Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 12 Mësimi 5.2
GJERGJ FISHTA
Analizë “Lahuta e Malcis”
Lloji
Lahuta e Malcis, kryevepra e Gjergj Fishtës, është cilësuar poemë epike, poemë epiko-lirike apo epikohistorike etj. Vetë Fishta e përcakton epos kombëtar, përcaktim që dëshmon vullnetin e Fishtës për të bashkuar në këtë epos të shqiptarëve të Malësisë së Veriut shqiptarët e të gjitha feve dhe krahinave. Vëllimi i konsiderueshëm i veprës, thirrja e figurave mitologjike, si zanave, për të frymëzuar poetin, ndërhyrja e tyre dhe e orëve në fatin e personazheve etj. janë disa prej elementeve që e bëjnë veprën të cilësohet epos.
Konflikti
Konflikti kryesor në vepër është lufta e shqiptarëve për integritetin dhe pavarësinë e atdheut të tyre, mbrojtja e trojeve dhe përballja me sulmet ekspansioniste të sllavëve. Në këtë konflikt shqiptaro-sllav mbisundon vullneti shqiptar për të ruajtur hapësirat e veta kombëtare.
Titulli
Lahuta, instrumenti që gjendet në titullin e veprës, të çon menjëherë te kënga, te kënga e qëndresës malësore kundër synimeve shoviniste të fqinjëve, që është dhe kënga e vërtetë e heroizmit.
Struktura dhe koha e shkrimit
Lahuta e Malcis përbëhet nga 30 këngë dhe rreth 16000 vargje. Fishta bën njëfarë grupimi të këngëve, sipas rendit kohor të ngjarjeve. Kështu, kemi disa cikle këngësh, ndërmjet tyre ndonjë këngë që qëndron disi më vete, por që shërben për të kaluar nga njëri cikël në tjetrin. Në pikëpamje të leximit të veprës, këngët ndërmjetëse e shkëputin lexuesin përkohësisht nga terreni historik real dhe e çojnë në sfera fantastike. Historia e shkrimit të Lahutës së Malcis lidhet me takimin e Fishtës me plakun e urtë Marash Uci në vitin 1902. Marash Uci ishte një malësor trim, i cili kishte marrë pjesë në ngjarjet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që kish luftuar krah luftëtarëve të tjerë për mbrojtjen e trojeve etnike shqiptare. Dëshmitar i gjallë i betejave heroike, ai përcjell te Fishta ngjarjet e mëdha, mbresat dhe kujtimet e pashlyeshme të atyre kohërave, duke i dhënë udhë frymëzimit të poetit. Këtë malësor trim Fishta do ta përjetësojë në vargjet e poemës së tij:
Marash Uci i Uc Mehmetit,
anë e m’ anë i kisht’ ra detit
kishte pa pronet e Mbretit
çak prej Hotit tue xanë filli
der ku piqet buka n’ dielli;
pse, sa kje Marashi i ri,
i pat dalë Mbretit n’ ushtri
me armë n’ dorë, me zjarm në gji,
si qi doke asht në Shqipni.
Burrë i fortë e trim si Zana,
armët i kjenë këtij baba e nana:
babë tagani e nanë breshana,
vlla e motër dy pistolet
dy gjarpënusha prej Stambollet.
Me ndihmën e Konicës, mikut të tij, Fishta bën të mundur më 1904 botimin në Zarë (Kroaci) të Blenit I me titullin: Lahuta e Malcis – Kangë Popullore I – Marash Uci, ndërsa më 1907 ai boton Blenin II të Lahutës me titullin Vranina, në të cilën protagonisti ishte sivëllai epik i Marash Ucit, Oso Kuka. Më 1937, me rastin e 25-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, Fishta boton variantin përfundimtar të Lahutës së Malcis, vepër së cilës i ishte përkushtuar për më shumë se 30 vjet. Pas vitit 1950 Lahuta e Malcis u botua dy herë me mijëra kopje në Romë, më pas në Kosovë. Vepra u përkthye në gjermanisht në 1958. Këngë të ndryshme të Lahutës, si dhe shumë satira kanë qenë përkthyer prej Koliqit dhe botuar në revistën Shejzat. E përkthyer në italisht, vepra doli e plotë në Palermo në vitet ’60 prej albanologut arbëresh Ignacio Parrino. Ndërsa në Shqipërinë komuniste ishte e ndaluar, vepra e bëri jetën e saj në diasporë dhe në Kosovë.
Përmbajtja
Lahuta e Malcis nuk ka një subjekt të mirëfilltë rreth të cilit të vërtiten ngjarjet, rrethanat e personazhet. Ngjarjet nisin në vitin 1858 me luftën e familjeve të Hotit dhe Grudës kundër malazezëve (1856-1858), me betejën e Vraninës dhe ndeshjen e Oso Kukës e 40 trimave të tij. Këto ngjarje përbëjnë rrafshin kohor të 5 këngëve të para të veprës.
Në këngën VI ngjarjet i referohen 1877-ës, kur Dervish Pasha me 50 batalione sulmon malazeztë, të cilët detyrohen të tërhiqen në male, ndërsa në këngën VII vargjet përqendrohen në Kongresin e Berlinit dhe vendimet e tij. Për Shqipërinë s’mendon kurrkush. Krajl Nikollës i lihet dorë e lirë me marrë Plavë, me marrë Gusi, / me marrë Shkodrën me Malsi, / de’ ku danë vendi me Dri… Poeti mallkon nënshkruesit e aktit dhe përbetohet se pa u ba gjaku der’ n’gju, / kurr Shqipninë s’kemi për ta lëshu’. Këngët VIII-XXV përfshijnë ngjarjet e Hotit, Grudës, Plavës e Gucisë të 1879-ës. Ali Pasha i Gucisë, nismëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, thërret burrat e Shqipërisë në Prizren: edhe n ‘Pejë trimi ka dalë, / t’tanë Shqipnisë ka çue nji fjalë, / qi shk’a’ Krye, shk’a’ Bajraktar, / shk’a’ Vojvodë e shpi e parë, / fillë me dalun në Prizren / për me ngrehë aty kuvend, / e si motit për Atdhe / me lidhë besë, me lidhun fe. Krerët e shqiptarisë i shkruajnë letër Berlinit ku tregojnë se kjo tokë është toka e të parëve dhe do t’i dalin për zot me çdo çmim. Ngjarjet e përgjakshme në Gjakovë (kënga X) bindin Fuqitë e Mëdha se shqiptarët nuk do të heqin dorë nga të drejtat e tyre. Në këngën XII vjen figura e Marash Ucit si fytyra tipike e shqiptarit: i guximshëm në rini dhe i urtë e plot përvojë në pleqëri. Me fjalën e tij, ai i nxit trimat të mbrojnë kanunet, doket e vatrat e tyre. Beteja në urën e Rrzhanicës (kënga XIV) është e ashpër, gjaku mbulon fushën dhe Mark Milani detyrohet të tërhiqet për pak kohë. Ushtritë e tij derdhen në Nokshiq duke shkretuar e djegur gjithçka. Tringa, motra e Curr Ulës, gjendet ngushtë. Ndërkohë që malazeztë afrohen, i vëllai dergjet pa jetë, pa mundur t’i vijë në ndihmë. Tringa merr armën, del në oborr dhe vdes si trimëreshë në përballjen me malazeztë: Dekun n’tokë bjen Tringa e mjera / shta’n n’oborr e kryet te dera, / mollza e faqes krejt n’gjak la! / Edhe dielli dheut i ra. / Gjallë por Tringa shkjaut n’dorë s’ra! Në këngën XXVI, quajtur Koha e Re, poeti tërhiqet në Lezhë dhe i thërret Zanës t’i qëndrojë pranë për të përfunduar Lahutën. Poeti përshkruan bukuritë natyrore të qytetit të Lezhës, krahas historisë së lashtë të tij: Ke me ndie edhe si kjanë / vala e Drinit prap n’ditë t’sotit / për urë vorrit t’Gjergj Kastriotit, / shpata e t’cilit dikur motit, / vezulloi n’hazëm t’Shqipnisë / si ajo rr’feja e Perëndisë. Këngët XXVII-XXX janë këngët e fundit të poemës dhe përbëjnë ciklin për Dedë Gjo Lulin, revoltën e malësorëve të 1911-ës dhe traktatin e Londrës, të vitit 1913. Në Konferencën e Londrës përshkruhen miq dhe armiq të çështjes shqiptare, që nënshkruajnë vendimin: Shqiptarëve me u dhanë lirinë, / zojë m’veti me qitë Shqipninë.
Personazhet
Lahuta e Malcis nuk ka një personazh qendror rreth të cilit të sillen ngjarjet. Nëse do ta kërkonim një të tillë, ai do të ishte anonim, vetë populli shqiptar, i përthyer e mishëruar në një pafundësi situatash dhe personazhesh, që mbajnë emrat Oso Kuka, Marash Uci, Dedë Gjo Luli, Tringa, Abdyl Frashëri, Ali Pashë Gucia, etj. Ato janë personazhe historike dhe autoriale, që e shpalosin karakterin e tyre në beteja legjendare, të mbrojtur nga personazhe të mitologjisë shqiptare, si Orët e Zanat për të cilat shfaqet hapur simpatia e poetit: Ardhun shtatit si “breshana”, / rreze dielli dora e llana, / fytyra shtrue n’fletë t’drandofillit, / kamba mbath për gjeth të lilit, / shartue zani m’za t’bylbylit. Protagonistja e madhe e veprës, klima historike dhe ngjarjet që çuan në krijimin e shtetit shqiptar, përvijohet përmes heronjsh, të cilët, edhe pse historikisht realë, janë të veshur dhe përdoren për shtresën legjendare që vesh heroizmin e tyre. Mitizimi i heronjve dhe situatave shpalos një përmasë legjendare të qëndresës shqiptare kundër fqinjëve sllavë. Si personazhe kundërshtare në vepër përmendim: Mark Milanin, Knjaz Nikollën, Vulo Radoviqin, Turgut Pashën a carin e Moskovit. Edhe në krah të malazezëve rrinë personazhe mitologjike, si, p.sh., Ora e Durmitorit: vetull-rreptë e fëtyrë-kërmeze, / njanit sy si e vangtë, po, shtriga: / por e fortë, e idhtë si shlliga, / e e pabesë, gjithmonë bela, / kurrkund halli mos m’iu pa.
Vlerat artistike të veprës
Te Lahuta e Malcis, çaste të rëndësishme të historisë shqiptare bëhen boshte qendrore, përreth të cilave ndërtohet ngjarja, duke bërë kështu që realiteti i trilluar dhe ai historik të gërshetohen. Me gjithë karakterin historik, vepra e Fishtës nuk është manual historie. Fishta e ndërton poemën e tij epike duke u mbështetur thellësisht në modelin e poezisë popullore, të poemës epike, historike dhe legjendare. Në veprën e Fishtës derdhet gjithë bujaria e dokeve tona kreshnike, guximi e dëshpërimi i një populli që fati e historia e ka dënuar me vuajtje. Vargjet e eposit fishtian, me tetërrokëshin e poezisë popullore, i këndojnë heroizmit për t’i bërë heronjtë të pavdekshëm, por, nga ana tjetër, nuk mungon dhe lirizmi e patosi romantik.
Lahuta e Malcis është vepër epike, me ndërtim të brendshëm dramatik, ku spikasin veprimet, dialogu, përshkrimi i shkurtër dhe gjuha që ka shenjat e emocionalitetit të folësit, të afrueshme me karakterin e personazheve. Fjalori i Fishtës, me arkaizma, me fjalë kompozita, shpesh të ndërtuara prej tij sipas gjedheve burimore, arrin të krijojë jo vetëm figura pamore, por edhe dëgjimore. Gjuha e Fishtës është e pasur me frazeologji popullore dhe përftesa të larmishme artistike origjinale. Rima e larmishme është një ndër dukuritë më thelbësore të poemës. Ritmet, gjithashtu, janë shumëtrajtëshe. Dialogët e shpejtë, sentencat filozofike, përbetimet, lutjet, urimet, mallkimet, sharjet e ashpra, pasthirrmat, pyetjet retorike, krijojnë larmi ritmesh, larmi gjendjesh shpirtërore te lexuesi.