Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Filozofia 11 Linja 7 Mësimi 4
Filozofia sociale në Francë
Filozofia e një ideali shoqëror më të mirë
Në historinë e mendimit filozofik shumë autorë, të pakënaqur nga realiteti historik i kohës, u shkëputën prej tij me dëshirën e ripërtëritjes së jetës shoqërore dhe shpirtërore. Rruga që ndoqën ishte përfytyrimi i një shoqërie ideale, i një projekti të bukur, i një modeli shoqërie të përsosur, që në fakt nuk ekzistonte realisht në asnjë vend të botës. Në vazhdim të ideve të tilla të Platonit, Tomas Mor ishte i pari që e përdori këtë term në Rilindje. Ide të tilla i gjejmë në Francën e kohës së pasrevolucionit. Ato vazhduan ta ushqenin filozofinë me ideale shoqërish të përsosura dhe që dëshironin progres. Kështu mund ta karakterizojmë mendimin filozofik të Sen- Simonit dhe Furje-së në Francë. Idetë e tyre njihen si socializëm i hershëm. Sen – Simon (Saint – Simon Claude Henri 1760 -1825), lindi në Paris në një familje aristokrate dhe vdiq në moshën 64- vjeçare. Në rininë e tij ishte shumë ambicioz dhe njihet si një nga përfaqësuesit më të shquar të socializmit utopik francez. Si studiues i historisë, ai mbështet idenë e përparimit të shoqërisë, e cila përbëhet nga sisteme që përmbajnë edhe kundërshti midis tyre. Rruga e përparimit sipas Sen- Simonit është emancipimi i shoqërisë, që sipas tij do të arrihej përmes arsimimit dhe dëshirës për punë të njerëzve. Ai e kishte kuptuar se shoqëria jetonte rendin e ri kapitalist, në të cilin dallonte dy grupime njerëzish: – grupi i prodhuesve, ku bënin pjesë njerëzit që punonin për shoqërinë dhe ata që kanë kapitale dhe punësojnë njerëzit; – grupi i joprodhuesve ku bëjnë pjesë ata që nuk punojnë, por edhe të tjerë që pengojnë prodhimin si dhe pronarët e pasurive të patundshme. Sipas filozofit francez, që shoqëria të zhvillohet duhet të qeverisin industrialistët dhe jo juristët, që i quan “grerëza” të pushtetit. Në shoqërinë e ardhshme, sipas Sen – Simonit, drejtimi politik i njerëzve do të zëvendësohet me administrimin e sendeve, d.m.th.,do të zhduket shteti. Shteti sipas tij duhet të administrojë punët e shoqërisë dhe jo të kontrollojë njerëzit.
Në veprat e tij “Letra e një banori të Gjenevës, për bashkëkohësit e tij” (1803); “Skicë e shkencës mbi njeriun” (1813- 1816), “Projekt i riorganizimit të shoqërisë europiane” (1814), “Mbi sistemin industrial” (1823 – 1824) etj., ai parashtroi një varg idesh me vlerë për zhvillimin historik, për të ardhmen socialiste të shoqërisë njerëzore etj. Çdo sistem shoqëror, sipas Sen – Simonit, duhet parë si një hap përpara që bën historia. Ai jetoi dhe punoi në periudhën kur mënyra kapitaliste e prodhimit dhe kontrasti midis borgjezisë e proletariatit ishin shumë pak të zhvilluara. Pra, nuk e kuptonte rolin e proletariatit si krijues të shoqërisë së re dhe rolin e revolucionit si mjet për transformimin e shoqërisë. Sen – Simoni shpresonte në mënyrë naive se transformimi i shoqërisë mund të arrihet nëpërmjet propogantimit të filozofisë “pozitive” , nëpërmjet një “organizimi të arsyeshëm” etj. Megjithatë, idetë racionale të tij luajtën një rol të madh në formimin e pikëpamjeve të socialistëve të mëvonshëm. Ai gjithashtu propozon bashkimin politik të Britanisë dhe Francës për të shmangur konfliktet midis tyre. Ka shprehur edhe idenë e Parlamentit Europian , ku të përfshihej gjithë popullsia e Europës.
Furje dhe kritika ndaj kapitalizmit
Furje (Fourier Charles, 1772 -1837) ishte filozof francez dhe një nga përfaqësuesit më të shquar të socializmit utopik francez. Si bashkëkohës i Sen- Simonit, Furje idealizon një shoqëri që nuk i shtyp ndjenjat dhe pasionet e njerëzve, por që përpiqet t’i bëjë njerëzit të lumtur. Në teorinë e tij vlerësohet kritika që i bën kapitalizmit, të cilin e quan “formë të re të barbarisë”. Ai vëren gjendjen e mjeruar të punonjësve dhe në ndryshim nga Sen- Simon, Furje mendon se ndryshimi nuk mund të arrihet duke iu lutur kapitalistëve. Fabrikat i koncepton si burgje në të cilat punëtorët punojnë si skllevër. Duke e parë kritikën kundër së keqes si pikënisje, Furje parashtroi një varg idesh me vlerë të madhe mbi historinë e shoqërisë njerëzore. Këtë histori e ndante në katër shkallë zhvillimi: shkalla e egërsisë, e barbarisë, e patriarkatit dhe e qytetërimit. Duke zbuluar karakterin kontradiktor të fazës së qytetërimit, ai thotë se ajo ka vijën e ngjitjes dhe të rënies, dhe mbi këtë bazë mundohet të argumentojë nevojën e ndryshimit të saj. Shoqërinë e ardhshme Furje e përshkruante si një shoqëri ku është zhdukur kontrasti midis punës mendore e fizike, midis fshatit dhe qytetit. Lumturia e njerëzve, sipas Furiesë, arrihet kur ata punojnë nisur nga dëshirat dhe pasionet e tyre. Kështu nuk do ta urrejnë punën dhe do të edukojnë dhe do të zhvillojnë pasionet e tyre. Harmonia shoqërore nuk ka asgjë të përbashkët me dhunën, por sjell fuqinë e mendimit njerëzor dhe shembullin e modelit. Ai ishte i pari mendimtar që formuloi idenë se në çdo shoqëri shkalla e lirisë së gruas është një masë e natyrshme për të matur çdo liri në përgjithësi. Idetë socialiste të Furjesë dhe të socialistëve të tjerë utopistë shërbyen si një nga burimet teorike të socializmit shkencor.
Reflekto dhe përgjigju
Si kritikohet shoqëria kapitaliste nga Sen – Simon?
Cila është rruga e ndryshimit të gjendjes?
Si e lidh Furje punën me pasionin e njeriut?
Argumentoni idenë e Furjesë: “ Përparimi i një shoqërie varet prej faktit sesi ajo shoqëri i trajton gratë”.
Jepni opinionin tuaj
Duke hulumtuar në materiale të ndryshme dhe në internet, bëni kërkim për jetën dhe idetë e disa filozofëve të tjerë utopistë. Krahasoni idetë. Filozofët: T.Mor dhe T.Kampanella. Socializmi utopik francez. Dallimet dhe të përbashkëtat e tyre.