Kurrikula
Kursi: Letërsia Klasa 12 Shtëpia Botuese Filara
Identifikohu

Curriculum

Letërsia Klasa 12 Shtëpia Botuese Filara

0/32
Mësimi me video

Mësimi 9.5: Fragment Shoku Zylo pret rapsodët

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 12 Mësimi 9.5

DRITËRO AGOLLI

Fragment: Shoku Zylo pret një ftesë
Nuk kisha dëshirë të shkoja në asnjë zyrë. Isha lodhur duke ndenjur në kolltuk para shokut Zylo. Veç kësaj, më pihej një kafe. Kështu që pas tij dola edhe unë. Hyra në kafe “Tirana” dhe u ula në një tavolinë përballë dritares. Duke ndenjur i menduar, fillova të qesh me vete: “Për mua shoku Zylo është fenomenal. Me shumë njerëz kam punuar. Shumë njerëzve ua di psikologjinë, karakterin, tekat. Por njerëzit që kam njohur nuk mund të krahasohen me shokun Zylo. Si do të më shkojë puna me të, vallë? Më duket se ky do t’i shkruajë vetë referatet dhe raportet. Unë vetëm do t’i mbledh të dhëna. Të paktën kështu do ta kem më lehtë…” – mendova i ulur në tavolinë. Pastaj, aty për aty, më ndriti një mendim: “Sikur të shkruaj çdo ditë në një fletore pjesë nga bisedat me shokun Zylo, pjesë nga fjalimet e tij në telefon, pjesë nga kuvendimet e tij me njerëzit, kjo do të jetë diçka e rrallë. Po, unë do të merrem përsëri me letërsi! Ta shohë gruaja se cilat do të jenë tregimet më të forta, ato që shkruan Adem Adashi me fejesa e shfejesa, me burra shpatullgjerë e me hoxhallarë, apo ato që do të shkruaj unë… “Prapë qesha, por këtë radhë me zë. Por papritur, pas kësaj qeshjeje, më pushtoi një trishtim i pakuptuar. Në ndërgjegjen time të dytë vinte jehona e raporteve. Kjo jehonë gjithnjë kështu më ndiqte. Edhe kur më shfaqej ndonjë gëzim i turbullt, jehona e raporteve godiste në muret e ndërgjegjes sime dhe ma shuante këtë gëzim të sapondezur. Edhe te shoku Zylo, – mendova me vete, – nuk do të shpëtoj nga raportet. Unë i duhem shokut Zylo, prandaj më mori në sektorin e tij. Ta zemë se për një kohë ai do të më lerë të qetë. Pastaj? – pyeta veten. – Në mos më ngacmoftë shoku Zylo, do të më ngacmojë shoku Q. Edhe shokut Q i duhen raportet. Kurrizi yt, o Demkë, do t’i mbajë të gjitha letrat e nxira të futura në dosje të bardha!”
Përsëri qesha si psikopat: “Jo, jo, më duket se po lajthit…”
Në tavolinë m’u kujtua ftesa e shokut Zylo. Sa e priste! Me siguri ajo nuk i ka ardhur. Kot e pret. Ai e di që nuk i vjen. Edhe sikur të mos i ketë ardhur, do të thotë se i erdhi, por nuk kishte qejf të shkonte… Shoku Q ka rrezik ta lerë mbrëmjen solemne dhe të shkojë në shtëpi të shokut Zylo (sipas mendimit të tij).
Më erdhi keq për të. Sikur të kisha një ftesë do t’ia jepja. Le të shkonte…
Tek rrija në tavolinë, pashë nga dritarja Bakirin, një nga kolegët e mi të ardhshëm. Ai më vuri re dhe u kthye.
– Ne thamë se do të vije në zyrën tonë; ti e paske punën me shefat, – tha ai.
– U paraqita për herë të parë.
– E, të dha udhëzime?
– Biseduam, – u përgjigja.
– T’i tregoi studimet e para në “prizmin shkencor?” – qeshi ai.
– Folëm për gjëra të tjera, – thashë, pasi nuk doja ta merrja nëpër gojë shokun Zylo.
– Po partiturat e Diogjenit t’i tregoi? – pyeti ai përsëri.
– Jo.
– Çudi! Ai i mban në çantë…, – tha Bakiri duke qeshur.
– Do të merrni një kafe? – e pyeta.
– Asgjë nuk do të marr, – tha ai. – E njihnit mirë më parë shokun Zylo? – shtoi.
– Pak.
– Unë e njoh mire sepse e kam epror.Dikur kam pasur mjaft miqësi. Ai kujton se unë tallem me të dhe është larguar, – tha Bakiri.
– Keni qenë edhe më parë bashkë në ndonjë punë?
– Kemi qenë në një klasë në shkollë. Pastaj ai u ngrit në përgjegjësi.Megjithatë, përsëri vazhdoi miqësia jonë. Edhe tani kemi njëfarë miqësie.
Heshtëm për një çast. Nga dritarja frynte një erë e ngrohtë. Perdja e hollë lëkundej dhe herë pas here më binte në fytyrë.
– Ëndrra e shokut Zylo është të emërohet ambasador në ndonjë vend të Europës, – tha Bakiri.
– E kam dëgjuar, – thashë unë.
Bakiri qeshi.
– Na tha një ditë se i ishin lutur ta emëronin ambasador në një shtet të huaj, por e kishte refuzuar, sepse nuk i pëlqente jeta monotone, pa njerëz të njohur, pa vende të njohura… “Jashtë shtetit është mërzi për njerëzit që janë mësuar mes një shoqërie të madhe”, – na tha.
Edhe mua m’u qesh. Bakiri e imitonte zërin e tii me përpikmëri të madhe. Ai u jepte fjalëve intonacionet e shokut Zylo, ai bënte të njëjtat gjeste dhe të njëjtat lëvizje. Ndofta prandaj shoku Zylo ishte ftohur nga Bakiri. Nuk ka gjë më të tmerrshme se ta vësh njeriun në pozita qesharake. E qeshura e çarmatos njeriun.
Aristofani me të qeshurat i çarmatosi perënditë.
– Po në shtëpi të tij ke qenë? – pyeti ai.
– Jo.
-Do të shkosh e do të kënaqesh, – tha Bakiri duke mbyllur njërin sy.
– Pse?
– Nuk të tregoj asgjë që të mos e humbasësh kuriozitetin. Vetëm kur të shkosh më merr edhe mua, – tha dhe u ngrit.
– Rri! Shpejt është.
– Po dal, Demkë.
Mbeta vetëm në tavolinë. Mendja më shkoi përsëri te shënimet që duhet të mbaja nga jeta e shokut Zylo. Por në çast m’u thye zemra. Kujtova “Tartarinin nga Taraskona” të Alfons Dodesë dhe mendova se shënimet e mia do t’u ngjanin atyre që ishin shkruar në atë libër të zgjuar. “Njerëzit do të kujtojnë se unë kam imituar “Tartarinin nga Taraskona”, – thashë me vete. Pastaj prapë u qetësova.“Tartarini nga Taraskona” është shkruar shumë më vonë nga “Don Kishoti” i Servantesit dhe “Panairi i kotësive” i Tekherejt, por Dodenë nuk e akuzojnë se ka imituar këto dy romane të famshme.
Pas këtyre mendimeve u ngrita. Kishte kaluar mesi i ditës. Edhe gruaja duhej të ishte kthyer nga puna, prandaj u nisa dalngadalë për në shtëpi.
Kur hyra në dhomë, pashë në tavolinë një zarf, mbi të cilin ishin shkruar: “Shoqes Zejnepe”.
E hapa dhe nxora që andej një letër të trashë të lëmuar. Ishte një ftesë.
Me ftesën në dorë hyra në kuzhinë. Gruaja po hidhte gjellën në pjata.
– Ftesë për në mbrëmjen solemne? – pyeta.
– Pse çuditesh? Vetëm ti që shkruan raporte ke të drejtë të shkosh nëpër mbrëmje solemne? – tha ajo me një buzëqeshje dhelparake.
– Çuditem se si nuk i erdhi një ftesë e tillë shokut Zylo, -thashë unë…