Kurrikula
Kursi: Filozofia Klasa 11
Identifikohu

Curriculum

Filozofia Klasa 11

0/53

0/0
Mësimi me video

Linja 6 Mësimi 1: Filozofia e shek. XVIII dhe tiparet e saj

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Filozofia 11 Linja 6 Mësimi 1

Filozofia e shek. XVIII dhe tiparet e saj

Karakteristikat historike dhe shoqërore në shek. XVIII
Mendimi filozofik është gjithnjë produkt i rrethanave historike dhe ngjarjeve, të cilat frymëzojnë ideologji të caktuara. Iluminizmi është lëvizje intelektuale e shekullit XVIII. Shekulli i ri u karakterizua nga ngjarje të rëndësishme historike, si: bashkimi i Skocisë me Anglinë dhe themelimi i SHBA-së. Ngjarja më e rëndësishme ishte revolucioni francez i vitit 1789, i cili solli ndryshime të përmasave të mëdha në shumë drejtime.

Zbulimet e shumta shkencore të kohës ndikuan në zhvillimin cilësor të ekonomisë. Revolucioni industrial, si më i rëndësishmi i epokës, nxiti prodhimin, tregëtinë dhe rriti interesin për studimet ekonomike. Zbulimi i makinës me avull nga Xhejms Vat, transformoi jo vetëm industrinë e kësaj periudhe, por krijoi edhe bazën e teorive të reja të epokës. Njerëzit kuptuan se pasuritë individuale dhe ato të kombeve nuk varen nga fati apo ndonjë forcë çudibërëse, por nga puna e njerëzve. Epoka e revolucioneve borgjeze vuri në pikëpyetje absolutizmin e monarkive, si forma të vjetra qeverisjeje. Luftrat sollën dëme të mëdha dhe varfëri, e cila mori përmasa të skajshme, duke rritur kështu revoltën dhe pakënaqësinë e popujve. Populli francez këtë papërgjegjshmëri politike e çoi në pikën kulmore, që ishte revolucioni. Shumë njerëz, të cilët ishin edhe të pamësuar me pushtetin, e morën atë në dorë dhe krijuan kushtetutën republikane, me parrullat e mëdha: liri, barazi, vëllazëri. Këto ide, u bënë frymëzim për të gjithë Europën dhe me gjerë, në të gjitha kohrat. Shkencat dhe filozofia e kësaj periudhe u lidhën ngushtë midis tyre. Njohja e natyrës u vendos mbi baza objektive. Shoqëria po interesohej së tepërmi për një mendim shkencor të vërtetë dhe të dobishëm për njerëzit. Shkenca nuk konsiderohej më si një pasuri apo luks i salloneve dhe njerëzve të shtresave të larta të shoqërisë. Synimi i saj u bë përhapja e dijeve në masën e madhe të njerëzve.

Filozofia, ndërkohë mbante qëndrim kritik ndaj shkencës. Kështu ajo ruante cilësinë e saj si reflektim i njeriut mbi botën që e rrethonte. Në këtë periudhë filozofia kërkonte një arsye të shëndoshë për shpjegimin e fakteve natyrore dhe shoqërore.

Epoka e iluminizmit
Si rrymë e shekullit XVIII, iluminizmi përfshiu vendet europiane, si: Franca, Gjermania, Anglia, të cilat frymëzuan lirinë e njeriut dhe emancipimin e tij. Këtij procesi i shërbyen ndryshime, si: toleranca fetare, pedagogjia e re e të mësuarit, shtypi i lirë, sigurimi me ligj i të drejtave të qytetarit etj. Iluministët më të shquar të asaj kohës ishin: Monteskje, Rusoi,Volteri, d`Alamberi. Vizioni i tyre për shoqërinë ishte: Njeriu i lirë që vepron dhe përparon mbi bazën e arsyes së tij. Vetëm kjo rrugë i bënte ata optimistë për përparim dhe progres shoqëror. “Iluminizmi është gjykimi i njeriut për të ndjekur jetën e tij, pa u drejtuar prej askujt dhe pa i shërbyer asnjeriu, përveç arsyes së tij” pohon E.Kanti.

Reflekto dhe përgjigju
Çfarë ishte iluminizmi në Europë?
Pse epoka e iluminizmit është e rëndësishme?
Në ç’kuptim kjo epokë është emancipim i njeriut?
Cila pjesë e historisë, shërbeu si baza e iluminizmit?

Debat dhe dialog
Diskutoni në klasë, rreth pyetjeve:
– A u shfaqën idetë iluministe në Shqipëri?
– Si u mbështet kjo rrymë nga rilindasit shqiptarë?
Jepni shembuj nga historia.

Jepni opinionin tuaj
– Duke përdorur analogjinë me epokat e mëparshme, tregoni, pse mendimi filozofik është produkt i ngjarjeve të kohës.
– Përgatisni detyrën lidhur me temën: “Iluminizmi i rilindasve tanë”.
Shfrytëzoni edhe materiale nga burime të tjera informacioni.