Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 12 Mësimi 12.2
AZEM SHKRELI
Analizë e vëllimit “Lirikë me shi”
Vëllimi “Lirikë me shi” është vepra e fundit që botoi poeti sa qe gjallë. Ajo përbën majën e lartë ku është ngjitur arti dhe mendimi i poetit. Përmes këtij vëllimi Shkreli bëhet përfaqësuesi i madh e i shquar i poezisë moderne bashkëkohore shqiptare. Vepra u botua më 1994 në Prishtinë dhe në Shqipëri në vitin 1977. Ky vëllim e shpreh hapur e me forcë veçantinë më dalluese të poezisë së Shkrelit: mëvetësinë estetike të saj.
Titulli i vëllimit sjell para lexuesit ndjenjën që dridhet brenda një shpirti aq shumë të ndjeshëm, sjell shiun simbolik, reshjet e dhembjes, e cila është dimension i përhershëm i lirikës së poetit. Vëllimi strukturohet në tri njësi poetike, të cilat janë:
-Ndërtimi i kullës;
-Udhëtimi për Itakë;
-Kërkimi.
“Përshëndetje me miq” është poezia që hap vëllimin. Ajo është poezi kushtuese për Kadarenë, të cilin poeti e quan “o dega ime e epër e fisit “. Poezia që i jep titullin vëllimit ‘’Lirikë me shi’’është ajo që e mbyll atë. Universin e vëllimit poetik ‘Lirikë në shi’ e përbëjnë atdheu, liria, historia, koha, njeriu dhe mendësia.
Atdheu – Liria – Kosova – Historia
Për Shkrelin atdhe do të thotëliri dhe liria nuk ka kuptim veçse në atdhe e për atdhenë. Atdheu dhe liria përbëjnë binomin e pandashëm që e mban fort në këmbë poetin.Për të: Liria thinjet bukur, nuk plaket.
Kur vdiset, është e pavdekshme
Kur vdes,i bëjnë vend në dhe’ të atdheut
Liria është si Kosova, s’kam më fjalë të lirë.
“Psalm për Kosovën” është poezia e parë që të çon te shqetësimi i përhershëm i Shkrelit, te Kosova, te liria e saj. Ndërtuar me mjete të alegorisë biblike, poezia përcjell mesazhin e ringjalljes dhe pavdekësisë së Kosovës. Poeti dëshiron të bëhet krushku i parë që do t’i sjellë Kosovës nuse-lirinë, edhe pse kjo mund t’i kërkojë gjakun, jetën. Ai është gati të sakrifikohet, ndaj i thotë:…më mëso të vdes bukur. Pas kësaj poezie vijnë të tjera që godasin po në plagën që dhemb: “Përsëri Kosova”, “Lirikë për Lirinë”, “Motiv me Kosovë”, “Histori”. Është gjithnjë Kosova, kryefjalë e kryefjalëve të poetit; është ajo dhe vetëm ajo Bibla para së cilës ai falet, altari para të cilit ai është gati të flijohet:
Përsëri Kosova
“Po etshëm
Po atshëm që rrjedh
Gjerba ime prej gjaku”
Ose
“Kohë e mbërthyera, Kosova është bukë e ardhë
Për fytzë të ashtit i merr frymë liria.”
Poeti ështëi vetëdijshëm se “Ujqit në këmbë/do të jenë, Kosova në këmbë”. Por ai nuk resht së ëndërruari ndërtimi-n e kullës, së cilës: “dashin e madh ia ther, ia përgjak trollin”. Si rilindësit e mëdhenj më se një shekull më parë, edhe Shkreli dëshiron ZGJIM të madh e jo një“gjol ndërgjegjesh të gjumëta”. Shkreli e përafron lirinë me gjërat më të çmuara njerëzore, e cila vjen si një dëshirë e përhershme dhe e parealizuar. Në poezitë: “Drita e ndarjes”, “Madërgonë e ferrit”, “Homazh”, “Fytyra e dytë e gjërave”, “Psalm për Kosovën”, “Lirikë për lirinë”, etj., përmes një sërë imazhesh, ai realizon dhe portretin individual e kolektiv të shqiptarit, të cilit: “Kohë e historishme sa herë i vonohet”. Në poezinë “Kashelashë për Atdheun” poeti i thotë lexuesit se ç’është Atdheu për të. Ai nuk çirret për dashurinë që ndien për atdheun, i mjafton ta quajë atë dhe veten bir tëtij, që të kuptojmë se Atdheu është për Shkrelin vetë shpirti, ai që lind me njeriun e që s’vdes kurrë. Përmes vargut të metaforave që plotësojë njëra-tjetrën, atdheu i Shkrelit është: Meshari, kremtja, mendimi, zemra, krisma, vigu, ashti i shqiptarit. Natyrshmëria e ndjenjës, ngrohtësia, adhurimi, ndjenja e përgjegjësisë, thjeshtësia e shprehjes, e bëjnë Shkrelin lirikun modern të poezisë patriotike shqipe. Atdheu, Kosova dhe Liria e munguar gjenden të shkrira edhe në motive të tilla si ai i mërgimit, ku ikja e dhimbshme nuk kuptohet pa ardhjen e sigurt.: “M’i thuani Kosovës po lidhim mbllacat, po vimë”.
Mërgim: “Na dhembin eshtërat, na dhembin
Lindjet, varret,dashuritë
………………………….
Njëherë i vemë gacën
Buzëmuzgut, e ndezim dhe ikim.”
Kthimi i shumëdëshiruar është kthim te zemra, te vetvetja, te thelbi: “Dikush të thotë: nëse s’kthehesh, Itaka është Itaka jote”.
Në poezinë e Shkrelit Atdheu është Vlora dhe Shkodra, Kruja dhe Tomorri, Vjosa dhe Drini, Bregu i Hutës dhe Shtegu i Dhisë, Bjeshkët e Shtendimit dhe Guri i Ndre Nikës dhe guri i Martinit, por dhe Rozafa, dhe Doruntina dhe Nëna Terezë. Dhe gjithnjë plot dashuri- dhimbje, atdheu i mishëruar në Shkrel: “Ashta e Shkrelit, mrizi im me zana’’. Për të, poeti do të pranonte të bëhej gjithçka, vetëm atij t’i shërbente: “Në u bëfsha mal, mos më kërkoni…/ Gur ju pres te Gurra e Martin Bogës”. Historia është ajo që e ka tërhequr fort vargun e Shkrelit. Në fletët e saj ai sheh se shqiptarët “Kishin fe trimërinë”, se “plisit të arbërit s’i plaket kot koka”. Ai ndjehet krenar për origjinën e vet, krenar se “Si i vdes gjallë e i gjallon vdekur fara / Bimës ilire.”, se ne jemi e kemi qenë, ashtu si Drini: “Mijëra vite / rrjedh ujë / shqip”. Ai ndalet në çaste kulmore të lavdisë shqiptare dhe porosit që, kur të shkojmë në muze, të shohim e të kuptojmë se:
“Vetëm një shpatë e ngrënë
nga luftërat s’ka gjumë në sy
shpata e cokërruar e Gjergjit”
Duke iu drejtuar shqiptarëve, ai shkruan: “Gjyshjë të vdes tek të thotë/ Shkup e Shkodër ishin tonat.” Brenda kësaj historie të lashtë e të re, ai është biri sogjetar, ‘’majë Taraboshit me cuba’’, gati të bëhet fli: “Në Kacuberr në kristë një pushkë, më zgjoni”.
Udha – Koha – Poeti
Në vëllimin ‘Lirikë me shi”lexuesi nxitet të përfytyrojë rrugën nëpër të cilën ecën poeti, njeriu në përgjithësi dhe ai shqiptar në veçanti. Përshkruhet një udhëtim metaforik, që ndodh në kohë.
“Vij dhe ardhja ime është veç një udhëtim
Në të cilin moti u nisa në këmbë e në dorë,
S’ka kohë, kohës, vetes i kërkoj shpëtim
Në një shtegtim të brendshëm, shekullor.”
Në thelb nuk është veçse udhëtimi i njeriut brenda vetes për të gjetur rrugët e shpirtit, gjë që s’është e lehtë të arrihet, sepse kohën e poetit (dhe tonën) e ngatërron keqas absurdi i kohës që është e pakohë. Megjithatë, poeti thotë se: “Ditë e natë udhëtojmë, herë unë, herë udhët” dhe se që në krye të herës “Njerëzit janë zgjuar me nga një udhë të madhe në sy”. Ai është i bindur se udha dhe udhëtimi janë jetë, lëvizje, janë kërkim, pse jo edhe kërkim i një fati tjetër, jo tragjik, për shqiptarët. Brenda udhëtimit metaforik janë dy situata që përbëjnë jetën: pritja, e cila edhe mund të plaket në vetvete; dhe ardhja, që mbetet përherë një shpresë e re:
“Pritja le të plaket, ardhja s’plaket kurrë” .
Udhët përplasen me ikjet e ardhjet e tyre. Fati shpesh luan me ne dhe ne humbasim diçka nga vetja, edhe pse jemi gjithnjë në udhë.
“Udhën që na gjeti njëherë diçka nga vetja nuk e gjetëm.”
Udhëtimi si metaforë është kthyer në kërkim të vetvetes. Poeti mbetetudhëtari i përjetshëm që
“Përherë fundfillimit i bie cep më cep.”
Shkreli është poet qytetar me ndërgjegje të ngritur peshë. Aie gjykon kohën dhe arrin në përfundimin se ajo “nuk është koha që s’rrah këmbanë”, se kjo kohë ka sjellë “qytet pa qiell,imazhi të pushkatuar”, si ai i Sarajevës; se në këtë kohë “Zonja Europë, e cila në treg të madh përsëgjalli / Nxjerr gjymtyrë popujsh”, nuk është ajo që do të dëshironim. Ai shpreh shqetësimin se koha dhe bota ku ne jetomë është “po e çbërë, po e çplarë”. Është koha e poetit ajo që i ka cënuar vlerat morale njerëzore aq sa me dhimbje Shkreli pohon : “…na mori krymbëria”. I trishtuar në thelbin e vet si njeri dhe poet, ai shpërthen: “Zot i animalëve, shëroje / Njeriun tënd me tru breshke!”.
Në këtë udhëtim e këtë kohë, poeti vuan se vargjet e tij ndiejnë dhembje: “Po dhemb te e po priste / të ketë koha kohë, ajër ajri”. Poeti i kupton mirë raportet e artistit me artin dhe kohën moderne. Atij i vjen keq që “I ra tëja lirikës, u thamë”, ndaj thërret: “…ma ktheni/ zogun tim, lirikën e bukur të zogut/ Ka kohë që nuk këndon zogërisht”. Shkreli është i asaj race poetësh që nuk flenë, që “ditën e zgjojnë në mes të natës”. Megjithatë veç “yjet dhe poetët nuk i tremben territ”- pohon ai.
Veçori artistike të vëllimit “Lirikë me shi”
Vëllimi “Lirikë me shi” shfaq si veçori të parë faktin që Shkreli nuk bëhet rob i skemave apo i rregullave të ngurta të metrikës. Si i tillë ai shfaqet poet që nuk i kushton rëndësi parësore formës së vargut, strofës apo tërë poezisë, por porosisë që mishërohet në to, pa dyshim dhe mjeteve të shprehjes poetike të mendimit e të ndjenjës. Të ndjerit i lirë, e ka bërë poetin të përdorë larmi vargjesh: nga të maturat tek të lirat; larmi strofash: nga distiku te katrena ose poezi pa strofa, ose poezi si prozë. Vargjet në vëllim vijnë herë të parimuara dhe të çrregullta dhe herë të rimuara. Sido që të shfaqen, poezitë dallohen për harmoni të brendshme, e cila i jep jetë edhe rimave, edhe ritmeve në vargje. Poezia e Shkrelit, kur vjen pa rima fundore, harmoninë e brendshme e krijon me thyerjen e vargut, thyerje kjo që ndjek nga pas edhe ritmin. Në poezi të tilla vargu i parë nuk përmbyllet brenda hapësirës së vet, por kalon deri në gjysmën e vargut pasardhës. Ky ndërtim i jep forcë ritmit dhe e bën më të pasur mendimin:
“Sonte ne të dy
Jemi dy sy të kësaj sogje
Orët zgjuar
Do rrinë, këmbanat zgjuar
……………………………….
Natë që s’more
Pushkë, as s’të mori pushka.” (Sogje)
Për këto arsye, mund të thuhet se poezia është e ndërtuar me vargje të vazhduara, pa ndalesa: vargu i parë montohet në vargun vijues, e kështu me radhë deri në fund të poezisë. Poezi të tilla janë më të shumta në këtë libër.
Një nga shembujt më të bukur ku vargu i çrregullt dhe zhbartja e vargjeve krijojnë harmoninë e brendshme të poezisë, është poezia e fundit e vëllimit, “Lirikë me shi”. Kjo poezi është ndër ato ku harmonia imitative na sjell pranë imazhe befasuese të natyrës dhe të dhembjes që pikon “lot të teltë mallëngjimi”. Që poeti e laton bukur e mirë vargun, që e krijon figurën aty ku s’e pret, që e zgjedh fjalën bukurtingëlluese e dëshmon fakti që brenda 18 vargjeve të poezisë “Lirikë me shi” tëgjallojnë gati 30 fjalë, që më të shumtat nisin me Sh- dhe të tjerat e kanë atë në trup të tyre; apo vetëm fjala SHI të përdoret 10 herë. Tek e lexojmë këtë poezi, ne ndiejmë shiun të bjerë brenda nesh, shi si reshje e dhembjes, ashtu siç rrokim imazhin e shiut që bie nga Mal i Sharrit në Shkumbin e Shkodër, siç përfytyrojmë shtojzavallet e shqiponjat që diç “fëshfërijnë shqip”. Është shiu që “Shpirtërat na dërgojnë nga lartësi të lashta”.
Në anën tjetër, poezitë me vargje të rimuara janë më të ndjera, më të ëmbla. Aty mendimi rrjedh më lirshëm, ritmi i brendshëm poetik merr vijueshmërinë ngjitëse, ndërsa teksti në tërësi është lehtësisht i kapshëm:
Histori
“Atë ditë sot një herë motmotit
Mbi Krujë vijnë çetat e Kastriotit.
I nxjerrin xixa thundrat e atit
I shkëndin shpata lart monopatit”
Poeti Azem Shkreli dallohet për mënyrën e veçantë të ndërtimit të figurës stilistike. Sistemi i tij poetik është shumë personal. Ai i jep atij mëvetësinë, individualitetin dallues. Ky sistem poetik ka në thelb një varg simbolesh të ndërlidhura e ndërvarura nga njëri-tjetri. Të tilla janë bibla, heshtja, kënga, fara, dhjata, e pathëna, guri etj. Leksiku i Shkreli lidhet ngushtëme jetën e njeriut rugovas, prandaj edhe simbolet janë kulturore dhe reflektojnë kulturën e vendit të autorit. Poeti luan me fjalën si figurë dhe si ide,na tërheq nëpër metafora, na ëmbëlson me shijen e hollë të fjalëve, madje shpesh na befason me gjet jet aq interesante e të pagjendura më parë në poezinë tonë. Të tilla janë: – lirikë e ngrirë luleloti; Ka kohë që nuk këndon zogërisht; Rrëshirë e shekullit rrjedh mesjetë të re; Të mbytem në det a të Bajramcurrem në male. Si poet i mendimit, Shkreli sjell në këtë vëllim përfundime që marrin vlerën e fjalëve të urta, të tilla si: Artin e të qenmes e shpjegon dija; Pushka në mos kristë, paqja do të kërcasë; Lufta s’vret, njeriu vret i pari; Sa here rilindemi, mortin e kemi më të vjetër; Barërat, mjekët vdesin jeta jo, jetohet; Yjet dhe poetët nuk i tremben territ; Rrjedha është e vetmja mençuri e ujërave. Në poezinë e Shkrelit mungojnë fjalët e tepërta. Ai është poeti i kursyer në fjalë, konçiz në shprehje. Leximi i poezisë së Shkrelit nuk mund të arrihet me herën e parë për arsye të ndërtimit dhe të nëntekstit. Ndërkohë, si poezi moderne, poezia e këtij vëllimi lejon shumësi leximesh. Ajo është dhe mbetet një tekst i hapur.