Kurrikula
Kursi: Filozofia Klasa 11
Identifikohu

Curriculum

Filozofia Klasa 11

0/53

0/0
Mësimi me video

Linja 7 Mësimi 19: Psikanaliza moderne

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Filozofia 11 Linja 7 Mësimi 19

Psikanaliza moderne

Problemet e individit në kohët moderne
Teoria psikanalitike e Frojdit ishte mbështetja e shumë studimeve të mëvonshme në këtë fushë. Ai mblodhi rreth vetes një numër të madh përkrahësish të shkëlqyer, të cilët u bënë bërthama e lëvizjes psikanalitike. Frojdi kishte prirje të refuzonte njerëzit që nuk pajtoheshin me të. Disa prej tyre largoheshin si miq, ndërsa të tjerët krijonin shkolla rivale me mendimet e tij.

Si një nga shkencëtarët më të shquar të shekullit XX, ai ka meritën, se iu dha përgjigje bindëse problemeve, që lidheshin me njeriun dhe me kuptimin e tij si qenie shoqërore. Ky shpjegim u bazua në shkencën mjekësore të kohës. Frojdi përkrahu deri në fund, idenë se njeriu në sjelljen e tij nxitet nga faktorë instiktivë. Morali dhe shoqëria janë pengesë e lirisë së individit. Të shumtë ishin ata, që vazhduan idenë e Frojdit për problemet e njeriut në shoqëri dhe për mënyrën e ndryshimit të sjelljeve njerëzore. Përmendim disa prej tyre:

Ana Frojd (Ana Freud, 1895-1982), ishte fëmija i fundit i S. Frojdit.
Ajo ndoqi rrugën e babait të saj dhe ka kontribuar shumë në fushën e psikanalizës. Krahas Melani Kleinit, mund të konsiderohet si themeluesja e psikologjisë psiko-analitike të fëmijëve. Ajo i qëndroi besnike ideve të babait të saj. E njohur me librin “Egoja dhe mekanizmat mbrojtës”, A. Frojd studioi dhe i kushtoi shumë rëndësi këtyre mekanizmave mbrojtës, sidomos tek adoleshentët. Ajo nuk ishte teoriciene, por ishte e interesuar për gjendjet e fëmijëve dhe përmirësimin e tyre. Terapitë që u bëheshin fëmijëve kishin specifika të veçanta. Ato lidheshin me kushtet e sjelljes së tyre, me terapistin dhe prindërit e tyre. Zhvillimi i fëmijës për Anën, lidhej me kushtet dhe problemet e momentit për të. Ajo e quan të shëndetshëm një fëmijë, që është njësoj me shokët e saj/tij në raport me ushqyerjen, higjienën vetjake, stilet e lojës, marrëdhëniet me fëmijët e tjerë. Ana me studimet e saj ndikoi shumë në psikologjinë frojdiane. Standardizoi studimet afatgjata, në lidhje me zhvillimin e fëmijëve, nga fëmijëria e hershme deri në adoleshencë. Ajo përdori eksperimente natyrore, si: analiza të fëmijëve me të njëjtën paaftësi, verbimin apo traumat e hershme që lidheshin me prindërit e humbur në luftë.

Karl Jung (Carl Jung, 1875-1961)
U rrit në familje të edukuar shumë mirë. Jungu filloi të mësonte nga i ati latinishten që në moshë të vogël. Lexonte në shumë gjuhë perëndimore, por edhe në ato antike. Ai shpesh ndihej adoleshent shumë i vetmuar, të cilit nuk i pëlqente shkolla. Duke përdorur sëmundjen si justifikim, prirjet e tij filluan të veniteshin. Zgjedhja e parë që bëri për karrierën, ishte arkeologjia dhe më pas u rregjistrua në Universitetin e Bazelit, për mjekësi. Zgjodhi profilin e psikiatrisë si profesion të tij. Admirues i Frojdit për një kohë të gjatë, e takoi atë për herë të parë në Vjenë në vitin 1907. Shpesh ata gjendeshin duke biseduar me njëri- tjetrin, si takim mendimtarësh të mëdhenj. Frojdi, e konsideronte Jungun trashëgimtar të psikanalizës së tij. Teoria kryesore në psikanalizë, që e dallon nga të tjerët, është “pavetëdija kolektive”. Ajo përfaqëson një lloj “trashëgimie shpirtërore” të shoqërisë. Përvojat njerëzore të individit, që nga lindja e tij dhe gjatë gjithë jetës, janë të lidhura në mënyrë të pavetëdijshme me të. Si shembuj të përvojave të dukshme të pavetëdijes kolektive, Jungu përmend: dashurinë me shikim të parë, deja – vu ( ndjesia se kemi qenë këtu, më parë), njohjen e simboleve të caktuara mes njerëzve, kuptimin e miteve etj. Një nga shembujt më të bukur është përshkrimi i ndjesisë sonë pranë vdekjes. Shumë njerëz të kulturave të ndryshme, kanë kujtime të ngjashme kur takojnë papritur vdekjen: shohin qartë rreth e rrotull dhe tërhiqen nëpër një tunel të gjatë drejt dritës së shndritshme në fund të tij. Shohin njerëz të afërt të vdekur, që i presin dhe nuk dëshirojnë të kthehen pas. Sipas Jungut, mbase jemi “të ndërtuar” që ta përjetojmë vdekjen në këtë mënyrë. Jungu, duke u larguar nga realiteti, shkon drejt spiritualizmit. Sipas tij, kur njeriu ndesh me probleme dhe jeta shoqërore bëhet e vështirë, ai mund të tërhiqet në fantazinë e tij. Ata që e mbështesin teorinë e Jungut pohojnë se psikanaliza e ndihmon individin edhe të “përpunojë informacionin në mënyrë të caktuar”, të tillë që përcakton edhe sjelljen e tij në shoqëri.

Alfred Adler (1870-1937), ishte djali i një tregtari hebre dhe lindi në rrethinat e Vjenës në shkurt të vitit 1870. Në fëmijëri vuante nga një sëmundje e kockave, e cila e pengoi të ecte që në moshën 4- vjeçare. Në këtë moshë kaq të vogël, pasi kaloi edhe pneumoni të rëndë, vendosi të bëhej mjek. Në shkollë Adleri ishte student mesatar dhe i pëlqenin shumë veprimtaritë dhe lojërat jashtë shkollës. U diplomua mjek në Vjenë dhe iu përkushtua psikiatrisë.

Gjatë Luftës së Parë Botërore, shërbeu si mjek në ushtrinë austriake. Pjesëmarrja në luftë ndikoi tek Adleri në vlerën e mbijetesës së njerëzimit pa luftëra dhe shkatërrime. Teoria kryesore ishte studimi i psikologjisë individuale të njeriut. Për Adlerin, individi ka në themel të sjelljes së tij impuls ose forcë motivuese. Kjo është përpjekja e tij për përsosmëri dhe vetërealizim. Njerëzit luftojnë për “përsosmëri” dhe “ideal”, por kjo natyrisht është shumë e vështirë. Për të nxjerrë përfundime ndaj individit, Adleri i dha rëndësi “stilit të jetës” të personit. Kjo nënkupton mënyrën, si e shikon jetën, si i zgjidh problemet që i dalin përpara, si i vlerëson marrëdhëniet me të tjerët në shoqëri. Kjo sipas tij, ndikon edhe në faktin sesa i dobishëm bëhet individi për të tjerët. Sjellja e secilit prej nesh lidhet me tjetrin përmes interesit shoqëror. Veprimet tona përcaktohen nga mjedisi ku jetojmë dhe nga raporti që krijojmë me komunitetin. Shumë sëmundje mendore të njeriut, sipas tij lidhen me mungesën e interesit shoqëror për jetën. Persona të tillë, si: dështakët, alkoolistët, kriminelët etj, për Adlerin janë pa dëshirë integrimi në shoqëri dhe në komunitet.

Reflekto dhe përgjigju
Çfarë studion psikanaliza moderne?
Si lidhet filozofia e sotme me përshkrimin e njeriut nga psikanalistët e rinj?
Cili është raporti i individit me komunitetin?