Kurrikula
Kursi: Filozofia Klasa 11
Identifikohu

Curriculum

Filozofia Klasa 11

0/53

0/0
Mësimi me video

Linja 1 Mësimi 2: Mendimi filozofik në periudhën antike

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Filozofia 11 Linja 1 Mësimi 2

Mendimi filozofik në periudhën antike

Kushtet historike të lindjes së filozofisë
Njohuritë për periudhën e qytetërimit në lashtësi janë të pakta, sepse mungon trashëgimia e dokumentuar. Tregimet e historianëve dhe legjendat rreth qyteteve të para të kësaj periudhe, nuk mjaftojnë për të treguar saktë kushtet në të cilat u zhvillua ky qytetërim. Megjithatë, ato na lejojnë të krijojmë tablonë të përgjithshme të jetës që zhvillohej në to. Nga dy poemat “Iliada” dhe “Odisea” të Homerit, mësojmë për zhvillimin e qytet – shteteve klasike greke (polise), si: Athina, Sparta. Historia e ngjarjeve në poemën “Iliada” është vendosur në kohën e fuqizimit të mbretërive mikenase (shek. XIV-XII p.e.s.) dhe pushtimeve të tyre në Azinë e Vogël (lufta mitike e Trojës). Ngjarjet e treguara te poema “Odisea”, lidhen me periudhën e krizës së këtij qytetërimi, rreth shek. XII p.e.s. Më pas gjatë shekujve IX-VIII p.e.s., filluan të formoheshin të ashtuquajturat qytetshtetet e para, si shoqëri të vogla, të pavarura, që pasuan rënien e botës mikenase. Kjo fazë arrin kulmin gjatë shek. VIII-VII p.e.s., kur në këto qytete u unifikua gjuha, kultura, zakonet dhe u formuan sistemet e para qeverisëse demokratike. Në shekujt më pas, qytet –shteti i Spartës dallon më shumë për karakterin luftarak, duke vendosur zgjerimin përmes pushtimeve (zona e Peloponezit jug – perëndimor). Në këtë fazë në Greqi po zhvillohej një kulturë e re, që vlerësonte individin e lirë dhe rëndësinë e qeverisjes së drejtë. Ky zhvillim ishte në kundështim me format e qeverisjes monarkike në Lindje, ku çdo gjë i nënshtrohej autoritetit despotik të sundimtarit. Në poliset greke u ndërtuan për herë të parë sheshet publike (agora), në të cilat qytetarët, politikanët dhe qeveritarët diskutonin të lirë dhe të barabartë. Ata diskutonin për çështje të ndryshme me karakter ekonomik, politik dhe kulturor. Kjo formë debati demokratik, si dhe votimi i lirë, ndihmonte në zgjidhjen me konsensus të problemeve të asaj kohe. Këto zhvillime krijuan kushtet për lindjen e filozofisë, si forma më e lartë e të menduarit intelektual. Hapja e shkollave i dha këtij mendimi shtysë të re dhe pamje më të organizuar. Shkolla e parë filozofike në antikitetin grek, do të shënonte fillimin e të ashtuquajturës filozofi klasike. Kjo shkollë u themelua nga Thalesi i Miletit (qytet në Azinë e Vogël), gjatë shek. VII-VI p.e.s.

Kushtet kulturore dhe artistike
Lulëzimi i kulturës dhe artit grek arritën kulmin gjatë shekujve VI-V p.e.s. Në vitin 535 p.e.s., në Athinë u ndërtua teatri i financuar nga vetë qyteti. Në këtë teatër organizoheshin shfaqje të shumta për publikun e gjerë, si: tragjeditë e Eskilit, Sofokliut, Euripidit dhe komeditë e Aristofanit, që më pas u bënë kryevepra botërore. Teatri athinas në atë kohë shërbeu si institucion social. Ai formoi dhe unifikoi identitetin kulturor dhe psikologjik brenda komunitetit. Përmbajtja e shfaqjeve simbolizonte shqetë-simet individuale dhe kolektive të kohës. Këto vepra trondisnin ndërgjegjen e qytetarëve, duke përçuar vlera të larta. Në këtë kohë Aristoteli shprehet: “Tragjedia i ndihmon njerëzit të pastrojnë veten nga pasionet e rrezikshme, duke arritur ekuilibër psikologjik dhe moral”.

Pse filozofia lindi në Greqi?
Kushtet politike dhe social – kulturore në të cilat u zhvillua shoqëria greke, nga shekulli IX -VIII p.e.s., ndihmuan në lindjen e mendimit filozofik në këtë vend. Disa nga faktorët, që luajtën rol të rëndësishëm në formimin e hershëm të filozofisë në Greqinë e lashtë janë:
Mungesa e një shteti të centralizuar
Në këtë periudhë në Greqi, nuk kishte aparat të fortë shtetëror të organizuar, nën udhëheqjen e një sundimtari (mbreti). Mungonte ushtria e mirëfilltë dhe pushteti gjyqësor.
Nuk kishte autoritet fetar të unifikuar
Kisha nuk ekzistonte, sepse akoma nuk kishte lindur besimi monoteist. Për rrjedhojë, mungonte kasta e organizuar e priftërinjve dhe autoriteti i tyre ndaj shtetit dhe shoqërisë. Besimi në Greqi përbëhej nga mite dhe kulte të veçanta, pra ishte një besim politeist.
Në Greqi nuk kishte trashëgimi të mirëfilltë kulturore
Mungonte pasuria e trashëguar kombëtare. Njiheshin vetëm për poemat e Homerit, Iliada dhe Odisea. Pra grekët jetonin në boshllëk të shtetit, autoritetit fetar dhe traditës. Shoqëria greke nuk krijonte asnjë siguri të drejtash të mbrojtura, si nga ligji ashtu dhe nga forca hyjnore.

Rënia e filozofisë klasike greke
Shkaqet që çuan në rënien e kësaj kulture janë të shumta. Më të rëndësishmet renditen:
– Vdekja e Aleksandrit të Madh, në vitin 323 p.e.s. Qytet – shtetet greke, që bashkëpunuan gjatë kohës kur ky udhëheqës ishte gjallë, filluan përsëri luftën mes tyre.
– Vdekja e Aristotelit në 322 p.e.s. Shkollat filozofike, u ndanë në disa degë, si: skeptikët, epikurianët, stoikët, të cilët kishin ide dhe forma të ndryshme argumentimi.
– Lindja dhe fuqizimi i fuqisë së re politike, ushtarake dhe fetare të kohës, perandorisë romake. Kjo formë e re organizimi shtetëror, karakterizohej nga aparat i fortë burokratik dhe gjyqësor.

Qytet – shtetet greke u karakterizuan nga pluralizmi i mendimit filozofik. Në këtë kohë u krijuan shkolla të ndryshme filozofike. Filozofëve të kohës, iu vunë në dispozicion të gjitha burimet e dijes bashkëkohore dhe bibliotekat publike, të cilat mund t’i shfrytëzonin lirisht. Por, rritja dhe forcimi i rolit të fesë kristiane ortodokse, (e cila do të shkrihej me shtetin) do të rriste intolerancën ndaj çdo mendimi, që nuk konsiderohej kristian. Datat, që do të kishin vlerë simbolike, lidhur me rënien e rolit të filozofisë klasike greke, janë: Viti 529p.e.s., kur perandori Justinian, ithtar besnik i ortodoksizmit mbylli shkollën filozofike të Athinës, pasuese e Akademisë së hershme të Platonit. Filozofët e kësaj shkolle kërkuan mbrojtje në Persi. Një shekull më vonë, mbretëria persiane do të përfshihej nga zgjerimi arab në Lindje, e udhëhequr nga feja e re islame. Viti 642 p.e.s., kur arabët pushtuan Egjiptin dhe shkatërruan bibliotekën e madhe të Aleksandrisë. Këtu mbaron një epokë tolerante dhe pluraliste e mendimit filozofik të lashtësisë dhe fillon periudha e luftrave, për hegjemoni fetare mes të krishterëve dhe islamikëve. Gjatë dy shekujve në vazhdim, bashkë me fuqizimin e Perandorisë Romake, u rrit dhe u përhap filozofia romake, e cila krijoi rryma dhe ide të reja filozofike.

Reflekto dhe përgjigju
Cilat janë disa nga kushtet historike dhe kulturore, që ndikuan në lindjen e filozofisë së lashtësisë?
Pse filozofia lindi në Greqinë e lashtë?
Cilët janë faktorët që ndikuan në rënien e kësaj filozofie?
A mund të tregoni disa nga ngjarjet dhe datat, që lidhen me rënien e filozofisë greke?

Debat dhe dialog
Diskutoni në klasë rreth fjalisë të dhënë në tekst:
“… Kjo formë debati demokratik, si dhe votimi i lirë, ndihmonte në zgjidhjen me konsensus të problemeve të qytetarëve të asaj kohe…”.
Shprehni mendimin tuaj, lidhur me situatat politike dhe shoqërore në vende të ndryshme demokratike në Europë. A ndodh e njëjta gjë në Shqipëri?
Sillni shembuj konkretë, ku këto situata, mund të ishin zgjidhur më mirë përmes dialogut.
Argumentoni rëndësinë e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në një sistem demokratik dhe konkretisht në vendin tonë.

Jepni opinionin tuaj
Shkruani në trajtën e një eseje argumentuese, mendimin tuaj rreth fjalisë (në mësim): “..Në sheshet publike, qytetarët, politikanët dhe qeveritarët diskutonin të lirë dhe të barabartë, për çështje të ndryshme me karakter ekonomik, politik dhe kulturor.”
– Mendoni se kjo formë qeverisje është e mundur dhe sot?
– Në cilat raste populli e shpreh drejtpërsëdrejti mendimin e tij?
– A është i lirë dhe transparent raporti i qytetarëve me pushtetarët?
Bazohuni në njohuritë e marra në lëndën e qytetarisë, historisë etj., si dhe në përvojat dhe reflektimet tuaja personale.