Kurrikula
Kursi: Letërsia Klasa 12 Shtëpia Botuese Filara
Identifikohu

Curriculum

Letërsia Klasa 12 Shtëpia Botuese Filara

0/32
Mësimi me video

Mësimi 3.1: Jeta dhe vepra e Albert Kamysë

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 12 Mësimi 3.1

LETËRSIA BOTËRORE E SHEKULLIT XX

ALBERT KAMY (1913- 1960)
Albert Kamyja është një nga penat më të fuqishme të shekullit XX, si dhe një nga stilistët më të mirë të prozës moderne. Ai njihet jo vetëm si shkrimtar, por dhe si dramaturg, eseist, filozof, mendimtar, aktivist francez i Rezistencës kundër nazizmit dhe fitues i çmimit “Nobel” për letërsinë në vitin 1957. Për shumë kohë është cilësuar si ekzistencialist, por ai vetë nuk pranonte se krijimtaria e tij ishte e tillë. Kamyja, ashtu si Kafka, Xhojsi, Hemingueji etj. i përkasin letërsisë së avangardës. 

Jeta dhe vepra
Albert Kamyja lindi më 7 nëntor 1913 në Mondovi të Algjerit (në atë kohë, koloni franceze) nga një baba francez dhe një nënë spanjolle. Babai i vdiq shumë i ri, gjatë Luftës së Parë Botërore, duke shërbyer “për një vend që nuk ishte i tij”, siç do të shënojë Kamyja në veprën e tij të fundit “Njeriu i parë”. Rol të rëndësishëm në edukimin e Kamysë luajti gjyshja e tij nga nëna. Kamyja i ri ishte një djalë aktiv, me shumë miq e i pëlqenin shumë sportet, sidomos futbolli. Pensioni i të atit e ndihmoi financiarisht që ai të shkollohej, derisa fitoi një bursë në universitetin prestigjioz të Algjerit, ku studioi për filozofi dhe u diplomua më 1936. Gjatë kohës së universitetit iu shfaq për herë të parë sëmundja e tuberkulozit. I shtruar në spital, iu afrua shumë pranë vdekjes, por për çudinë e mjekëve shpëtoi prej saj, edhe pse mori kura të vazhdueshme gjatë gjithë jetës. Në vitin 1934 ai u bashkua me lëvizjen komuniste franceze në Algjeri, por pas dy vjetësh u vetëpërjashtua. Më 1932 u dashurua me aktoren bohemiane Simone Hie, e cila ishte në atë kohë e fejuar me mikun e tij, Maks Fushet. Më 1934 u martua me Simonën, por pas një viti divorcohet për shkak të varësisë së saj nga droga. Kamyja nuk e harroi asnjëherë Simonën. Pas ndarjes, ai u kujdes për vite me radhë duke i paguar mjekimin. Sipas biografit të Kamysë, Oliver Todit, Simona është personifikuar te personazhi Maria në romanin “I huaji”. Gjashtë vjet më vonë, dashuria me Fransinë Forenë e çoi në martesë, prej së cilës pati dy fëmijë. Pas diplomimit, punoi si gazetar në Algjer, derisa gazeta u mbyll nga censura fashiste. Më 1940 Kamyja u detyrua të emigrojë në Francë. Gjatë viteve të luftës, i rreshtuar në radhët e rezistencës, Kamyja nuk përkulet ndaj asnjë ideologjie, duke kritikuar gjithçka që duket se e largon njeriun nga dinjiteti i tij. Do të jetë midis të paktëve që kritikojnë haptazi metodat brutale të sovjetikëve gjatë shtypjes së një greve në qytetin e Berlinit Lindor. Ai denoncon natyrën e vërtetë të sistemit totalitar komunist, merr në mbrojtje viktimat e stalinizmit, shkruan për martirët e lirisë, për heqjen e dënimit me vdjekje, për ankthin ekzistencial të njeriut të kërcënuar nga shfarosja, etj.

Shkrimet e tij kanë në qendër njeriun, vendin e tij në botë dhe kuptimin e jetës. Ai merr nxitje gjithnjë nga realiteti, por duke zbuluar në të kuptime universale e të gjithëkohshme. Pas botimit të esesë së tij filozofike “Miti i Sizifit” (1942), një nga esetë e famshme të kulturës moderne, ku pohonte se lumturia është çështje këndvështrimesh, ai boton në vitin 1952 esenë “Rebeli”, që e çoi në polemikë me revistën “Kohët moderne” dhe në prishje të marrëdhënieve me Zhan Pol Sartrin. Shkrimtari i madh i absurdit pati fatin e keq ta provojë e pohojë atë me vetë vdekjen e tij. Një ndërrim mendjeje në çastet e fundit për mjetin me të cilin do të udhëtonte, e çoi drejt vdekjes aksidentale më 4 janar 1960 njeriun dhe shkrimtarin, që sa e sa herë kishte thënë se nuk kishte absurd më të madh se vdekja në një aksident automobilistik.

Kamyja shkroi një sërë veprash, por veprat që e bënë të njohur ishin: eseja filozofike “Miti i Sizifit” dhe romani “I huaji”, që u botuan më 1942. Këto dy vepra, së bashku me dramat “Kaligula” dhe “Keqkuptimi” (1944), bëjnë pjesë në ciklin e absurdit. Këto vepra, sidomos romani “I huaji”, ndikuan në lindjen e letërsisë së absurdit në vitet 1950-1960. Një nga veçoritë kryesore të krijimtarisë së Kamysë është përdorimi i stileve të ndryshme për çdo vepër, për shembull: tek “I huaji” ai përdor sintaksën e thjeshtë, fjalinë e shkurtër, gjuhën e thatë telegrafike; te romani “Rënia” personazhi kryesor flet e flet papushim për veten, sa nga ligjërimi i tij të krijohet iluzioni i një fjalie të vetme që vazhdon pambarimisht etj.

“Miti i Sizifit”
Kamyja paraqet në këtë ese filozofinë e tij të absurdit: kotësinë e kërkimit që bën njeriu për të gjetur kuptimin e veprimeve dhe dëshirave të tij, në një botë pa kuptim, pa Zot, pa të vërteta ose vlera të përjetshme. A kërkon realizimi i absurdit vetëvrasje? Kamyja përgjigjet: “Jo. Ai kërkon revoltë.” Të pranosh absurdin e gjithçkaje që na rrethon, nxit revoltën. Duke u revoltuar, mund të zbulojmë nocione të reja që do t’i japin ekzistencës sonë kuptim. Kamyja më pas përshkruan disa qasje ndaj jetës absurde. Kapitulli i fundit krahason absurditetin e jetës së njeriut me situatën e Sizifit, një figurë e mitologjisë greke, i cili u dënua nga perënditë për të përsëritur përgjithmonë të njëjtën detyrë të pakuptimtë e të padobishme: të ngjiste përjetësisht një gur në një mal, vetëm për ta parë atë të rrokullisej përsëri poshtë. Në fund të esesë jep mesazhin se, nëse duam të jetojmë në një botë absurde, ne duhet të dimë ta kapërcejmë absurdin dhe ta imagjinojmë Sizifin të lumtur. “Sizifi i lumtur i sfidon Perënditë.”

“Kaligula”
Drama “Kaligula” përbëhet nga 4 akte dhe ka frymën e dramës romantike. Kjo dramë është ndoshta drama më e fuqishme e shkrimtarit, sepse u shkrua dhe u botua në kohëra dramatike për mbarë botën, siç qenë ato të Luftës së Dytë Botërore; dhe drama më e fuqishme, ndoshta, edhe për simbolikën aq të goditur dhe gjithnjë aktuale të kryepersonazhit të saj, Kaligulës. Kjo dramë na njeh me vetminë dhe delirin e një njeriu të pushtuar nga demoni i pushtetit, që nuk ngopet me të dhe që në emër të tij bën mizoritë më të pashembullta. Dëshira për pushtet të pakufizuar, egoizmi i çmendur për t’u bërë Zot e deformon dhe e çnjerëzon atë deri në atë shkallë, sa nuk i mbetet asgjë e mirë prej racës njerëzore. Në përpjekje për të gjetur absoluten, të pamundurën, ai bëhet rob i vetvetes, shkatërrohet, humbet shijen e jetës, të kënaqësisë e shndërrohet në një monstër që i kall datën edhe vetes. Pushteti është kuçedra që ha vetveten. Ky njeri nuk është armiku ynë, pasi ai që rrëzohet në fund nuk është perandori Kaligula, por demoni i pushtetit që e kishte zaptuar atë. Pas aktit të tretë lexuesit mund t’i lindë natyrshëm pyetja: A ekziston Kaligula dhe sot? Fundi i veprës na thotë:”Po, ekziston!” I vrarë nga dora e komplotistëve që i rriti dhe i ushqeu vetë, me një të qeshur të hidhur, plot sarkazëm, Kaligula ulëret triumfator: “Jam ende gjallë!”

Shumë kritikë mendojnë se Kamyja me këtë vepër i referohet Hitlerit dhe tragjedisë që shkaktoi nazizmi. Por kjo vepër është më shumë se kaq: ajo është një analizë e qartë dhe e ftohtë e raportit të njeriut me pushtetin. Ky pushtet është i pavarur nga koha dhe kultura që e prodhon. Kjo vepër nuk përcjell thjesht mesazhin se paqja nuk vendoset me dhunë, se dhuna pjell vetëm dhunë (çka nënkuptojnë fjalët e fundit të Kaligulës), por fton të reflektojmë, sipas kritikëve a studiuesve, për fytyrën e Kaligulës në ditët e sotme. Është tronditës pohimi se “demokracia globale fshihet nën kthetrat e Kaligulës.”

VEPRAT

Romane dhe novela
• I huaji (1942)
• Murtaja ( 1947)
• Rënia (1956)
• Syrgjynimi dhe mbretëria (1957)
• Vdekja e lumtur ( 1971, pas vdekjes)
• Gijotina (1958)
• Njeriu i parë (1959), roman autobiografiki botuar më 1994, pas vdekjes, i papërfunduar)

Vepra eseistike
• Metafizika e krishterë dhe Neoplatonizmi (1935)
• E mbrapshta dhe e mbara (1937)
• Dasma (1938)
• Miti i Sizifit (1942)
• Letra një miku gjerman (1948)
• Njeriu i revoltuar (1951)
• Verë (1954)
• Reflektime mbi dënimin me vdekje (1957)
• Aktualitet (3 vëllime 1939-1958)

Vepra teatrale
• Kaligula (1944)
• Keqkuptimi (1944)
• Shtetrrethimi (1948)
• Të drejtët (1950)
• Djajtë (1959), një përshtatje teatrore e romanit të Dostojevskit, me të njëjtin emër etj.