Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Filozofia 11 Linja 4 Mësimi 8
Montenji dhe skepticizmi në filozofinë e tij
Kushtet social – historike të formimit të filozofisë së Montenjit
Montenji (Michel de Montaigne, 1533-1592), lindi në familje shumë të pasur aristokrate, në Bordo të Francës. Ai që në moshë shumë të vogël mori arsimim në gjuhën latine. Më pas, studioi për drejtësi, gjë që e ndihmoi në karrierën e mëvonshme si anëtar i parlamentit. Në këtë post, u emërua në vitin 1557 dhe qendroi për 13 vjet me rradhë. Montenji, vëllimin e parë të veprës “Ese”, e shkroi në vitin 1580. Pas largimit nga parlamenti, bëri një udhëtim të gjatë nëpër Europë. Ai i rikthehet sërish politikës, si kryetar i bashkisë së Bordosë, ku qëndroi deri në vitin 1585. Ishte koha kur luftrat fetare në Francë kishin arritur kulmin. Kjo do të shkaktonte tek filozofi, skepticizmin në aspektin social. Veprat kryesore të tij, janë: “Në mbrojtje të Rajmond Sebondit”, “Ditar udhëtimi”, “Ese” (në tre vëllime). Në shkrimet e tij, Montenji kritikon maninë e njerëzve për lavdi dhe famë. Ai arsyeton se, jo gjithmonë fama dhe merita e vërtetë shkojnë bashkë në një rrugë. Fati nganjëherë i ndihmon të paaftët. Ndryshe nga filozofë të tjerë, si p.sh., Makiaveli, që vlerësonin lavdinë e individit dhe të udhëheqësve politikë, Montenji shprehet se rendja pas lavdisë pengon lirinë njerëzore. “…Duke u shqetësuar për opinionin që të tjerët kanë për ne, do të zvetnohemi, do të rrezikojmë paqen e shpirtit dhe nuk do të jemi kurrë të pavarur”- shprehet ai. Montenji përfaqëson variantin modern të skepticizmit të lashtësisë, veçanërisht të veprës së Pirronit. Interesi i Montenjit ishte për atë pjesë të kësaj filozofie, që lidhej me vlerësimin e aftësive të njeriut, për të qenë të arsyetueshëm dhe dialogues në jetë. Skepticizmi nuk duhet menduar vetëm si dyshim për njohjen e botës. Sikurse skeptikët, Montenji nuk i pranonte gjykimet përfundimtare, por vetëm supozimet për zgjidhje të mundshme. Ai shprehet dyshues për unitetin e shoqërisë njerëzore. Duke qenë dëshmitar i luftrave të përgjakshme fetare, bën fajtor fanatizmin e njerëzve. Duke u bazuar tek skepticizmi klasik, ai mendon se njerëzit duhet ta drejtonin vëmendjen tek problemet e jetës së përditshme, në vend që të merreshin me zbulimin e universit.
Sipas Montenjit, arti i jetës është të krijosh njeriun e mirë dhe fisnik. Ai pohon se nga të gjitha sëmundjet njerëzore, më e keqja është të përbuzësh qenien tënde. Por, nga ana tjetër, asgjë nuk e shëmton më shumë njeriun, sesa përpjekjet për të vlerësuar veten më tepër se ç’është në të vërtetë. Për Montenjin skepticizmi ndaj sjelljes së njerëzve, nuk luante rol frenues. Ai mbështet zhvillimin pozitiv të individit gjatë jetës, sepse nxit gjykimin, si pjesë e rëndësishme e arsyes, që mbart në vetvete përvojën e jetës. Kjo e ndihmon njeriun të kontrollojë sjelljet dhe dëshirat. Meqënëse nuk ka të vërtetë absolute drejt së cilës synon shoqëria, atëhere ndryshimet e saj nuk duhet të jenë të menjëhershme. Kështu, Montenji bie në pozita konservatore. Sipas tij jeta duhet të pranohet ashtu siç është. Fryma skeptike e mbajti larg qendrimeve revolucionare dhe anarkike. Ideja e Montenjit se, duhet të interesohemi më shumë për problemet e njerëzve, sesa tek ato kozmike, nxiti shumë mendimtarë të fokusoheshin në jetën shoqërore. Megjithatë, Dekarti do të ritheksonte rolin e filozofisë, në qartësimin e dyshimeve njerëzore.
Reflekto dhe përgjigju
Pse Montenji konsiderohet pasues i skepticizmit klasik?
Cilat ishin disa nga idetë e Montenjit, lidhur me individin dhe moralin njerëzor?
Çfarë pozicioni mbajti ai, në raport me politikën dhe ndryshimin shoqëror?
Debat dhe dialog
Organizoni në klasë një debat filozofik rreth ideve të mëposhtme, të shprehura nga Montenji: “Nga të gjitha sëmundjet njerëzore, më e keqja është të përbuzësh qenien tënde.” “Asgjë nuk e shëmton më shumë njeriun, sesa përpjekjet për të vlerësuar veten më tepër se ç’është në të vërtetë.”
Jepni opinionin tuaj
Shprehni në formën e esesë së shkurtër, mendimin tuaj rreth thënies së Montenjit: “Lartësia e mendimit njerëzor, është të pranosh jetën ashtu siç vjen dhe të shikosh me besim atë çfarë mbetet”. Sillni argumente sa më bindëse, për të mbrojtur pozicionin tuaj, pro apo kundër idesë së filozofit.