Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Filozofia 11 Linja 7 Mësimi 11
Pragmatizmi amerikan. Filozofia e Xhon Djuit
Njeriu përballë botës me interesat e tij
Xhon Djui ( Dewey John, 1859 – 1952), ishte filozof idealist amerikan, themelues i shkollës filozofike pragmatiste të Çikagos dhe i versionit të ri të pragmatizmit, instrumentalizmit. Thelbi i pikëpamjeve të tija filozofike, është idealizmi subjektiv. Ai lindi në Burlington, Vermont. Pas mbarimit të liceut, në moshën 15- vjeçare filloi studimet në Universitetin e Vermontit. Pas dy kërkesave për bursë, të cilat nuk iu miratuan, ai mori hua dhe u regjistrua në universitetin “Xhon Hopkins” të Baltimorit. Aty studioi logjikën matematike nga Pirs dhe filozofinë e Hegelit.
Në vitin 1884 mbrojti tezën mbi psikologjinë kantiane dhe më pas filloi punë në Universitetin e Miçiganit. Në vitin 1894 u thirr në Universitetin e sapohapur të Çikagos për të drejtuar institutin e Filozofisë dhe Psikologjisë. Ai nuk ishte vetëm filozof i shquar, por edhe pedagog i mrekullueshëm, një intelektual i njohur publik. Dha mësime në shumë universitete dhe ishte edhe zë i madh i arsimit progresiv dhe liberalizmit. Edhe pse Djui është i njohur për botimet e tij, në lidhje me arsimimin, ai shkroi edhe për shumë tema të tjera, duke përfshirë metafizikën, estetikën, artin, logjikën, teorinë sociale, dhe etikën. Djui krijoi një shkollë eksperimentale me emrin “Dewey school”, që u bë e njohur shumë shpejt edhe jashtë Çikagos. Në bashkëpunim me të shoqen, Alisë Shipman, iu përkushtua vënies në jetë të edukimit demokratik. Bazat e filozofisë së tij të edukimit i përmblodhi në veprën “Shkolla dhe shoqëria”. Idetë e tij ndikuan në një tur të dendur konferencash në vende të ndryshme, si: në Kinë, Japoni,Turqi, Meksikë, në Rusi etj. Vdiq në Nju Jork në moshën 92- vjeçare.
Shekulli XX ka qenë më shumë një epokë ku vlera të tilla si liria individuale dhe optimizmi i mundësive, që i bën kufijtë të kapërcyeshëm, ndikuan në suksesin e mënyrës amerikane të të menduarit.
Pragmatizmi
E vërteta, që njeriu arrin përmes shkencave( sipas Djuit), nuk është një realitet i ngurtë, por një mendim që i sjell atij dobi. Në këtë këndvështrim filozofia pragmatiste nxit një zhvillim të shkencës për t’i sjellë dobi dhe progres gjithë shoqërisë. Djui mendon se njohja është mjet për të zgjidhur problemet që ne kemi. Koncepti themelor i tij për njohjen, është përvoja, sepse ato e tregojnë më mirë lidhjen që ka njeriu me mjedisin e tij. Gjithashtu njohja ka edhe një kuptim etik që është përmirësimi i njeriut. Objektivat praktike e shtyjnë shkencën drejt studimeve të reja. Realiteti për pragmatistët ekziston kur përpiqemi praktikisht të vëmë në jetë një projekt, një hipotezë, një plan, një teori dhe të arrijmë rezultate të dobishme për ne. Çdo dituri bëhet e vlefshme në jetën aktive. Djui e shihte zhvillimin njerëzor të lidhur me shkencën e orientuar nga praktika dhe në shërbim të saj. Ai e koncepton shoqërinë si zhvillim krijues, nisur nga ajo që është krijuar tashmë. Kështu Djui simbolizon idealin amerikan të mosnjohjes së “kufirit” dhe të zbulimit në çdo moment të gjërave të reja nga njeriu. Kjo realizohet përmes shpirtit praktik të njeriut dhe dëshirës për sukses.
Xh.Djui dhe edukimi
Gjatë periudhës kur ishte profesor në Universitetin e Çikagos, Djui punoi për një reformë të re shkollore, duke krijuar filozofi të pedagogjisë së re. Këtë metodë e përdori në shkollën eksperimentale dhe e pasqyroi në veprën “Demokracia dhe edukimi”. Për Djuin, filozofia duhet të jetë filozofi e edukimit, sepse në ndryshim me shkencat e tjera ajo nuk merret vetëm me njohjen, por edhe me qëllimet për të cilat realizojmë këto njohje: Mënyrën më të mirë të të jetuarit!
Të gjithë fëmijët kanë të drejtë të vendosin objektiva dhe të dallojnë ato që duhet të kërkojnë bashkërisht me të tjerët, në interes të tyre. Çdo edukim është edukim për demokraci. Që të jetë i suksesshëm, edukimi nuk mund të jetë vetëm teorik, por duhet të jetë sa më konkret dhe i lidhur me përvoja, me shembuj dhe veprime të atij që edukohet. Ndryshe nga modelet e mëparshme të mësimdhënies, të cilat u mbështetën në autoritarizëm dhe në të mësuarin përmendësh, arsimi progresiv kërkon që nxënësit duhet të kontrollohen për atë që ata kanë mësuar. Djui argumentoi se kurrikulat duhet të jenë të rëndësishme për jetën e nxënësve. Nëpërmjet mësimit duhet të zhvillohen edhe aftësitë për jetën praktike, si pjesë e rëndësishme për edukimin e fëmijëve. Ai mendonte se edukimi në shkollë bëhet nëpërmjet vendosjes së ekuilibrit mes filozofisë dhe shkencave natyrore. Sot ne e quajmë këtë pragmatizëm. Djui besonte se edukimi është një proces i gjatë dhe filozofia është jeta e përditshme. Demokracia për Djuin duhet të kthehet në mënyrë jetese për shoqërinë. Çdo qytetar përmes edukimit dhe arsimimit fiton vlera morale në shoqërinë ku jeton. Përmirësimi i shoqërisë realizohet nëpërmjet reformave pedagogjike, edukatës shkollore të organizuar në një mënyrë të posaçme. Ai mendon se njerëzit duhet të jenë progresistë, të gjejnë arsye për të ndryshuar gjërat. Pikërisht ai individ, që e përcakton veprimtarinë e tij në varësi të realitetit, është realist. Realistët kanë shpirt krijues dhe nëpërmjet tij shtojnë risitë në botë. Veprat kryesore të Xh. Djuit janë: “Shkolla dhe shoqëria”(1889), “Rikonstruksioni i filozofisë”(1920), “Probleme njerëzore” (1948).
Jepni opinionin tuaj
Argumentoni idenë:
“Edukimi i një pasardhësi vlen më shumë sesa një mijë reformatorë në shoqëri”.
Sa ndihmon shkolla në këtë edukim?