Kurrikula
Kursi: Letërsia Klasa 12 Shtëpia Botuese Filara
Identifikohu

Curriculum

Letërsia Klasa 12 Shtëpia Botuese Filara

0/32
Mësimi me video

Mësimi 2.2: Analizë Metamorfoza

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 12 Mësimi 2.2

LETËRSIA BOTËRORE E SHEKULLIT XX

ANALIZË “METAMORFOZA”
Novela “Metamorfoza” është një nga veprat më novatore të shekullit XX. Kjo novelë mund të konsiderohet kryevepër e krijimtarisë së Kafkës. Novela avangardiste “Metamorfoza” u shkrua në vitin 1912 dhe u botua për herë të parë në një revistë ekspresioniste më 1915.

Subjekti dhe rrëfimi
Rrëfimi i ngjarjeve bëhet në vetën e tretë nga një rrëfimtar që shfaqet në vepër dhe identifikohet me vetë Kafkën. Kafka rrëfen me thjeshtësi aventurën e vetvetes, por në vend të vetës së parë, zgjedh t’i “transportojë” ngjarjet në një personazh që është fryt i fantazisë së tij, paralel me të. Kjo e bën rrëfimin edhe më origjinal. Rrëfimi nis me një ngjarje të pazakontë, që e habit dhe e trondit thellësisht lexuesin: Gregor Zamza u zgjua në mëngjes, pas një nate me ëndrra shqetësuese, dhe vuri re se ishte shndërruar në një kandërr gjigande e të ndyrë. Përtej habisë e pabesueshmërisë së gjendjes në të cilën ndodhet, shqetësimi më i madh i Gregorit është se do të bëhet vonë për në punë. Gregori i transformuar krijon fillimisht një shqetësim të thellë në familje. Të gjithë nisin t’i përkushtohen atij. Gjenialiteti i Kafkës është se ai e paraqet Gregorin veçse në ndryshimin fizik, në zakone, dëshira, mënyrën e jetesës, por jo shpirtëror dhe të ndërgjegjes. Gregori e kupton të gjithë situatën rreth tij dhe ka një pikëllim të madh që s’mund të shprehet e as të komunikojë me të tjerët.

Vetë Kafka nuk i jep shkaqet e shndërrimit të Gregorit, madje, çuditërisht, asnjë s’interesohet për to. Megjithatë vetë Gregori arrin të kuptojë që shndërrimi është i pakthyeshëm dhe i pashmangshëm. Gregorit gjithë kjo gjëmë i vjen pasi ai është shumë i përkushtuar në punë, e cila e ka bërë efektin e saj të çuditshëm jo duke i dhënë të mirat që çdo njeri pret, por duke e shndërruar në një qenie të shëmtuar e të trishtueshme, që e pengon të realizojë natyrshëm dëshirat njerëzore, qoftë dhe më minimalet. Pas shndërrimit, bota e tij kufizohet në një dhomë që sa vjen e bëhet më e zbrazët. Koha nis të marrë për të të tjera përmasa. Babai dhe nëna ndiejnë neveri dhe ata thuajse e braktisin, harrojnë ta ushqejnë, kanë frikë të hyjnë në dhomën e tij, përpiqen ta fshehin nga sytë e të tjerëve fatkeqësinë që u ka rënë. Vetëm e motra, Greta, kujdeset për të, por dhe ajo pas njëfarë kohe lodhet nga kjo gjendje dhe nga ndryshimet që ndodhin në famije pas shndërrimit të Gregorit. Në familjen Zamza vetëm Gregori punonte. Familja ishte e zhytur në borxhe dhe pas shndërrimit të Gregorit, problemet financiare shtohen. Në përpjekje për të gjetur zgjidhje që familja të sigurojë jetësën, babai rikthehet në punë, po kështu edhe e motra braktis ëndrrat e saj për t’u shkolluar si muzikante dhe fillon të punojë në një dyqan. Ndërkohë Gregori-kandërr, edhe pse i çliruar nga detyrimet dhe jeta monotone e mëparshme, nuk çlirohet dot nga pesha e fajit. Edhe në ato pak raste kur ai përpiqet t’i qaset jetës së mëparshme si njeri: të dëgjojë bisedat, muzikën e adhuruar nga violina e së motrës etj., prania e tij është e padëshirueshme.

Në fund, familjarët e lodhur dhe përfundimisht të bindur se krijesa që kanë përballë nuk është më djali apo vëllai i tyre, por një “kandërr”, e trajtojnë si të tillë dhe e braktisin me indiferentizëm. Gregori mbetet i përjashtuar dhe i pakuptuar. Ai vdes në vetmi, me ngashërimin e pashprehur dhe disi në pritje të “zgjidhjes” që do t’i sjellë vdekja, e cila i vjen nga mosushqyerja dhe plaga e dënimit atëror, molla e kalbur e infektuar mbi shpinë me të cilën është goditur nga i ati, si për të na rikujtuar mëkatin fillestar që mbajmë të gjithë mbi shpinë.

Koha dhe mjedisi
Rrëfimi nis mëngjesin e një dite të zakonshme, kur Gregori sapo zgjohet. Zgjimi që personifikon shpresën e re dhe emocionet e reja, turbullohet menjëherë sapo njeriu fillon kontaktin me botën. Ai rrënqethet kur sheh se është bërë një gjallesë e neveritshme, një krijesë e një natyre tjetër, madje anti-njeri. Zgjimi është simbol i ndërgjegjësimit, është akti i shikimit me veten sy më sy. Koha në vepër rrjedh ngadalë. Tortura e jetës së re të Gregorit si kandërr nuk zgjat veçse pak muaj. Si zakonisht te Kafka, dhe këtu mjedisi është i një natyre simbolike. Ngjarja zhvillohet në shtëpinë e familjes Zamza, veçanërisht në dhomën e Gregorit, në të cilën ai qëndron si i burgosur me vështrimin për orë të tëra nga rruga që ndodhet përtej xhamave të dritares. Edhe pse duket sikur veprimet ndodhin në një mjedis të izoluar, Kafka gjen aty gjithçka që i duhet: individin dhe raportet që ai krijon me veten dhe të tjerët; familjen, punën dhe shoqërinë. Për të shprehur dhimbjen më të thellë njerëzore të kohës së tij, Kafka i kufizon këto marrëdhënie në rrethin e ngushtë familjar: baba, nënë, motër, vëlla. “Tjetri”, ku njeriu projekton të jetë i kuptuar dhe i pranuar ashtu siç është, është pikërisht familja. Por familja, e cila është thelbi i shoqërisë, në këndvështrimin kafkian nuk është ajo mikrobota magjike ku dashuria lidh pa paragjykime anëtarët e një gjaku. Lidhja e shenjtë e gjakut dhe dashurisë pa kushte është korruptuar nga interesi dhe nga trysnia e botës kapitaliste. Kjo “botë e re”, njeriun e padobishëm, njeriun e ndryshëm e kthen në një qenie të zbrazur, pa shpirt, madje, ngadalë e pakuptuar e shndërron në një insekt të parëndësishëm, e braktis, e shtyp me këmbë, edhe pa bërë “asnjë faj”.

Titulli i veprës
Termi “metamorfozë” do të thotë shndërrim, ndryshim i rëndësishëm. Po si shfaqet kjo metamorfozë në vepër? Përgjatë novelës ndodhin dy metamorfoza. Së pari, transformimi i Gregorit, i cili kalon nëpër disa faza deri në zhvillimin e plotë. Gregor Zamza, fillimisht transformohet fizikisht, më pas ai humb aftësinë për të komunikuar me të tjerët; lidhjet profesionale dhe ambiciet personale; marrëdhëniet me familjen, sidomos me të atin; aftësinë për të qenë i dobishëm; kapacitetin për të paguar borxhin; statusin e tij në shoqëri; identitetin dhe lirinë. Metamorfoza e Gregorit, në thelb, është një metamorfozë e jashtme, pasi ajo nuk e prek shpirtin e tij që mediton, kënaqet, ushqen dashuri për familjarët e sidomos për motrën, merak e kujdes për nënën, frikë nga babai, që i pëlqen të sodisë e të dëgjojë muzikën e luajtur nga motra e tij. Së dyti, metamorfizohet edhe familja e Gregorit. Nëse Gregori transformohet së jashtmi, familja, si institucion, transformohet së brendshmi, në kushtet e një jete ku marrëdhëniet njerëzore rrezikohen nga interesi dhe egoizmi. Tjetërsimi i familjes, e cila në novelë mund të kuptohet më tepër në nëntekst dhe paraqitet në fillesat e saj, është një profeci kafkiane e cila na tregon shkaqet e një rrjedhoje fatale: dehumanizimit të mekanizmit shoqëror. Metamorfoza, si dukuri e përdorur nga Kafka në vepër, është një gjetje artistike gjeniale. Metamorfoza e një individi të zakonshëm, siç ishte Gregori, është materializimi i metaforës së tjetërsimit të individit në shoqërinë moderne.

Ironikja dhe tragjikja
Shkrimet e Kafkës përgjithësisht thonë atë që duhet dhe pa ceremonira formale. Rreth fundit të novelës, Gregorit i ka ardhur në majë të hundës me jetën e tij vegjetuese, por Kafka nuk gjen mjete për të asgjësuar ose zhbërë situatën. Gregori ndihet thellësisht i pashpresë, por ai nuk tenton vetëvrasjen. Duke qendruar pasiv, ai e le veten tërësisht të duart e fatit që i caktoi jeta. Për t’u çliruar nga pamundësia e rikthimit në njeri dhe nga absurditeti që e rrethon, vdekja e tij bëhet zgjedhje e natyrshme, duke zgjidhur kështu dhe intrigën. Ajo vjen pa dilema, se Gregori është i vetëdijshëm se në këtë botë ironike individualiste, besimi se gjërat mund të ndreqen është një gënjeshtër e madhe. As vetë vdekja nuk është më tragjike sesa kjo.

Në këtë novelë, si në tërë veprat e Kafkës, nuk mungon e qeshura. Por kjo e qeshur nuk është si ajo e Don Kishotit me mullinjtë e erës. E qeshura që shkakton Don Kishoti është diçka e ngrohtë dhe njerëzore, ndërsa ajo e Kafkës buron nga situata “kafkiane”, ndaj është e akullt, si e jashtëbotshme1, prandaj është quajtur “humor i zi”. Nënqeshja e tij ngjan si bubullimë që të fut tmerrin dhe të lë krejt vetëm para enigmës së madhe të ekzistencës. Nëse Shekspiri ka nevojë, thuajse gjithmonë për një dramë a tragjedi të madhe për të na tronditur, siç di të trondisë vetëm ai, Kafkës i mjafton një rrëfim i zakonshëm, me kusht që ai të përmbajë humorin e zi, atë të jashtëbotshmin. Kështu as vetë vdekja nuk është më tragjike, sesa e qeshura e hidhur, edhe e vetë Gregorit, me atë që ndodh: “…me gjithë këtë hall, ai nuk mund ta largonte një buzëqeshje që i vinte”.

Personazhet
Personazhet e kësaj novele janë të pakta dhe përbëjnë një bërthamë familjare, por raportet midis tyre janë të ndërlikuara. Në fillim të novelës Kafka na pohon se metamorfoza ka ndodhur. Atëherë lind pyetja: “Cili ishte Gregor Zamza para se ai të kthehej në insekt?” dhe “Përse Kafka zgjedh për të profesionin e tregtarit shëtitës? ”

Para metamorfozës Gregori ishte një njeri që jetonte për të tjerët. Ai sakrifikohet për të motrën që ajo të realizojë ëndrrën e saj për t’u bërë violiniste. Ai sakrifikohet për të paguar borxhet e të atit dhe për të mbajtur familjen. Puna e tij është shumë stresuese dhe ai lodhet shumë, pasi punon dyfish dhe, që prej pesë vjetësh nuk ka bërë asnjë ditë pushim. Duke i dhënë një profesion që përqendrohet te raportet me të tjerët, te udhëtimi, te të krijuarit e marrëdhënieve sipërfaqësore me njerëz të cilët i takonte vetëm një herë, ndoshta kështu u formësua personaliteti i Gregorit, gati pa një qendër e pa themele, sikur uni i tij të mos ekzistonte veçse në raporte me të tjerët. Me kalimin e kohës ai mendon vetëm për punën. Nuk ka më dëshira. Nuk argëtohet më. Në kohën e lirë nuk lexon më, por studion oraret e trenave në gazetë. Dalëngadalë ai nuk ka më as miq e as raporte të vërteta njerëzore. Ai bëhet skllav i punës dhe i familjes së tij derisa përfundon i “burgosur” në dhomën e tij. Ai nuk është më një qenie humane, por veçse një mbeturinë e shoqërisë. Gregori ndihet si parazit, por në fakt parazitë janë familjarët e tij, të cilët, pas shndërrimit të Gregorit në kandërr, tregojnë se ende mund të punojnë dhe të ndajnë barrën e mbajtjes së familjes, e cila rezulton të jetë shumë e rëndë për t’u mbajtur nga një person i vetëm. E vërteta është që Gregori ndërgjegjësohet për unin e tij, por, paradoksalisht, vetëm pasi shndërrohet në kandërr. Pra, mund të thuhet se Zamza, para se të shndërrohej në një kandërr, ishte një robot dhe vetëm kur shndërrohet në kandërr, ndryshe nga të gjithë personazhet e Kafkës, ia del të humanizohet.

Zoti Zamza është kaq arrogant sa i biri nuk guxon ta kundërshtojë autoritetin e tij e të veprojë ashtu si mendon. Gregori është viktimë e figurës atërore, por njëkohësisht edhe fajtor, sepse është i paaftë të shkëputet nga familja për të jetuar më vete. I ndërgjegjshëm që është vetë fajtor, Gregori nuk heziton të gjejë zgjidhje te vdekja e vullnetshme (ndërpret ushqimin) duke i shlyer kështu të gjitha shqetësimet që i shkakton familjes. Marrëdhënien e vështirë atë-bir, Kafka e paraqet si kompleks inferioriteti të vetë Gregorit.

Nga ana tjetër, e ëma e Gregorit është një femër e brishtë dhe e dobët. Si nënë, përjetimet e saj ndaj gjendjes të së birit jepen shumëngjyrëshe: ajo ndien neveri, dhembshuri, shumë frikë, humb shpeshherë ndjenjat dhe është e paaftë ta kuptojë e ta mbështesë të birin. Fjala e saj nuk ka peshë në familje. Duhet theksuar gjithashtu që babai nuk është i vetmi në familje që përpiqet ta shtypë Gregorin. Në një mënyrë pak më të butë, edhe e motra, Greta, dëshiron ta nënshtrojë të vëllain. Ne nuk e shohim atë, qysh kur dëgjojmë për të. Ajo është vetëm një zë prapa një muri, duke u përpjekur të hapë derën e dhomës së gjumit të Gregorit. Ndryshe nga prindërit e saj, ajo kupton se Gregori refuzon ta hapë derën. Karakteri i Gretës pëson në novelë një metamorfozë të një lloji tjetër. Ajo nuk është më motra e vogël e Gregorit, e cila duhet të mbrohet nga bota e madhe dhe e keqe. Greta është e vetmja në familje që mund të përballet me trupin e ri të Gregorit dhe, gjithashtu, e vetmja që përpiqet të kuptojë nevojat e tij të reja dhe t’u përgjigjigjet atyre. Gregori, si të thuash, është nën kujdestarinë e përgjegjësinë e saj. Ajo kujdeset që ai të ushqehet, të pastrojë dhomën e tij ose ta lehtësojë atë nga orenditë, në mënyrë që ai të lëvizë lirisht. Madje në një rast ajo shpërthen në lot, kur kthehet në shtëpi dhe merr vesh që nëna kishte pastruar dhomën e tij. Përgjegjësitë e saj të reja e rrisin atë në sytë e prindërve. Por qasja e saj ndaj Gregorit-kandërr nis të ndryshojë, kur gjërat në familje fillojnë të vështirësohen. Pasi kthehet nga puna në dyqan, përkujdesja për Gregorin bëhet një punë e lodhshme. Ndryshimet që ndodhin në familje fillojnë të bëhen torturuese. Fillimisht ajo fillon të hyjë në dhomën e tij rrallë e më rrallë; goditjen përfundimtare marrëdhënia e tyre e merr, kur, padashur, Gregori shkatërron “koncertin” e saj në violinë përpara qiramarrësve. Në fund ajo refuzon ta konsiderojë atë vëlla dhe beson se ai duhet të largohet. Novela mbyllet pikërisht me Gretën, e cila, e lehtësuar prej vdekjes së vëllait-kandërr, është gati dhe entuziaste të rinisë një jetë të re. A do të mundet vallë? 

Gjuha dhe stili
Stili i Kafkës është konciz dhe thelbësore për të është t’i lërë lexuesit hapësirë për reflektim dhe imagjinatë. Ai përshtat një metaforë që e godet lexuesin, “Ai nuk është si një buburrec, por është një buburrec.”, duke iu paraqitur lexuesit ashtu si “nuk ia rrok mendja”. Ai përdor pak teknika rrëfimi: përshkrim me detaje të ndonjë skene; përdor monologun, dialogun e paktë, por përqendrohet te rrëfimi me detaje të përpikta dhe me gjuhë të thatë telegrafike. Ka një lloj mekanizimi e ftohtësie të çuditshme në gjuhën e Kafkës, në mënyrën se si flasin ose si lëvizin e sillen personazhet e tij, gjë që lexuesin e tmerron. Ky lloj mekanizmi bëhet thelbësor në ligjërimin e Kafkës, si të ishte makineria që mban të skllavëruar njeriun. Vepra e Kafkës njeh interpretime nga më të ndryshmet, por studiuesit janë të një mendjeje mbi faktin se Kafka në vetvete është një protestues i madh; është vetë protesta. Protesta lind apriori për të gjithë, që nga çasti i zgjimit në absurd, ndaj ai nuk krijon arsyetime fatale. Për shoqërinë, të gjithë ne jemi individë që e përbëjmë atë për sa kohë jemi pjesë përfaqësuese e saj. Në çastin që ne nuk jemi të tillë, bëhemi të panevojshëm për të. Pikërisht në këtë çast shoqëria të flak jashtë. Ky është morali që na përcjell Kafka. Këtu qëndron dhe thelbi i humanizmit të tij: duke qenë viktimë, Zamza mbetet aq madhështor në virtytet, në qenien e tij, aq dhe në mosqenien e tij, si gjithë vdekatarët mbi këtë rruzull. Si i tillë, Ai është njëri nga NE.