Kurrikula
Kursi: Filozofia Klasa 11
Identifikohu

Curriculum

Filozofia Klasa 11

0/53

0/0
Mësimi me video

Linja 7 Mësimi 2: Utilitarizmi si drejtim filozofik

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Folozofia 11 Linja 7 Mësimi 2

Filozofia kritike e Emanuel Kantit

Rregullat morale kthehen në imperativ (urdhëruese të sjelljes)
Emanuel Kanti (Kant Emmanuel), lindi më 1724. Ai u pagëzua me emrin “Emanuel” por më vonë, pasi mësoi hebraishten, e ndryshoi atë në “Immanuel”, që do të thotë: Zoti me ne. Ai e kaloi të gjithë jetën në qytetin e lindjes, në atë kohë kryeqytet i Prusisë Lindore. Vdiq më 12 shkurt 1804. Mbi varrin e tij janë shkruar fjalët e veprës “Kritikë e arsyes praktike”: “Qielli me yje mbi mua, ligji moral për mua”. Ai u rrit me frymën fetare të mëshirës, në fillim nga nëna dhe më pas në kolegj, të cilin e filloi në vitin 1732. Në rini Kanti ishte nxënës i mirë, por jo i shkëlqyer. Ai mori edukim të ashpër, të rreptë, ndëshkues dhe disiplinor. Kjo gjë e ndihmoi në mësimin e fesë dhe të latinishtes, si dhe në formimin mbi shkencat dhe matematikën.

E. Kanti la universitetin në kohën kur i vdiq babai. Për të jetuar, punoi si mësues privat pranë familjeve të ndryshme në rrethinat e vendlindjes. Në 1755, fitoi titullin Doktor me tezën e titulluar, “Mbi zjarrin”. Kanti filloi punën në mësimdhënie, ku përveç filozofisë, jepte leksione edhe për logjikën, matematikën, shkencat fizike dhe natyrore, gjeografinë fizike dhe pedagogjinë. Botimi i parë “Mendime mbi vlerësimin e vërtetë të forcave të gjalla” (1749), përbën fillimin e një vargu shkrimesh shkencore të tij. Në vitin 1781, u botua vepra më e rëndësishme, “ Kritika e arsyes së kulluar”. I gjithë mendimi filozofik, zhvillohet rreth tri çështjeve: Çfarë mund të njoh unë? Çfarë duhet të bëj unë? Çfarë më lejohet të shpresoj? Përgjigjet e pyetjeve gjenden në veprën e tij, të cilën e nis me kuptimin e arsyes së kulluar. Filozofia e E. Kantit analizon me sy kritik mundësitë që kanë njerëzit për të njohur saktë botën. Ai vazhdimisht pohon se ne vazhdojmë në pafundësi përpjekjet për të njohur gjithçka që ka të bëjë me objektet dhe fenomenet, të cilat përbëjnë përvojën tonë. Njohja njerëzore përdor shqisat dhe arsyen në këtë proces. Përmes këtyre dy burimeve, brezat i kalojnë njëri – tjetrit përvoja të mira dhe të këqija, nëpërmjet elementëve të ndryshëm të kulturës. Nga objektet që na rrethojnë, njohim vetëm atë që na ofrojnë shqisat dhe kap mendja jonë. Me kalimin e kohës, kuptojmë se nuk e kishim njohur plotësisht sendin. Pra, sipas E.Kantit, ka një pjesë të sendit, të cilën e kemi të pamundur ta njohim dhe ky quhet send në vetvete ose noumen; ndërsa pjesa që mund të njohin shqisat dhe arsyeja jonë quhet send për ne, ose fenomen.

Për E. Kantin, arsyeja e kulluar është shkalla më e lartë e arsyes. Ajo nuk ka të bëjë me pjesën empirike, por me aftësinë e lartë njerëzore të përgjithësimit. Arsyeja praktike, është pjesa që merret me parimet e të vepruarit. Të dyja pjesët zgjidhin probleme të ndryshme të njeriut, të pavarura nga njëra – tjetra. Sipas Kantit, arsyeja njerëzore ka disa dhunti. Ajo mund të lidhë cilësitë e veçanta të objekteve të ndryshme në hapësirë dhe kohë. Këtë veçori ai e quan apriori. Pra sipas tij, nuk kemi dije apriori, por kemi mënyrën e lindur të përbashkët, që i shohim sendet në kohë dhe hapësirë. Dije teorike të vërteta mund të japin sipas E.Kantit, vetëm matematika dhe shkencat e natyrës, sepse ato mbështeten në format apriori të arsyes.

Imperativi kategorik i E.Kantit
Pjesa e arsyes praktike në mendimin filozofik të E. Kantit, lidhet me analizën e veprimtarisë së vullnetshme të njeriut, i cili udhëhiqet nga qëllime të caktuara dhe përfshin moralin, etikën, estetikën dhe të drejtën. Në fushën e etikës, ai u përpoq të përcaktonte rregulla të përgjithshme të sjelljes, që nuk varen nga përmbajtja reale e sjelljes konkrete të njerëzve. Në estetikë, të bukurën e reduktonte në kënaqësinë që varet vetëm nga forma. Ajo sipas tij, ekziston pavarësisht nga përmbajtja e objekteve që pasqyrohen në veprat e artit. Sipas E. Kantit, të veprosh me vullnet nuk do të thotë të veprosh sipas dëshirës së secilit.Vullnet i mirë është ai, që brenda nesh, na bën të dëshirojmë të jemi në pajtim me vlerat morale.

Kanti, ligjin e sheh si bindje ndaj detyrës dhe jo si kufizim të lirisë. Sipas tij, ligji është vetë liria. Liria jonë i ka rrënjët tek e përkryera. Ajo është e lidhur me detyrën për ta realizuar atë në mënyrë të arsyeshme. Ai pohon:-Vepro në mënyrë të tillë, që ta trajtosh gjithmonë njerëzimin si qëllim dhe jo si mjet. Kjo “ide etike” e E. Kantit, mund të shërbejë edhe sot, si mësim i rregullimit të marrëdhënieve shoqërore dhe politike. Në filozofinë e E. Kanti, mund të dallojmë dy pikëpamje të filozofisë:
– Filozofi për studentë, studiues dhe specialistë të saj. Këtë ai e quan filozofia e shkollës, “skolastike” (ajo mësohet nëpër shkolla).
– Filozofi për njeriun e thjeshtë dhe botën e tij. Ai dëshiron të dijë disa të vërteta themelore, si: çfarë është njeriu, e keqja, vuajtja, dashuria, liria, çfarë ndodh pas vdekjes dhe sidomos rreth ekzistencës së Zotit.

Kanti këtë e quan filozofi kozmopolite, nëpërmjet të cilës, kërkon t’i japë përgjigje shumë pyetjeve, që e shqetësojnë njeriun në të gjitha aspektet e jetës së tij.

E.Kanti dhe ideja e Zotit
Besimi dhe ekzistenca e Zotit, bëjnë pjesë në sistemin filozofik të Kantit. Sipas tij, janë disa çështje ekzistenciale të njeriut, që shkenca nuk mund t’u japë përgjigje. Këto çështje tejkalojnë dimensionin e përvojës së përditëshme, të shfaqurit e tij (phainómenon), sepse njeriu ka edhe një dimension tjetër, atë shpirtëror.

E. Kanti, në lidhje me Zotin, mbështetet në teologji racionale. Sipas tij, Zoti nuk është objekt dhe si i tillë nuk mund të bëhet fenomen, pra që mund të njihet nga arsyeja jonë. Ai është diçka rregulluese e botës, për aftësinë njohëse të njeriut, por nuk bën pjesë në të. E. Kanti pohon se, kur bëhet fjalë për objekte ndijore, kjo realizohet me anë të shqisave tona. E kundërta, ndodh për objekte të mendimit të kulluar, për të cilën nuk ka mjet të na bindë për ekzistencën e tyre. Prandaj nuk mund të pohojmë se Zoti ekziston, por jemi po aq të paaftë të provojmë edhe se ai nuk ekziston. Njeriu ka misionin të zhvillojë shkencën deri në nivelin e fenomeneve, por vetë arsyeja na zbulon kufizimet e saj. Atje ku nuk mund as të provohet, të hidhet poshtë, lind besimi. E.Kanti e shpreh këtë ide, duke pohuar se: “ Për t’i bërë vend besimit, do të më duhej të kufizoja arsyen.” Filozofia e Kantit, paraqitet shumë aktuale edhe për njeriun e kohës së sotme. Pyetjet që ai parashtron janë shumë kuptimplote. Mund të ndryshojnë mjetet dhe mënyra e jetesës, por njeriu në brendësi të tij, ka po të njëjtat pyetje, që e kanë shqetësuar shekuj më parë. Ai është në kërkim të pse – ve të tij në këtë botë. Fillimisht, duhet të kuptojmë kufijtë e njohjes sonë (deri ku mund të arrijë dija jonë) dhe cilat janë objektet që ajo mund t’i përkufizojë. Me fjalë të tjera, duhet të njohim subjektin dhe funksionet e intelektit. Jeta e përditshme na paraqet dimensione të panjohura të njeriut dhe si rrjedhim shohim se ai ka ndenja, pasione, dëshira për jetën, kërkon të jetë i dashur nga ata që e rrethojnë etj. Natyrshëm lind pyetja, se si ai duhet të veprojë në marrëdhënje me botën e jashtme, pra me të tjerët. Si duhet të sillem? Kjo pyetje për Kantin është sa legjitime aq dhe e drejtë, sepse rrjedh nga racionalja

Të di më shumë
E. Kanti ka ndikuar shumë në filozofinë botërore. Filozofia e tij është shprehur në vazhdim nga neokantistët, në idetë pozitiviste dhe mahizmi. Ai ishte personi, i cili hartoi për herë të parë prezumimin e pafajësisë për të gjithë njerëzit. Kjo është e shprehur edhe në nenin 30 të Kushtetutës së Repuplikës së Shqipërisë ku thuhet qartë se:
“Kushdo quhet i pafajshëm përderisa nuk i është provuar fajësia me vendim gjyqësor të formës së prerë”.

Debat dhe dialog
Diskutoni në klasë, lidhur me dyshimin E. Kantit mbi ekzistencën e Zotit. Mundohuni të sillni këndvështrimin tuaj për këtë çështje, duke e mbrojtur me argumente sa më qarta dhe bindëse.

Jepni opinionin tuaj
Diskutoni midis jush, thëniet e E. Kantit:
– “Njeriu duhet të jetë i virtytshëm, të ketë neveri për vesin dhe të dëshmojë gjithmonë të vërtetën në çdo rrethanë ”.
– “Vullnet i mirë, është ai që brenda nesh na bën të dëshirojmë të jemi në pajtim me vlerat morale”.
Përpiquni të sillni sa më shumë argumente dhe shembuj nga jeta juaj e përditshme.