Kurrikula
Kursi: Letërsia Klasa 12 Shtëpia Botuese Filara
Identifikohu

Curriculum

Letërsia Klasa 12 Shtëpia Botuese Filara

0/32
Mësimi me video

Mësimi 10.1: Jeta dhe vepra e Ismail Kadaresë 1

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 12 Mësimi 10.1

ISMAIL KADARE 

Ismail Kadareja është shkrimtari i madh shqiptar, emri i të cilit prej kohësh ka kaluar kufijtë e Shqipërisë. Ai njihet në botë si ambasador i letërsisë shqipe. Kadareja është shkrimtari i shumëvlerësuar me çmime e tituj, brenda dhe jashtë vendit, mes të cilëve mund të përmendim: “Man Booker International 2005”; “Princi i Asturias për Letërsinë 2009” në Spanjë; “Balkanika 2009”; “Çmimi i Jerusalemit 2015”; “Nonino” për vitin 2018, në Itali. Ai është nominuar disa herë për çmimin “Nobel”. Kadareja është anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës; mban titujt “Nderi i Kombit” (Shqipëri), “Kryqi i Legjionit te Nderit” dhe “Oficer i Legjionit të nderit” (Francë), etj. Ai lindi më 28 janar 1936 në Gjirokastër. Familja, shtëpia dhe Gjirokastra janë të parat që ndikuan në formimin e tij. Shkollën fillore dhe të mesme i bëri në qytetin e lindjes. Aty mësoi për botën e jetën, aty njohu dhe bëri idhuj të vet Servantesin e Shekspirin. Studimet universitare i ndoqi në Tiranë më 1954, në degën Gjuhë shqipe – Letërsi. Është ky viti kur Kadareja student boton vëllimin e parë me poezi “Frymëzime djaloshare”, duke bërë kështu hapin e madh në poezi, të cilën do ta lëvrojë më pas për gati gjysmë shekulli. Pas tij, më 1957, vjen vëllimi “Ëndërrimet”. Vitet 1957-1960 e gjejnë student në Moskë, në Institutin e Letërsisë Botërore “Gorki”.

Gjatë qëndrimit në Moskë, në nëntor 1959, shkroi romanin e tij të parë “Qyteti pa reklama”, roman që nuk u botua. Pas kthimit nga Rusia, në vitin 1961 botoi vëllimin me poezi “Shekulli im”. Ky vëllim zgjoi interes të madh në qarqet letrare të kohës dhe bëri që Kadareja të shihej si zë i ri shumë premtues. Kadareja shkruan jo vetëm poezi. Në vitin 1963 botoi romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, që shënoi sukses të vërtetë jo vetëm për shkrimtarin, por për mbarë letërsinë shqipe. Pas tij vjen romani “Kronikë në gur” (1964), një roman që afirmonte kapërcimin e kufijve të prozës tradicionale e rrokte njëherësh tiparet e prozës bashkëkohore dhe asaj europiane.

Në 1964 Kadareja boton vëllimin poetik “Përse mendohen këto male”, pasuar në vitet 1968 dhe 1976 me vëllimet “Motive me diell” dhe “Koha”. Kadareja është tashmë zëri i fuqishëm i një poezie të re, i një arti të ri që bartte vlera të mëdha estetike, i një brezi të ri poetësh, edhe pse gjallonte nën trysninë e një metode dogmatike, ideologjike, si ajo e realizmit socialist. Ai hyri në letërsinë shqiptare në vitet ‘60, bashkë me Dritëro Agollin e Fatos Arapin, si një prej tre poetëve që sollën risi të tilla në poezinë shqipe që do të shënonin hop, kthesë, kapërcim në një poezi të re, moderne e do të ndikonin fort ndër krijues e lexues. Njëherësh me poezinë, Kadareja bën hapa të tjerë të sigurt në prozë, duke botuar romanin “Kështjella” (1967), “Dimri i vetmisë së madhe” (1972). Në hapësirën 1975-1980, Kadareja boton vëllime me tregime e novela, si: “Emblema e dikurshme”, “Ura me tri harqe”, “Gjakftohtësia”, “Koha e shkrimeve” dhe romanin “Koncert në fund të dimrit”.

Në vitet ’80-90 përmes disa eseve të goditura, shpërfaqet filozofia e parimeve estetike të Kadaresë. Të tilla qenë “Autobiografia e popullit në vargje”, “Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe”, “Eskili, ky humbës i madh”. Po i këtyre viteve është dhe romani “Pallati i ëndrrave”. Viti 1990 është viti dramatik i Shqipërisë dhe i shkrimtarit. Ai largohet në Francë dhe që nga ajo kohë, e ndan jetën e vet midis Parisit dhe Tiranës. Kadareja shkruan me intensitet të dukshëm në vitet 1990. Të kësaj kohe janë veprat “Dosja H”, “Piramida”, “Përbindëshi”, “Spiritus”, “Shkaba”, “Lulet e ftohta të marsit” – të gjitha romane; vëllimet me tregime e novela “Ëndërr mashtruese”, “Tri këngë zie për Kosovën”, “Vjedhja e gjumit mbretëror”; librat e konceptuar si biseda me njerëz të shquar, si: “Dialogë me Alain Bosquet”, “Ra ky mort e u pamë”, “Kohë barbare”, etj.

Kadareja mbetet shkrimtari më prodhimtar, gjithnjë i freskët, gjithnjë interesant, i shumëlexuar e shumëkërkuar, i përkthyer si asnjë tjetër në historinë e letërsisë shqiptare. Shqipëria e vogël, me popullin e saj, me të djeshmen e të sotmen, me legjendën, mitin dhe të vërtetën flet sot në 45 gjuhë të botës nëpërmjet veprës së Kadaresë. Portreti fizik i Kadaresë s’është i lehtë për t’u bërë. Një njeri trupmesatar, me një fytyrë enigmatike. Ecën gjithnjë ngadalë. Askush nuk mund ta përfytyrojë duke vrapuar. Me një ballë të menduar e plot brazda vitesh. Fjalëpaktë, i tërhequr në dukje, i qetë e i matur, por dhe stuhi që shpërthen. I veshur me shije, me ngjyra të mbyllura. Mik antik pranë poetit të liqerit, Poradecit, bashkëbisedues miqësor me shkrimtarë të botës: Hajnrih Bël-in, Klod Simon-in, Alen Boske-në, etj; shqiptar krenar e dinjitoz para jurive ndërkombëtare.

Kadareja është personalitet dhe veprimtar i madh që punon, vepron dhe shkruan në dy sisteme. Vlerësimet dhe detyrat për të nuk janë të lidhura thjesht me Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Dhe pse deputet dhe nënkryetar i Frontit demokratik në kohën e monizmit, Kadareja gjithnjë ka qenë dhe është i pozicionuar në kahjen pozitive të zhvillimit dhe përparimit të kombit, të atdheut dhe të kulturës shqiptare. Ai ka marrë dhe merr pjesë në trajtimin e problemeve shoqërore, kombëtare e letrare. Mendimi i tij është gjithnjë origjinal, i guximshëm dhe emnacipues. Fjala e tij dëgjohet me vëmendje dhe zgjon interes. Ajo ka forcën të përpunojë vetëdijën demokratike të shqiptarëve, vetëdijën kulturore dhe atë kombëtare. Peshën e mendimit të tij e ka ndjerë dhe e ndjen dhe bota jashtë nesh, përmes artikujve në shtypin e huaj, përmes intervistave, bisedave dhe fjalimeve të tij.

POEZIA E KADARESË
Kadareja është para së gjithash poet. Është kështu jo vetëm se me poezi e nisi rrugën e vështirë të artit të letërsisë, por se në tërë veprën e tij gjen poezinë në konceptim e shprehje gjuhësore.

“Unë i kam hedhur dorën mbi supe, / Ajo mua, dorën për mezi / Ecim udhëve të jetës të dy / Unë dhe e bukura poezi.” (Anketë, 1956-1966)

Kadareja shkroi vargjet e para në bankat e gjimnazit, aty nga vitet 56-57. Para tij, plot poetë, që vinin kryesisht nga lufta, kishin vargëzuar e kënduar për heroizmin partizan, për popullin heroik, për Partinë Komuniste e socializmin që kish nisur udhën, për punën në kanale vaditëse apo në ndërtimin e veprave industriale, për klasën punëtore, për frymën proletare etj. Futur në darën e hekurt të një letërsie që duhej t’i bënte jehonë politikës dhe ideologjisë së partisë në pushtet, ata nuk mundën të sillnin vlera të mirëfillta estetike e ta bënin letërsinë të kryente misionin e saj të vërtetë. Një letërsi dhe një art i angazhuar në probleme ideologjike e politike nuk e lejonte talentin të shpërthente. Arritjet e mëdha të letërsisë së viteve ’30, me poetë të mëdhenj si Lasgushi apo Migjeni, krijuesit e viteve 1945-55 nuk i bënë dot bazë mbi të cilën të çonin më tej traditën më të mirë të poezisë shqipe. Fryma e folklorit imitohej e sillej si vlerë e madhe; kërkesa për një letërsi me frymë popullore ulte nivelin artistik të shprehjes poetike.

Ardhja e poetëve të rinj e tronditi ndërtesën e poezisë së kohës. Ndër ta, Kadareja do të printe me origjinalitetin, me frymën qytetare, me konceptimet e reja, me shprehjen artistike-gjuhësore. Që në poezitë e para, Kadareja e shpreh këtë:
“Mbi kalldrëmet e pjerrëta ritmet thyheshin,
Rimat përplaseshin mbi gurët dhe binin,
Ti the: s’ka gjë,
Dhe kështu mund të shkruhet,
Mjafton që në zemër ngricat mos bien.” (Anketë)

Ishte guxim i madh në vitin 1957 të shkruaje vargje të tilla: “U zunë rrugët me dëborë; Gjithë rrugët mbenë shkret”; ose “Zhurmë e shiut në pullaze/ Vjeshtës s’ka të sosur” – për të shkuar tek poezia “Vjeshtë tiranase” ku syri i poetit të ri kap diçka tjetër, diçka që tronditi kritikët me vargun që hap dhe mbyll këtë poezi: ‘’Pa formë është qielli, si tru idioti’’. Kadareja solli në poezi njeriun me përjetimet e tij, njeriu që është sa shqiptar aq europian, madje gjithëbotëror; solli njeriun me shqetësimet njerëzore, me ankthet, dramat, ëndrrat e thyera, ndarjet, humbjet, vetminë, por ndërkohë dhe të zotin të rrokë qiejt, zot të vetes, të aftë intelektualisht e të fortë psikologjikisht. Njeriu i shekullit të ri është ai që dëshiron:
“Të vizatojë zjarrin dhe tymin e flokëve të tu/. Shkëlqimin atomik të syve viganë, / Frymëmarrjen reaktive, / Gjëmën e elektroneve, / Dhe rrezet e radarit.” (Shekulli XX)

Duke ecur nga vëllimi në vëllim, shohim të hyjë në poezi përkrah Gjirokastrës, qyteti me reklama, qytetet e botës, hotelet, kështjellat deri ajo e princ Hamletit në Danimarkë; hyjnë Kosova, Moska, gjer dhe Pekini ose Nju-Jorku, etj. Po Kadareja ishte shqiptari që, ngado ta çonte jeta, këmbët e kthenin po aty, në atdheun e vet: “Më ka marrë malli për Shqipërinë tonë”,- kumbon vargu. Figurat dhe shprehja bëhen befasuese: malli për vrapin e kaltër të dallgëve, retë që në muzg si kështjella digjen, netët e najlonta, mjegullat si indianë…

Poezia e Kadaresë ndër vite sjell figura të shquara të historisë kombëtare e të njerëzimit, negative apo pozitive qofshin, futur në optikën e poetit që sheh në dukurinë që ato mishërojnë vlera gjithëkohore. Kështu vjen Keopsi me Piramidën e tij, Homeri me Iliadën, Skënderbeu që “Një emër, Gjergj, e kish si diellin,/ tjetrin si hënën, Skënderbe”, Moisi Golemi me tradhtinë nga pas, Ali pashë Tepelena me “Çajld Haroldin” e Bajronit, Majakovski me Lili Brik-un deri dhe popujt e mbarë botës, për të cilët thotë: “Orët e popujve kurrë, / S’ka forcë që t’i kthejë mrapsht!” (Koha në botë-1969). Poezia e Kadaresë sjell mitin të historizuar dhe historinë sa të vërtetë, po aq të bërë mit. Kështu vijnë Orët e Zanat, Muji dhe Halili, vjen Laokoonti me gjarpërinjtë e zjarrtë, që rreken të lidhin të vërtetën, por që s’ia arrijnë:
“Mua s’më mbytën gjarpërinjtë,
Po trojanët më vranë”.

Poezia e Kadaresë flladitet nga dashuria. Poeti ishte fare i ri kur këndonte për miken e parë; “Ti mendohesh kur hija vjeshtishte/ mbulon kopshtin dhe fryn erë e ftohtë / Kurse unë në orë të latinishtes / të mendohem për ty gjej kohë”, (Motive studenteske-1957). Në trajtimin e motivit të dashurisë Kadareja sjell të veçantën e vet. Dashurinë ai e sheh si forcë jetësore që i jep kuptim e bukuri jetës, e sheh si vlerë, gjë të vyer, të shenjtë (brilant, perlë a kristal), e përjeton si ndjenjë që vjen nga mungesa, që është strukur thellë skutave të vetëdijes e të pavetëdijes: “Sa herë shiu në qelqe të trokasë / ti do të vish këtu, edhe në mos ardhsh”. Vajza vjen më shumë si imazh, sesa si portret. Poetit i mjafton një detaj për të ndërtuar imazhin e saj: “Në mes vargjesh a strofash / do dalin rastësisht ca flokë të verdhë” (Në qoftë se- 1964). Poeti shpalos mallin dhe dhimbjen për ndarjen, por e sheh atë si realitet që nuk mund ta mohojë: “Dhe a të besohej vallë./..Si mbyten copat e rinisë blu?” (Udha e lagur-1964).

Poezia e Kadaresë ka për sfond mjedise të ndryshme. Shqetësimet e tij njerëzore, qytetare e intelektuale shpalosen sa në natyrën shqiptare, në studio artisti, deri në rrugë kryeqytetesh e metropolesh të botës. Pena e Kadaresë sjell me ngjyra e nuanca mbresëlënëse kataraktet si kuaj të bardhë, mbrëmja bie mbi liqenet e Lurës e ngjyrat dridhen e fërgëllojnë, vjeshta-luaneshë krifëverdhë, luksi alpin, ëndërr veshur me kuarc janë Bjeshkët e Namuna, etj. Kadareja pëlqen dy stinë: dimrin, me ftohtësinë dhe të bardhën dhe vjeshtën, me ndarjen, melankolinë dhe të verdhën. Ngjyrat dhe pamjet që Kadareja sjell, janë produkt i përjetimeve që provon heroi lirik. Syri i tij kap të veçantat, befasueset. Ato janë herë epike, madhështore, “shkëmbinjtë si tempuj”, herë të zakonshme, por që s’i sheh cilido sy: “Si grua e re krehur sakaq / që një karficë vë mes flokësh”, kështu vjen vjeshta e Kadaresë.

Deri në krijimin “Tirana në dimër”, e vitit 2005, Kadareja shfaqet po ai poeti qytetar, i ndjeshëm për situatat, për kohën kur jeton, i ndjeshëm për njeriun shqiptar, plot dashuri e mall e po aq mërzi e trishtim për vendin e tij, për njerëzit e tij. Është përsëri dimër “Fryn erë e dimrit, si ulkonjë e ngrirë”. E Kadareja është përsëri poet i fjalës së bukur shqipe, krenar për gjuhën, historinë dhe kombin e vet. Poezia e Kadaresë është moderne. Moderne atë e bën kalimi drejt simbolikës, e bën figuracioni befasues, i freskët, i pakonsumuar më parë, i konceptuar mbi bazë analogjish të pabesueshme apo mbi bazë asociacionesh; e bën vargu i çliruar nga skemat e rrokjeve, strofave dhe rimave; struktura e çlirët, fjalori i pasur.

PROZA E KADARESË

Proza është pjesa më e rëndësishëm e krijimtarisë së Kadaresë. Ai hyri në këtë fushë që në fillim të viteve ’60 dhe, që në krye, dëshmoi talent dhe origjinalitet. Proza e Kadaresë do të shprehte prirjen e rinovimit të thellë të prozës shqipe. Që në prozat e para, Kadareja synoi dhe ia arriti t’i japë fytyrë moderne rrëfimtarisë së tij, në të gjithë përbërësit e vet. Ai flaku prej saj rutinën dhe mjetet e harxhuara, theu skemat e strukturave dhe të mendimit, të formave dhe të ligjërimit artistik, i solli asaj dimensionin filozofik e universal, e futi atë në shtratin e rrëfimtarisë së prozës moderne. Duke ardhur në këtë shtrat, proza e Kadaresë vuri në qendër dramat e individit dhe të kombit, kërkimet morale dhe situatat ekzistenciale në jetën e tyre, përsiatjet filozofike për raportet e individit me shoqërinë dhe për integritetin e personalitetit njerëzor. Nga një prozë ku ligjërimi rrjedh në mënyrë pak a shumë të njëtrajtshme, ku subjekti është linear, proza e Kadaresë solli strukturën e një rrëfimtarie shumështresore, me thyerje dhe dinamikë të brendshme, mbështetur te fjala, detaji dhe figura artistike. Kadareja e zhvendos kameran në disa plane, bën përzierje të zërit të autorit me të personazheve, bën përzierje të kohëve dhe përfton produkte, struktura e të cilave i ngjan asaj të mozaikut. Kadareja vendosi marrëdhënie të re midis së shkuarës dhe bashkëkohësisë, duke përzier realen me irealen. Kadareja me prozën e vet i solli letërsisë europiane një aromë ballkanike, një aromë shqiptare.

Romani i parë i botuar i Kadaresë, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1963), shënoi një arritje të madhe jo vetëm në krijimtarinë e autorit, por dhe në letërsinë shqipe, për mesazhet, vlerat dhe vërtetësinë që përcolli. Në vepër nuk gjejmë një subjekt tradicional. Kompozicioni i romanit është i tillë që ngjarjeve dhe episodeve u mundësohet të lidhen nëpërmjet monologëve, kujtimeve e dialogëve, të ndërtuara me mjeshtëri. Stili dhe gjuha kanë fuqi të madhe shprehëse.

Temën e shpirtit të pamposhtur të shqiptarëve nëpër shekuj autori e trajtoi në romanin “Kështjella” (1970). Ngjarjet epike të shek. XV autori i aktualizon përmes analogjive historike. Figura monumentale e kështjellës është konceptuar si simbol i forcës dhe i qëndresës Mesazhi i përcjellë në romanin e parë, se fati i agresorëve është i paracaktuar, fuqizohet me mjete të reja shprehëse.

Në romanin “Kronikë në gur” (1971), Kadareja kritikoi provincionalizmin dhe mentalitetet e trashëguara nga e kaluara. Vepra gërsheton realen me jorealen, si dhe çon më tej prirjen dhe pasqyrimin satirik grotesk të jetës që u shfaq në romanet e para. “Kronikë në gur” është kronika e një qyteti të gurtë, vendlindja e autorit, ndaj nuk mungojnë në të edhe notat autobiografike.

Probleme të rëndësishme të historisë janë trajtuar edhe në përmbledhjet me tregime e novela “Emblema e dikurshme” (1977), “Ura me tri harqe” (1978) dhe “Gjakftohtësia” (1980). E veçanta e talentit të Ismail Kadaresë shfaqet sidomos në trajtimin nga një këndvështrim i ri i temës historike dhe në tingëllimin e mprehtë aktual që është i aftë t’i japë asaj. Kështu te “Ura me tri harqe”, autori i rikthehet mitit për t’i dhënë jetë njërit prej motiveve më të bukura të baladave, atij të murimit. Një numër jo i vogël prozash të Kadaresë ngrihen mbi alegori të goditura. Kështu vjen te ne që herët romani “Kështjella”, për të vijuar me “Piramida”, “Përbindëshi”, “Qorrfermani”, “Dosja H”, e veçmas romani “Pallati i ëdrrave”. Në tërë prozat e veta, Kadareja rrok dimensione të reja e të gjera të jetës, të kohës e të botës. Çdo botim i tij zgjon interes e shënon një hap tjetër në pasurimin e prozës moderne shqiptare me vlera të spikatura.