Kurrikula
Kursi: Letërsia Klasa 12 Shtëpia Botuese Filara
Identifikohu

Curriculum

Letërsia Klasa 12 Shtëpia Botuese Filara

0/32
Mësimi me video

Mësimi 12.1:Jeta dhe vepra e Azem Shkrelit

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 12 Mësimi 12.1

AZEM SHKRELI

Poezia e Azem Shkrelit përbën një nga prurjet më të fuqishme e origjinale në letërsinë bashkëkohore shqiptare. Me një krijimtari të shtrirë në gati gjysmë shekulli, Shkreli i solli letërsisë sonë vepra që janë futur në fondin e poezisëmë të mirë shqipe. Vepra e tij poetike dallohet për dimensionet e gjera, peshën dhe pasurinë e brendshme poetike, që rizbulohet sa herë që e shfleton.

Jeta dhe veprimtaria letrare
Azem Shkreli lindi në fshatin Shkrel të Rugovës, afër Pejës, më 1938. Shkollën fillore e kreu në fshatin Nakëll të Pejës dhe në Haxhaj të Rugovës, ndërsa të mesmen, normalen, në Prishtinë. Studimet e larta i ndoqi për gjuhë dhe letërsi shqipe në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Punoi për disa kohë si kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit Popullor Krahinor, drejtor i “Kosova –Filmi”,etj.. Ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëvetë Jugosllavisë. Nga vitet’90, deri kur vdiq, Shkreli iu përkushtua tërësisht krijimtarisë artistike. Vdiq më 25 maj 1997, në aeroportin e Prishtinës, teksa kthehej nga një udhëtim në Europë. Tërë jeta e tij si qytetar dhe si shkrimtar u suall kah Kosova, kah liria, kah e ardhmja e popullit të tij dhe e mbarë kombit.

Azem Shkreli është poeti i shumë vëllimeve poetike, të cilat zënë fill nga vitet ’60. Ai shkroi edhe romane, tregime, drama, pjesë teatrore, skenarë filmash, ese dhe përmbledhje letrash. Ishte redaktor, autor dhe bashkautor i dokumenteve dhe dëshmive të përmbledhura në “Trokitje në ndërgjegjen e Europës”, Prishtinë 1992. Kjo vepër e funditu shtyp dhe u botua në fshehtësi nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë, anëtar aktiv i të cilit Shkreli ishte.

 

Krijmtaria poetike e Shkrelit është përkthyer në serbokroatisht, maqedonisht, sllovenisht, turqisht, gjermanisht e anglisht. Ndërkohë Shkreli është përkthyesi i talentuar që sjell në shqip poezi të poetve serbokroatë.

Krijimtaria poetike
Fillimet e krijimtarisë së Shkrelit i takojnë moshës 15-16 –vjeçare. Ato janë vjersha të botuara në vitet 1952-1953 në revistat letrare “Pionieri” dhe ‘’Jeta e re’’. Vëllimet e para poetike vijnë në vitet ’60, me titujt “Bulëzat”, Prishtinë 1960, dhe “Engjujt e rrugëve”, Prishtinë 1963. Vjershat e këtyre dy vëllimeve sjellin freskinë e moshës së rinisë, kujtimet e së cilës mbeten të pashlyeshme te poeti. Njëkohësisht me poezinë, Shkreli shkruan edhe prozën dhe u jep lexuesve(bashkë me vëllimin e parë me vjersha) edhe të parin roman me titull “Karvani i bardhë” Prishtinë 1961, roman që u ribotua i përkthyer në serbisht dy vjet më vonë në Beograd. Vitet ’70 e sjellin Shkrelin në poezinë kosovare si një zë të fortë, imponues, shumë premtues dhe origjinal.

I tillë ai u shfaq me vëllimin “E di një fjalë prej guri”, Prishtinë 1969. Por ajo që e radhiti atë ndër poetët modernë të poezisë kosovare, është përmbledhja “Nga Bibla e heshtjes” (1977). Është ky vëllimi që e shfaqi Shkrelin poet të poezisë meditative, që solli një raport të ri të subjektit lirik me botën që e rrethon. Ky vëllim tregoi se ky poet ka përvetësuar mjeshtëri të lartë artistike dhe shprehje moderne poetike; me këtë vëllim, Shkreli arriti pjekurinë artistike të tij. Vëllimet e botuara në vitet ’80 e më pas çojnë më përpara dhe konsolidojnë ato modele e shprehje poetike që Shkreli shfaqi në vitet 70’, veçmas te “Nga Bibla e heshtjes’’. Përmbledhja poetike “Lirikë me shi” është libri i parafundit i poetit Azem Shkreli, botuar së pari në Prishtinë dhe ribotuar në Tiranë në fillim të vitit 1997.

Nëse dy vëllimet e para, “Bulëzat” dhe “Engjujt e rrugëve”, qenë një paralajmërim se në poezinë shqipe po shfaqej një krijues me frymën e vet të mëvetësishme poetike, që prej librit “E di një fjalë prej guri” e në vazhdim, poezia e Shkrelit ngrihet në një shkallë të lartë cilësore, ku dallohet menjëherë ligjërimi i mirëfilltë dhe interpretimi poetik. Përkundër prirjeve të tij të shumta, Azem Shkreli ështe në radhë të parë poet.

Risitë që solli Shkreli në letërsinë shqipe
Shkreli la gjurmë me vlera të qëndrueshme e të papërsëritshme në të gjitha fushat ku krijoi. Individualitetin krijues dhe këndvështrimin origjinal të dukurive, Shkreli e shprehu që në fillimet e krijimtarisë së tij në poezi dhe në prozë. Ajo çka ai shfaqi, kritika e ka quajur thyerje të traditës. Kështu shfaqet ai në romanin “Karvani i bardhë”, si edhe në tregimet e përfshira në vëllimin “Sytë e Evës”, që janë ndër më të realizuarat në prozën tonë të shkurtër. Pasuria e madhe leksikore, karakteristikat gjuhësore të rajonit tipik malësor, zotërimi mjeshtëror i teknikave dhe i formave moderne të ligjërimit, imagjinata e pasur dhe fuqia për të ngritur dilema të mëdha njerëzore dhe kombëtare, e bëjnë romanin ‘Karvani i bardhë’ një prej veprave më të arrira të prozës moderne shqipe.

Edhe tregimet më të mira të Shkrelit u shkruan si vazhdim i traditës më të mirë letrare shqipe, duke u përshtatur me subjektet, shqetësimet dhe koloritin e mjedisit kosovar. Në tregimet “Sytë e Evës”, “Bjezga”, “Trungjet”, “Buka” dhe “Mëkushti”përvijohet qartë tabloja autentike e botës kosovare, e më fort asaj rugovase dhe ndërtohen heronj e karaktere letrare që të mbeten në mendje e qëdallohen për vërtetësinë, origjinalitetin dhe forcën e karakterit të tyre. Por është poezia e Shkrelit ajo që shënon kthesën më të madhe në rrjedhat e poezisë shqipe. Ajo zgjeroi hapësirën tematike, subjektivizoi dhe intimizoi heroin lirik dhe, më e rëndësishmja, solli një ndjesi të re, të mprehtë, ndaj gjuhës, ndaj fjalës, ndaj shprehjes shqipe. Azem Shkreli shënoi risinë më me vlerë në poezi shqiptare: çliroi unin lirik intim nga ai kolektiv. Këtë ai e bëri edhe kur i këndoi dashurisë për vendlindjen, edhe kur portretizoi njeriun e trevës së Rugovës, edhe kur u këndoi dashurisë për vashën e për natyrën, edhe kur meditoi e filozofoi për jetën, njeriun, kohën e botën.

Shkreli cilësohet si poeti i mendimit, por me të veçantën që ky mendim rrjedh lirshëm, natyrshëm, pa sforcime, por gjithmonë brenda ndjenjës. Kjo e bën lirikën e tij sa të ndjerë, po aq të thellë në mendim. Të menduara lirisht dhe tëshkruara mjeshtërisht janë vargjet e poezisë së Shkrelit. Për këtë A. Podrimja thotë: “…Shkreli njihet si fanatik i vargut, i latimit të tij, i ritmit, i muzikalitetit tekstor. Me pak mundohet të thotë shumë. Kjo është veti e krijuesve të mëdhenj, të cilët dinë përse shkruhet dhe artin e kuptojnë si punë mjeshtërore”.

E veçantë e poezisë së Shkrelit është se ajo nga vëllimi në vëllim ka shënuar zhvillim, ka kapur maja të reja dhe ka ardhur gjithnjë e freskët dhe e ëmbël. Kredoja e poetit dhe premtimi i tij para kohës është:
“Mos u bëj poet nëse s’mund të lindesh
me secilin varg, të lindësh me secilën fjalë.”
(Katër këshilla vetes)

Poezia e Shkrelit është në një udhëtim të përhershëm krijues. Fjala poetike lind tek ai nga shtysat e brendshme si domosdoshmëri e pamënjanueshme, lind nga zjarri që ndizet thellësive të shpirtit e të mendjes së tij:
“Ç’të bëj me ju
Të egra!
Të mlleftat bimë
Që mbitë në kokën time
Në vorbën tonë
Kur vetëtin, ç’të bëj?” (Vargje)

Kronika poetike e Shkrelit, edhe kur i kthehet dhe i rikthehet motiveve të parapëlqyera, gjithmonë përshkohet nga ndjesi të reja, të paprovuara më parë. Poeti mendon se duhet të jetë kërkues dhe në vargje, ashtu si në jetë, se duhet të ketë vetëm një moto: të vërtetën; se duhet t’i këndojë jetës dhe të shpalosë dashurinë për njerëzit.
“N’këndove, – këndo për jetën,
Poetët duhet të kenë një perëndi,
Dhe tjetër s’ka: t’vërtetën.”

POEZIA

Kosova-Rugova dhe Poeti
Vendlindja dhe Kosova mbeten frymëzimi i përhershëm i Shkrelit. Ato janë dashuria, malli, krenaria, dhimbja, shqetësimi i tij; ato janë jeta dhe vdekja, janë vetë ekzistenca e tij si pjellë e atij vendi dhe e atij populli. Kosova dhe vendlindja përbëjnë kryemotivin e poezisë sëtij. Fjala shqipe, heshtja shqip, gurët e atdheut, bjeshkët dhe krojet, kallinjtë, plisat dhe toka e shenjtë, janë gjithmonë aty, rrethuar me ndjenjë të ngrohtë, të butë e të dhembshur:
“Kur këndoj për ty,
A mundet me shue dhimbjen, lotin për fëmininë e tretun,
A mundet me shfre gëzimin e dallgën e ditve djaloshare,
Me matë dashninë e gurit për gur?”

Shkreli është në dialog të heshtur dhe të përhershëm me vendin e tij. Ai e dashuron atë deri në adhurim, mrekullohet prej bukurive të tij dhe, si çdo i dashuruar, beson se mund të vdesë për hir të bukurisë që adhuron. Kështu shprehet poeti te poezia “Liqeni’’. Për vendlindjen ai di të flasë vetëm me fjalën e bukur shqipe, madje të këndojë dukagjinçe. Në poezi të tjera poeti flet për heroizmat e bijve të vendlindjes, duke arritur në përgjithësime të fuqishme për heronjtë, për botën, për kohën që jeton. Brenda motivit të atdheut, Shkreli shkrin motivin e dashurisë, të respektit dhe mallit për nënën. Ky mall e shoqëron poetin gjatë gjithë jetës. Edhe pse në poezinë e tij gjejnë vend elementet e biografisë së familjes, poeti nuk mbetet brenda një poezie personale. Kështu ndodh kur ai këndon për nënën e vet, kur sheh tek ajo tërë nënat, kudo që janë. Ato që ditët ua prarojnë dhe rrugët me nga një bekim i’a mbushin’ bijve të tyre të mirë.
“..na ruajnë nga hijet e liga,
E s’na kërkojnë asgjë,
Pos një grusht dhé mbi krye.
Shkojnë.”

Fuqia e përgjithësimit arrin majat kur thotë:

“E sa herë vdes nënë,
Vdes nënëmira ime.”

Lirika intime
Kur u këndon ndjenjave të bukura njerëzore, poezia e Shkrelit është e brishtë, e ndjerë, ka nota të ngrohta lirike që gurgullojnë të pastra e të lirshme:
“Dëshiroj sonte
Kur t’derdhet nata
T’jem yll
N’dritaren tënde.”

Poeti dëshiron herë të jetë këngë gjumi e dëshire, e me vajzën të shkrihet, herë i vetmuar që me kujtimet e tij të luajë si foshnja. Në poezinë “Dallga” poeti këndon:
“A thue, oj vashë, ndër fusha t’blera t’moshës
Që si diej na e ndezi gjakun,
A di me më thanë ti mue: ku do ta kenë
Dëshirat tona cakun?”

Në lirikën “Në vend të përshëndetjes”, përshkruhet një trazim i madh shpirtëror, për shkak të ndarjes. Poeti ka bërë të pamundurën që kjo të mos ndodhë, por s’ia ka arritur, ndaj ai shkatërron çdo urë që e ka lidhur mëparë. Largimi përfundimtar i njeriut të dëshiruar le pas një hapësirë boshe, një shkretëtirë e dhimbje gërryese që e bën atë të shpërthejë:
“ Shko. Dhe bëhu fjalë e mbrame në gojën time,
Bëhu shkrepëtirë e fikur.
N’ylberin e shikimit tim,
Merri me vete dhe rrugët,
Të mos kthehesh kurrë…
Shko.”

Lirika e Shkrelit është më shumë poezi e dhembjes, e toneve mallëngjyese, e dëshirave të parealizuara. Në të rigon shi, rënkojnë varret, agimi është i vetmuar, dënesin degëzat, pikojnë fletët dhe kërrkund fyell nuk ndihet. Të tilla janë poezitë“Kënga e vashës”, ‘Vjeshtë”, ‘Një jetë’, ‘Vajzës mbi varr’, ‘Këputa një lule” etj.

Lirika refleksive (filozofike)
Shkreli është poet që priret nga përsiatja, nga meditimi filozofik. E gjejmë këtë në tërë motivet e trajtuara prej tij, nga ai atdhetari, tek intimi. Synimi për të shtruar pyetje përmes të cilave hidhet dritë mbi kategori të e rëndësishme metafizike, shfaqet qartë në poezitë e tij. Në atë pjesë të lirikës ku shqetësimi filozofik është më i theksuar, mbeten të hapura dilemat, udhëkryqet e jetës. Frymëzimi i lirikave të kësaj natyre lidhet me çaste dëshpërimi, me çaste zhgënjimi poetik, i cili buron nga mënyra se si është ndërtuar bota, si funksionojnë ligjet e saj dhe ato që ka shpikur njeriu. I tillë ai shfaqet ne lirikat “Ajo që s’e them”, “Pagëzim i fjalës”, “Kafshë e zezë”, “Këngë e vrugut”., etj. Megjithatë nuk mungojnë në këto poezi vargje në të cilat rrezaton edhe besimi e shpresa për ndreqjen e botës dhe të njerëzve, vargje për zgjidhjen e problemit të madh shqiptar atje, në Kosovën e poetit. Me këtë lloj lirike Azem Shkreli arriti majat e artit poetik, për arsye se vetë natyra krijuese e tij është më pranë dhe më e prirur drejt meditimeve filozofike. Në këtë fushë është, pa dyshim, ndër poetët më të fuqishëm në letërsinë e sotme shqiptare.