Kurrikula
Kursi: Filozofia Klasa 11
Identifikohu

Curriculum

Filozofia Klasa 11

0/53

0/0
Mësimi me video

Linja 2 Mesimi 3: Filozofia epikuriane në kërkim të lumturisë

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Filozofia 11 Linja 2 Mësimi 3

Filozofia epikuriane në kërkim të lumturisë

Sistemi filozofik i Epikurit
Epikuri (341-270 p.e.s.), lindi në ishullin Samos të Egjeut, në familje me prindër athinas. Mësimet e para në filozofi i mori nga nxënësi i Platonit, por ndikimin më të madh në formimin e tij, e pati teoria e Demokritit. Në vitin 306 p.e.s., Epikuri shkoi në Athinë, ku ngriti shkollën e tij, në një kopsht të madh dhe të bukur, që njihet si: “Kopshti i Epikurit”. Shkolla përbëhej nga një komunitet miqsh dhe pasuesish të tij, në të cilën pranoheshin të gjithë ata që dëshironin, pavarësisht nga mosha, gjinia, klasa apo edukimi kulturor. Kjo tregon qartë dallimin e saj nga shkollat e tjera filozofike. Në doktrinën e formuluar prej tij, ai përpiqet t’u japë përgjigje pyetjeve ekzistenciale, në përputhje me ndryshimet politike dhe sociale të shoqërisë greke, gjatë periudhës helenistike. Epikuri jep një model të ri të shpjegimit të botës, në krahasim me Aristotelin dhe Platonin. Thelbin e filozofisë epikuriane e përbën pikëpamja, se paqja e mendjes dhe qetësia e brendshme shpirtërore, duhet të jenë qëllimet e jetës së çdo njeriu. Sipas kësaj teorie, lumturia arrihet përmes një jete të çliruar nga frika dhe dhimbja. Rruga që të çon tek kjo mënyrë jetese, është dija dhe miqësia. Ai mendonte se: është e pamundur të jetosh jetë të lumtur, pa urtësi, ndershmëri dhe drejtësi. Sistemi filozofik i Epikurit, ndahet në tre pjesë:
– Kanonika ose Logjika, e cila përmban rregullat për kërkimin e së vërtetës.
– Fizika, në të cilën vihen në veprim rregullat e pjesës së parë.
– Morali (etika), pjesa më e rëndësishme e kësaj filozofie, që përcakton qëllimet që duhen ndjekur në jetë dhe rrugët për t’i arritur ato.

Qëllimi i filozofisë epikuriane është të ndihmojë njerëzit për të gjetur lumturinë. Kjo gjendje përfaqëson qetësinë shpirtërore (ataraxia), si dhe pavarësie ndaj kënaqësive të jashtme, që kërcënojnë paqen dhe lumturinë e gjithsecilit. Njeriu, përgjithësisht, u nënshtrohet dëshirave të tij, për pasojë dhe frikës për t’i humbur ato çfarë ka arritur gjatë jetës. Epikuri ishte filozof praktik. Ai mendonte se mjeti më i përshtatshëm për të përballuar jetën e përditshme, është filozofia. Epikuri e quante filozofinë si “ilaç” për të shëruar shpirtin njerëzor. Ai shprehej se, “nuk jemi as shumë të rinj dhe as shumë të vjetër për të filozofuar dhe për t’u kujdesur për shëndetin e shpirtit”. Mesazhet filozofike, këshillonte Epikuri, duhet të shkruhen në forma të thjeshta dhe në libra të vegjël, të përshtatshëm për t’u mbajtur me vete dhe për t’u përdorur në çdo rast.

Kanonika (logjika) epikuriane
Pjesa e Logjikës në filozofinë e Epikurit, duhet të kuptohet si sistem kriteresh, përmes të cilave ne njohim realitetin dhe veprojmë brenda tij. Pjesë e këtyre kritereve janë ndijimet dhe perceptimet, të cilat janë baza e njohjes njerëzore. Sipas Epikurit, perceptimi përmes shqisave, është njohja e parë dhe e pagabueshme e botës që na rrethon. Përmes tyre, krijohen përvojat dhe konceptet, që janë të domosdoshme, sepse lehtësojnë dhe shpejtojnë procesin e njohjes. Përmes memorizimit të përvojave të mëparshme, jemi në gjendje të njohim sendet dhe të komunikojmë me njerëzit që kemi përreth. Sipas tij, konceptet nuk janë tjetër veçse ndijime të përsëritura vazhdimisht dhe të fiksuara në kujtesë. Epikuri nuk e mohon rolin e arsyes njerëzore, sidomos për ato anë të realitetit, që nuk bien në kontakt të menjëhershëm me shqisat. Ai i rezervon mendimit racional funksionet e krahasimit, analizës dhe sintezës. Filozofia e tij i takon kampit empirist të filozofisë, sepse e bazon njohjen njerëzore, tek ndijimet dhe dija që merret prej tyre.

Fizika epikuriane
Epikuri e ndërtoi sistemin e tij filozofik mbi teorinë atomiste të Demokritit. Ai arriti në përfundimin se, çdo gjë që ekziston përbëhet nga atomet, që janë thërrmija të vogla, të pandashme dhe të përjetshme. Për pasojë, edhe Zoti apo perënditë janë qenie materiale, të përbëra prej këtyre grimcave. Epikurin e akuzuan për ateist dhe heretik, sepse nuk e pranoi Zotin si krijues të botës. Sipas Epikurit, atomet kanë ekzistuar gjithmonë dhe janë fillimi dhe përbërja e gjithçkaje. Gjatë lëvizjes dhe përplasjes së tyre me njëri – tjetrin, krjohen sendet që na rrethojnë. Atomet që formojnë njeriun janë lloje të veçanta. Ato më të mëdhatë përbëjnë trupin, ndërsa atomet më të buta dhe të shpejta, formojnë shpirtin dhe mendjen. Epikuri, u përpoq të shpjegonte se Zoti, edhe nëse ekzistonte, nuk mund të kontrollonte as natyrën dhe as fatin e njerëzve. Sipas tij, nuk kishte jetë të përtejme. Njerëzit nuk duhet të trembeshin, por duhet të mbanin nën kontroll jetën e tyre. E njëjta gjë, sipas tij vlente edhe për frikën ndaj vdekjes. Vetëm njerëzit e gjallë kanë ndjenjën e frikës dhe të vuajtjes. Pas vdekjes, nuk ka më ndjesi, për pasojë nuk duhet të trembemi prej saj. Atomet që formojnë trupin dhe mendjen shpërbëhen dhe kthehen në gjendjen fillestare, në pritje për të formuar sende dhe trupa të tjerë. Epikurianët thonë se, nuk duhet t’i druhemi vdekjes, sepse: “Vdekja nuk na arrin kurrë. Kur ne jemi, vdekja nuk është, kur ajo vjen ne nuk jetojmë më”.

Morali epikurian
Epikuri formoi drejtim të ri të filozofisë morale, që nuk e përqendroi në porositë e Zotit, por tek kënaqësitë trupore dhe mendore të njerëzve në jetën tokësore. Megjithatë, ai nuk i hapi rrugë të lirë pasioneve të çdo lloji, por pohonte se njeriu duhej të kontrollonte dëshirat e tij.
Çdo individ me të drejtë kërkon të jetojë i lumtur dhe i kënaqur. Epikuri arsyetonte se, dhimbja dhe vuajtjet janë të papranueshme, si për trupin, ashtu dhe për shpirtin njerëzor. Epikuri dallonte dy lloje kënaqësish:
– të natyrshme dhe të nevojshme (si: kënaqësia e ushqimit, pushimit të trupit dhe mendjes etj.);
– të panevojshme dhe të dëmshme (si: luksi, ushqimi i tepërt, shfrenimi sensual etj.).

Sipas tij, njeriu i mençur di të përcaktojë nevojat dhe nuk rend pas kënaqësive të pafund, sepse pangopësia, do t’i sillte atij vuajtje të reja. Etika epikuriane kishte aspekt tjetër të rëndësishëm: faktorin kohë. Sipas arsyetimit të Epikurit, të kufizuar nga qenia jonë e vdekshme, duhet të jetojmë deri në fund dhe me pozitivitet të tashmen, duke njohur të shkuarën dhe pa i dhënë peshë shqetësuese të ardhmes. Nëse kemi jetuar duke respektuar parimet që na mëson filozofia, për të arritur kënaqësinë në jetë, këto kujtime, do të na ngushëllojnë edhe në ditët më të vështira. Përparësia në filozofinë e Epikurit është kënaqësia individuale. Sipas tij, shoqëria duhet të jetë në funksion të individit, për të frenuar ata që shkaktojnë vuajtje dhe probleme tek të tjerët. Rruga për të arritur lumturinë, sipas stoikëve, përfshin disa hapa, të cilat jepen në skemën më poshtë.

Reflekto dhe përgjigju
Si ishte i ndërtuar sistemi filozofik epikurian? Shpjegoni funksionin e secilës pjesë të tij.
Cili ishte morali i filozofisë epikuriane?
Përshkruani hapat që duhet të ndjekim, për të arritur një jetë të qetë dhe të lumtur.
A kanë vlerë mësimet e Epikurit në kohën tonë? Ilustroni me shembuj konkretë.

DISKUTOJMË IDE FILOZOFIKE
Organizoni në klasë diskutim me temat e mëposhtme, duke krahasuar thëniet me njëra-tjetrën.
Nxirrni përfundime, duke përshtatur kuptimin e tyre me aktualitetin ku jetojmë.
Epikurianët thonë:
– “Një njeri i mençur, di të përcaktojë nevojat dhe nuk rend pas kënaqësive pafund, sepse pangopësia do t’i sillte atij vuajtje të reja”.
– “Çdo individ, me të drejtë, kërkon të jetojë i lumtur dhe i kënaqur”.

Jepni opinionin tuaj
Arsyetoni me shkrim temën e mëposhtme:
“Në shoqërinë e sotme moderne, u jepet prioritet statusit të lartë social, luksit dhe parasë.
A janë këto rrugët që të çojnë drejt lumturisë?”
Për të mbrojtur qëndrimin tuaj, përdorni argumente dhe arsyetime bindëse.