Kurrikula
Kursi: Filozofia Klasa 11
Identifikohu

Curriculum

Filozofia Klasa 11

0/53

0/0
Mësimi me video

Linja 7 Mësimi 3: Sistemi filozofik i Hegelit

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Filozofia 11 Linja 7 Mësimi 3

Sistemi filozofik i Hegelit

Sistemi filozofik i triadave
Hegel (Georg Fridrih Hegel) 1770 – 1831, ishte filozof idealist, përfaqësuesi më i shquar i filozofisë klasike gjermane. Ai ishte ndër filozofët e rinj, të cilët u entuziazmuan nga revolucioni francez dhe nga ndryshimet që solli ky revolucion.

Lindi në Shtutgard dhe ishte djali i një nëpunësi. Për disa kohë punoi mësues privat, e më pas u bë profesor në universitetin e Jenës. Leksionet e tij u bënë menjëherë të famshme. Shumica e tyre u botuan pas vdekjes. Ato ishin kryesisht shënimet që kishin mbajtur studentët e tij. Hegeli dha mësim në shumë lëndë, si: filozofi e natyrës, histori, antropologji dhe psikologji, histori arti, filozofi etj. Për një kohë të gjatë, ishte rektor i Universitetit të Berlinit. Historia e njohjes dhe e vetënjohjes së idesë absolute, paraqitej nga Hegel si histori e realitetit. Ky është thelbi i sistemit të tij filozofik, të cilin ai e ndërtoi sipas skemës: tezë, antitezë dhe sintezë. Sipas tij, e vërteta është rezultat i një procesi dialektik të të kuptuarit , i cili përfshin këto tri elemente të skemës. Hegeli pranon se “Çdo gjë reale është racionale dhe çdo gjë racionale është reale”. Kështu vendos barazinë mes reales dhe racionales. Këtë formulë Hegeli u mundua ta shpjegonte me fakte konkrete. Ndërtimi i sistemit hegelian nuk ngjan aspak me një filozofi të dobët dhe thjesht abstrakte. Ai merr nga historia ngjarje e fakte dhe i vendos ato në perspektivë duke i bërë materiale të sistemit të tij. Hegel, ishte themelues i sistemit të vërtetë filozofik hegelian. Ai pati ndikim të madh në shek. XIX dhe shërbeu si burim i pashterrshëm i mendimtarëve, si: Sartri, Marksi etj. Disa prej tyre ishin edhe kritikues të këtij sistemi.

Filozofia e Hegelit përmban tri pjesë të mëdha: Logjika, Filozofia e natyrës dhe Filozofia e shpirtit.
Në secilën nga këto pjesë gjenden tri vepra; në secilin libër gjenden tri pjesë; brenda çdo pjese tre kapituj … e kështu me radhë. Pjesa e parë“ Logjika ”, trajton mendimin e kulluar. Në pjesën e dytë“ Filozofia e natyrës ”, mendimi i kulluar mohon veten duke u shfaqur në natyrë përmes dukurisë së saj të shumëllojshme. Këto janë objekt i studimit të shkencave.

“Filozofia e shpirtit ”, trajton mendimin e rikthyer nga dy fazat e para në brendësinë e tij. Ky, sipas Hegelit nuk është një rikthim i thjeshtë, por mohim i mohimit. Shpirti kthehet te vetvetja duke qenë i pasuruar nga kërkimi i dyfishtë i tij.

Si e kupton Hegeli dialektikën?
Logjika e Hegelit është dialektike. Vetë lëvizja brenda triadës hegeliane është proces mohimi dialektik. P.sh., një farë gruri hidhet në tokë (teza). Prej saj mbin një kalli, që nuk është i njëjtë me farën, por e kundërta e saj (antiteza). Ky kalli zhvillohet dhe jep fara të reja, që nuk janë të njëjta me farën e vjetër (sinteza). Dialektikën e triadave hegeliane e gjejmë edhe në filozofinë e tij të natyrës. Dijet e fizikës, mekanikës dhe organikës janë të lidhura mes tyre, sepse edhe bota që ato studiojnë është një e tërë dhe jo e copëzuar. Natyra zhvillohet shkallë – shkallë brenda saj, nga format më të ulëta tek ato të lartat.

Koncepti hegelian për historinë dhe fenë
Në veprën “Filozofia e shpirtit”, Hegeli flet për shpirtin që materializohet në shoqëri dhe në historinë e saj. Shpirtin e ndan në tri etapa: shpirti subjektiv, shpirti objektiv dhe shpirti absolut. Historia për Hegelin, është kalim i shpirtit nëpër tri faza: Historia e lindjes, historia greko-romake dhe historia gjermane. Sipas tij, shoqëria nuk mund të varet nga vullnetet personale të njerëzve. Ka persona, që arrijnë të kuptojnë tendencën e zhvillimit historik duke i shtyrë dhe njerëzit e tjerë drejt saj. Këta sipas Hegelit, janë heronjtë që udhëhiqen nga arsyeja dhe si shembuj përmend: Aleksandrin, Çezarin, Napoleonin. Feja, sipas Hegelit është e kundërta e artit. Arti merret me objektet, kurse feja me subjektet. Për atë, feja përfaqëson lirinë absolute të shpirtit, kërkimin e njeriut drejt shpirtit absolut, ku ai njeh veten. Shembull i zbatimit të idesë hegeliane mbi fenë, është reforma protestante, në të cilën krishterimi gjen realizimin e mirëfilltë të tij: Çdo njeri ka mundësinë, që me mjetet e tij të jetojë sipas Krishtit.

Hegeli dhe shteti
Konceptin e shtetit Hegeli e krijon përmes triadave të tij:
– Teza. Individi vjen në shoqëri bashkë me nevojat e tij vetjake ( mohimi i parë).
– Antiteza. Individi jeton dhe bashkohet me të tjerë, duke krijuar familjen. Kjo bëhet duke u bazuar në dashurinë mes individëve (mohimi i dytë).
– Sinteza. Shteti krijohet si bashkimi i të gjithë individëve dhe nevojave të tyre( mohim i dyfishtë).

Synimi i të gjithëve është zhvillimi historik.
Hegeli është i bindur se shteti bën realitet historinë universale. Ai është realitet thelbësor dhe arsyeja për të bërë realitet një bashkësi njerëzore. Njerëzit duhet të marrin pjesë në jetën e shtetit, sepse pa të, ata humbasin realitetin e tyre. Qytetari nuk ka vlerë pa shtetin. Shteti, sipas Hegelit, është racional sepse shtetet e këqija nuk kanë jetëgjatësi. Ai i konsideron luftërat të nevojshme, sepse vetëm atëherë njerëzit arrijnë të vlerësojnë më tepër atë që kanë. Hegel mohon aleancat dhe marrëveshjet midis shteteve në histori. “Shteti është shpirti absolut..që ekziston mbi tokë”,- pohon Hegel.

Reflekto dhe përgjigju
Pse filozofia e Hegelit u quajt sistem filozofik?
Cila është ideja e triadës hegeliane?
Përse filozofia e Hegelit është idealizëm absolut?
Si i vlerëson ai shkencat?
Përse është i domosdoshëm shteti në shoqëri?
Cili është roli i njerëzve të shquar në histori sipas Hegelit?

Debat dhe dialog
Komentoni idenë e sistemit filozofik të Hegelit:
“Çdo gjë reale është racionale”. Jepini aktualitet argumentit tuaj.

Jepni opinionin tuaj
– Plotësoni vendet bosh në tabelën e sistemit hegelian.
– Analizoni dy prej shkencave që përshkruan Hegeli dhe që ju pëlqejnë t’i studioni.