Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Filozofia 11 Linja 7 Mësimi 18
Psikanaliza dhe lidhja e saj me filozofinë
Psikika individuale në marrëdhëniet me të tjerët
Në problemet e filozofisë moderne, individi, shqetësimet e tij dhe subjekti janë disa nga çështjet themelore me të cilat bashkohen edhe disiplina të tjera shkencore për njeriun. Një prej tyre është Psikanaliza. Ajo ka përhapje të gjerë dhe interes në shkencën mjekësore, por edhe ne filozofi.
Si lindi psikanaliza dhe cili është objekti i saj?
Themeluesi i psikanalizës është Z.Frojd (Zigmund Freud,1856-1939), mjek psikiatër dhe psikolog austriak. Ai lindi në vitin 1856 në Moravi, rajon në pjesën lindore të Republikës Çeke. Shumicën e jetës e kaloi në Vjenë të Austrisë. Fillimisht Frojdi u regjistrua në Universitetin e Vjenës, si student në fakultetin Juridik. Gjatë kësaj periudhe u ndikua nga teoritë darviniste, që e nxitën të studionte për mjekësi. Nga fundi i shek. XIX, doli me disa ide të reja, shumë interesante, rreth mendjes së njeriut. Frojdi është cilësuar si një nga mendjet më të mëdha të të gjitha kohëve. Ai ishte nga shkencëtarët e parë që kreu kërkime serioze rreth mendjes. Mendja është mbledhja e aktiviteteve me bazë në tru, që kanë të bëjnë me mënyrën sesi njeriu vepron, mendon, ndien dhe arsyeton. Psikanaliza, luajti rol të rëndësishëm në zhvillimin e filozofive të shek. XX. Thelbi i teorisë së tij qëndron në shkëputjen e psikikës së njerëzve nga shkaqet dhe kushtet materiale që e lindin. Psikikën e shikonte si diçka të pavarur, e cila ekziston krahas proceseve materiale dhe drejtohet nga forca të përjetshme e të errëta psikike, që ekzistojnë jashtë kufijve të ndërgjegjes. Gjendjen psikike të njerëzve dhe veprimet që ata kryejnë Frojdi i quan objektin e psikanalizës. Ai i shikon si shfaqje të synimeve të pandërgjegjshme, të instinkteve që mbisundojnë në psikikën e njerëzve. Fenomenet ideale, psikike, gjithashtu edhe fenomenet e pavetëdijes, ai i quan si bazën dhe shkakun e historisë njerëzore, të moralit, të artit, të shkencës, të fesë, të shtetit dhe të së drejtës së luftërave. Studimet e tij ndikuan shumë në kuptimin e sjelljeve të dukshme të njeriut dhe në të kuptuarin e tij nga vetja dhe të tjerët.
Ku qëndron lidhja midis psikanalizës dhe filozofisë?
Frojdi krijoi një teori që kërkonte zbulimin e motiveve më të thella të sjelljes së njeriut. Ai mendon se të jetuarit në shoqëri, krijon probleme për individin. Shpesh subjekti, është i detyruar të ndrydhë dëshirat nga censura e rregullave shoqërore edhe nga parimet e vetëdijes së tij morale. Këto dëshira e nxitje të shtypura shkaktojnë turbullim dhe shqetësime në sjelljen e individit duke e shtyrë në të pavetëdijshmen. Kjo gjendje, është largim nga realiteti dhe mbyllje në botën personale të individit. Si e tillë ajo shprehet në ëndrrat dhe në gabimet pa dashje në të folurën e njeriut.
Duke u marrë me shpjegimin e ëndrrave, Frojdi i shpjegonte ato me anë të psikanalizës si kujtime dhe dëshira të pavetëdijshme të njeriut, të cilat nuk mund të shfaqen në jetën normale. Në këtë mënyrë ai shpjegon çdo sjellje të subjektit. Në veprat kryesore: “Kuptimi i ëndrrave” (1900) , “Totem dhe tabu”, Frojdi analizon raportin midis kulturës së shoqërisë njerëzore dhe të pavetëdijshmes te njeriu. Përplasja e instinkteve njerëzore me prirjet e reja kulturore sjellin sëmundje te njerëzit dhe shqetësim të shpirtit të tyre. Në këtë mënyrë Frojdi mendon me pesimizëm në lidhje me zhvillimin e shoqërisë dhe njeriut si pjesë e tij. Ai flet për mohim të moralit shoqëror dhe të lirisë së plotë individuale, që të çon drejt kënaqësive të jetës. Fenomenet problematike, sidomos përdorimi i drogës, alkoolit etj, për Frojdin lidhen me përpjekjet e njeriut për t’u kthyer prapa në kohë, larg normave dhe rregullave, larg problemeve të përditshme ( në shumicën e rasteve edhe të pazgjidhshme). Sipas tij, njeriu është i destinuar të mos jetë i lumtur.
Edhe emra të tjerë të psikanalizës kanë komentuar dhe zhvilluar më tej teorinë frojdiane mbi sjelljen. Adleri në ndryshim nga Frojdi, mendon se nuk është seksualiteti përcaktues në sjelljen e individit. Thelbi i sjelljes është nevoja e individit për të luftuar inferioritetin dhe kërkesa për të qenë i vlefshëm në shoqëri. C.Jung (Carl Gustav Jung) ushtroi ndikim të madh në kritikën letrare me psikanalizën e tij, duke zhvilluar edhe kërkime të kësaj natyre në artin e shoqërisë. Ai flet për pavetëdije kolektive, në të cilën ndodhen modelet e sjelljes. Psikanalizën u përpoq ta zhvillonte në raport me kulturën në tërësi dhe jo me individin. E.From (Erich Seligmann Fromm), psikanalisti gjerman në veprën e tij “Arratisje nga liria”, shpjegon se koncepti i lirisë ka brenda edhe përgjegjësi së cilës njerëzit i largohen. Kjo është arsyeja që i largohen edhe politikës dhe i lënë të tjerët të vendosin për ta.
Reflekto dhe përgjigju
Si e barazon Frojdi gjendjen normale dhe patologjitë psikologjike te njeriu?
Nga vijnë problemet me të cilat ndeshet njeriu?
Si lidhet filozofia me psikanalizën?
Jepni opinionin tuaj
Argumentoni:
Si lidhen problemet e sotme të shoqërisë me patologjitë nervore?
E zgjidh droga situatën? A u ndodh të gjithëve?