Kurrikula
Kursi: Filozofia Klasa 11
Identifikohu

Curriculum

Filozofia Klasa 11

0/53

0/0
Mësimi me video

Linja 4 Mësimi 1, 2: Ndihmesa e filozofisë gjatë Mesjetës. Shën Agustini

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Filozofia 11 Linja 4 Mësimi 1,2

Ndihmesa e filozofisë gjatë Mesjetës. Shën Agustini

Kushtet e ndërthurrjes së filozofisë me teologjinë
Tradita e gjerë filozofike e themeluar nga grekët e lashtë dhe më pas (në shekujt e parë të erës së re), në Perandorinë Romake, pati ndikim të rëndësishëm në të gjithë historinë e mendimit filozofik. Ky kontribut përmbledh veprat e dijetarëve më të shquar, të cilët edhe pse të kufizuar nga kushtet e zhvillimit të shkencës, u përpoqën të shpjegonin natyrën dhe jetën e virtytshme. Gjatë kësaj periudhe, filozofia e gjeti rrugën përmes diskutimeve dhe debateve të lira, për teori të ndryshme dhe shpesh të kundërta. Vëmendje e veçantë iu kushtua shqyrtimit racional të ideve, gjë që do të bëhej e pamundur në mijëvjeçarin e ri, gjatë Mesjetës. Me vendosjen e fesë së krishterë, kisha do të zotëronte monopolin e dijes dhe përgjigjet e pyetjeve ekzistenciale do të gjëndeshin vetëm në librat e shenjtë. Kjo do të quhej periudha e obskurantizmit, sepse në Europë do të zhdukej çdo arritje e kulturës së lashtë greke dhe romake. Filozofia u ndërthurr me teologjinë dhe shumë dijetarë u përpoqën ta krijojnë këtë lidhje, duke integruar besimin me arsyen (si p.sh.: Shën Agustini, Shën Akuini etj.). Rryma që u përpoq të vendoste besimin tek Zoti mbi baza të arsyeshme, ishte Skolastika, filozofia e shkollave të murgjëve. Dija e vërtetë filozofike do vazhdonte të zhvillohej në rajone të tjera të botës, si në: vendet arabe, Persi, Kinë etj. Besimi mysliman po përhapej me shpejtësi nga Lindja drejt Azisë dhe Afrikës Veriore, duke luajtur rol të rëndësishëm në mendimin filozofik të kohës (p.sh., filozofë, si: Avicena, Averroes etj.). Vepra e tyre, e bazuar shpesh në kulturën e lashtë, si te Platoni dhe Aristoteli, pati ndikim të madh edhe në Europë.

Filozofia e krishterë e Shën Agustinit
Aurel Agustini (Aurelius Augustinus), lindi në 354 e.s., në Tagastë, në Afrikën e Veriut. Vazhdoi shkollën për letërsi dhe retorikë, ndërsa më vonë, pasi njohu veprën e Ciceronit dhe Plotinit, studioi filozofi. Fillimisht nën ndikimin e nënës së tij, që ishte besimtare e krishterë dhe më pas, nga arkipeshkvi Ambrozo në Milano, Agustini iu përkushtua krishtërimit. Ai shkroi shumë vepra fetare, që kishin njëkohësisht karakter filozofik, si: “Mbi vullnetin e lirë”, “Rrëfimet”, “Mbi qytetin e Zotit” etj. Në vitin 395 e.r, bëhet peshkop i Hipos, ku qëndroi derisa vdiq në vitin 430 e.r, në moshën 75 vjeçare. Vepra e Agustinit është në kufirin mes filozofisë së krishterë të Mesjetës dhe kulturës së Antikitetit. Filozofia mesjetare nuk mund të kuptohet pa ndikimin e Shën Agustinit. Ai u përpoq t’i gjente zgjidhje problemit të raportit ndërmjet arsyes dhe besimit. Sipas tij, arsyeja ka vlerën dhe rrugën e saj, por nuk duhet të harrojmë, se është Zoti që na e ka dhuruar atë. Pra, besimi i paraprin arsyes. Shën Agustini, shprehet: “Unë besoj, për të kuptuar”, që do të thotë se besimi është kusht i domosdoshëm për të kuptuar dhe për të njohur. Zoti, është gjëja e parë që arsyeja njerëzore përpiqet të kuptojë. Asgjë nuk ekziston pa Zotin. Ai është gjithçka, i gjithëpushtetshëm dhe i përjetshëm. Zoti krijoi çdo gjë nga hiçi dhe është simboli i së mirës. Atëhere, cili është burimi i së keqes? Agustini, u përpoq të shpjegonte praninë e së keqes në botë. Ai arsyeton se, Zoti e krijoi njeriun me vullnet të lirë dhe vetëdije, për të vendosur mes të mirës dhe të keqes. Duke u bazuar në filozofinë e Plotinit, Agustini pohoi se e keqja nuk ekziston. Ajo është thjesht mungesa e diçkaje tek njeriu, si qenie e krijuar dhe e papërsosur. P.sh., kriminelit i mungon ndershmëria, të sëmurit i mungon shëndeti, e kështu me radhë. Prova e vullnetit të mirë të Zotit është brejtja e ndërgjegjes, kur kryejmë një veprim të gabuar. Agustini përpiqet të justifikojë ekzistencën e të keqes dhe të përligjë rolin e Zotit, por sigurisht nuk mund t’u japë përgjigje të gjitha pikëpyetjeve që dalin. P.sh., si mund të shpjegohen fatkeqësitë natyrore, sëmundjet epidemike etj? Agustini i jep të keqes funksion, sepse sipas tij, ajo shërben për të vlerësuar më shumë të mirën.

Koncepti i shpirtit
Natyra e shpirtit, sipas Agustinit, është jomateriale, fluide. Ai është i pavdekshëm, sepse lidhet me Zotin dhe është pjesë e tij. Zoti ndodhet në thellësi të shpirtit të njeriut. Ekzistenca e tij nuk e kufizon vullnetin tonë të lirë, siç mendojnë shumë filozofë të tjerë, sepse: “Atë që do Zoti, e dua dhe unë”.

Koncepti i kohës
Për Agustinin, Zoti është përjetësia, ndërsa njeriu është i lidhur me kohën. Por, meqënëse ekziston përjetësia, koha nuk duhet të ekzistojë. Kjo është një nga kontradiktat që Agustini përpiqet të shmangë në filozofinë e tij të krishterë. Ai arsyeton se, dimensioni i kohës përbëhet nga e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja. E shkuara, nuk ekziston më, ndërsa e ardhmja akoma nuk është e pranishme. Mbetet vetëm e tashmja, të cilën po e jetojmë dhe që vazhdimisht bëhet e shkuar, duke tentuar drejt të ardhmes. Duket sikur koha është e pakapshme, kalimtare dhe në ndryshim të vazhdueshëm. Shpirti njerëzor ruan në kujtesën e tij të shkuarën, përqendron vëmendjen në të tashmen dhe është në pritje të së ardhmes. Agustini jep këtë përgjigje: për të kuptuar kohën duhet të shohim brenda vetes. Masa e kohës është shpirti. Zoti kupton gjithçka dhe përnjëherë, sepse ai ekziston në të tashmen absolute të përjetësisë së tij. Agustini pranon lirinë e vullnetit tek njerëzit, por nga ana tjetër pohon se, duke qenë i përjetshëm, Zoti paracakton fatin e njerëzve. Ai pranon mëkatin e parë njerëzor (Eva dhe Adami) dhe faljen e tij nga dora mëshiruese e Zotit. Edhe në shpjegimin që Shën Agustini i bën historisë së njerëzimit, ndërthurr mes tyre teologjinë dhe arsyen. Ai arsyeton se, ekziston qyteti tokësor dhe qyteti i Zotit. Tek i pari, përfshihen ata që falin dashuri tokësore dhe që jepen pas kënaqësive të saj. Tek i dyti, janë njerëzit e zgjedhur nga Zoti, që dashurinë shpirtërore ia falin vetëm Atij, duke pritur lumturinë qiellore. Kur të vijë fundi i botës, sipas Agustinit, populli i zgjedhur i qytetit të Zotit, do të shpëtojë, ndërsa të tjerët do të dënohen përjetësisht.

Filozofët përballë njëri-tjetrit: Zoti nuk është shkaku i së keqes
Shumë shekuj më vonë, Ajnshtajn, do të arsyetonte, se: Zoti nuk mund të gjykohet me cilësitë e një qenie të fundme. Nuk ka një Zot të mirë dhe një Zot të keq, për pasojë nuk është Zoti që krijoi të keqen. E keqja, është mungesa e së mirës apo e Zotit në zemrat e njerëzve… Krahasoni idetë e tre mendimtarëve të shquar: Plotini, Shën Agustini dhe Ajnshtajni, lidhur me ekzistencën e Zotit dhe burimin e së keqes në botë. Mbani parasysh faktin se, ata kanë jetuar në kohë dhe kultura të ndryshme.
Çfarë ju bie më shumë në sy nga arsyetimi i tyre?
Ndani të njëjtin opinion me ata?
Jepni argumentet tuaja, pro ose kundër, kësaj ideje.

Reflekto dhe përgjigju
Cili ishte raporti mes besimit dhe arsyes, në filozofinë e Mesjetës?
Si e shpjegon Shën Agustini, ndërthurrjen mes filozofisë dhe teologjisë?
Pse ekziston e keqja në botë, sipas Agustinit?
Shpjegoni konceptin e Agustinit mbi kohën dhe përjetësinë.

Debat dhe dialog
Organizoni debatin rreth temës: “Si është e mundur që ky të jetë vullneti i Zotit?”
Nëse jeni pro ekzistencës së Zotit, çfarë argumentesh do të sillnit për të justifikuar viktimat e pafajshme në fatkeqësi të tilla, si: luftëra, tërmete, cuname, etj.

Jepni opinionin tuaj
Shën Agustini arsyeton se, ekziston Qyteti Tokësor, i cili mbledh ata që kërkojnë të arrijnë lumturinë materiale dhe lavdinë tokësore, si dhe Qyteti i Diellit, ku bëjnë pjesë njerëzit që besojnë tek Zoti dhe tek lumturia e përjetshme. Jepni argumentet tuaja, në formën e esesë së shkurtër, pro ose kundër temës: “Njerëzit që besojnë tek Zoti, janë të huaj për jetën tokësore, por në këmbim fitojnë “qytetarinë” për në atdheun e shenjtë, parajsën qiellore”.