Kurrikula
Kursi: Letërsia Klasa 12 Shtëpia Botuese Filara
Identifikohu

Curriculum

Letërsia Klasa 12 Shtëpia Botuese Filara

0/32
Mësimi me video

Mësimi 7.3: Koment Studenti në shtëpi

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 12 Mësimi 7.3

MIGJENI

KOMENT Studenti në shtëpi

Në një ndër qytetet e Europës së Mesme, Nushi po lexon letrën që posa ia kish prumë letërshpërdasi. Edhe në dorë të shpërdasit e njofti letrën se ishte nga shtëpia. Po, zarf i bardhë, në formë katrore, shtëpia e ulët, me një oborr të vogël me lule shumë. Mandej i ati iu paraftyronte Nushit, mbasi ai e ka shkruem letrën tue hymë n’at shtëpi, në muzg të mbramjes, dhe tue prue natën me vete. Se mbas tij dera u mbyllte, dhe atëherë të hymet e të dalmet ishin jashtëzakonisht të rralla, dhe vetëm kur lajmonte kush ndoj lindje, ndoj vdekje ose vinte ndoj mik i papritun, çka ngjante shum rrallë, u prishte kjo ligjë patriarkale. Ligjë, edhe çfarë ligje! Kush e shkelte at ligjë, gjith at natë do ta çonte në një ndjenjë si me pasë shkelë diçka të ftohtë, të rrëshqitshme si gjarpni. E syt e t’et që të përshkojnë me ftoftsi përftojshin tamam një aso ndjenje te Nushi. Si me pasë shkelë gjarpnin. Edhe kjo ishte një arsye për Nushin dhe nuk iu mbushte mendja me u kthye n’atdhe, në shtëpi aq shpejt. Ka ma se tri vjet që ka ardhë n’universitet për studime, e tash një vjet e sa asht tue vendosë jo po shkoj në shtëpi për këto Këshndella, jo për këto Pashkë, por vendimi rrite pa u ba veprim. Çka do të baj atje? – thoshte së fundi Nushi. Por letra që mori tashti, i jepte afatin e fundit. “Motra jote do të të martohet, edhe një muej, prandej ti, si vllau i saj, duhesh me ardhë medoemos.” Ishte urdhri i t’et. Nushit në fillim i erdh disi mirë, u gëzue, por kur u mendue pak, u ftof, ishte në natyrë të tij që gjithçka m’e marrë me mend e jo me zemër.

* * *
“A mundet me qenë ky oborri që e lash para tri vjetësh”, – mendonte Nushi. “Kaq i vogël, më bahet se nuk ishte,” – dhe shikonte rreth e përqark, me pa mos asht ndërtue gja që me ia zanë vendin oborrit. Por jo asgja të re. Po ato pemë: hardhia, fiku, kumbulla, po ato lule. Që atje drandofillja e pak ma tej lulemustaku. E kur hyni brenda në shtëpi, dhomat iu banë shumë të vogla. Mobiljet ndër to si mos me i pasë prekë dora e njeriut.
Gjithçka në vendin e përparshëm, si me qenë të destinueme dhe me u kalbë po n’ato vende. Por gjithçka, disi e zvoglueme. Mezi Nushi gjet shkakun e këtij mashtrimi optik. Shkaku ishte te shtëpiat e mdhaja dhe sheshet e hapta të qytetit ku kishte qenë. Po, gjithçka për Nushin ishte zvogluem, vetëm vllaznit e motrat ishin rritë, ishin ma të mdhaj sesa i parafytyronte ai vetë kur i kujtonte përjashta. Tek e ama i ra në sy se i kishte ramë një dhamb, e i ati kishte fituem do rrudha në ballë dhe thija në mustakë.
– A t’u mbush mendja me ardhë, – i tha i ati kur e pa. Nushi u mallëngjye pak me të pamun t’anë dhe donte këtë dhe ta dëftojë, por i ati vetëm i shtrini dorën, të cilën Nushi e shtrëngoi pa ditë me u përgjegjë në pyetje.
Kur u rrok me motra, këto si me u mendue a ta puthin apo jo. Vetëm puthja e s’amës ishte e kjartë dhe oshtini nëpër shtëpi.
– Mamë, – tue kuvendue një mbramje me Nushin thirri Agia, motra e fejueme, dhe shpejtoi tek e ama në dhomë të zjarrmit. Mamë! Nushi thotë se edhe vajzat sa unë, edhe të martueme bile, shkojnë në shkollë. Haha- ha! u përplas qeshja e vajzës në ftyrë të s’amës. – Mos u qesh ashtu moj bijë, se po të ndijnë kojshijtë… asht marre. Vajza nuk përgjegji, por, e zanun me tregimet e vllaut, mendonte ato vende të çuditshme, ku vajzat nuk lidhen për shtëpi, ku dalin me djelm me shëtitë pa farë turpi, ku kërcejnë…ah! kërcejnë aq bukur.
– Nush! – bërtet vajza nga dhoma e zjarrmit, – a po më mëson me kërcye? Një shoqe e eme ma plasi zemrën, tue m’u lavdue se din me kërcye… (Ah, kur të më mësojë mue Nushi, tash ia kallëzoj qejfin – mendonte me vete tue fshi një çini). Vllau muer motrën dhe filloi t’i kallzojë do rregulla, por ashtu në grykë të shoqi-shoqit dhe tue kërcye, i gjeti i ati.
– S’ke marre! Nesër do të martohesh!… Edhe ti, – tue iu sjell Nushit, – s’je i vogël. Shyqyr që paske ardhë sonte herët! – i tha i ati vranët.
Motra iku në dhomë të zjarrmit e Nushi tha se u mërzit.
– Po, në shtëpin tande me u mërzitë? Jo, kjo mue s’më ka ndodhë kurr. Prandaj mezi dhe që erdhe një herë.
Nushi nuk dinte ç’ka me thanë. Nuk dinte me folë me t’anë. Kur ishte fëmi, e kuptonte shumë ma mirë. Por kaloi ajo kohë, kur në imagjinatën e tij baba ishte diçka më tepër se babë, ishte një ideal, ideal i andrrimeve fëminore. E sot, e din Nushi, se baba i tij asht një prej qindra – në mos mija – etnish të qytetit tonë, njeni prej atyne etënve që nga fmia i vet duhen me bamë një njeri anakronik, pikturën e vet, trashigimtarin e dej të një të kalueme të gjymtë….
E Nushi ndigjon. Don me qenë djal i mirë. Si mos me ndigjue babën i cili e lindi, e rriti, e bani kaq! Pale mos ndëgjo. Megjithëse kundra ndërgjegjes së vet, Nushi ndigjon. Nga fjalët e t’et i shtrembnohet fytyra, por me ndëgjue- ndigjon. Ndëgjojnë edhe vllaznit e motrat, të cilat kanë ndejun përreth dhe të gjithë janë bamë vesh. Pale mos ndëgjo. Ndëgjon edhe nana në dhomë të zjarrmit fjalët e burrit të vet dhe me një frigë çuditet për ditunin e madhe të bashkëshortit. Tanë një familje, e mbyllun brenda mureve të shtëpis dhe mbrenda një ambienti patriarkal, përgatitet për jetën qytetare të nesërme. “Mos të më korisin, – mendon kryetari i familjes, tue i shikue me rend të gjith pjestarët. Mos të më korisin, prandaj shtrëngo frenat, shtrëngo sa të mundesh, e nse nuk mund të marrin frymë – të pëlcasin. Sa vështirë asht me rritë fëmi në kohë të soçme! Sa vështirë është me ruejtë varzat! Eh kohët e kalueme! – Por a e dini ju, more fëmi, se unë njaq sa ju ishe, kur fillova me fitue bukën… Edhe qe, ka dashtë zoti, edhe ju me pastë mjaft, sa me ju plasë planci…”.
Nushi ndëgjon. Të gjithë ndëgjojnë. Pale e mos ndëgjo! Nushi ndëgjon dhe mendon. Ndoshta jeta e ka bamë kët njeri kaq të rreptë.
Një buzëmbramje Nushin na e kish zanë nostalgjia për viset e largëta, për qytetin e studimeve të tij. Ai e don kët votër, më mirë me thanë këto gjind rreth votrës: prindit, motrat e vllaznit, por diçka si ma e fortë e lidh për ato vise. Ato vise ku jeta impulsive të lejon ta shijosh dhe si i ri dhe si plak, si filozof ose si njeri i thjeshtë. Nushi vëren kontrastin e tmerrshëm në mes të vendit të vet dhe t’atyne viseve. Dhe si i ri që asht, ndjenjat e tij mnjanojnë për mrekullinat e largëta, e në mendime gjyrmon shkaqet pse vendi i tij asht aq mbrapa. Dhe njato shkaqe, me gjithë zjarrin e rinisë, i urren. Urren të kaluemen që asht aq e afërme, si baba i tij. Baba asht i afërm, si babë, por i largët si përfaqësues i shoqnisë, si person. E gjith mosmarrëveshja, të gjitha moskuptimet vijnë ngase të gjith kemi nëpër shtëpia, nëpër votra, ka një ose ma tepër të këtillë të dashtun dhe t’urrejtun përnjëherësh. Çashtja me ta qëndron si çashtja e një operacioni: ose ta presish kambën dhe të rrosh, ose mos ta presish kambën dhe të vdesësh. Kush ka pasë fat me iu smundë ashtu kamba, njat të dalun ka. Nushi e din që dhe baba i tij s’ka faj se asht i tillë; rrethanat dhe shoqnia e krijuen. Prandaj dhe ka mbetun dashuria birnore në Nushin, pse din të arsyetojë. Por vllaznit e tij, motrat, a thue do ta dojnë babën? Kujtohet se kur ishte fëmi, kundrejt babës ma parë ndiente frigë se dashuni. E tash motrat dridhen para babës, e vllaznit nuk e kanë aspak në qejf shoqnin e babës; kur vjen baba ata zhduken….
Ne nesre Nushi u kthye jo mbas zakonit për të marrë një libër. “Në shtëpi nuk qenka kush” – mendoi. Kur në dhomë e gjet Agen, e cila u mundonte ta mshehi ftyrën, Nushi iu avit.
– Ç’ke, Age? Pse i ke syt e kuqun?
– Prej tymit.
Nushi dyshoi dhe shkoi në dhomë të zjarrmit, por, aty as nuk kishte zjarrm.
– Pse ke qa, Age?
– Nuk kam qa – thotë motra tue u mundue me buzëqeshë.
– Po, po, ke qa.
– Jo besa! – dhe u largue kinse me punë.
Nushi u mundue ashtu prej së largu, tue qeshë, të diktojë ndoj gja, por s’i shkoi për dore. Tue dalë prej shtëpie, u kujtue pse qan Agia; i ra në mend dhe shikimi i saj i mbramshëm. Desht të kthehet, por e dinte se Agia nga turpi nuk do t’i tregojë gja, as nuk do t’i pohojë. Turpi, e sidomos turpi i vajzave të fejueme, asht një hallkë ma tepër në zinxhirin që shtrëngon jetën. E si mos me pasë turp vajza e fejueme, kurse e di se te burri shkon vetëm të dajë dyshekun me të. Gja tjetër ku të dijë ajo kur nuk e njef, një fjalë s’e ka folë me mashkullin që do të marri. Turp. E si mos t’i vijë turp. Thonë se varzat pa nder janë pa turp. Prandaj duhet turpi, turpi që s’të len me ngritë zanin në mbrojtjen e vetvetes prej atyne që të dëshrojnë shumë lumtuni. “Nuk e due!” jo, deri tash nuk asht ndëgjue në farefisin tonë ajo fjalë nga një vajzë e fejueme. Se secili burrë, çfarëdo qoftë, s’paku mashkull asht. E me ba mos me qenë mashkull?
Nushi vendosi t’ia tregojë babës mospëlqimin e vet për martesën e Ages. Torturonte veten: jo tash po i tham, jo mbasandaj, jo tash nuk asht koha. Derisa një mbrëmje i ati u tregue mjaft i butë dhe i dhanun për bisedë. Nushi ia tha disi mospëlqimin e vet për martesën e Ages.
– Por për ke mendon ti me e dhanë? More, ku e kanë at fat dhe motrat tueja tjera. Ai i shtëpis së mirë po, i pasun po, djal punëtor sa s’ka, s’e ka shoqin në Pazar.
– Po, more babë, por sot varzat këqyrin djalin ma parë se të gjitha.
– Po kush e pyet atë? Çka din ajo?
– Ajo nuk asht e kënaqun.
– Eh, së pari njashtu i bahet, por mbasandaj ka për t’i hymë në qejf.
“Qe e tanë puna që munda unë të baj për Agen” – mendonte Nushi – e në zemër ndiente si helmim ngase nuk mund t’i ndihmonte motrës. Bjerri besimin në vete. “Qe një rasë ku duhet me tregue fuqin e ndërgjegjes, të mendimit dhe të dashnis për me shpëtue diçka nga zakonet fatale. Por, kush të len! Ajri me mijra zura, ku të len të jetosh një jetë të shndoshtë. Më kot u betove në vetvete për kontributin e vet në shoqni, për gjestet ideale! Qe një provë ku psove dështimin”. Nga të tilla mendime u grinte në dyshek Nushi gjith at natë deri n’agim, kur e zu gjumi….
Mbas tri vjetve tjera Nushi u kthye në shtëpi si mjek i kryem. Optimizmi, i cili e pushtoi me të marrmen e laurës si medicine i kryem, gjithnjë vazhdonte edhe kur erdhi në shtëpi. Bota rreth tij, miqët, kushërinët, të njoftonit iu silleshin rrotull si hyjt rreth diellit; ai ishte një epicentër. Së paku, kështu iu dukte atij vetë. Por, njashtu ishte në të vërtet. Nushi e shifte edhe vetë, se njajo gja ishte ma se e vërtetë. E pse? – pyetej Nushi në vetvete. Po tash njëherë s’kish nge t’i api përgjegje asaj pyetje. Jo urimet, jo vizitat, jo darkat e drekat, jo shoqnia e re, natyrisht e zgjedhun, nuk e lejshin t’i përgjigjet pyetjes: pse asht ai epicentër.
Edhe në shtëpi Nushi, si mjek i kryem, u ndiente disi ndryshe. Edhe vllaznit e motrat, në praninë e tij, qëndrojshin ndryshe. Fjala mjek lëshon një erë barnash, të cilët ta shtijnë frigën e smundjes, prandej motrat e vllaznit e shikofshin dhe e dojshin Nushin ma shum me një dashni admiruese se vllaznore. E i ati kish ndrrue tonin e bisedës; e kish ulë për nja dy nota. Përpara fliste në sol e tash në re. I ra në sy Nushit se sjellja e babës përpara tij përgjithësisht kish ndryshue. Kur vinte mbrëmje vonë në shtëpi, baba nuk i thoshte gja; përkundra, ia niste bisedës tue e pyetë me ke asht pa ditën dhe me ke qe deri tashti. E të gjitha pyetjet nuk kishin as idhnim, as ndoj tallje ironike, por i thoshte me një za si të dizinteresuem. Fillonte mandej biseda për punë, të cilën Nushi dita me ditë pritte ta fillojë.
– Asht edhe koha me pasë edhe unë ndihmën tande, se ka fillue me më lanë puna. Deri tash shkova disi, por mbas tashit keq, besa. Por shyqyr që kreve ti at shkollë. Motrat po të rriten, duhet me mendue edhe për to. Nushi e thith cigaren, shikon si shkon tymi i saj dhe nëpër tym shikon t’anë, i cili flet ambël, sidomos kur flet për punën e tij që do ta fillojë si mjek. E kur i sillet ndokujt pjestarit tjetër të familjes, natyrisht toni i bisedës ndrron, fillon të bahet pak i vrazhdë….
Për tri vjet jete në martesë, pau Nushi se Agia kish ndryshue mjaft. Fëmi deri tash nuk kishte pasë, por tash ishte nga mesi i trupit si e majun dhe iu dukte si t’ishte shtatzanë. I kuqi në ftyrë t’Ages nuk u dukte i qëndrueshëm, e syt që dikur aq drejt në sy të shikofshin, tash nguleshin diku n’anë, pranë teje, dhe vetëm si përshqit kanjëherë të shikofshin për të ba me ditë se flet me ty ose asht tue ndëgjue bisedën e jote. Nushin e çuditi ajo gja, tue ditë se motrat e martueme zakonisht janë ma të çeluna dhe ma të sinqerta kundrejt vllaznve. Dhe kur doli nga shtëpia e saj, nuk doli disi i kënaqun dhe i dukej se nuk asht pamë me motrën Age. “Ndoshta topitet” – tha Nushi në vetvete. Në mbrëmje t’asaj dite, Nushi tha në shtëpi se kish qenë te Agia dhe se kish ndryshue mjaft. Mbas këtyne fjalve të Nushit, i ati shikoi të shoqen dhe tha:
– Ai gomar, burr i saj, a pret të shkoj t’i them unë që ta heqi at’shërbtuer?!…
– Po nuk mundet me shikue punën pa të. Ti e din edhe vetë se sa i shkathët asht Luli, – iu përgjigj e shoqja me za të letë e me bisht synit shikoi të birin, Nushin.
– Nobarem, mos ta dërgojë ditën në shtëpi prej pazarit, ku asht Agia vetëm.
– Kur atij, burrit të saj, s’i vjen keq, çka po ke ti?
– Ti, si shifet, s’i ke mend në kry! A s’po ndëgjon se çka flet bota, a? – tha baba tue çue zanin dhe shikoi Nushin.
Nushi nuk bani za fare, por i ndëgjoi këto fjalë gati pa marrë frymë. Gjaku pak iu turbullue e i rrodhi në ftyrë. Por shpejt u fashit dhe nisi të bluejë me mend ato fjalë që i këmbyen prindit në mes tyne. E në shtëpi t’Ages sundon harmonia e plotë. Kushdo që thotë se aty ka shamat, grindje ose diçka tjetër – dajak si thonë – rren, kushdo që ta thotë rren. Aty mbretnin harmonia e plotë. Qe për shembull: burri vjen nga pazari, prej pune, në mbrëmje, e Agia ban çmos që ai ta gjejë shtypin sa ma komode, për t’u shplodhë nga puna e ditës; mandej e pyesin shoqi-shoqin si e kaluen ditën a u mërzitën, çka ka të re. Agia të gjitha këto komplimente familjare i bante disi ftoftë, por sinqerisht. E burri, në përkëdheljet e ndjenjave, shkonte edhe ma larg; iu avitte Ages, kapte për faqe me dy gishta, me erë të dhjamit dhe ashtu si kapen fëmitë e vegjël, ia ledhatonte flokët, ose qafën, e shikonte me sy admirues rreth mesit dhe, i kënaqun me lumnin familjare, ndezte cigaren, çonte gotën e rakis dhe ia niste bisedës së përditshme…
Mbasi Nushi trokiti dy-tri herë në derë t’oborrit dhe pa se s’po i del kush, ai u nis vetë brenda në shtëpi, tue u çuditë pse s’po del Agia. Kur ndër shkallë ndeshi Lulin, i cili, disi i hutuam për së tepri, fliste diçka si me kërkue të fala për vonesë që s’i dulen përpara. Nushi u çudit së pari, tue mendue se ka ngjajtë gja, por njat çast i lindi befas një dyshim. Disi si i ngurruem, por instinktivisht shkoi nalt me hapa të shpejta. Agen e gjet me shpinë të sjellun derës, me një dorë ndë flokë e me tjetrën tue përzie makinalisht diçka në një enë. Kur u sjell, pa Nushin dhe u buzëqesh, nsa në ftyrë ishte e zbemë.
– Çka ke, Age? – e pyeti Nushi tue ia marrë dorën.
– Asgja, Nush. Pse? – pyeti si e hutueme.
– Je diçka si e zbetë.
– Ah, po, më dhemb kryet. Jo, parë më dhimbte, tash nuk më dhemb, – u ngatrronte Agia në gjuhë e në ftyrë ndrronte ngjyrë nën shikimin depërtues të vllahut. Shuplaka e frigës nisi t’ia shtrëngojë zemrën, gjuajt iu këputën dhe qe tue ranë, mos t’ishte dora e Nushit për ta mbajtun.
– Ti Age, tash nuk duhesh me punue shum – tha Nushi tue sjell kryet nga dritorja dhe tue u mundue me e zbutë zanin. Motra u mundonte tinëzisht me i pa ftyrën vllahut, me lexue në ftyrë të tij, por ai, sjellë nga dritorja, shikonte në rrugë e ajo ia shifte vetëm veshin dhe pjesën e nofullës, të cilin Nushi e kish shtrëngue fort.
– Ashtu, Age, – tue u sjellë befas, – mos puno shum; sa ma pak punë, se asht ma mirë për ty, nuk të vjen kjo ligshti trupi që pate parë dhe mandej për barrën nuk asht mirë me punue shum.
Agia e shikoi të vllan drejt në sy dhe kuptoi se ai nuk mendonte asgja tjetër veç asaj q’i tha, nsa Nushi u gëzue kur pa se i kish shkue për dore me e gënjye motrën, se ai nuk dyshon asgja në marrdhaniet e saj me Lulin.
Mbasandaj Nushi filloi të flasi mbi gjanat e përditshme, tue pyetë motrën për këtë dhe atë me gaz dhe tue u tregue në qejf, dhe e motra e pyette për babën, nanën, vllaznit e motrat, gjithnjë tue u qeshë.
Nushi dola nga e motra me një buzëqeshje. Edhe, për çudi, ishte në qejf. Edhe ai vetë u çuditte për kët gëzim dhe qetsi që ndiente. Tashti pra, para një ore, duhej të ngjante diçka. Po, – mendonte Nushi në vetvete. Po, si atje, ndër malet tona primitive. Duhej të gërsiste pushka. T’u bindte i madh e i vogël! T’u lante nderi. Të vdiste dikush e shoqnia të kënaqej. Jo se asht shpirtkeqe, por pse në qytetin tonë asht mërzi e madhe, e me la nderin me pushkë asht një sensacion i madh, i cili nuk të len të mbyllish syt për do net. Por vret mërzinë. Mandej nderi, or vlla, nderi, nderi nuk asht ujë, mundet me qenë shampanjë, por ujë jo. Gjithnjë buzëqeshte Nushi dhe herë-herë i kujtohej me frigë se para një ore mundte me të vërtetë të bajt një gjest donkishotesk. Por shpejt qetsohej dhe buzqeshte tue paraftyrue veten me fes mbi njenin sy, me mustakë të mdhaj, të dy të vramë mbas shijimit të mollës së ndalueme. M’at akt burrëror qëndron fisnikëria e racës sonë – thonë moralistat tanë. – M’at akt shtazor qëndron primitiviteti dhe injoranca e vendit tonë – përgjegjet Nushi vet me veti. Unë jam pa moral, koncepti i em menduer – mos me thanë ideologjik – nuk pajtohet me moralin, të cilin mue kjo shoqni ma imponon. Por unë e marr moralin e saj për sy e faqe, nsa mbrapa ia loz lojën kur të due. Kështu si unë ia lozin lojën shoqnis me qinda veta në vendin tonë. Prandaj, shoqni, po deshe të mos lozin në kurriz tand, ndrro format. Hiqi bragashat.