Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Filozofia 11 Linja 5 Mësimi 3
Rëne Dekart dhe lindja e filozofisë moderne
Racionalizmi dhe metoda e Rëne Dekart
Rëne Dekart (Descartes René, 1596 – 1650), lindi në Turenë të Francës. Ai ishte djali i juristit Joakim Dekart. Në moshën dhjetëvjeçare hyri në kolegjin e jezuitëve të La Fleshës, në Anzhu, ku mësoi: fizikë, matematikë dhe filozofi. Pas tetë vitesh studimi pranë këtij kolegji, ndoqi studimet e larta për drejtësi në Puatie.
Në vitin 1618 Dekarti u bashkua me ushtrinë e princit protestant holandez Moris de Naso, ndërsa një viti më vonë, kaloi në ushtrinë e princit katolik, Maksimilian i Bavarisë. Gjatë një nate dimri të vitit 1619, kur ndodhej në garnizon në rrethinat e Ulmit, Dekarti përjetoi një eksperiencë të veçantë. Siç ka treguar vetë, ai pa tri ëndrra, të cilat ndikuan në rrjedhën e jetës, duke i zbuluar prirjen e tij për shkencat.
Dekarti ndërmori udhëtime të gjata nëpër Europë. Takimi me mjekun dhe natyralistin Isak Bekman, e nxiti të interesohej për çështje shkencore. Në vitin 1650, Dekarti mori ftesë nga mbretëresha e Suedisë, për t’i dhënë mësime filozofie. Vdiq në Stokholm, pasi nuk e përballoi dot klimën e ftohtë. Rëne Dekarti hodhi rrënjët e filozofisë moderne. Ai propozoi filozofinë racionale, pra të mbështetur tek arsyeja, e cila synonte përdorimin e metodave matematikore për të arritur “siguri të përkryer” të dijes njerëzore. Në vitin 1628, vendosi të qendronte në Holandë, ku shkroi veprat kryesore: “Diskutime mbi metodën” (1637), “Meditime për filozofinë e parë” (1641), “Parimet e filozofisë” (1644), “Pasioni i shpirtit” (1649) etj.
Dekarti ka qenë nga të parët krijues të gjeometrisë analitike dhe themelues i filozofisë moderne. Ai është krijues i rregullave të metodës (metodë do të thotë rrugë për t’u ndjekur), e cila mundëson korrigjimin e gjykimeve tona, duke ndarë atë që është e gënjeshtër nga ajo që është e vërtetë. Në filozofinë e Dekartit parësore ishin konceptet e reja: racionalizmi dhe metoda.
Filozofia racionaliste e Dekartit
Rëne Dekart është themelues i racionalizmit, si sistemi më i madh filozofik i kohës së re. Ai e paraqiti vizionin e tij racionalist për progresin e dijes njerëzore në librin: “Diskutime mbi metodën” (1637). Në këtë ese Dekarti, pasi parashtroi mangësitë e edukimit tradicional, propozoi disa rregulla të reja dhe shpjegoi bazat mbi të cilat shpresonte të unifikonte gjithë dijen njerëzore. Ai i dha filozofisë drejtim të ri, madje drejtim të kundërt nga ai i Bekonit, Hobsit, Lokut etj. Racionalizmi i Dekartit është një prej burimeve të filozofisë së Iluminizmit. Sipas mendimit të tij burimi kryesor i njohjes së drejtë dhe të vërtetë nuk është përvoja ndijore, siç mendonin empiristët, por arsyeja dhe mendja e njeriut. Shqisat dhe përvoja kanë të bëjnë me vetitë sipërfaqësore dhe të ndryshueshme. Njohja në bazë të përvojës nuk është as e mjaftueshme, as e sigurt. Përkundrazi, arsyeja apo mendja, është e vetmja aftësi përmes së cilës njeriu është në gjëndje të njohë natyrën, shoqërinë dhe vetveten.
Thelbi i metodës
Dekarti, për të vërtetuar qëndrueshmërinë e dijes, përdor “metodën e dyshimit”. Pyetja e tij është: A mund të jetë iluzion bota që ne njohim? Shqisat na mashtrojnë, vazhdon ai arsyetimin, prandaj ne nuk mund t’u besojmë atyre. Për këtë arsye nuk duhet të pranojmë asgjë si të vërtetë ose si të dhënë përfundimtare. P.sh., ne nuk kemi siguri nëse kemi ëndërruar rreth diçkaje apo e kemi përjetuar me të vërtetë, pra nëse jemi zgjuar apo në gjumë. Duke dyshuar për gjithçka, Dekarti arrin në pikën ku nuk ka asnjë siguri. Ne jemi qenie jo të përsosura, që mund të mashtrohemi lehtë, për pasojë duhet të dyshojmë për çdo gjë dhe në çdo çast. Më vonë Dekarti do të gjejë siguri, për të vazhduar më tej në rrugën e njohjes dhe së vërtetës. Këtë siguri ai e gjen tek besimi në ekzistencën e tij. Secili nga ne mund të thotë me bindje se ekziston. Në çastin që ai është duke menduar këtë gjë, është e qartë se ky është pohim i vërtetë. “Mendoj, pra ekzistoj” (lat. -Corgito ergo sum), është siguria e parë dhe pika e mbështetjes së Dekartit, për të kaluar më në fund nga skepticizmi tek e vërteta. Sigurinë e parë Dekarti e paraqiti në veprën “Diskutime mbi metodën”, e cila shumë shpejt u bë e njohur nga të gjithë. Dekarti u përpoq të gjente rregullat ku duhej të bazohej mendja njerëzore, që të zbulonte të vërtetën. Këto rregulla të metodës së Dekartit, renditen si më poshtë:
– të mos pranojmë kurrë për të vërtetë, asgjë që nuk e njohim me siguri si të tillë, por vetëm ato që i paraqiten mendjes tonë aq qartë, sa të mos lërë asnjë vend për dyshim,
– të ndajmë çdo problem që do të shqyrtojmë në aq pjesë, sa të jemi të sigurt se mund ta zgjidhim më mirë,
– të udhëheqim me rregull mendimet tona në njohjen e sendeve, duke u nisur nga më e thjeshta tek më e ndërlikuara, duke i ngjitur shkallët një nga një,
– të bëjmë analizë të plotë dhe rishikim të përgjithshëm, që të jemi të sigurt se nuk është lënë asgjë jashtë studimit.
Sistemi dualist i Dekartit
Filozofia e Dekartit është dualiste. Ai pranonte ekzistencën e dy substancave të ndryshme nga njëra-tjetra: trupi, si substancë materiale, veti të së cilës ai quante shtrirjen dhe lëvizjen dhe shpirti, substancën jomateriale, vetia themelore e së cilës, sipas tij, është mendimi. Për të njohur botën, duhet t’i referohemi jo shqisave, por mendimit, si veti e shpirtit tonë.
Ai mendonte se trupi ynë, si pjesë e botës materiale që ka karakteristikë shtrirjen në hapësirë, vepron në përputhje me ligjet mekanike dhe matematike, si çdo send tjetër. Dekarti besonte që lëvizja e trupit të njeriut nuk mund ta kishte origjinën në mendjen apo shpirtin e tij. Shpirti, thoshte ai, mund vetëm të ndikojë ose të ndryshojë drejtimin e lëvizjes së elementeve dhe pjesëve të veçanta të trupit. Por, se si mund të realizohej kjo gjë, duke qenë se mendja dhe trupi janë substanca krejtësisht të ndryshme, ishte e vështirë të shpjegohej. Dekarti, përpiqet ta shpjegojë duke thënë se, meqënëse mendja e njeriut ka vendin e saj “të veçantë” në trup, atëhere ato hyjnë në kontakt dhe mund të ndërveprojnë me njëri-tjetrin. Kur Dekarti përcaktoi ekzistencën e njeriut, si “diçka që mendonte”, ai nuk e përmendi fare trupin. Diçka, përfshinte gjithçka, aftësinë për të menduar, dyshuar, imagjinuar. Nga ana tjetër, Dekartit i duhej të pranonte se: “…natyra gjithashtu, më mësoi mua, ndijimin e dhimbjes, urisë, etjes. Kështu që, unë nuk mund të qendroj brenda trupin tim, si timonier në anije, por jam i lidhur ngushtë me të në mënyrë të tillë që, mund të flas, mund të përzihem me të, saqë duket sikur krijojmë një të tërë”.
Rithemelimi i njohurive dhe gjeometria e Dekartit
Dekarti jetoi në shek. XVII, në epokën e revolucionit shkencor. Kjo ndikoi shumë veprën e tij dhe të gjithë mendimtarëve të kohës. Të entuziazmuar nga zhvillimi i shkencave, ata u përpoqën të shtrinin parimet shkencore në filozofi. Dekarti mendonte se shkenca do të mundësonte jo vetëm njohjen e botës, por dhe të vetvetes. Ndihmesa më e madhe e Dekartit qëndron në rithemelimin e njohurive të përgjithshme, nisur nga premisa të reja, si dhe në ndryshimin e modeleve shkencore që ishin përdorur më parë. Meqënëse Dekarti nuk besonte tek saktësia e informacionit të marrë përmes shqisave, ai mendonte se siguria e dijes, mund të ishte aplikimi i parimeve shkencore në arsyetimin njohës. Veprat shkencore të Dekartit përbëjnë ndryshim rrënjësor në qasjen ndaj dukurive natyrore. Sipas tij të gjitha problemet mund të ndahen në pjesë më të thjeshta dhe të shprehen në formën e ekuacioneve. Puna e Dekartit për të kombinuar algjebrën me gjeometrinë, është aplikim i këtij parimi. Në gjeometrinë e re të tij, ai:
– Unifikon dy disiplina matematikore, duke mundësuar trajtimin e problemeve gjeometrike si ekuacione.
– Bën të mundur zgjidhjen e problemeve matematikore të pazgjidhura më parë.
– Çliron gjeometrinë nga kufijtë e imagjinatës.
Dekarti ishte ndërgjegjësuar se kishte lindur nevoja për një instrument të ri dhe të fuqishëm të njohjes. Sipas tij, unifikimi i algjebrës me gjeometrinë, apo ndryshe numrave me hapësirën, ishte vetëm fillimi i zbulimeve të reja shumë të rëndësishme.
Reflekto dhe përgjigju
Cila është ndihmesa kryesore i Dekartit në filozofinë e kohës?
Cila është rëndësia e veprës “Diskutime mbi metodën”?
Çfarë kuptimi ka dualizmi “mendje – trup”?
Cilat ishin tre probleme, që kishin gjetur zgjidhje te gjeometria analitike e Dekartit?
DISKUTOJMË IDE FILOZOFIKE
Duke shfrytëzuar materiale nga burime të tjera informacioni, mbi gjeometrisë analitike të Rëne Dekartit, përgatituni të shkëmbeni idetë me shokët /shoqet në klasë.
– A i ndeshni sot konceptet e dhëna nga Dekarti, në lëndë të ndryshme, si: matematikë, fizikë, teknologji etj?
– Pse Dekarti vlerësonte shumë aplikimin e parimeve shkencore në arsyetimin për njohjen e botës? Si e mendoni ju, rëndësinë e këtij parimi?
Jepni opinionin tuaj
Arsyetoni në formën e një eseje shpjeguese, opinionin tuaj lidhur me procesin e njohjes, që ndodh tek njeriu. A bashkoheni me mendimin e Dekartit mbi njohjen, lidhur me raportin e mendjes dhe trupit? Nëse jo, jepni argumente sa më të qarta dhe bindëse.
Të di më shumë
Ndihmesa më e madhe e Dekartit qendron në rithemelimin e njohurive të përgjithshme, nisur nga premisa të reja dhe në ndryshimin e modeleve shkencore që ishin përdorur deri në atë kohë. Dekarti nuk besonte se informacioni i marrë përmes shqisave tona është i saktë. Hapi i parë drejt rithemelimit të këtyre njohurive ishte refuzimi i gjithçkaje që ai dinte, duke përfshirë edhe njohuritë më bazë, të cilat kishin prova të mjaftueshme për të ekzistuar. Në këtë akt shkatërrimi dhe rindërtimi, Dekarti mendonte se ishte humbje kohe të hidhte poshtë çdo ide individualisht. Përkundrazi, ai hodhi poshtë atë që e konsideronte si themelin e çdo gjëje, idenë se perceptimi shqisor jep informacion të saktë. Shembull kuptimplotë është ëndrra. Sipas tij, ai ëndërron gjatë kohës kur fle, sikur po ngrohet pranë zjarrit dhe ndjen ngrohtësinë e tij, si në jetën reale. Fakti që shqisat e bëjnë të besojë nxehtësinë e zjarrit, kur ai nuk ekziston, bën që ai të mos besojë, nëse zjarri ekziston vërtet në jetën reale. Nëse ne nuk mund të besojmë shqisat tona për informacion të vërtetë, atëhere nuk mund t’i besojmë as ato që rrjedhin (deduksionet) në bazë të këtyre perceptimeve. Empirikët britanikë besonin se e gjithë dija /njohja vjen nga shqisat tona, prandaj ky pozicion radikal i Dekartit hasi menjëherë në rezistencën e tyre.