Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 12 Mësimi 8.1
Letërsia shqipe pas Luftës së Dytë Botërore (Panoramë e përgjithshme)
Kushtet historike, shoqërore dhe politike pas Luftës së Dytë Botërore
Zhvillimi i letërsisë shqiptare pas Luftës së Dytë Botërore është përcaktuar nga një sërë faktorësh dhe ngjarjesh të mëdha historike, politike e shoqërore. Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, si në tërë fushat e jetës, edhe mbi letërsinë dhe artet ranë pasojat e kursit të ri që morën ngjarjet në Shqipëri. Në kushtet e reja të vendosjes së sistemit socialist, letërsia u zhvillua nën kornizën dogmatike të së ashtuquajturës metodë e realizmit socialist. Mbizotërimi i kritereve ideologjike mbi ato estetike cenoi rëndë lirinë e brendshme dhe fantazinë krijuese të shkrimtarëve dhe artistëve.
Menjëherë pas 1944-ës, qeveria e re mori masa të rrepta për të fuqizuar pushtetin, ndër të cilat më të rëndësishmet janë:
– ngritja e një gjykate speciale për të dënuar kundërshtarët e regjimit;
– konfiskimi i pronave dhe pasurive private;
– reforma agrare në1945, që fshiu e zhduku të gjithë klasën e çifligarëve.
Deri më 1960 Shqipëria ishte shëmbëlltyra e një shteti stalinist, me modele sovjetike të kopjuara e të përshtatura për çdo fushë të jetës shqiptare dhe e izoluar thellë nga pjesa tjetër e botës. Pas prishjes së marrëdhënieve diplomatike me Bashkimin Sovjetik në 1961, Enver Hoxha i ktheu sytë nga Lindja e Largët. Aleanca kino-shqiptare, e cila zgjati nga 1961 deri në korrik 1978, e radikalizoi jetën politike, ekonomike e sociale në Shqipëri dhe e izoloi vendin edhe më shumë nga Europa dhe nga pjesa tjetër e botës. Politika e re kulturore revolucionare, kërkonte me vendosmëri shkëputjen e kulturës shqiptare nga të gjitha ndikimet e huaja.
Në një fjalim të mbajtur më 6 shkurt 1967, Enver Hoxha nxiti hapjen e një fushate kundër fesë. Brenda pak muajsh u mbyllën të gjitha xhamitë, kishat dhe teqetë bektashiane. Shqipëria u shpall i pari shtet ateist në botë. Pas thirrjes në Pleniumin e Katërt, më qershor 1973: “Të thellojmë luftën ideologjike kundër shfaqjeve të huaja e qëndrimeve liberale ndaj tyre”, nisi vala e sulmit dhe terrorit ndaj shkrimtarëve, artistëve dhe intelektualëve shqiptarë.
Më 1978 ndodh prishja me Kinën komuniste. Shqipëria u bë ishulli i izoluar nga e gjithë bota. Me vdekjen e Enver Hoxhës më 11 prill 1985, thuajse asgjë nuk ndryshoi në jetën e Shqipërisë. Fuqia politike, ekonomike dhe kultura mbetën në duart e partisë komuniste në pushtet.
Në fund të viteve tetëdhjetë, me rënien e komunizmit europiano-lindor, themelet e shtetit të diktaturës u tronditën rëndshëm. Në fillim të korrikut 1990, mijëra shqiptarë sulmuan dyert e ambasadave të huaja duke kërkuar strehim politik. Shpërthimi i lëvizjes studentore detyroi partinë në pushtet të pranonte në dhjetor 1990 pluralizmin politik. Zgjedhjet e para shumëpartiake në vend u zhvilluan më 31 mars 1991. Por gjendja e rëndë e vendit, mungesa e besimit dhe e shpresës sollën si pasojë të rëndë valë të pambaruara emigrimi. Nga vitet ’90 e më tej, Shqipëria dhe shoqëria shqiptare janë futur në një fazë tranzicioni të gjatë, me synimin e madh të ndërtimit të një shteti demokratik. Pa mohuar arritjet, shtetit, shoqërisë dhe mbarë kombit shqiptar i duhet vullnet e guxim për të ecur shpejt në rrugën e zhvillimit të gjithanshëm.
Dukuritë letrare
Pas Luftës së Dytë Botërore letërsia shqiptare zhvillohet në një rrugë mjaft të vështirë e komplekse.
Karakteristika kryesore të kësaj periudhe janë:
· Shkëputja jo e natyrshme e letërsisë nga tradita e saj dhe ndikimi i fuqishëm, po ashtu jo i natyrshëm, që ushtroi mbi të përvoja krijuese e metodës së realizmit socialist. Kjo metodë u vendos që të zbatohej që në Konferencën e III të Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, në tetor 1949. Në rezolutën e kësaj Konference shkruhej se shkrimtarët duhet “të bëjnë për vete metodën e realizmit socialist… te bëjnë përpjekje për ngritjen e tyre ideopolitike duke përvetësuar teorinë shkencore të Marksit, Engelsit, Leninit e Stalinit… dhe të japin gjithë kontributin e tyre për ndërtimin e letërsisë sonë në formë nacionale dhe në përmbajtje socialiste.”
• Letërsia e pasqyronte jetën me vërtetësi dhe në zhvillimin e saj revolucionar;
• Veprat letrare përshkoheshin nga partishmëria proletare, fryma optimiste; realiteti të përshkruhej bardh e zi; komunisti, partizani, komisari, “njeriu i ri” të trajtoheshin si personazhe pozitive, ndërsa tregtarë, kulakë, zogistë, nacionalistë, ballistë si personazhe negative. Të parët fitonin në çdo situatë, të dytët humbisnin. Një trajtim i tillë letrar skematik ishte i detyruar, sepse letërsia dhe arti nuk ishin të pavarur. Realizmi socialist ishte metodë ideologjikoartistike e angazhuar.
• Karakteristikë tjetër, me pasoja më të rënda, është se letërsia shqiptare do të zhvillohej e ndarë nga një kufi politik. Kështu do të kemi: letërsi të zhvilluar brenda kufirit të shtetit shqiptar; letërsi të shqiptarëve në përbërje të
ish-Jugosllavisë, kryesisht në Kosovë dhenë Maqedoni, si dhe letërsi të diasporës.
Gjatë katër dhjetëvjetëshave të parë të shekullit XX, sidomos gjatë viteve ‘30, letërsia shqiptare njohu një zhvillim të hovshëm, jehona e të cilit nuk u ndërpre menjëherë pas vendosjes së pushtetit komunist. Pati një tolerancë gjatë ditëve të para të pushtetit të ri ndaj frymës së lirë në krijimtarinë artistike, por tanimë disa prej shkrimtarëve të mëdhenj të viteve’30, si Noli e Koliqi do të vazhdojnë të krijojnë nëpër Europë e Amerikë, të shkëputur totalisht nga letërsia në Shqipëri dhe pa kurrfarë ndikimi mbi të; Lasgushi kishte pushuar së krijuari, Migjeni dhe Fishta nuk ishin më. Nga ky rreth kolosësh të letërsisë shqiptare, vetëm Kuteli do vazhdojë të jetë aktiv, duke botuar sa herë i hiqej çensura.(4) Do të vazhdojnë ndryshe krijimtarinë e nisur që më parë: Petro Marko, Vedat Kokona, Shefqet Musaraj, Fatmir Gjata, Sterjo Spasse, Nonda Bulka, Dhimitër Shuteriqi etj. Nga poetët që krijuan në vitet e para të çlirimit, krijimtaria e të cilëve pati jehonën e entuziazmit kolektiv të këtyre viteve, janë: Aleks Çaçi, Luan Qafëzezi, Llazar Siliqi, Kolë Jakova etj.
Përgjatë viteve ‘50, letërsia u përqëndrua kryesisht, në jehonën e lirisë së fituar nga Lufta Nacionalçlirimtare. Si përvojë shkrimi, veprat letrare të kësaj periudhe shpesh do të qëndrojnë ndërmjet gjuhës së rrëfimit letrar dhe atij propagandistik. Këto karakteristika kanë romanet e para të viteve ‘50. Edhe dramaturgjia nuk u ngrit dot nga niveli i skeçit e melodramës skematike. Po kaq skematik ishte dhe mendimi kritik zyrtar i asaj kohe, që do ta përkrahte këtë letërsi.
Nga fundi i viteve ‘50, e sidomos me fillimin e viteve ‘60, u shënua një rritje e dukshme cilësore e poezisë nëpërmjet veprave të Ismail Kadaresë, Dritëro Agollit, Fatos Arapit, të cilët do të çelin një rrugë të mbarë dhe për një brez poetësh të rinj të talentuar. Në vitet ’70, krahas poetëve që tashmë e kishin krijuar individualitetin e tyre krijues, poetët e rinj sollën me guxim gjetje të reja në temat e njohura dhe mënyrat e reja të shprehjes artistike. Përpjekjet e Xhevahir Spahiut, Ndoc Paplekës, Sadik Bejkos, Natasha Lakos, etj., mund të konsiderohen të suksesshme për këtë kohë.
Krahas poezisë, edhe romani njohu një zhvillim më të gjerë si sasi e si cilësi. Në këtë kontekst duhet përmendur romani “Hasta la Vista”, i Petro Markos, botuar në1958, i cili solli një frymë dhe ndjeshmëri tjetër në paraqitjen e personazheve. Dy vjet më vonë, me “Qyteti i fundit”, P. Marko shfaq qartë prirjen për t’iu shmangur skematizmit. Pas tij,Ismail Kadare boton romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” që shënoi risi në prozën tonë, Jakov Xoxa romanin “Lumi i vdekur” që do të konsolidojë prirjen e romanit realist shqiptar, e më tej vijnë romanet e Dritëro Agollit, Dhimitër Xhuvanit, Ali Abdihoxhës, Skënder Drinit, Sabri Godos, Vath Koreshit etj.
Edhe tregimi, si zhanri më i lëvruar në letërsinë e kësaj periudhe, u pasurua me shkrimtarë të tillë si Dhimitër Shuteriqi, Naum Prifti, Dhimitër Xhuvani, Vath Koreshi etj. Po kështu, tregimet dhe romanet e Faik Ballancës, Zija Çelës, Koço Kostës, Nasi Lerës, Helena Kadaresë, Fatos Kongolit etj., sollën ngjyrime stilistikore origjinale dhe mënyra rrëfimi që variojnë nga rrëfimi liriko-psikologjik e deri te ai natyralist.
Pas viteve ’90, me ndryshimin e kushteve social-politike, letërsia shqiptare pësoi ndryshime të mëdha. Përveç letërsisë “zyrtare” të realizmit socialist, dalin në “sipërfaqe” vlera të vërteta të panjohura letrare dhe ndodhin një sërë procesesh e dukurish që e formësojnë letërsinë e shkruar në Shqipëri:
a. shohin dritën e botimit veprat e shkrimtarëvetë ndaluar, të burgosur, të persekutuar si: Martin Camaj, Kasëm Trebeshina, Astrit Delvina, Bilal Xhaferri, Visar Zhiti, etj;
b. ridimensionohet vepra e shkrimtarëve të traditës si: Mitrush Kuteli, Ernest Koliqi , Martin Camaj, Sterjo Spasse etj;
c. fondi i letërsisë bashkëkohore, pasurohet me vepra të reja dhe me tekste letrare me vlera të padiskutueshme estetike.
Letërsia shqipe në Kosovë
Letërsia shqiptare që zhvillohet në Kosovë, pas Luftës së Dytë Botërore, karakterizohet nga këto tipare:
a. zhvillohet thuajse e shkëputur nga letërsia amë dhe një pjesë e traditës letrare;
b. në vitet ‘50, krijuesit e parë të letërsisë shqiptare në Kosovë, u mbështetën kryesisht në letërsinë gojore, pak në fondin letrar të traditësdhe përvojat e huaja, sidomos ato sllave.
Ndër emrat e shquar të shkrimtarëve, për mendim Esat Mekulin dhe Hivzi Sulejmanin. Mekuli u shqua me lirikën e angazhuar shoqërore dhe kombëtare, ndërsa Sulejmani solli përvojën e parë serioze në llojin e prozës së gjatë. Poezia është lloji që arriti majat e letërsisë shqiptare në Kosovë, duke filluar nga fundi i viteve ‘50 e më tej me emrat e Din Mehmetit, Fahredin Gungës, Rrahman Dedajt, Enver Gjerqekut, Azem Shkrelit, Ali Podrimjes, etj. Ndërsa në prozë u dalluan: Anton Pashku, Ramiz Kelmendi, Nazmi Rrahmani, Rexhep Qosja, Mehmet Kraja, Musa Ramadani etj.
Edhe në Kosovë shumë shkrimtarë pësuan fatin e keq të burgimit, persekutimit apo të arratisjes e të jetesës jashtë truallit të tyre. Kështu e pësuan Adem Demaçi, Ramadan Rexhepi, Kapllan Resuli etj. Krahas letërsisë shqiptare që krijohej dhe botohej kryesisht në Prishtinë, letërsia u lëvrua edhe në mesin e shqiptarëve të Maqedonisë, kryesisht me prozën dhe poezinë e Murat Isakut, Abdylazis Islamit, e më pas, me veprën letrare të Resul Shabanit, Adem Gajtanit, Agim Vincës, Din Mehmetit etj. Vlen të përmendet dhe personaliteti i shquar i kulturës, Luan Starova, i përkthyer shumë në botë.
Letërsia shqipe në diasporë
Pavarësisht nga zhvillimet brenda Republikës së Shqipërisë, në Kosovë, Maqedonie Mali i Zi, letërsia shqiptare njohu zhvillime dhe në diasporë. Ky zhvillim u shfaq brenda dy vatrave:
a. vatra historike e diasporës shqiptare: Itali, Greqi, Rumani, Bullgari, Turqi etj.
b. vatra të reja të diasporës shqiptare: Gjermani, Shtetet e Bashkuara të Amerikës etj.
– Zhvillimet më të rëndësishme të letërsisë bashkëkohore shqiptare në diasporë ndodhën në Itali, tek arbëreshët. Rilindja e saj u nxit nga botimi i shumë revistave me në krye “Shejzat”, drejtuar nga Ernest Koliqi. Këto revista ndikuan në krijimin dhe publikimin e një brezi poetësh e shkrimtarësh që shkruan në arbërisht ndër të cilët përmendim:
a. Françesk Solano (1914), (Dushko Vetmo), i lindur në Kozencë. Solano shfaqet mjaft aktiv në shumë fusha të letrave, kryesisht si poet, prozator dhe dramaturg. Ndër veprat e tij më të rëndësishme janë: “Burbuqe t’egra’, 1946, “Shkretëtira prej gurit”, 1974, “Tregimet e Lëmit”, etj.
b. Domenico Bellizzi (1931), (Vorea Ujko), një ndër trashëgimtarët më të denjë të Jeronim de Radës e Zef Serembes. Në poezi ai arriti nivele të spikatura të ligjërimit poetik me veprat: “Zgjimet e gjakut”, “Këngë arbëreshe”, 1982, “Hapma derën zonja mëmë”, 1990 etj..
• Zef Skiro Di Maxhio (1944), poet, përkthyes dhe dramaturg i shquar. Është autor i rreth dhjetë librave poetikë, ndër të cilat: “Nëpër udhat e parrajsit shqipëtarë e t’arbreshë”; “Për tokën fisnike të Horës”, etj.
– Një tjetër vatër e rëndësishme letrare e historike është Rumania. Personaliteti më i rëndësishëm është Viktor Eftimiu (1889 – 1972), autor i rreth 100 veprave letrare të shkruara në rumanisht.
– Po aq e rëndësishme sa dhe Rumania në pikëpamje të jetës kulturore shqiptare mbetet edhe Bullgaria. Një figurë e shquar është Thoma Kaçori, i cili shkroi në shqip disa romane e libra me tregime.
– Një nga shkrimtarët e diasporës me peshë më të madhe që jetoi e krijoi në Gjermani, është Martin Camaj (1925 – 1992). Vepra e tij hyn në fondin më të shquar të letërsisë bashkëkohore shqiptare.
– Ndërsa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës zhvilloi veprimtarinë më të madhe studimore e letrare Arshi Pipa (1920- 1997), një ndër përfaqësuesit më të mëdhenj të letrave shqipe: poet, përkthyes, studiues.