Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Filozofia 11 Linja 2
Filozofia në periudhën romake
Biblioteka e Aleksandrisë, u ndërtua në Aleksandri, në kryeqytetin e Egjiptit të lashtë. Ajo kishte si qëllim të mblidhte veprat e dijetarëve, nga të gjitha kohërat dhe kulturat, për t’i ruajtur ato për brezat e ardhshëm. Biblioteka ishte një institucion kërkimor dhe si e tillë, përmbante dijet më të reja në shkencat ekzakte, si: matematikë, fizikë, në shkencat natyrore etj. Ajo lulëzoi nën sundimin e dinastisë së Ptolemeut, ishte më e madhja dhe nga më të famshmet e botës antike. Shkatërrimi i saj, ishte një nga tragjeditë më të mëdha të njerëzimit.
Gjatë periudhës helenistike – romake, u përpunua filozofia me karakter moral. Ajo kishte si qëllim të ndihmonte njerëzit të gjenin sigurinë dhe qetësinë shpirtërore. Filozofët e kësaj periudhe e përdorën dijen filozofike, për të treguar mënyrën sesi arrihej kënaqësia dhe lumturia në jetë.
Sipas Epikurit, frika ndaj vdekjes është pengesa kryesore, për të qenë të lumtur gjatë jetës. Ai mendon se kjo frikë është e kotë. Pas vdekjes, shpirti ynë, sikurse trupi, pushon së ekzistuari.
Qëllimi i jetës, sipas filozofisë së Epikurit, ishte arritja e paqes së brendëshme shpirtërore. Ai pohon se, nuk mund të jetosh jetë të lumtur, pa urtësi, ndershmëri dhe drejtësi. Për Epikurin, kënaqësia në jetë, arrihet kur rrethohesh nga miq të mirë dhe je i çliruar nga frikërat apo dhimbja.