Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Filozofia 11 Linja 4 Mësimi 7
Epoka e Rilindjes Europiane dhe veçoritë e saj
Rilindja si kthesë historike drejt epokës moderne
Rilindja ose periudha e ringjalljes së kulturës në Europë, në shek. XV-XVI, patjetër është urë lidhëse mes Mesjetës dhe epokës moderne. Ajo shënoi kthesë historike me rëndësi për të gjithë veprimtarinë njerëzore. Veçori e saj ishte risjellja në vëmendje e kulturës së lashtësisë greke dhe romake. Kjo bëhej me qëllim rizbulimin e vlerave të mendimtarëve klasikë, duke i parë me syrin kritik dhe duke i përshtatur me interesat e reja të kohës.
Gjatë periudhës së Rilindjes u shfaq rryma e Humanizmit, me qëllim zbulimin e forcës dhe energjisë njerëzore mbi çdo autoritet tjetër. Ndryshe nga Mesjeta, ku në qendër të veprave ishin personazhet fetarë dhe shenjtorët, tani filluan të jenë njerëzit e thjeshtë me interesat e tyre jetësore. Humanizmi u pasqyrua në: filozofi, art dhe në shkencë. Gjatë periudhës së Rilindjes, arsyeja dhe dija racionale u çliruan nga dogmat e kishës. U përpunuan metoda të reja kërkimi në fushën e shkencës. Natyra filloi të studiohej përmes vëzhgimit të drejtpërdrejtë dhe eksperimentit. Emra të shquar gjejmë në shumë fusha të krijimtarisë njerëzore, si p.sh., në shkencat natyrore: Koperniku, Kepleri, Galileo Galilei etj.; në letërsi: Petrarka, Bokaço; në artet figurative: Mikelanxhelo, Leonardo da Vinçi; në filozofi dhe shkenca të tjera shoqërore: Kampanela, Makiaveli, Montenji, Xhordano Bruno etj. Zbulimet tregonin se universi ishte hapësirë e pakufizuar. Kështu që ndryshoi mënyra e perceptimit të botës, individit dhe jetës. Ndryshimi nuk ndodhi menjëherë dhe rruga drejt konceptimit të ri do të ishte e gjatë dhe e vështirë. Vetë shkencëtarët pranonin ekzistencën e Zotit. Ata pohonin se pafundësia e botës ishte e denjë për fuqinë e pafundme të Tij. Por, mund të themi me siguri se zhvillimi dhe shkenca, e gjetën rrugën e tyre drejt botës së re dhe moderne.
Zbulimet gjeografike gjatë Rilindjes
Në fund të shek. XV, filloi periudha e zbulimeve gjeografike, që pati rëndësi të madhe jo vetëm për Europën, por për gjithë historinë botërore. Ato ndryshuan perceptimin e njerëzve për përmasat e globit. Në vitin 1492, Kristofor Kolombi zbuloi ishullin e San Salvadorit dhe më pas Kubën dhe Haitin, duke drejtuar anijet spanjolle drejt një kontinenti të panjohur më parë. Më vonë, vazhduan ekspedita të tjera, nisur nga Portugalia, Anglia dhe shtete të tjera europiane. Këto eksplorime patën rëndësi, sepse:
– U njohën kontinente dhe kultura të reja, që çuan drejt njohjes më të plotë të globit. Kjo shënoi fillimin e historisë së re botërore. Njerëzit mësuan rreth traditave kulturore, shoqërore dhe politike të reja të ndryshme nga Europa, gjë që zgjeroi vizionin e tyre për natyrën dhe shoqërinë.
– Filluan shkëmbimet e para tregtare me karakter botëror, që deri në atë kohë ishin brenda Europës.
– U importuan lloje të reja bimësh dhe kafshësh, që do të ndryshonin mënyrën e kultivimit të produkteve bujqësore dhe mënyrën e të ushqyerit në Europë.
Nga ana tjetër, zbulimet e reja gjeografike patën dhe pasoja për popujt e këtyre vendeve. Futja e qytetërimit europian në këto zona, solli shkatërrimin e kulturës ekzistuese si edhe nënshtrimin e tyre territorial, ekonomik dhe politik. Kjo shënoi fillimin e periudhës së gjatë historike të kolonializmit. Shpikja e shtypshkronjës së parë, në vitin 1450 nga Gutenmberg, shënoi revolucion të vërtetë në zhvillimin e kulturës. Disa nga transformimet që pruri rritja e numrit të kopjeve të shitura dhe lehtësia e botimit të librave, ishin:
– Pakësimi i analfabetizmit dhe rritja e nivelit të kulturës.
– Rritja e numrit të lexuesve, në gjithë Europën.
– Forcimi i shkëmbimeve kulturore, përmes shpërndarjes dhe leximit të veprave nga autorë të vendeve të ndryshme.
– Krijimi i shoqatave të shkrimtarëve, filozofëve, shkencëtarëve dhe lindja e formave të para të debateve publike mes tyre.
– Krijimi i bibliotekave dhe institucioneve të reja akademike, jashtë ndikimit fetar, si nevojë për emancipim kulturor.
Filozofia e Rilindjes
Gjatë periudhës së Rilindjes, Europa ndjeu nevojën e transformimeve edhe në fushën e dijes filozofike. Në këtë aspekt, ndikuan dy faktorë të rëndësishëm:
– Rikthimi në veprat e humanistëve, i temave morale dhe politike të klasikëve, që lidhen me lirinë, dinjitetin dhe të drejtat e njeriut.
– Rizbulimi në Europë i kryeveprave të lashtësisë, të cilat kishin humbur gjatë Mesjetës. Ato ishin ruajtur në kulturën e vendeve të Lindjes. U përkthyen sërish shumë vepra të Platonit, Plotinit, neoplatonizmit, stoicizmit, epikurizmit etj. Filozofia u çlirua nga çdo paragjykim dhe autoritet, duke interpretuar gjithçka në këndvështrim të ri. Qëllimi i filozofëve rilindas ishte rritja e besimit ndaj fuqisë së arsyes njerëzore, duke parë me sy kritik të gjitha sistemet e mëparshme teologjike dhe fetare. Disa nga filozofët më të shquar rilindas, janë: Piko de la Mirandola, Makiaveli në Itali; Montenji në Francë; Erasmus në Holandë; Tomas More në Angli etj.
Lindja e shkencës moderne
Shkenca gjatë Rilindjes, ndryshe nga Mesjeta, u bazua në metodën e vrojtimit, duke provuar në mënyrë empirike hipotezat e reja të ngritura nga shkencëtarët. Për këtë qëllim u bënë shumë shpikje të rëndësishme. Kështu p.sh., shpikja e mikroskopit, në vitin 1590, ndihmoi vëzhgimin dhe zbulimet shkencore në drejtimin e mikrobotës; përdorimi i teleskopit të thjeshtë në vitet 1605 – 1610 e më pas, nga Galile, Tiho Brahe etj., ndihmuan vrojtimin e planeteve, trupave qiellorë dhe gjetjen e saktë të pozicionit të yjeve, zbulimi i parimit të busullës nga Toriçeli, ndihmoi në orientimin e lëvizjes në hapësirën gjeografike etj. Të gjitha këto zbulime i dhanë goditje të fortë autoritetit të kishës. Teoria heliocentrike e formuluar nga Nikola Koperniku (1473-1543), hodhi poshtë modelin e fesë së krishterë, ku gjithësia kishte në qendër Tokën. Ajo shënoi revolucion jo vetëm në fushën e astronomisë, por edhe ndryshim rrënjësor të perceptimit të botës dhe njeriut. Fillimi i revolucionit shkencor, do të përfundonte me zbulimet e Isak Njutonit (1642-1727).
Rilindja e artit dhe kulturës
Qëllimi i Rilindasve ishte rizbulimi i dinjitetit të njeriut, forcës, bukurisë së tij fizike dhe shpirtërore, që kishte spikatur gjatë periudhës së kulturës klasike. Ky revolucion kulturor përfshiu disa fusha, si: letërsia, piktura, skulptura, arkitektura etj. Ai u mbështet, nga njëra anë në ringjalljen e artit dhe kulturës klasike të lashtësisë, duke e përshtatur me realitetin e ri dhe nga ana tjetër, në rrymën e Humanizmit, e cila në qendër të universit vendoste njeriun. Fillimet e Rilindjes, ishin në dhjetëvjeçarët e parë të shek. XV, në Firence, Itali – me veprat e Brunelleski dhe Masaçio. Firence u bë qendra e Rilindjes në fushën e artit. Disa figura të tjera të njohura, janë: Leonardo da Vinçi (1452-1519), Mikelanxhelo (1475-1564), Rafaeli (1483-1520) etj. Zbulimet shkencore dhe kryeveprat në fushën e artit dhe kulturës, vërtetuan edhe njëherë mundësitë e mëdha dhe të pazbuluara njohëse të njeriut. Kjo i nxiti shkencëtarët të kërkonin në fusha të reja në të gjitha drejtimet.
Reflekto dhe përgjigju
Cili është kuptimi i termit Rilindje Europiane dhe kur u zhvillua ajo?
Çfarë veçorish e karakterizuan lëvizjen përparimtare të Rilindjes?
Cila ishte rëndësia e Humanizmit, si tipar i rëndësishëm i Rilindjes?
Përmendni disa nga emrat e shquar të Rilindjes, në fushën e shkencës, filozofisë dhe artit.
DISKUTOJMË IDE FILOZOFIKE
– Kërkoni në internet apo në burime të tjera, informacione dhe kuriozitete, rreth jetës dhe veprës të këtyre figurave të shquara të Rilindjes, në fushën e shkencës.
– Organizoni në klasë një diskutim rreth ndihmesës së figurave të Rilindjes, në zhvillimin e shkencës, filozofisë dhe artit, në kundërshtim me teologjinë dhe dogmat fetare.
Jepni opinionin tuaj
Shprehni me shkrim, në formën e esesë përshkruese, temën më poshtë: Rilindja ishte kthesë historike, efektet e së cilës u ndjenë në të gjitha fushat e krijimtarisë njerëzore.