Kurrikula
Kursi: Letërsia Klasa 12 Shtëpia Botuese Filara
Identifikohu

Curriculum

Letërsia Klasa 12 Shtëpia Botuese Filara

0/32
Mësimi me video

Mësimi 4.1: Letërsia shqipe e gjysmës së parë të shekullit XX

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 12 Mësimi 4.1

Letërsia shqipe e gjysmës së parë të shekullit XX

Kushtet historike
Më 28 nëntor 1912, Shqipëria shpallet shtet i pavarur. Kjo ngjarje historike ishte jo vetëm realizim i ëndrrës sonë për liri e pavarësi, por edhe shpëtim nga copëtimi e asimilimi. Qeveria e Përkohshme, me kryetar Ismail Qemalin, në tetor 1913 ia dorëzoi pushtetin Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit dhe Fuqitë e Mëdha i imponuan shtetit të ri shqiptar një princ gjerman, Vilhelm Vidin (Wilhelm von Wied). Vidi erdhi në Shqipëri në shkurt të vitit 1914, por ai dështoi në misionin e tij dhe u detyrua të braktiste Shqipërinë vetëm gjashtë muaj më pas. Largimi i Vidit e përkeqësoi edhe më shumë gjendjen e vendit, i cili po përballej përsëri me rrezikun e copëtimit.

Lufta e Parë Botërore (1914-1918) do ta zhyste vendin në një krizë të re: në Shqipëri zbarkuan trupat italiane, ato austro-hungareze e franceze. Pas përfundimit të luftës, në prag të çeljes së Konferencës së Paqes në Paris, mbahet Kongresi i Durrësit (1918), i cili rikonfirmoi pavarësinë e Shqipërisë dhe kërkoi rishikimin e kufijve të vendosur nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër, në 1913. Konferenca e Paqes mori vendime që cenonin tërësinë territoriale dhe pavarësinë e Shqipërisë, ndaj në janar të vitit 1920, në Lushnjë, nën kryesimin e Aqif Pashë Elbasanit u thirr një Kongres Kombëtar i cili mori vendime historike për popullin shqiptar, si: mosnjohja e vendimeve të Konferencës së Paqes për copëtimin e Shqipërisë, çlirimi i Vlorës nga trupat italiane dhe largimin e tyre nga Shqipëria, e drejta për vetëqeverisje, pa ndërhyrje dhe kontroll të huaj etj. Kongresi i Lushnjës, me vendimet e tij e futi vendin drejt një rruge normale zhvillimi dhe krijoi një klimë paqësore në vend, duke ndikuar pozitivisht në zhvillimin e ekonomisë, arsimit, kulturës dhe jetës shoqërore në përgjithësi. Për shkak të luftës politike midis grupimeve të ndryshme për marrjen e pushtetit, gjatë kësaj kohe shfaqet paqëndrueshmëri në qeverisje (u formuan njëra pas tjetrës disa qeveri). Ndërkohë, në parlament u përvijuan dy grupime kryesore kundërshtare, njëri përfaqësues i forcave konservatore, të cilat kishin dhe qeverinë dhe që drejtohej nga Ahmet Zogu, ndërsa grupi kundërshtar në pozicionin e opozitës, me në krye Fan Nolin, me orientim demokratik-liberal.

Në vitin 1924, me një kryengritje popullore, Fan Noli bëhet kryeministër i qeverisë së re shqiptare, e cila zgjat vetëm gjashtë muaj. Zogu rimerr pushtetin dhe rifillon sundimi i tij katërmbëdhjetëvjeçar në Shqipëri, në fillim si president i Shqipërisë (1925-1928) dhe më vonë si Zogu I, mbret i shqiptarëve. Me Zogun fillon një periudhë qëndrueshmërie politike në Shqipëri. Ai vendosi autoritetin shtetëror në zonat e thella malore, uli kriminalitetin, hodhi themelet e sistemit të ri arsimor, por Zogu dështoi në reforma të rëndësishme ekonomike e sociale për përmirësimin e jetesës në vend. Në këto kushte e gjeti Shqipërinë Lufta e Dytë Botërore.

Letërsia
Letërsia shqipe e gjysmës së parë të shekullit XX, në fillimet e saj, ishte vazhdim i letërsisë së Rilindjes sonë Kombëtare. Krahas autorëve të afirmuar të saj, nisin e shquhen krijues të tjerë, si Faik Konica, Ernest Koliqi, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Sterjo Spasse, Migjeni etj. Me ta nis një fazë e re e letërsisë shqipe: shtohet interesi për problemet shoqërore, rroket më gjerë tema sociale, afirmohet prirja realiste, zë e theksohet fryma kritike dhe pasurohet letërsia me gjini e stile të ndryshme, madje mund të themi se në këto vite u shfaqën dhe u afirmuan dhe prirjet moderne në letërsi. Ky zhvillim i hovshëm i letërsisë shqiptare vihet re sidomos gjatë viteve ’20 e ’30, gjatë të cilave shihet si rritja e numrit të krijuesve, ashtu edhe e veprave letrare të botuara, të cilat u ngritën në një shkallë më cilësore artistike. Përmes shkrimtarëve të talentuar, të shkolluar nëpër qendra të ndryshme të Europës, në letërsinë shqiptare filloi të depërtojë fryma e drejtimeve dhe e ndjeshmërive të reja krijuese letrare të kohës nga zërat e shquar të kësaj periudhe.

Ndre Mjeda (1866-1937)
Mësimet e para
Mjeda i mori në qytetin e lindjes, në Shkodër, ndërsa studimet e mëtejshme i kreu për teologji në shkolla të ndryshme të Europës. U mor me studime e hulumtime gjuhësore, me përpilime tekstesh shkollore, përkthime etj. Krijimtaria e tij poetike është përmbledhur në vëllimin “Juvenilja”, 1917.

Nonda Bulka (1906-1972)
Mësimet e para i mori
në vendlindje, Përmet, ndërsa më pas studioi për drejtësi në Tuluzë (Francë). Në vitet ’30 u shqua si autor skicash letrare e fejtonesh nën pseudonimin Chri-Chri. Qe i pari që shtroi teorikisht nevojën e drejtimit realist në letërsinë shqipe. Në vitin 1934 botoi përmbledhjen me skica e tregime “Kur qan e qesh bilbili”.

Mitrush Kuteli (1907-1966)
Pseudonimi i
Dhimitër Paskos. Studimet e mesme i kreu në Selanik dhe u diplomua në Bukuresht për ekonomi. Si poet, prozator e kritik letrar ka botuar: “Net shqiptare” (1938), “Ago Jakupi – Rrëfime dhe kujtime” (1943), “Kapllan Aga i Shaban Shpatës” (1944), “Sulm e lot” (1944), “Shënime letrare” (1944) etj.

Ernest Koliqi (1903-1975)
Ndoqi kolegjin
e jezuitëve në Shkodër, ndërsa shkollën e mesme e mbaroi në Bergamo (Itali). U laureua për letërsi në Universitetin e Padovës, ku ka qenë dhe lektor i gjuhës shqipe. Është ndër themeluesit e prozës sonë moderne. Ndër veprat e tij përmendim: “Kushtrimi i Skënderbeut” (1924), “Hija e maleve” (1929), “Tregtar flamujsh” (1935) etj.

Ethem Haxhiademi (1902-1965)
Mësimet e para i mori në qytetin lindjes, në Elbasan, ndërsa studimet
e mesme fillimisht në Leçe e më pas në Austri. Diplomohet për shkencat politiko-juridike në Vjenë. Haxhiademi mund të konsiderohet i vetmi dramaturg klasik i letërsisë së viteve ’30 në Shqipëri. Tragjeditë e tij janë: “Akili”, “Ulisi”, “Aleksandri” (të tria të botuara në vitin 1931), “Pirrua” (1934), “Skënderbeu” (1935), “Diomedi” (1937) dhe “Abeli” (1938). Për të shënuar është dhe vëllimi poetik “Lyra” (1937).

Veli Stafa (1915-1939),
Veli Stafa (vëlla i
Qemal Stafës dhe nxënës i Ndre Mjedës) ndoqi studimet e para në Elbasan, në qytetin e lindjes, ndërsa arsimin e mesëm e kreu në kolegjin jezuit në Shkodër, të cilin e mbaroi me rezultate të shkëlqyera më 1932. Ndonëse i pasionuar pas letërsisë dhe filozofisë, Veliu respekton vullnetin e prindërve e studion për mjekësi. I prekur nga tuberkulozi vdes në moshën 24-vjeçare, në një sanatorium afër Parisit. Platonicus është pseudonimi me të cilin nënshkruan shkrimet e tij, që u udhëhoqën fillimisht nga rryma e simbolizmit (poezia “Para një kafke”, 1937) dhe më vonë nga realizmi modern.

Sterjo Spasse (1914-1989)
Shkollën fillore e kreu në vendlindje, në fshatin Gllomboç që gjendet buzë liqenit të Prespës. Është nxënës i Normales së Elbasanit dhe në vitet 1938-1941 studioi me korrespondencë pedagogjinë në Firence. Jeta e Sterjo Spasses është e lidhur ngushtë me arsimin, kulturën dhe letërsinë. Shkrimin e tij të parë, tregimin “Kush duron, trashëgon”, e botoi në moshën 15-vjeçare. Ndër veprat e tij përmendim: romanet “Pse” (1935), “Afërdita” (1944), përmbledhjen me tregime “Kunorë rinie” (1934), “Nusja pa duvak” (1944) etj. S. Spasse ka shkruar e botuar vepra të tjera letrare, deri në fund të jetës së tij.

Branko Merxhani (1894-1981)
Është një ndër publicistët
më të njohur para Luftës II Botërore në Shqipëri. Bashkë me Petro Markon themelon më 1936 “Përpjekja shqiptare”, ku botoheshin artikuj nga fusha të ndryshme të kulturës dhe dijes, si nga filozofia, sociologjia, historia, gjuhësia, arkeologjia, pedagogjia, etj. Përmes kësaj reviste iu dha një shtytje mendimit kritik letrar.

Petro Marko (1913-1991)
Kreu shkollën tregtare të Vlorës. Pjesëmarrës në Luftën e Spanjës. Poet, dramaturg, publicist e kritik. Më 1933 boton poezinë e gjatë “100 lot mërgimtari”, por mbi të gjitha, ai shquhet si romancier që sjell frymën e lartë të humanizmit.

Si urë lidhëse mes periudhës letrare të fundshekullit XIX dhe asaj të fillimshekullit XX, nga Rilindja në modernitet, mund të cilësojmë Asdrenin (1872-1947) dhe Ndre Mjedën. Si Asdreni, edhe Mjeda janë shkrimtarë vazhdues të frymës së Rilindjes, por në veprën e tyre shfaqen dhe prirje të reja. Asdreni përbën kalimin nga një trashëgimi letrare drejt një forme të re poetike. Vepra që shënon këtë epokë të re në poezinë shqipe është vëllimi i tij poetik “Psallme murgu” (1930), ku takojmë trazime të brendshme, meditime e gjendje shpirtërore personale të poetit, shpërfaqur përmes një forme poetike të përsosur. Ndërsa te Ndre Mjeda, krahas romantizmit, do të gjejmë tipare të klasicizmit e neoklasicizmit. Poema “Andrra e jetës” (1917), pjesë e vëllimit poetik “Juvenilja” që është dhe vepra më e arrirë e poetit, shënon përfundimisht kalimin e Mjedës nga romantizmi në realizëm. Në këtë krijim, duke përsosur më tej lirizmin, forcën artistike të fjalës, figuracionin e pasur dhe kujdesin ndaj vargut, Mjeda paraqet një tablo realiste të jetës së malësorit. Te Mjeda qëndrojnë bashkë romantiku, adhuruesi i natyrës, himnizuesi i së kaluarës dhe lavdisë shqiptare, me realistin, vëzhguesin e kritikun e rreptë të realitetit dhe të metave njerëzore.

Hyrja e Faik Konicës dhe e Fan Nolit në letërsinë shqiptare është e një rëndësie të veçantë. Ata përbëjnë dy figura poliedrike që rrezatojnë kulturë, dije, art përtej kohës së tyre. Faik Konica shënon shkëputjen përfundimtare me romantizmin dhe në tërë veprën e tij letrare e publicistike vihet re çmitizimi i së shkuarës dhe së tashmes. Revista dygjuhëshe “Albania” (1897) e Konicës bëhet organi më i rëndësishëm i shtypit shqiptar, e cila për 12 vjet radhazi sjell artikuj nga fusha të ndryshme të albanologjisë. Shkrimet e veta kritike Konica do t’i botojë më së shumti në këtë revistë. “Katër përralla nga Zullulandi”, cikël tregimesh prej të cilave u botua vetëm një: “Një ambasadë e zulluve në Paris” dhe “Doktor Gjilpëra”, edhe kjo e papërfunduar, janë ndër veprat më të rëndësishme të Konicës, ku, përmes satirës, Konica realist fshikullon anakronizmin e primitivizmin e shoqërisë shqiptare.

Fan Noli ka lënë një trashëgimi të pasur letrare, publicistike, historike, kritike, shqipëruese, muzikore e oratorike. Ai dallohet si publicist i mprehtë e me kulturë, por kontributi më i çmuar i tij janë shqipërimet. Duke bërë të dukshme bukurinë e zhdërvjelltësinë e shqipes, Noli bëri të flasin shqip kryevepra të letërsisë botërore, si: “Otello”, “Makbethi”, “Jul Qezari”, “Hamleti” të Shekspirit; “Don Kishoti i Mançes” i M. de Servantesit; dramat e Ibsenit, Ibanjezit, rubairat e famshme të Omar Khajamit, poezitë e Gëtes, Longfellout, Hygoit, Verlenit, Bodëlerit etj. Ndryshe na shfaqet Gjergj Fishta. Frati françeskan i lëvroi të gjitha gjinitë poetike, dramatike e publicistike, por vepra e tij madhore mbetet “Lahuta e Malcis” (1937). Krijimtaria epike e afron Fishtën me frymën e Rilindjes dhe romantizmin shqiptar, ndërsa si poet satirik, ku veçojmë përmbledhjen “Anzat e Parnasit” (1907) dhe poemën satirike “Gomari i Babatasit” (1923), Fishta, duke vënë në pah dhe kritikuar të metat e shqiptarit, kapërcen romantizmin dhe shkon drejt realizmit. Poezia shqipe e kësaj periudhe shquhet për pasuri në motive. Përveç temës patriotike dhe asaj shoqërore, gjen zhvillim dhe poezia intime, ajo e natyrës, poezia meditative etj. Tërheqin vëmendjen A. Çaçi, Dh. Shuteriqi, P. Marko, Sh. Musaraj, V. Stafa etj., por ndër to veçojmë Migjenin e Lasgush Poradecin.

Në letërsinë shqipe, Migjeni sjell risi si në poezi, dhe në prozë. Duke lënë mënjanë idealizimin e himnizimin romantik, ai shpalos me vërtetësi realitetin shqiptar të kohës, ku vuajtja e mjerimi i tejskajshëm janë shtruar këmbëkryq. Risitë në planin e përmbajtjes Migjeni i bashkëshoqëron me risi në planin e shprehjes, ku më e rëndësishmja është përdorimi i vargut të lirë, ndërsa te romantiku i vonuar e modernisti Lasgush Poradeci gjejmë poetin që e konsideron poezinë të çliruar nga çdo lloj detyrimi politik a social. Poezia e tij është një prurje e re në kontekstin letrar të kohës, përsa i përket elementeve të formës dhe përmbajtjes. Së pari, lirika e dashurisë dhe, më tej, ajo filozofike do të zënë vendin më të gjerë në krijimtarinë poetike të Poradecit.

Krahas poezisë, në letërsinë e gjysmës së parë të shekullit XX zhvillim merr edhe proza. Ajo fiton pjekuri artistike, veçanërisht me tregimin. Përmendim Haki Stërmillin, Nonda Bulkën etj., por kthesën më të rëndësishme në prozën shqipe të kësaj periudhe do ta bëjë Ernest Koliqi e Mitrush Kuteli. Këta tregimtarë bëhen nismëtarë të prozës moderne shqipe. Proza e Koliqit ishte një dukuri e re në letërsinë shqiptare. E mbrujtur me përmbajtje shqiptare në problematikë, personazhe, mjedise dhe mesazhe, por e shkruar nga një dorë mjeshtri me kulturë të gjerë perëndimore, ajo sjell ngjyrime moderne simboliste e impresioniste. Do të mjaftonte proza poetike “Pasqyrat e Narcizit” për të na bindur për këtë. Në prozën e Koliqit, nga njëri vëllim, “Hija e maleve”, te tjetri, “Tregtar flamujsh”, shohim si autori kalon nga vështrimi idealizues në atë kritik, duke gërshetuar modernen me tradicionalen. Koliqi nis të depërtojë në psikologjinë e personazhit, zbulon vetëdijen dhe analizon pavetëdijen e tij. Ndërsa Kuteli, shënon modernitetin me rrëfenjat e tij. Proza e tij rrezaton bukuri shprehjeje, forcë emocionuese, mjeshtri të rrallë përshkrimi, veçanërisht në vepra të tilla, si “Gjëma e madhe e mëkatit”, vepër e denjë kjo për letërsitë e mëdha.

Letërsia shqiptare që zhvillohej në Kosovë e Maqedoni ishte e shkëputur nga letërsia amë dhe nga një pjesë e traditës letrare, ajo pothuajse nuk ishte fare në kontakt me të. Përpjekjet e letrarëve të këtyre trevave nisin që herët, por vetëm në vitet ’30 gjejmë krijimet e para. Përmendim këtu Esad Mekulin (1916 – 1993), poetin më në zë të Kosovës, i cili në vargjet e tij prek çështjet më jetike të njeriut, si dhe Hivzi Sulejmanin (1910-197), një tjetër nga shkrimtarët e rëndësishëm të Kosovës, që vuri bazat e kësaj letërsie në prozë.