Kurrikula
Kursi: Filozofia Klasa 11
Identifikohu

Curriculum

Filozofia Klasa 11

0/53

0/0
Mësimi me video

Linja 7 Mësimi 15: Filozofia ekzistencialiste e Zhan Pol Sartrit

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Filozofia 11 Linja 7 Mësimi 15

Filozofia ekzistencialiste e Zhan Pol Sartrit

Liria e zgjedhjes, thelbi i njeriut
Zhan Pol Sartër (Sartre) lindi në Paris më 21 korrik 1905. Babai ishte oficer marine dhe vdiq shumë herët. Ai u rrit vetëm me nënën e tij. Në 1920 studioi filozofi, psikologji dhe sociologji në Shkollën Normale Superiore, ku u njoh me Simone de Bovuar. Lidhja e tyre, e çliruar nga rregullat borgjeze, vazhdoi deri në vdekjen e filozofit. Ajo u pa si një model i ri nga shumë intelektualë. Në vitet 1931 – 1944, ishte pedagog i filozofisë në lice. Gjatë luftës u përfshi në shërbimet sanitare dhe kaloi disa kohë në një kamp robërish në Gjermani. Më pas Sartri kthehet në Francë, në radhët e rezistencës. Ka qenë aktiv në ngjarjet politike duke kundërshtuar luftërat si fenomen i kohës.

Gjatë luftës shkroi novelën “Muri”, dy drama: “Mizat” dhe “Me dyer të mbyllura.” Një pjesë e veprave të tij u dramatizuan, por edhe u bënë subjekte kinematografie. Librat më të lexuar të Sartrit janë dy romanet: “Neveria” dhe “Qenia dhe hiçi”, që përmbajnë të përpunuar filozofinë ekzistencialiste. Ekzistencializmi lindi në vitet 20 të shek. XX, por u bë më i njohur botërisht gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Në të vërtetë, kjo rrymë nuk është filozofi, por drejtim kulturor. Sartri është quajtur si përfaqësues kryesor i ekzistencializmit (drejtim letrar i shek. XX). Ai mbështetet në tezën se, njeriu e përcakton vetë thelbin e qenies së tij. Vullneti njerëzor nuk varet nga forca hyjnore; ai është i lirë, madje është “i dënuar të jetë i lirë”. Ekzistenca bëhet vlerë themelore, ajo është forca që i përcakton të gjitha vlerat e tjera njerëzore. Pra, njeriu e bën vetë veten, por është përgjegjës për ato që ndodhin me të në jetë. Baza e gjithë filozofisë në veprat e Sartrit ishte: njeriu më parë duhet të ekzistojë, e më pas të përcaktohet. Deri në fund të jetës së tij drejtoi revistën e përmuajshme “Kohët moderne” (Le temps modernes). Nuk pranoi të merrte çmimin Nobel në letërsi në vitin 1964. Vdiq në Paris i shoqëruar nga një turmë e madhe njerëzish deri në varrezën e Monparnasit.

Qenia shoqërore dhe liria individuale
“Neveria”, është romani, nëpërmjet të cilit Sartri u bë i famshëm në vitin 1938. Ky roman i mrekullueshëm filozofik edhe sot e ruan popullaritetin, pavarësisht nga prurjet letrare të kohës. Subjekti i tij u mbështet në neverinë para absurditetit të ekzistencës borgjeze dhe mikroborgjeze. Në këtë kohë nuk lëviz asgjë; jeta private dhe politika janë mbushur me hipokrizi dhe “dredhi”. 

Sartri synon të thyejë gënjeshtrën. Ai u përpoq të krijonte imazhin e njeriut të ri mbi një antropologji të re, thelbi i së cilës nuk ishte vetëdija abstrakte e individit, por vetëdija konkrete e gjërave. Ai analizoi njeriun si një qenie ekzistenciale duke theksuar se “ekzistenca njerëzore përcaktohet vetë”. Njeriu është në vetvete, në botën e tij, por ai mund të kthehet, sipas Sartrit edhe në “qenie” për veten. Ekzistenca njerëzore përcaktohet nga vetë individi. Ta bësh këtë sipas filozofit, do të thotë t’i thuash “jo” së shkuarës, për të skicuar një të ardhme tjetër. Kjo mundësi njerëzore e bën qenien e tij humaniste dhe të lirë. Por Sartri vëren se individi nuk është i shkëputur nga shoqëria. Ndonjëherë e kuptojmë se jemi edhe “qenie për tjetrin”. Sartri ka ideuar në filozofinë e tij ekzistencialiste një perspektivë, në të cilën individi e ka fatin të përcaktuar nga historia ku jeton, por ai ndikon në të, sepse vendos vetë për jetën e tij. Një nga personazhet e Sartrit shprehet: “Ferri janë të tjerët – sepse unë varem nga gjykimi i tyre”. Pra sipas tij, njeriu duhet ta konceptojë veten si qenie shoqërore dhe asnjëherë si një individ i vetmuar. Ky është individi, sipas filozofisë ekzistencialiste, që mund të ndryshojë veten në bazë të zgjedhjeve të lira të tij. Sartri ka zgjidhur në mënyrë materialiste raportin midis lirisë (objektive) dhe determinizmit shoqëror (subjektiv). Njeriu projekton të ardhmen e tij në liri të plotë, duke e bërë këtë në vështrimin e të tjerëve. Njeriu është vetë liria.

A është Sartri ateist?
Sartri nuk jep argumente kundër ekzistencës së Zotit, por shumë dije të tij tregojnë se njeriu ndihet i plotfuqishëm për të vendosur vetë për jetën. Sipas tij, njerëzit nuk kanë nevojë për dikë tjetër që të vendosë për qëllimet e tyre, sepse e bëjnë vetë këtë. Zoti, për Sartrin është i pamundur sepse nuk mund të ketë një person të përsosur. Pa Zotin, të gjitha gjërat janë të lejueshme. Kjo është liria që i njeh Sartri njeriut.

Reflekto dhe përgjigju
Si e shpjegon Sartri idenë e Ekzistencës?
Cilat janë kushtet në të cilat individi “projekton” të ardhmen e tij?
Cili është raporti midis qenies shoqërore dhe lirisë individuale?

Debat dhe dialog
Sipas filozofisë ekzistencialiste njerëzit gjenden në shumë situata, ku duhet të bëjnë zgjedhje. Disa zgjedhje janë të parëndësishme, të tjerat të rëndësishme, por zgjedhja është individuale dhe vendimet çojnë në përkufizimin e vetvetes.
Organizoni në klasë një dialog midis jush dhe argumentoni:
– Sa të lirë jeni ju për të ndryshuar jetën tuaj?
Si e konceptoni tjetrin?
A është tjetri “ferri”, si mendon Sartri?

Të di më shumë
Eleonor Rusvelt (reformatore sociale), An Rend (autore /filozofe), Marie Kyri (shkencëtare), Rosa Parks (aktiviste e të drejtave civile), Rashel Karson (ambientaliste) etj, janë emërtuar si gratë që ndryshuan botën. Në këtë listë ka politikane, shkencëtare, reformatore, aktiviste të të drejtave të njeriut e deri tek filozofet. Këto janë disa nga ato gra, që kanë pasur më shumë ndikim gjatë shekullit të kaluar.

Një ndër to ishte edhe Simon dë Bovuar, autorja dhe filozofja franceze, e shoqja e shkrimtarit të njohur Sartër. Shkrimet filozofike e kanë merituar vendin që u është dhënë në qarqet akademike. S. dë Bovuar, konsiderohet si një nga filozofet më me influencë në filozofinë ekzistencialiste. Disa nga shkrimet, janë shumë më të lexuara sesa ato të idhullit të saj, Sartër. Ishte ajo që rikonceptoi edhe një herë letërsinë feministe duke u thelluar edhe më shumë në kërkimin e moralit të së vërtetës, që i shpall luftë të hapur konformizmit.

Në librin e saj “Seksi i dytë” shkruan: “Vetëm nëpërmjet pranimit përfitues në punë, gruaja arriti të zhdukë distancën mes saj dhe burrit dhe asgjë tjetër nuk mund të garantojë lirinë e saj në veprim. Kur gruaja të heqë dora nga jeta parazite, atëherë do të shkatërrohet sistemi i cili u ndërtua mbi varësinë e saj”. S.dë Bovuar kundërshton nocionin se pa zot gjykues çdo gjë është e lejueshme; ajo thotë se pa një zot që na fajëson për veprimet tona, ne bëhemi tërësisht përgjegjës për këto të fundit. Kjo mundëson trajtim më etik të njerëzve.