Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 12 Mësimi 5.4
LETËRSIA SHQIPE E GJYSMËS SË PARË TË SHEKULLIT XX
Gjergj Fishta Lahuta e Malcis
Kënga XXIV, Zana e Vizitorit
Duke ndjekur luftën, Zana e Vizitorit dallon Tringën të vdekur. Fluturimthi gjendet në oborr të Curr Ulës, merr Tringën në krahë dhe e çon në rudinat e Vizitorit. Zana e Madhe thërret Orë e Zana në vaj. Pasi i bëjnë të gjitha shërbimet vashës së vdekur, ato betohen për shpagim.
Mbi atë rudinë e te ajo gurrë,
Zana e Madhe, Shtojzovallet!
Ka ulë Tringën n’bar të njomë,
edhe fsha ka ajo të madhe.
Kur ka fsha nji herë të madhe,
ka piskatë fort ma të madhe:
Ç’ka ushtue bjeshka e Vizitorit!
E kanë ndie motrat e veta,
Orë e Zana t’Vizitorit:
e kan ndie ato e gjithsa kjenë,
gjithsa kjenë, po, te ku kjenë
shkapërderdhë gjatë Vizitorit
nëpër kërma, currina e krepa,
luftën tue soditë të Lumet,
ia kan behë ato vetimë,
disa vetmas, tjerat plimë,
tue rrahë flatrat npër ajri:
si ata pëllumbat, qi prej mbarmjet,
ende dielli pa prendue,
shkapërderdhë si t’jenë pullazesh,
npër kopshtije a skaj’t t’oborrit,
kur t’ndiejn zanin e zojës s’shpisë
se i ndiell m’kokrra, flut’rim ajrit
për t’u lshue kanë, tok a damas,
zani i njohtun kah t’i grishë:
e si ato qi s’kan mot t’keq,
fol e qesh t’Lumet n’mes t’vetit,
ka’ i bijn ajrit tue flut’rue.
Por kur mrrijtë kanë mbi atë rudinë
e kan pa shtri n’bar të njomë
trupin dekun t’Tringës s’mjerë,
“kuku!” t’madhe fort gërthitën
rrah shuplakë e lëviru fëtyret.
lënu’ru flokësh fijesh s’mundashit,
njana dënes e tjetra fshajë:
fshaj e kjaj e shkrehu n’vaj,
ra përmbys rreth trupit t’sajë,
dhimet zemra gjak tue u pikë.
Mjaft tash, Varza; meni vajin!
kem’ me pasë se kur me kja,
Zana e Madhe merr e u thotë,
se edhe n´vend qillue po kemi,
ku rri bari ri në lot,
kur rreth toka asht mbru me gjak,
me gjak njerit, e ku, besa,
nji Shqiptar, n’dashtë burrë, n’dashtë grue,
qi për zemër Orë e Zana
t’a kenë pasë, aj, t’thuesh, gjithmonë
ka hjekë zi, keq ka mbarue:
q’se kjo e mjera moj Shqipni
ka për bri, nji dreq të zi,
e në gji, nji dreq ma t’zi,
ka për bri kjo Karadakun,
e në gji ka Turkoshakun,
qi veç e me agor të vetin
hije t’zezë me i lëshue ky diellit,
e si vetë ai gjarpin zilesh
veç me sy dhenë me e helmuem.
Por t’i lamë këto fjalë. Tash Tringa
do ba gati me u rëmue n’dhe.
…………………………………
Zana e Madhe, lott për faqe,
merr e i thotë ksajë Orës s’Trojanit:
faqebardhë, Orë e Trojanit,
faqebardha motra t’saja,
qi m’u gjetët n’kët ditë t’shëmtueme;
se, mana, kan kenë kah m’losin
dhimbet t’zemrës mendt e kresë!
Veç ndigjoni, oj Orë e Zana,
se me zanë due betë e mëdhana:
pasha rrezet qi lshon hana!
pasha voesën mbi lëndina!
pasha brej, aha e çetina!
e për mriza e qepariza!
e për gurra nëpër curra!
e për lila e për bylbyla!
Pasha t’rijt e pasha verën!
Mos e pritsha kurr prandverën!
e as ma Zanë mos m’thaçin mue,
se un der nesër, pa marrë dielli,
s’e la Tringën pa pague!