracisë me raporte.

Tipi i Demkës, i njohur në jetën e përditshme, u krijua në letërsinë shqipe nga Agolli, pikërisht përmes këtij romani. Për autorin, Zyloja dhe Demka përbëjnë një simbiozë.(4) Demka sakrifikon talentin dhe i kushtohet Zylos. Romani fillon kur Demkës i zgjohet ndërgjegjja.Një zgjim i vonshëm ky. Ne ndiejmë keqardhje për këtë vonesë, pasi psikologjikisht ai ka arritur në atë shkallë, që, po nuk i ngarkuan të tjerët punë angari, nuk gjen paqe. Demka është një tip real dhe figurë përgjithësuese. Mësimi i madh që jep dhe sot e gjithë ditën Demka është: Sa mjeran të bën të qenët i përdorshëm nga shefat.

Ashtu si Demkën, dhe figurat e kritikëve Zaim Avazi dhe Mitro Karapataqi autori i merr nga jeta reale. Edhe këta të dy formojnë një çift; i duhen njëri-tjetrit, sepse rivalizojnë kush të gjejë i pari mendimin e titullarit, ndryshe nuk fitojnë atë që synojnë. Edhe në fund të romanit, kur Zyloja humbet shkëlqimin, ata luftojnë kush e kush të largohet më parë e të lidhet me Aranitin, i cili edhe ky mbetet një figurë e veçantë. Araniti e kundërshton Zylon, por nuk është i aftë ose nuk ka atë mendësi sa ta ndryshojë gjendjen, as edhe Zylon. Ai është nihilist, brutal dhe arrogant. Me inatin e tij lexuesi, sado që mund të mos qeshë, përsëri e vë buzën në gaz.

Veçoritë artistike të romanit dhe të stilit në prozën e Agollit
Romani ka një ndërtim strukturor të tillë që lejon shfaqjen lirshëm të figurës së Zylos. Shkrimtari nuk kalon në banalitete dhe humor spekulativ (5), pavarësisht nga mundësitë që ofron subjekti dhe tipi i Zylos. Vepra ka brenda saj humor, ironi, satirë, sarkazëm dhe grotesk, të cilat janë elemente të stilit të Agollit që i gjejmë të përdorura si në poezi, prozë dhe në publicistikë. Efektet komike krijohen shpesh nga përzierja e stileve të ndryshme letrare. Stili i tij artistik diktohet nga lloji (satirik) dhe nga natyra e problematikës (politike e shoqërore). Ai është një përzierje e gjuhës së rrëfimit epik, të kritikës gazetareske, stilit administrativ e politik, që japin përmes gjuhës karakterin, konfliktin dhe efektin komik.

Kështu Zyloja flet me një stil të lartë patetik për gjërat e rëndomta e qesharake. Gati në shumicën e eseve e gjejmë këtë mjet: “Hamamet janë thesaret më të mëdha”. Si mjet tipizimi përdoren edhe ligjëratat e paqarta e alogjike.(6) E tillë është ligjërata e Zaim Avazit. Të gjitha këto shfaqen thjesht, natyrshëm me aq shumë vërtetësi dhe me një gjuhë të tillë që për lexuesin është mjaft e afërt dhe e kapshme. Romani është i pasur me imtësi e detaje domethënëse. Mjafton të kujtojmë këtu përshkrimin e zyrës së Zylos, me ftesa dhe libra të palexuar, përshkrimin e shtëpisë me shpata të vjetra, pozat e Zylos, frazat që shprehin megalomaninë (7), esetë qesharake etj. Romani është arritje e shquar e prozës shqiptare. Vetë Agolli e citon atë si veprën më të mirë që ai ka shkruar. Ai është përkthyer në 6 gjuhë të huaja (frëngjisht, gjermanisht, italisht, greqisht, rusisht etj.) dhe ka pasur jehonë të ndjeshme edhe në vende të tjera.