Kurrikula
Kursi: Filozofia Klasa 11
Identifikohu

Curriculum

Filozofia Klasa 11

0/53

0/0
Mësimi me video

Linja 7 Mësimi 5: Pozitivizmi ose filozofia pozitiviste e Ogyst Kontit

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Filozofia 11 Linja 7 Mësimi 5

Pozitivizmi ose filozofia pozitiviste e Ogyst Kontit

Shkenca dhe roli i saj për njeriun dhe shoqërinë
Ogyst Kont (Conte Auguste,1798-1857) lindi në Monpelje në familje katolike dhe monarkiste. Ai ishte nxënës në liceun e Monpeljesë. Në studimet e tij dallohet interesi veçanërisht për matematikën. O. Konti fitoi para kohe provimin, që e lejoi të vazhdonte studimet në shkollën Politeknike të Parisit (1812).

Në vitin 1816, pas mbylljes së saj, kthehet në Monpelje dhe ndjek disa kurse verore në fakultetin e Mjekësisë. Duke braktisur kishën që në moshën trembëdhjetë vjeçare, ai hyri në konflikt me familjen e tij dhe u vendos në Paris. Punoi mësues matematike në shkollën Politeknike dhe fitoi të ardhura për jetese normale dhe vazhdoi veprimtarinë e tij shkencore. O. Kont ishte filozof dhe sociolog francez, themeluesi njërës prej rrymave më të përhapura në filozofinë borgjeze, pozitivizmit. Në bazë të filozofisë së tij, Konti vendosi doktrinën enciklopedike “Mësimi i filozofisë pozitive” (e përmbledhur në gjashtë vëllime).

Fjala “pozitive”, për Kontin nuk ka kuptimin e kundërt të negatives . Ajo është e kundërta e mendimit metafizik dhe vlerësim i shkencave, të cilat i klasifikon historikisht. Ai bën një renditje të shkencave duke menduar se në fillim është matematika, si shkencë e fakteve. Menjëherë pas saj vendos astronominë (si shumë e afërt me matematikën). Fizikën dhe kiminë i quan shkenca të ndërlikuara. Në vazhdim është biologjia dhe studimi i fiziologjisë njerëzore mbaron me psikologjinë.

Të fundit në radhën e këtyre lëndëve vendos sociologjinë , ligjet e së cilës edhe pse më të ndërlikuara se të biologjisë, mbështeten në të njëjtat themele. Kjo është arsyeja, që O. Konti e quante sociologjinë “Fizikë sociale”. Pra, ai pretendonte se me anën e “metodës pozitive”do ta shndërronte edhe sociologjinë në një shkencë të saktë pozitive, të ngjashme me shkencat e natyrës. Njohja e ligjeve të zhvillimit shoqëror sipas tij, do të thotë të planifikosh zhvillimin shoqëror. Me anë të kësaj renditjeje të shkencave, Konti shpreh detyrën e marrëveshjes midis shkencave, për ta bërë njeriun zot të natyrës.

Ogyst Konti dhe shkencat
Disa koncepte të rëndësishme të O.Kontit ishin:
– Pozitivizmi, kupton mospranimin e metafizikës në dobi të rolit shkencave të natyrës.
– Sociologjia kërkon që shoqëria të studiohet si një tërësi faktesh.
– Altruizmi është tërësia e prirjeve që nxitin qeniet njerëzore të kujdesen për njëra – tjetrën. Kjo gjë çon në përmirësimin e jetës së tyre.

Teoria e tij altruiste bashkon utopizmin e mëparshëm dhe zhvillimin e ri të shkencave. Ai pretendonte, një shoqëri ku kisha do të zëvendësohej nga shkenca. Njerëzit do të shpalosnin çdo moment altruizmin e tyre ndaj të tjerëve. Këtë fakt Konti e krahason me atë që bëjnë të gjithë organizmat e gjallë për t’i marrë mjedisit çdo gjë që u duhet për të jetuar. Shkenca biologjike e “natyrës së gjallë” është modeli i sociologjisë si shkencë e ngjashme me ato të natyrës. Kjo ide e Kontit lidhet me mendimet e Sen Simonit dhe Hegelit:
Në gjendjen e parë të shoqërisë, të quajtur “teologjike,” njerëzit e lidhnin shpjegimin e dukurive të natyrës përmes forcave hyjnore. Me zhvillimin e mëtejshëm u kalua nga politeizmi (besimi në shumë perëndi) në monoteizëm. Në gjendjen e dytë, “abstrakte” pranohet monoteizmi dhe zoti është ai, që shpjegon natyrën në tërësinë e saj. Gjendja e tretë, pozitivizmi është studimi i dukurive të veçanta të botës, përmes shkencave sepse vetëm ato janë të dukshme dhe të vërtetueshme shkencërisht. Vetëm kështu njeriu e zotëron natyrën, sipas O.Kontit.

Cili është roli i filozofisë në këtë shoqëri?
Filozofia, sipas O.Kontit duhet të mbështesë zhvillimin e shkencave duke mënjanuar paragjykimet metafizike që pengojnë shkencën dhe të vërtetat e saj. Gjithashtu filozofia u jep shkencave metodën e studimit të natyrës duke siguruar zotërimin e saj nga njeriu.

Në këtë konceptim, Konti është optimist.
Që të ruhet “harmonia” dhe “qëndrueshmëria e rendit”, thoshte ai, duhet të edukohen njerëzit me frymën e një feje “të re”pozitive, me frymën e altruizmit, “të dashurisë për tjetrin”. Pra, O.Konti iu kundërvu hapur ideve komuniste dhe krijoi një teori antikomuniste që predikonte “ paqen klasore”. Pikëpamjet filozofike idealiste e reaksionare të tij u mbrojtën dhe u thelluan më tej nga empiriokriticizmi (etapa e dytë e zhvillimit të pozitivizmit).

Debat dhe dialog
Për të zhvilluar këtë diskutim në klasë ju duhet të përgatiteni paraprakisht. Mblidhni artikuj të ndryshëm, kërkoni informacione nga burime të tjera dhe ndahuni në dy grupe. Debati do të bazohet në pyetjet e mëposhtme të ndara sipas grupeve.

Grupi i parë:
Si ndikuan marrëdhëniet me S.Simonin në formimin e O.Kontit? (Idetë më të rëndësishme të S.Simonit janë:
Ideja e shoqërisë industriale, ideja e fuqisë shpirtërore).

Grupi i dytë:
Cilat ishin mendimet e O.Kontit për revolucionin industrial? Pse dhe si do të ndryshonte ky revolucion, të gjitha marrëdhëniet sociale ekzistuese.