Kurrikula
Kursi: Letërsia Klasa 12 Shtëpia Botuese Filara
Identifikohu

Curriculum

Letërsia Klasa 12 Shtëpia Botuese Filara

0/32
Mësimi me video

Mësimi 3.2: Analizë i huaji

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 12 Mësimi 3.2

LETËRSIA BOTËRORE E SHEKULLIT XX

ALBERT KAMY

ANALIZË “I HUAJI”
Romani “I huaji” është romani më i njohur i Kamysë. Ai është vlerësuar nga kritika si një nga romanet më të rëndësishme të letërsisë franceze të shekullit XX, në të cilën Kamyja i jep zë disa prej temave më të rëndësishme të ekzistencializmit.

Subjekti i romanit
Protagonisti i romanit “I huaji” është Mërsoi, një punonjës modest i një kompanie në Algjer. Një mëngjes, me anë të një telegrami, ai merr vesh për vdekjen e së ëmës, e cila prej disa vitesh qëndronte në një azil pleqsh në Marengo, një fshat i humbur rreth 80 km larg. Ai nxiton të sistemojë punët dhe udhëton për të qenë në funeralin e nënës. Gjatë funeralit, Mërsoi kishte një sjellje të ftohtë, ishte thuajse i mpirë, i pandjeshëm, gati mospërfillës, duke mos mbajtur mend as moshën e saktë të nënës së tij. Mërsoi nuk derdh lot në varrimin e nënës, dremit gjatë natës, teksa përgjon pranë arkivolit, nuk dëshiron as ta shohë nënën për herë të fundit para se të varroset. Pasi kthehet në shtëpi, shkon në det të lahet. Këtu ai takon një ish-daktilografiste të zyrës së tij. Të dy shkojnë në kinema, për të parë një film nga komediani Fernandel, e më pas vajza e kalon natën në shtëpinë e Mërsoit. Disa ditë më vonë, të dy bëjnë një udhëtim në plazh me një fqinj të Mërsoit, Rajmondin, dhe përfshihen në një përballje me disa arabë. Mërsoi ia merr shokut të tij pistoletën nga dora, për të shmangur sherrin me arabët, por, pak më vonë, i gjendur i vetëm ballë për ballë me njërin prej tyre, teksa shëtiste në plazh, ai e vret arabin në rrethana që as vetë s’i kupton.

Përgjegjësia e të pandehurit para gjykatësve përfundon duke kthyer një rast të mundshëm vetëmbrojtjeje, në një akuzë për vrasje me dashje. Mospërfillja e treguar në vdekjen e nënës së tij dhe në ditët në vijim është interpretuar si dëshmi e përbindshme anti-shoqërore. Prokurori i çështjes përdor çdo dëshmi për të vërtetuar se Mërsoi “është një vrasës gjakftohtë e i pashpirt, ai është një kriminel i lindur, që s’ka derdhur lot as kur varrosi nënën e tij”. Po kështu, edhe vetë hetuesi i çështjes habitet e dëshpërohet përpara Mërsoit, këtij njeriu me shpirt të ngurtësuar, të cilin ai e pagëzon me emrin Antikrisht. I akuzuari Mërso merr dënimin maksimal: prerje koke në gijotinë. Para ekzekutimit, në qelinë e tij, teksa prifti i lutet për pendesë, në mënyrë që Mërsoi të shpëtojë të paktën shpirtin e tij, shpërthen fuqishëm revolta e Mërsoit kundër vdekjes, kundër ligjeve absurde e mekanizmave që e shtypin njeriun. Pikërisht atëherë ai kuptoi se jeta dhe dielli mund të kishin qenë më miqësorë e më të mirë me të, por ishte bërë vonë dhe imazhi i diellit kishte perënduar. Dëshira për t’ia filluar edhe një herë nga e para është sa njerëzore, aq e pamundur dhe trishtuese. Beteja e Mërsoit me absurdin është shumë më reale, shumë më e prekshme dhe më e fuqishme se ajo e Sizifit. Ajo është beteja e njërit prej nesh.

Struktura e romanit. Tri takimet me vdekjen
Romani “I huaji”është konceptuar në dy pjesë. Pjesët ndryshojnë për nga mënyra e rrëfimit të ngjarjeve dhe asaj çka rrëfehet. Në pjesën e parë, e përbërë nga gjashtë kapituj, Mërsoi, i cili është njëkohësisht rrëfyesi i ngjarjeve, i vëzhgon dhe i rrëfen ngjarjet nga perspektiva vetjake, duke përdorur rrëfimin në vetën e parë. Në këtë pjesë, personazhi-narrator rrëfen jetën e vet monotone dhe na njeh me situatat para të cilave ndjehet i pafuqishëm për t’i ndryshuar, çka bëjnë që jeta e tij të mos ketë kuptim. Në këtë pjesë, Mërsoi e takon vdekjen dy herë. Së pari, e takon si vdekje natyrale: “Nëna vdiq. Varrimi nesër. Ngushëllime.”. Një copë letër dhe pesë fjalë ia mundësojnë këtë takim. A vdes nëna se kështu thonë ca fjalë letre? A vdes ajo që e solli në jetë? Sa absurde!

Qëndrimi mospërfillës i tij ndaj vdekjes së mamasë, duket sikur e intrigon vdekjen të vijë sërish ta vizitojë në kapitullin e gjashtë, tashmë me një fytyrë edhe më të tmerrshme, me fytyrën e vrasjes. Nëse takimit të parë me vdekjen Mërsoi nuk mund t’i shmangej dot, herën e dytë ai, pre e mekanizmit absurd të provokim-reagimit, e thërret vetë vdekjen të vijë. Ai vret arabin, vëllain e gruas së Rajmondit (shokut të tij), si një akt vetëmbrojtjeje, duke u shndërruar kështu në një kriminel i cili duhet të ballafaqohet me ligjin. Duke vrarë arabin, ai vret veten, siç na e rrëfen i ndërgjegjshëm dhe vetë: “me ato katër të shtëna të shkurtra trokita në portën e fatkeqësisë”.

Në pjesën e dytë të romanit, e përbërë nga pesë kapituj, ngjarjet rrëfehen po nga Mërsoi, por ndryshon këndvëzhgimi. Nëse në pjesën e parë ne si lexues perceptojmë se ai është i huaj, është ndryshe nga të tjerët e mjedisi që e rrethon, në pjesën e dytë Mërsoi tregon shkallë-shkallë procesin e ndërgjegjësimit ndaj tëhuajëzimit të tij. Narratori- Mërso flet për veten, por duke e parë atë nga jashtë, përmes syve të të tjerëve; ndaj rrëfimi bëhet në vetën e tretë. Artistikisht Kamyja përemrin vetor e kthen në një dëftor dhe Mërsoi shndërrohet në subjektin nga i cili është kthyer gishti tregues. Tashmë i ndërgjegjshëm që është preja e absurdit, ai nuk pranon të korruptojë vetveten duke folur, duke përligjur krimin e tij, duke iu kundërvënë atyre që dëshmojnë kundër tij, për të krijuar për vete rrethana lehtësuese. Ai i qëndron besnik asaj çka ai është deri në fund, kur ritakohet me vdekjen për herë të tretë. Këtë herë vdekja vjen për të. Ajo shfaqet e çnatyralizuar, e demonizuar, me fytyrën e kasaphanës së neveritshme të dhunimit në gijotinë. Romani mbyllet me Mërsoin në pritje të çastit të ekzekutimit, i lehtësuar pas protestës së tij përballë priftit, i papenduar që nuk i nënshtohet ligjeve të një bote që s’janë të tijat, por pa e humbur dëshirën për të jetuar.

Titulli çelës
Titulli i veprës është një çelës për të kuptuar më mirë personazhin kompleks të Mërsoit. Pse e quan të huaj autori Mërsoin?

Së pari, emri i tij është i pazakontë. Emri“Mërso” nuk ekziston në onomastikën frënge. Ai është një shkurtim i kompozitës së krijuar nga bashkimi i fjalëve meurs (vdes) dhe soleil (diell). Duket sikur emri paraprin ekzistencën e vetë Mërsosë në roman. 

Së dyti, është e pabesueshme arsyeja e vrasjes që bëri. Vdekja (Të vdesësht) nga dielli i duket kaq e huaj dhe po aq edhe një shkak rebelues njeriut të zakonshëm. E si mundet të vrasë dielli, pikërisht ai që i jep jetë e dritë gjithçkaje? Në të vërtetë Mërsoi, për shkak të diellit që e trullos dhe e verbon, qëllon ndaj arabit, sepse, në të vërtetë, ai nuk ka motive të vrasë. Megjithatë gjykatësit nguten t’ia gjejnë fillin logjik: “një njeri që s’qan në varrimin e nënës, ka shpirt krimineli”; ata nguten ta shpien njeriun në varr për shkak të paaftësisisë së tyre për të kuptuar.

Së treti, Mërsoi nuk është i huaj për shkak se ndihet i tillë në mjedisin ku jeton. Ai zgjedh të jetojë në Algjer, madje i pëlqen mjaft jeta aty, aq sa të refuzojë të shkojë në Paris, kur ia sugjerojnë, por ky qëndrim i pazakontë ndaj vetes dhe jetës së tij, është një qëndrim i pakuptueshëm për njerëzit në tërësi, të cilët kanë ambicie, dëshira dhe kërkojnë vazhdimisht ta përmirësojnë e ndryshojnë jetesën e tyre. Perceptimi radikal i absurditetit të ekzistencës njerëzore dhe tjetërsimi social e bëjnë Mërsoin një anti-hero që kalon nëpër ekzistencë pasivisht. Ai nuk synon asgjë, nuk dëshiron të bëjë karrierë, pranon që të tjerët të zgjedhin për të, madje edhe kur bëhet fjalë për gjëra me rëndësi si mbrojtja në gjyq, miqësia ose martesa, nuk mërzitet për gjëra që gjithë të tjerët do të mërziteshin, si vdekja e nënës, nuk ka paragjykime, është krejtësisht i sinqertë në një botë ku më të shumtët prej nesh gënjejnë…

Së katërti, ai është i huaj për gjykatësit; është i huaj për njerëzit e azilit të Marengos; është i huaj për mjedisin arab, pasi krimi i tij konsiderohet nga ata si krim racor. Një njeri si Mërsoi është krejt i huaj për priftin, i cili përfaqëson vetëdijen kristiane, pasi kurrë më parë ky prift nuk kishte takuar një mjeran të tillë që, para një dënimi të tmerrshëm, të mos kishte frikë, të mos pendohej, të mos kërkonte faljen e Perëndisë, të kishte kaq siguri në atë që dinte: që me vdekjen e njeriut, përfundonte gjithçka. Së fundi, Mërsoi është i huaj edhe kundrejt nesh. Sjellja e tij e pazakontë është kaq ndryshe nga e jona. Çfarë s’do kishim bërë ne për t’i shpëtuar një dënimi të tillë, ndërkohë që ai, “pa qenë hero, pranon të vdesë për të vërtetën”. Kushdo prej nesh, nëse e vë një çast veten në vend të tij, do të dëshironte që të ekzistonte të paktën një njeri që të na mbështeste, që t’i dhimbseshim, që të na mbronte, që të derdhte lotë për ne ditën e dënimit, ditën e vdekjes. Mërsoi, përkundrazi, uron për veten të padëgjuarën: “pastë në ditën e ekzekutimit tim sa më shumë njerëz që të më presin me britma urrejtjeje”. Pra gjithçka tek ai është e pazakontë, është jashtë atyre skemave ose kornizave që u përmbahet jeta e zakonshme njerëzore.

Imazhet, simbolet dhe alegoria në romanin “I huaji”
Salla e gjyqit – Nuk është thjesht një sallë e zakonshme ose jeta e Mërsoit gjatë kohës së gjyqit, por gjithashtu përfaqëson shoqërinë e kohës në roman.
Gjyqtari është vetëshpallur “arbitër moral”. Juristët janë përfaqësues të dërguar nga shoqëria për të gjykuar sipas njeriut 1, “duke hedhur gurë mbi Mërsoin”. I gjithë gjykimi simbolizon përpjekjen e shoqërisë për të racionalizuar një univers, ose, të paktën, një zinxhir ngjarjesh, që ekziston pa rend logjik. Aktgjykimi përfaqëson refuzimin e shoqërisë ndaj sjelljes pa kompromis të Mërsoit.
Kryqi – Simboli i kryqit në këtë vepër është simbol më i gjerë sesa thjeshtë Krishtërimi. Ai gjithashtu përfaqëson jetën pas vdekjes. Kryqi përfaqëson për absurdistin Mërso, gjithçka që ai nuk beson. Duke e refuzuar atë dy herë (një herë nga hetuesi dhe herën e dytë nga prifti), Mërsoi dëshmon se e urren nocionin se jeta duhet të ketë ndonjë shpjegim apo domethënie racionale. Mërsoi sfidon përpjekjen e kotë të njeriut në kërkim të kuptimit, ose për të besuar në diçka më të madhe.
Dielli– Dielli ka një ndikim të madh te Mërsoi. Dielli, në thelb, kontrollon të gjitha emocionet e tij dhe kjo është një nga rreziqet më të mëdha për një djalë që nuk ka një marrëdhënie të mirë me diellin, teksa jeton me algjerët e mësuar me diellin. Në varësi të intensitetit të tij, Mërsoi është i përgjumur, i zemëruar, i turbulluar, i lumtur. Duket sikur Mërsoi e përdor diellin si justifikim për çdo ndjenjë që ai ka, madje dhe vrasjen që ai kryen.

Ç’lloj njeriu është dikush që lejon që moti të diktojë veprimet e tij? Këtë mund ta kuptojmë nëse pohojmë se Mërsoi është tipi i njeriut që bën “rezistencë minimale” dhe ekzistenca e tij konfirmohet duke e lidhur veten me mjedisin, prodhim i të cilit është, dhe nevojave të tij fizike (kafja e mëngjesit, të ngrënët, gjumi, shplodhja, plazhi, qetësia, freskia, cigaret, femrat, kujtimet etj.). Këtë ai e pohon dhe vetë përpara avokatit kur thotë: “Pa dyshim, e doja shumë mamanë, por kjo nuk thoshte asgjë. Të gjitha qeniet me mend e kishin dëshiruar pak a shumë vdekjen e atyre që donin. Këtu avokati më ndërpreu dhe m’u duk shumë i tronditur… I shpjegova se kisha një natyrë të tillë që nevojat e mia fizike trazonin shpesh ndjenjat e mia. Ditën kur varrosa mamanë, isha shumë i lodhur dhe kisha gjumë. Aq sa nuk po e kuptoja ç’po ndodhte.” Djaloshi reporter në sallën e gjyqit – Ky djalë shfaqet në gjyqin e Mërsoit në kapitullin e tretë të pjesës së dytë të romanit. Ai është një gazetar i ri, i cili e studion Mërsoin “me sy të ndritshëm, duke mos shfaqur asnjë emocion”, vëzhgon me vëmendje çdo gjë dhe Mërsoi rrëfen se kjo i jep atij “përshtypjen e çuditshme sikur të ishte vetvetja që e shihte”. Ky i ri përfaqëson vetë Kamynë dhe përballjen e tij me absurdin. 

“Betohem se do të them të vërtetën!” – Parimi stilistik i rrëfimit
Romani “I huaji” solli mjaft risi në mënyrën e rrëfimit, çka është pika më e fortë e tij. Protagonisti jo vetëm është personazhi kryesor i gjithë romanit, por është vetë rrëfimi, i cili karakterizohet nga “sinqeriteti i plotë”. Duket sikur Kamyja bën lojë letrare, duke krijuar një personazh totalisht të privuar nga emocionet, racional dhe krejt mospërfillës ndaj zgjedhjeve që i propozon jeta. Fjalitë e shkurtra, sintaksa e thjeshtë, stili telegrafik, duke thënë vetëm më të domosdoshmet (ashtu si në një telegram), i kursyer në komente e shpjegime, i rrallë në përshkrime, paraqitja e fakteve e ngjarjeve të cilat të japin përshtypjen sikur ndodhin pikërisht para syve tanë, por pa na emocionuar, janë disa nga veçoritë e këtij rrëfimi. Ftohtësia dhe objektiviteti i rrëfimit janë zgjedhur posaçërisht nga Kamyja si mjete për të ngacmuar ndjeshmërinë e lexuesit dhe ta bëjë atë të mendojë në mënyrë kritike, duke provokuar tek ai sensin e gjykimit. Kamyja nuk krijon rrethana lehtësuese për heroin e tij, madje ai na e paraqet atë pa i dalë në mbrojtje, por as nuk i jep një përgjigje përfundimtare pyetjes “A është Mërsoi fajtor? A e meriton ai dënimin me vdekje?”. E vetmja gjë që na jepet e sigurtë, është se Mërsoi ka kryer një vrasje dhe meriton të dënohet për krimin që ka kryer. Atëherë, cila është e vërteta?

Romani, i ndërtuar mbi parimin e së vërtetës duket se na thotë se e vërteta është relative. Në vetërrëfimin e tij në pjesën e parë Mërsoi nuk fsheh asgjë, madje as ndjenjën e tij të fajit në shumë situata: përballë shefit që duhet t’i kërkojë dy ditë leje, përballë drejtorit të azilit, përballë arabit që i mori jetën, përballë shoqërisë dhe vetes që i prishi harmoinë e ekzistencës. Por në pjesën e dytë gjithçka shndërrohet. E vërteta rikrijohet nga “mjeranët e Marengos” të cilët, pa e kuptuar Mërsoin, e gjykojnë atë sipas ligjeve e normave të përbashkëta, të cilave Mërsoi nuk dëshiron t’u nënshtrohet. E përse u dashka që masa të ketë gjithnjë të drejtë?- nënkupton Mërsoi me qëndrimin e tij indiferent ndaj normave hipokrite. Situata e varrimit të nënës metamorfizohet, heroi i paraqitet gjyqit nëpërmjet syve të tjerë i tjetërzuar në një përbindësh të pashpirt. Vetë Mërsoit i krijohet përshtypja se të tjerët duan ta përjashtojnë: “Gjithçka ndodhte pa pjesëmarrjen time. Po vendosej mbi fatin tim dhe askush nuk më pyeti, se çfarë mendoj unë vetë”.

Parodia e gjyqit të Kamysë, pas veprës “Procesi” të Kafkës, dëshmon edhe njëherë përjashtimin, izolimin, moskuptimin, mospranimin, vetminë, gjykimin e njeriut e vënien në dyshim të ekzistencës së tij në shekullin XX, ku “njerëzit mjeranë të Marengos” marrin rolin e “perëndive të Olimpit” dhe dënojnë me vdekje në emër të humanizmit.

Duke iu afruar Mërsoit nga këndvështrime të ndryshme, duket se lexuesi çdo herë që e lexon këtë vepër zbulon mesazhe me vlerë humaniste rreth vlerës dhe rëndësisë së jetës. Fati i Mërsoit na mëson se njeriu duhet të jetë i përgjegjshëm për veprimet e veta, se njeriu ka vetëm një jetë e vetëm një vdekje, e duhet ta përdorë mirë lirinë e tij për t’i përballuar të dyja me dinjitet; na mëson se brenda secilit prej nesh jeton një Mërso, i cili në rrethanat e një ankthi ekzistencial absurd nuk mund të kuptohet nën dritën e arsyes; na mëson, gjithashtu, se para se të gjykojmë, duhet të përpiqemi të kuptojmë.