Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Filozofia 11 Linja 7 Mësimi 1
Zhan Zhak Ruso dhe koncepti i tij për shtetin
Shteti si kontratë qeverisjeje
Rusoi (Rousseau Jean – Jacques, 1712-1778) ishte filozof, sociolog, teoricien i pedagogjisë dhe iluminist i shquar francez. Ai përmendet në historinë e filozofisë si një mendimtar që ka lënë një vepër, e cila e bën atë filozof me shpirt të madh dhe një mendje të ndritur të kohës.
Rusoi lindi në Gjenevë, në një familje emigrantësh franceze. Ai nuk mundi të merrte një arsimim apo shkollim të veçantë. Në vitin 1728 la Gjenevën dhe ndërmori një udhëtim për të njohur botën dhe për të mësuar. Kjo ishte mënyra autodidakte e të mësuarit të Rusoit. Ai bëhet i shquar, në Akademinë e Dizhonit në Francë kur u zhvillua një konkurs. Në të gjithë auditorin ishte i vetmi që dha përgjigje për pyetjen: “A ka ndihmuar rivendosja e shkencave dhe arteve në përmirësimin e zakoneve njerëzore?” Rusoi mendonte se zhvillimi i përgjithshëm nuk ishte e vetmja arsye që e bënte njeriun më të mirë. Ai dallonte në shoqërinë ku jetonte, marrëdhënie ku shthurrja ngrihej mbi moralin; luksi dhe kënaqësia bliheshin me çmimin e skllavërisë. Sipas tij, këto tipare nuk kanë lindur së bashku me njeriun dhe nuk janë aspak të natyrshme sepse nuk bazohen në moralin e natyrshëm të shoqërisë. Rusoi shprehet: – Gjendja e moralit natyror humbi gjatë procesit historik të qytetërimit. E vetmja gjë e mirë që lindi nga ky proces sipas tij, ishte arsyeja me ndihmën e së cilës synojmë të kthehemi në gjendjen ku e natyrshmja nuk ka humbur. Në gjendjen natyrore njeriu ishte i lumtur pa industri dhe pa shkencë. Ai zotëronte vetëm arsyen dhe vepronte sipas dy parimeve:
– dashuria për vetveten, e cila sillte shqetësimin për jetën e tij;
– mëshira e cila lind përballë vuajtjeve të padobishme të çdo qenieje të gjallë.
Njeriu e zhvilloi shkencën por nuk i parashikoi dot të këqijat e saj.,-mendonte Rusoi.
Sa më shumë zhvillohet arti dhe shkenca, aq më tepër zhduket virtyti njerëzor. Për të argumentuar këtë dije, Rusoi merr shembull Egjiptin e vjetër si një qendër e madhe e zhvillimit të gjithanshëm.
Idetë e Rusoit për pronën private
Merita historike e Rusoit qëndron në faktin se ai, me veprën: “Gjykime mbi prejardhjen e dhe bazat e pabarësisë midis njerëzve”, (1775) ishte i pari që e lidhi pabarësinë sociale me lindjen e pronës private. Në fillim, sipas Rusoit, shoqëria ishte në gjendjen e saj të natyrshme. Midis njerëzve nuk kishte shtypje sociale, por sundonte harmonia e miqësia, ndërsa më vonë, me lindjen e pronës private, lindi pabarazia, “lufta e të gjithëve kundër të gjithëve”. Është normale që njerëzit nuk janë të barabartë, por pabarazia më e keqe lidhet me lindjen e pronës private. Ajo e ndau shoqërinë në të pasur e të varfër. Në këtë shoqëri pronësia është gjithçka dhe aspak një e drejtë natyrore e njeriut. Për Rusoin prona private është kundër ligjit të natyrës: që, një grusht njerëzish të ketë me shumicë gjëra të tepërta, ndërsa shumicës i mungojnë gjërat e domosdoshme. Pikpamjet e tij mbi çështjen e pronës ishin një hap i madh përpara, sepse përmbanin në themel idenë mbi vartësinë e jetës sociale nga zhvillimi ekonomik.
Idetë pedagogjike të Rusoit
Në formimin e tij si mendimtar, idetë pedagogjike (mbi të mësuarin) të Rusoit zunë një vend të rëndësishëm. Ai u bë i njohur në fushën e pedagogjisë me veprën e tij “Emili, ose mbi edukimin” (1762), në të cilën kërkonte, nga pozitat e borgjezisë, një përmbysje në sistemin e vjetër të edukmit. Rusoi mbron idenë se njerëzit lindin të barabartë, por shoqëria me pabarazinë e saj ua vret vlerat e lindura. Në këtë libër Rusoi përshkruan edukimin ideal të një fëmije naiv dhe të pastër gjatë procesit të ndikimit të shoqërisë. Në shkollën që ai idealizon, kultivohen: talenti dhe të dhënat e lindura, besimi duhet të vijnë jo nga koka, por nga zemra, përvoja duhet të vinte jo nga librat, por nga jeta. Sipas Rusoit një edukim i arsyeshëm realizohet duke nxitur prirje të veçanta natyrore që ka secili ka në vetvete. Në mënyrë që të realizohet si duhet ky edukim, duhet që fëmija të mbrohet edhe nga ndikimet e dëmshme të shoqërisë.
Rusoi për marrëveshjen shoqërore
Një hap përpara në krahasim me paraardhësit shënoi teoria e tij mbi shtetin, që ishte rrjedhim logjik i pikëpamjeve të tij mbi pronën private. Ideja mbi shtetin si një kontratë shoqërore, është një nga meritat më të spikatura të Rusoit në lidhje me konceptin e tij politik. “Lakmia e pangopur e njerëzve kur ata dolën nga gjendja natyrore…., nxiti tek ata sjelljen e mbrapshtë për të dëmtuar njëri – tjetrin”. Për këtë arsye Rusoi mendon se bëhet e domosdoshme marrëveshja shoqërore dhe ligjet që mënjanojnë kaosin. Shteti bëhet garant i paqes duke ushtruar të drejtën pozitive, e cila ka në përmbajtjen e saj edhe të drejtën natyrore. Në masën më të madhe sipas Rusoit, kjo e drejtë respektohet nga shteti. Për të krijuar një shtet të mirë, njerëzit bëjnë “pakt shoqëror” ,“kontratë sociale” midis tyre dhe njerëzve që do të qeverisin. Qytetarët mbeten përsëri të lirë, përderisa janë pjesë përbërëse e “vullnetit të përgjithshëm shoqëror”, të cilit i nënshtrohen të gjithë. Gjithçka vendoset me votën e popullit. Shteti, mbi bazën e kësaj “kontrate”, ka të drejtën edhe të dhunës për të detyruar individin t’i nënshtrohet vullnetit të përgjithshëm. Barazia politike sipas Rusoit qëndron në barazinë e të gjithëve para ligjit. Në demokraci populli sovran është ai që ushtron pushtetin përmes përfaqësuesve të tij.
DISKUTOJMË IDE FILOZOFIKE
Përballje mes filozofëve:
Pse roli i institucioneve në shoqëri mund të jetë pozitiv ose negativ?
Jepni argumenta duke u nisur nga filozofët e përmendur më lart.
Cilat jane idetë e Hobsit dhe Lokut për ndikimin negativ të institucioneve të qeverisjes?
Ku mbështetet pozitiviteti i Rusoit në lidhje me kontratën e qeverisjes?
Jepni opinionin tuaj
– Cilat janë pikat e përbashkëta midis pedagogjisë së Rusoit dhe mënyrës të të mësuarit në shkollën tuaj?
– Rusoi në romanin “Emili”e bazon edukimin në cilësitë dhe talentin personal të fëmijës.
Sa e ndjeni veten si “Emili i Rusoit”?