Kurrikula
Kursi: Filozofia Klasa 11
Identifikohu

Curriculum

Filozofia Klasa 11

0/53

0/0
Mësimi me video

Linja 7 Mësimi 8: Marksi dhe idetë e tij ekonomike

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Filozofia 11 Linja 7 Mësimi 8

Marksi dhe idetë e tij ekonomike

Ekonomia dhe ndikimi i saj në mirëqenien e individit
Qëndrimi materialist i Marksit shprehet qartë edhe në studimet e tij ekonomike, të cilat përmbajnë kritikën e mënyrës së prodhimit, e cila sillte shfrytëzimin e disave dhe pasurimin e të tjerëve. Ideja e tij se kushtet në të cilat njerëzit jetojnë ndikon fuqimisht në mënyrën sesi ata mendojnë, pati ndikim edhe te shumë mendimtarë të tjerë. “Ndryshe mendohet në pallat dhe ndryshe në kasolle”, pohonte Marksi. Ky ndryshim lidhej me diferencat klasore dhe pasuritë në shoqërinë kapitaliste. Burimin për të gjitha këto diferenca e kishte prona private. Ai që kishte pronë ishte i fortë dhe shfrytëzonte të tjerët që nuk e zotëronin atë. Në veprën “Kapitali”, Marksi jep argumente ekonomike duke e përshkruar mënyrën kapitaliste të prodhimit, si marrëdhënie e vendosur mbi pabarazinë shoqërore. Marksi ndoqi nga afër punën në fabrikat e endjes së pëlhurave në Gjermani. Në këto fabrika u grumbulluan shumë punëtorë, të cilët e kishin mënyrë të detyruar jetese punën e rëndë. Marksi, në studimet e tij ekonomike, u mbështet në teoritë e ekonomistëve anglezë: A. Smith dhe D. Rikardo. Ai përdori logjikën dhe analizën konkrete të situatës, vëzhgoi mënyrën e prodhimit kapitalist, gjendjen e punëtorëve dhe mënyrën e fitimit të kapitalistëve. Marksi argumentoi fshehjen e fitimit në procesin e prodhimit nga kapitalisti. Nisur nga fakti, që kapitalizmi ishte në fazat e hershme të tij, Marksi bëri një përshkrim të qartë sesi realizohej procesi i prodhimit dhe cilat ishin kushtet e tij.

Puna sipas tij ishte në themel të prodhimit. Ajo ndahej në:
– punë mendore dhe punë fizike,
– punë konkrete (produkti i prodhuar),
– punë abstrakte ( ideja e një produkti).

Që kapitalisti të prodhojë, me kapitalin që zotëron, duhet të blejë makineri prodhimi (kapitali konstant) dhe fuqi punëtore (kapital i ndryshueshëm), të cilën e paguante. Dita e punës ishte 12 orë në fabrikat e asaj kohe. Paga e punëtorit ishte 3 shilinga në ditë. Marksi zbuloi se vetëm në 6 orët e para të punës, punëtori krijonte mallra me vlerë (çmimi) 3 shilinga.

Po në kohën tjetër të ditës së punës?
Punëtori krijonte një vlerë tjetër prej 3 shilingash, e cila përvetësohej nga kapitalisti dhe për të cilën punëtori nuk paguhej.

Këtë Marksi e quajti “mbivlerë”. Kjo përfaqësonte hapur shfrytëzimin e punëtorit, i cili ishte i detyruar të punonte, për të mbajtur veten dhe familjen e tij. Natyrisht punëtorët, duke punuar për kohë të gjatë, duke mos pasur mundësi të çlodheshin dhe të rifitonin energjinë e nevojshme për të vazhduar procesin e punës, filluan të organizoheshin midis tyre. Ata kërkonin të drejta njerëzore, si: koha e punës, pushimet, kushtet e punës, pagat më të larta etj.

Si njerëz pa asnjë lloj pronësie, punëtorët kishin vetëm fuqinë e tyre fizike e mendore për të punuar , të cilën e kishin nxjerrë në tregun kapitalist të punës. Përballë shfrytëzimit ata vendosën bashkimin e tyre dhe renditën kërkesat ndaj pronarëve të fabrikave ku punonin. Marksi, këtë mënyrë, e quante të vetmen që mund të sillte sigurimin e të drejtave të punëtorëve të shfrytëzuar dhe një mënyrë të re prodhimi, e bazuar jo në shfrytëzimin e tjetrit. Ai parashikoi që kapitalistët nuk i dorëzonin kurrë vullnetarisht privilegjet dhe fitimet e tyre, prandaj vetëm përmbysja me forcë do të ishte rruga më e mirë për t’i dhënë fund shfrytëzimit të egër kapitalist. Për këtë, duheshin organizime politike dhe profesionale të punëtorëve të cilat do të ndihmonin në ndryshimin e gjendjes. Këto do të ishin partitë e tyre dhe sindikatat. Rruga drejt shoqërisë së re, pa shfrytëzim, ky ishte ideali i Marksit. Ky ideal është i hershëm në mendimin filozofik, por Marksi e përshkroi dhe tregoi mënyrën e arritjes në një shoqëri të tillë. Si do të ishte e ardhmja e njerëzimit sipas tij? Ajo duhet të ishte shoqëri pa pronë private, pa shfrytëzim, ku secili do të punonte sipas mundësive dhe do të paguhej sipas nevojave, me emancipim shoqëror, ateiste, që të kishte lidhje dhe bashkëpunim mes popujve etj.

DISKUTOJMË IDE FILOZOFIKE
Të diskutojmë si ekonomistë
Shpjegoni në mënyrë narrative, duke u nisur nga konceptet e Marksit në skemat e mësipërme, logjikën ekonomike të prodhimit dhe të shfrytëzimit në shoqërinë kapitaliste të shekullit XIX. Ruani vazhdimësinë e koncepteve.

Jepni opinionin tuaj
A është dhuna forma e vetme e ndryshimit shoqëror?
Si po zhvillohet ekonomikisht shoqëria sot?
A vlen në kushtet e sotme analiza që i bën Marksi kapitalizmit?