Kurrikula
Kursi: Letërsia Klasa 12 Shtëpia Botuese Filara
Identifikohu

Curriculum

Letërsia Klasa 12 Shtëpia Botuese Filara

0/32
Mësimi me video

Mësimi 1.1: Letërsia botërore e shekullit XX

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 12 Mësimi 1.1

Letërsia botërore e shekullit XX

Termat letërsi moderne dhe postmoderne i referohen letërsisë botërore të lëvruar në shekullin XX dhe lidhen me dy periudha kohore, të ndara nga Lufta e Dytë Botërore. Letërsi moderne është letërsia që u zhvillua nga fillimi i shekullit XX deri në vitet 1940 dhe letërsi postmoderne ose bashkëkohore konsiderohet letërsia e lëvruar nga vitet 1960 deri në vitet ’90. Ky periodizim është më së shumti i vlefshëm për letërsitë e vendeve europiane, por globalizimi i ka lejuar idetë letrare europiane të përhapen në kulturat joperëndimore mjaft shpejt. Kjo ka bërë që tekstet aziatike dhe afrikane të mund të përfshihen në këtë periodizim.

Kushtet historiko-shoqërore dhe zhvillimet në shkencë
Shekulli XX shënon disa nga ngjarjet historike me rëndësi të veçantë për njerëzimin, të cilat kanë shërbyer si për të përmirësuar jetën e njeriut, ashtu dhe për ta përgjunjur atë deri në kufijtë e ekzistencës. Gjatë këtij shekulli Frojdi interpretoi ëndrrat; Ajnshtajni propozoi teorinë e relativitetit; u shpik penicilina; në qiell u ngrit aeroplani i parë dhe valët e radios e kapërcyen Atlantikun; u zbulua struktura ADN-së; gratë fituan të drejtën e votës, njerëzimi arriti të shkojë për herë të parë në Hënë; u klonua delja e parë; Bill Gates e Paul Allen hodhën në treg “Mikrosoftin” etj. Tashmë, vetëm në sajë të internetit njerëzit nga e gjithë bota mund të lidhen me njëri-tjetrin në kohë reale dhe të komunikojnë në një botë të re, në botën virtuale.

Por shekulli XX njihet dhe për historinë e tragjedive më të mëdha njerëzore që u shkaktuan nga luftërat, si: Luftërat Ballkanike; Lufta e Parë Botërore; Lufta e Dytë Botërore; Lufta civile në Spanjë; Lufta e Vietnamit; Lufta e Ftohtë; por edhe nga dhuna e diktaturave në vende të ndryshme të Europës dhe më tej; shpërthimi i bombës atomike në Hiroshima dhe Nagasaki; mijëra hebrenj të vdekur në kampet e përqendrimit; mijëra të torturuar në burgjet komuniste; tjetërsimi dhe zhvlerësimi i individit nga sistemet totalitare e ato kapitaliste; zhvlerësimi i vlerave njerëzore dhe moralit; uria dhe lufta për ekzistencë gjatë dhe pas luftërave; katastrofa e Çernobilit, kriza e raketave kubane etj. I gjendur mes gjithë këtyre ngjarjeve fatlume dhe tmerruese, njeriu i shekullit XX, duke u përpjekur për të gjetur hapësira për realizimin e vetvetes, për të përballuar fatin e tij dhe ankthin e tij ekzistencial, për të konfirmuar identitetin e tij të njëmendtë dhe për t’i dhënë kuptim jetës së tij, jo pak herë e gjeti prehjen, revoltën e atdheun e tij në art dhe në letërsi.

Pararendësit e modernizmit
Artistët dhe shkrimtarët modernistë u ndikuan sidomos nga mendimtarë të tillë si: Zigmund Frojd dhe Karl Marks, të cilët ngritën pyetje rreth racionalitetit të mendjes njerëzore, si dhe nga filozofët Xhon Lok, Fridrih Niçe e Henri Bergson. Veprat e Bergsonit patën ndikim të madh te romancierët e shekullit XX, sidomos tek ata modernistë që përdorën teknikën e përroit psikik, siç ishin Doroti Riçardson për librin “Kuletë me çati” (1915), Xhejms Xhojs për “Uliksin” (1922) Virxhinia Ulf për “Znj. Dallouej” (1925) dhe veprën “Fari” (1927). Gjithashtu, e rëndësishme në filozofinë e Bergsonit ishte ideja e forcës jetësore, e cila “sjell evolucionin krijues të gjithçkaje”. Filozofia e tij i dha një vlerë të lartë intuitës, ndonëse nuk e mohoi rëndësinë e intelektit. Modernizmi si lëvizje letrare mund të shihet gjithashtu si një reagim ndaj industrializimit, urbanizimit dhe teknologjive të reja.

Pararendësit më të rëndësishëm letrarë të modernizmit ishin Fjodor Dostojevski me veprat “Krim dhe ndëshkim” (1866) dhe “Vëllezërit Karamazov” (1880); Uollt Uitman me “Fije bari”(1855-91); Sharl Bodëler me “Lulet e së keqes” (1857), Rembo me veprën “Ndriçimi” (1874) etj.

Arti modern
Arti gjatë shekullit XX njohu zhvillime të mëdha në të gjitha fushat. Disa nga shkollat artistike që ndikuan më tepër në zhvillimin e një arti të shumëllojshëm, ishin ekspresionizmi, kubizmi, futurizmi, dadaizmi dhe surrealizmi, të cilat u shfaqën në drejtime të ndryshme artistike, si në pikturë, skulpturë, arkitekturë, muzikë e letërsi. Dhe, pas Luftës së Dytë Botërore: abstraksionizmi, artet figurative, videoarti, poparti, arti minimal (arredimi) etj. në pikturë, skulpturë, fotografi, artizanat, në komunikimin masiv në media etj. Arti botëror njohu personalitete të shumta në pikturë, si: Ernst Kishner, Eduard Mynsh, Pablo Pikaso, Umberto Boçioni, Maks Ernst, Marsel Dyshamp, Salvador Dali, Rëne Magrit, Oskar Domingues etj. Në skulpturë, personalitete si Lorenco Kuin, Henri Mor, Aleksandër Kalder, Marino Marini, Fausto Meloti etj.

Në fushën e muzikës në këtë shekull shënohen rritje dhe zhvillim edhe falë shpikjes së radios, magnetofonit, kompakt diskut (CD) e televizonit, që krijuan mundësinë e përhapjes së muzikës. Në qytetet e mëdha u krijuan orkestrat e përhershme. Gjithashtu, zhvillimi i teknikës muzikore, lindja e muzikës elektronike dhe krijimi i agjensive të para diskografike ndikuan mjaft zhvillimet e mëdha në këtë fushë. Disa nga kompozitorët më të mëdhenj të gjysmës së parë të shekullit XX janë: Igor Stravinski i cili i dha jetë rrymës neoklasike, po kështu rusi Sergei Prokofiev, francezi Artur Honeger, gjermanët Pol Hindemit dhe Rikard Shtraus, hungarezi Bela Bartok, britaniku Beniamin Briten, amerikani Xhorxh Gershvin (kompozitor i muzikës xhaz). Ndërsa periudhës postmoderniste i përkasin italiani Luixhi Nono, greku Janis Xenaqis, amerikani Xhon Keixh, italiani Luixhi Dalapikola etj. Ndër personalitetet që kanë dhënë kontribut të çmuar në fushën e muzikës janë gjithashtu muzikantët: Bob Marli (zhanri Rege), Elvis Presli, Majkëll Xhekson, (zhanri Pop), Tupak Shakur, Dr. Dre, Eminem etj. (Zhanri Hip-Hop), Luis Armstrong, Eta Xhejms (zhanri Xhaz), Areta Frenklin (Zhanri Gospel1), The Bitëlls (zhanri Rrok) etj. Ndërsa në arkitekturë pati zhvillime nga më interesantet. Ndërtimi i ndërtesave me forma komplekse dhe i qiellgërvishtësve u bë një nga trendet e këtij shekulli.

Letërsia moderne dhe postmoderne
Në fillim të shekullit XX, në vende të ndryshme europiane lindën dhe u zhvilluan rryma letrare që u quajtën rryma letrare avangarde (fr.avant-garde – pararojë, term nga zhargoni ushtarak). Këto rryma lindën si reagim estetik i rrymave të mëparshme, duke kërkuar mënyra të tjera të shprehjes letrare. Në lëvrimin e letërsisë gjatë këtij shekulli krahas letërsive të afirmuara gjermane, angleze, italiane, franceze, ruse etj., një vend të rëndësishëm zënë edhe letërsitë e vendeve latino-amerikane, si: të Argjentinës, Kilit, Uruguait, Brazilit, Meksikës etj., si dhe letërsia e vendeve nordike, aziatike dhe afrikane. Letërsinë e avangardës e karakterizon “uniteti i të kundërtave”2. Në këtë krijimtari rregulli ndeshet me aventurën, individualja me kolektiven, racionalja me iracionalen, glorifikimi i teknicizmit me kthimin kah primitivizmi, individualizmi i tepruar me gatishmërinë për t’iu nënshtruar kolektivit, hermetizmi dhe krijimi i një gjuhe për masat, me një fjalë ajo është një sintezë e vërtetë e të kundërtave. Në letërsinë e shekullit XX vetmia mbetet emërues i përbashkët i shumë personazheve. Heronjtë e kësaj letërsie vuajnë dramën e vetë kohës në të cilën jetojnë, kur themelet e familjes janë lëkundur, kur indiferenca shoqërore ka arritur kulmin, kur edhe besimi te Zoti “ka vdekur”.

Drejtimet, përfaqësuesit, gjinitë dhe llojet letrare që u lëvruan
Letërsia e shekullit XX është një letërsi e begatë në larmishmërinë e drejtimeve letrare dhe idividualiteteve krijuese të spikatura dhe origjinale. Rrymat letrare avangarde që janë shfaqur para dhe pas Luftës së Parë Botërore janë: futurizmi (në Itali dhe Rusi), ekspresionizmi (në Gjermani dhe në Austri) dadaizmi (në Zvicër), surrealizmi ( në Francë) dhe letërsia sociale (në Rusi dhe në shtetet e Europës Qendrore). Ajo që është e përbashkët e këtyre lëvizjeve, janë shkaqet e lindjes së tyre, si: gjendja depresive para dhe pas Luftës së Parë Botërore, trishtimi dhe parandjenja e artistëve mbi gërmadhat e botës së atëhershme (Lufta e Parë Botërore, Revolucioni i Tetorit në Rusi, luftërat ballkanike, shfaqja e fashizmit etj.), pakënaqësia dhe dëshira e artistëve për thyerjen e normave të qëndrueshme estetike, zbulimet e ndryshme shkencore në fushën e psikanalizës të Zigmund Frojdit, Gustav Jungut dhe Xhon Uotsonit. Letërsia e këtij shekulli karakterizohet nga një diversitet i madh stilistik në poezi, prozë e teatër.

Poezia
Poezia është gjinia më e lëvruar në fillim të shekullit XX nga një brez i ri poetësh në Europë e Amerikë, të ndikuar nga simbolizmi. Kjo poezi evokuese e quajtur “poezi e pastër”, plot ngjyra e muzikalitet, u lëvrua nga poetë, si: Pol Valeri, Uilljam B. Xhits, Ezra Paund, Tomas S. Eliot, Euxhenio Montale, Fernando Pesoa, Konstantinos Kavafis etj.

Futurizmi është një drejtim social dhe letrar-artistik që dallohet për përfshirjen në krijimet letrare dhe artistike të përparimeve teknike, shpejtësisë, aksionit, madje dhe dhunës. Gjuha e krijimeve futuriste ishte e çlirët, shpeshherë thyente rregullat sintaksore. Kjo rrymë letrare pati si përfaqësues, më së pari, italianin Filipo T. Marinetin, ndërsa në Rusi poeti më i njohur futurist ishte Vladimir Majakovski.

Kubizmi është një prej rrymave më të njohura të fillimshekullit XX, fillimisht në pikturë ku spikasin emra, si: spanjolli Pablo Pikaso dhe francezi Zhorzh Braku, si dhe në skulpturë ku përmenden Kostandin Brankusi dhe Aleksandër Arshipenko. Disa vite më vonë3 kubizmi shfaqet edhe në letërsi. Kubistët kërkuan forma të reja sintaksore, duke shpërbërë poemat dhe duke u dhënë pamje grafike me shfaqjen e shenjave jashtëgjuhësore, duke braktisur shenjat e pikësimit. Në këtë drejtim letrar spikati krijimtaria e Guiliem Apolinerit, i cili konsiderohet si një nga ideatorët më largpamës të artit modern që ndikoi shumë te brezat pasardhës të poetëve, sidomos ata surrealistë, me anë të ndërmarrjeve të tij të guximshme në planin tematik e sintaksor.

Dadaizmi futi anarkinë në zanafillën letrare. Poezia u kthye në revoltë. Ajo u çlirua nga prangat e logjikës dhe i dha udhë të lirë imagjinatës e formave të reja të ligjërimit poetik. Kjo rrymë e re pati si përfaqësues kryesor Tristan Carën. Revolta dadaiste ngrihet kundër degradimit politikomoral të Europës së gjymtuar nga Lufta e parë Botërore. Më 1924 surrealizmi u bë rrymë mbizotëruese në arte e letërsi. Në krye të kësaj rryme vihen poetët francezë: Pol Elyar, Andre Breton dhe Lui Aragon. Surrealizmi kishte të përbashkët me dadaizmin karakterin protestues. Surrealistët protestojnë kundër çdo mekanizmi që e shtyp individin dhe e tjetërson atë, si: lufta, feja, shkolla, puna, kolonializmi etj. Veçori të përgjithshme të rrymës surrealiste janë: krijimi i një mbirealiteti, ku poeti shkruan i lirë, sensualiteti i sendërzuar në figurën e femrës, e cila bëhet frymëzim e burim i krijimit poetik, si dhe shkrirja e poezisë me pikturën.

Një shkollë tjetër letrare ishte ajo e hermetizmit. Në krijimin e saj ndikuan si surrealizmi, dhe simbolizmi. Tre përfaqësuesit më kryesorë janë poetët italianë: Euxhenio Montale, Umberto Ungareti dhe Salvadore Kuazimodo. Hermetikët lëvruan me dëshirë lirikën. Ata përsosën formën poetike, duke dhënë vetëm me një minimum vargjesh thelbin e gjërave. Ata shkruan për një lexues të përzgjedhur dhe, më së shumti, poezia e tyre ishte e errët dhe e pakuptueshme nga masat.

Proza
Letërsia e përroit të ndërgjegjes pati si përfaqësues kryesorë shkrimtarët Xhejms Xhojs, Marsel Prust, Virxhinia Ulf, Herman Hese etj. Ata shihnin një lidhje të ngushtë midis artit letrar dhe psikanalizës. Këta shkrimtarë përdorën struktura moderne e të sofistikuara. Xhejms Xhojsi, për shembull, në romanin e tij “Uliksi” (1922), me anë të teknikave rrëfyese që përdor për të përshkruar jetën e personazhit të tij, Leopold Blumit, në një periudhë prej njëzet e katër orësh, i jep formë dhe domethënie panoramës së madhe të kotësisë dhe të anarkisë së historisë bashkëkohore.

Letërsia e brezit të humbur përfshin një grup autorësh që jetuan midis dy luftërave botërore dhe panë e përjetuan nga afër tmerret e luftës, si: Stefan Cvajg, Teodor Drajzer, Frensis Skot Ficxherald, Erih Maria Remark, Xhon Dos Passos dhe Ernest Heminguej. Shkrimtarët e këtij brezi sollën në letërsi frymën e zhgënjimit dhe të humbjes së idealeve të larta. Vepra me famë të përbotshme konsiderohen: “Asgjë e re nga fronti i Perëndimit” dhe “Tre shokët”, Remark; “Plaku dhe deti”, “Lamtumirë armë” dhe “Për kë bie këmbana”, Heminguej; “Getsbi i madh”, Ficxherald etj.

Ekzistencializmi është një filozofi europiane që fitoi popullaritet pas Luftës së Dytë Botërore. Ekzistencializmi e vë theksin tek individualizmi dhe vetërealizimi. Pikërisht gjatë kësaj periudhe u krijua letërsia ekzistencialiste, ku shquhen shkrimtarë, si: Albert Kamy, Franc Kafka, Alberto Moravia, Xhuzepe Ungareti; në arte aplikative Luçio Fontana, veprat e të cilit janë thjesht prerje në pëlhurë, apo shenja mbi teneqe, madje kemi dhe veshje ekzistencialiste (flokë të gjatë dhe pamje të lëshuar, mospranimi i xhaketës e kravatës). Pas këtyre aspekteve sipërfaqësore të ekzistencializmit, gjendet një gjykim kritik për zbrazëtinë e jetës dhe për krizën e vlerave tradicionale si rrjedhojë e dy luftërave botërore, aq sa lëvizja u quajt “filozofia e krizës”. Njeriu ekzistencialist e pyet veten: Kush jam unë dhe ç’duhet të bëj?” Sipas filozofisë ekzistencialiste, njerëzit janë të zhytur në një mori situatash, ku u duhet të bëjnë zgjedhje. Disa zgjedhje janë të parëndësishme, të tjerat janë të rëndësishme, por zgjedhja është individuale dhe vendimet shpien në përkufizimin e vetvetes. Njeriu krijon përkufizimin e vetvetes dhe me këtë formon thelbin e tij. Nocioni i normave të grupit, të autoritetit dhe të rendit të vendosur shoqëror, politik, filozofik, fetar e kështu me radhë, hidhet poshtë. Ekzistencialistët njohin pak standarde, zakone, tradita ose të vërteta të amëshuara.

Ka dy lloje ekzistencialistësh: a. të krishterë (Xhasperi, Gabriel Marseli etj.). Ekzistencialistët e krishterë pohojnë se njeriu ka një vend në kohë dhe në hapësirë, çka përbën ekzistencën unike për çdo qenie. Njeriu bëhet i ndërgjegjshëm për ekzistencën e tij kur kthehet nga vetvetja dhe dialogon me atë çka përbën thelbin e tij si subjekt: trashendenten, Zotin. b. ateistë (Zhan Pol Sartri, Simone dë Bovuar etj.). Ekzistencializmi ateist pohon se, në qoftë se Zoti nuk ekziston, ekziston të paktën një qenie tek e cila ekzistenca paraprin esencën, një qenie që ekziston përpara se të mund të përcaktohet nga ndonjë koncept dhe se kjo qenie është njeriu ose, siç thotë Hejdegeri, realiteti njerëzor. Prirja kryesore e ekzistencializmit është që ta vërë njeriun në zotërim të asaj çka ai është dhe t’ia lërë atij përgjegjësinë e plotë mbi ekzistencën e tij. Dhe, kur thuhet se njeriu është përgjegjës për veten e tij, nuk thuhet që njeriu është përgjegjës vetëm e vetëm për individualitetin e tij, por që ai është përgjegjës për të tërë njerëzit.

Realizmi socialist lindi në vitet ’20 në Rusi si shtrembërim i realizmit social. Këtij drejtimi letrar i përkasin autorë si: Gorki, Majakovski, disidentët rusë Boris Pastërnak dhe Aleksandër Sollzhenicin. Autorë të tjerë të talentuar e të njohur botërisht janë: shkrimtari ynë i mirënjohur Ismail Kadare, kroati Danilo Kish, çeku Milan Kundera etj. Edhe poezia disidente e vendeve të Europës Lindore është poezi plot ndjeshmëri, mendim të thellë, e shprehur thjeshtë e plot dhimbje. Ajo i dha një tjetër frymëmarrje krijimit poetik, i cili që mbas Luftës së Dytë Botërore kishte marrë një karakter eksperimental, të prirur kah logjika e ftohtë.

Realizmi magjik: Nismëtari dhe kreu i këtij drejtimi letrar është kolumbiani Gabriel Garsia Markez, i cili, së bashku me shkrimtarë të tjerë hispanikë, si Migel Asturias, Jorge Luis Borges, Karlos Fuentes, Ernesto Sabato, Hulio Kortazar, Vargas-Llosa etj., i dhanë frymë të re romanit të viteve ’60. I vetmi përfaqësues i këtij drejtimi, që doli nga “zemra e Europës”, ishte shkrimtari italian Dino Buxati, që u bë i njohur sidomos me veprën “Shkretëtira e tartarëve” (1940). Veçori kryesore e këtij drejtimi letrar është ndërthurja e veçantë e reales me fantastiken dhe magjiken.

Teatri modern
Ndryshimet që pësoi teksti dramatik gjatë shekullit XX rinovuan rrënjësisht konceptet për skenën, dekorin, regjinë, intrigën, dialogun, lojën e aktorëve etj. Për shembull, nëse deri në fund të shekullit XIX aktori e mbizotëroi skenën e teatrit, me ardhjen e Ibsenit dhe ndjekësve të tij, teksti u bë më i rëndësishëm se aktori, të cilit iu desh t’i përshtatej situatës së re. Veçori kryesore e krijimit dramatik modern ishte harmonia e të kundërtave.

Dy dramaturgë të rëndësishëm modernistë që shkruan në vitet 1920 dhe 1930, ishin Bertold Breht dhe Federico Garcia Lorka. Dramaturgu gjerman Bertold Breht krijoi “teatrin epik” ku, përmes skenave madhështore në të cilat luhej fati i të gjithë kombit, përcillej fryma e titanizmit. Brehti e vuri artin në shërbim të çlirimit të njeriut, kurse për veten modeloi rolin e “artistit të angazhuar”.

Teatri i absurdit
Termi “teatri i absurdit” i referohet shfaqjeve të realizuara kryesisht nga dramaturgët europianë, të cilët shprehin besimin se ekzistenca njerëzore nuk ka kuptim apo qëllim dhe për këtë arsye të gjitha komunikimet ndërpriten. Ndërtimi logjik dhe argumenti i japin rrugë fjalimit iracional dhe të palogjikshëm dhe përfundojnë me heshtje. Teatri i absurdit u shfaq në fillim të viteve ’50, me shfaqjet e irlandezit Samuel Beket, veçanërisht me veprën “Duke pritur Godonë”, e cila portretizonte panikun bashkëkohor, izolimin njerëzor dhe fatin tragjik të njeriut “të hedhur” në botë për të jetuar një jetë absurde, të cilën njeriu nuk e ndryshon dot. Të tjerë dramaturgë të teatrit të absurdit: rumuni Eugjen Jonesko (1909-1994), francezi Zhan Zhenet (1910-1986), britaniku Harold Pinter (1930-2008), gjermani Friedrih Dyrrenmat (1921-1990), kiliano-francezi Alehandro Jodorovski (1929) etj.